Grupi i hakerave, që po përpiqet të rrëzojë regjimin e Llukashenkos
Nga Tommaso Meo
Protestat që shpërthyen në Bjellorusi vitin e kaluar,dhe që nuk kanë pasur ende rezultatin e shpresuar, atë të rrëzimit të qeverisë autoritare të presidentit Aleksandër Llukashenko,në këtë detyrë që nga viti i largët 1994, kjo falë edhe represionit të egër të shtetit, janë zbehur por nuk janë shuar. Rrugët e Minskut nuk janë më të mbushura me demonstrues si në vjeshtën e vitit 2020, por tani ata që luftojnë për lirinë e popullsisë bjelloruse janë “partizanët kibernetikë”.Belarus Cyber Partisans, Partizanët Kibernetikë të Bjellorusisë është emri i një grupi prej 15 ekspertësh të teknologjisë së informacionit (IT) dhe sigurisë në internet, që punojnë në sektorin e lulëzuar të teknologjisë në këtë vend. Ata kanë përdorur aftësitë e tyre për t’u infiltruar në faqet qeveritare, për të nxjerrë informacionet dhe për të sabotuar operacionet e vëzhgimit nga ana e forcave të sigurisë. “Ajo që duam është ndalimi i dhunës dhe i shtypjes së regjimit terrorist në Bjellorusi, dhe kthimi i vendit tek parimet demokratike dhe sundimi i ligjit”- tha për MIT Technology Review një zëdhënës i grupit, që kërkoi të mbetej anonim për arsye sigurie.
Operacionet e para
Grupi i hakerave nisi të ndërmarrë veprime kundër disa faqeve qeveritare si një formë proteste shtatorin e vitit të kaluar, pas zgjedhjeve të diskutueshme që e konfirmuan Llukashenkon si president. Presidenti u akuzua për manipulim të procesit. Në kundërpërgjigje, Partizanët Kibernetikë të Bjellorusisë depërtuan në portalet lajmeve të kontrolluara nga qeveria dhe postuan video që tregonin skena të akteve të dhunës të kryera nga oficerët e policisë. Kthesa në luftën kibernetike guerile ndaj regjimit, ndodhi falë mbështetjes së një grupi tjetër të rezistencës civile, të quajtur Bypol, që ka bërë bashkë ish-oficerë policie që e lanë punën pasi nisën protestat dhe që tani po merren me kundër-informacionin. Bypol i ka mësuar aktivistët se si të depërtojnë në organizatat qeveritare dhe strukturën e bazave të të dhënave publike, në këmbim të informacionit mbi abuzimet e regjimit. Hakerat e këtij grupimi e publikojnë informacionin që e kanë marrë në një kanal në platformën Telegram, ku kanë mbi 77 mijë abonentë. Deri më tani ata kanë zbuluar dëshmi të krimeve të policisë, informacione që tregojnë se regjimi e ka fshehur numrin e vërtetë të vdekjeve nga Covid-19, si dhe regjistrime të urdhrave për të dhunuar protestuesit paqësorë. Aktivistët pohojnë gjithashtu se ia kanë dalëtë hakojnë dhjetëra baza të të dhënave qeveritare dhe policore.
Zbulimet më të fundit
Operacionet e tyre më të fundit,u dhanë mundësi aktivistëve që të kenë akses në filmimet me dron që regjistruan dhunën e policisë ndaj protestuesve në sheshe vitin e kaluar, dhe në bazën e të dhënave të Ministrave të Brendshëm për telefonat celularë që janë vënë nën përgjim. Po ashtu, hakerat patën qasje tek regjistrimet audio të shërbimeve të urgjencës, si dhe video nga kamerat e mbikëqyrjes në rrugë dhe qelitë e izolimit nëpër burgje. Të dhënat e lëshuara nga grupimi javët e fundit përfshijnë listat e informatorëve të dyshuar të policisë, informacione personale për zyrtarë të lartë, dhe spiunë që bashkëpunojnë me regjimin e Llukashenkos, pamje të qendrave të paraburgimit dhe regjistrime të kapura nga sistemi qeveritar i përgjimit. Partizanët Kibernetikë, thonë se qëllimi i tyre është ta minojnë regjimin në të gjitha nivelet:“Të paralizojmë sa më shumë që të jetë e mundur forcat e sigurisë së regjimit, të sabotojmë dobësitë e regjimit në infrastrukturë dhe të sigurojmë mbrojtje për protestuesit”. Po ashtu operacionet kanë një qëllim të dytë:të tregojnë dobësinë e regjimit, duke i siguruar kundërshtarët e Llukashenkos se qeveria nuk është e pathyeshme. Në fund këto sulme synojnë të sjellin rrëzimin e qeverisë”.
Teknologjia në Minsk
Sektori teknologjik i Bjellorusisë, që vetëm në një zonë të kryeqytetit Minskut ka dhjetëra kompani dhe biznese të reja, ka qenë që në fillim një nga më të angazhuarit në protestat antiqeveritare. Për shkak të shtypjes, shumë nga punonjësit në këtë sektor janë detyruar të emigrojnë apo kanë përfunduar në burg. OKB vlerëson se të paktën 27.000 njerëz u arrestuan në Bjellorusi vitin e kaluar, si pasojë e reagimit të regjimit ndaj protestave. Aktualisht, një koalicion ndërkombëtar i organizatave të të drejtave të njeriut, po heton dhe dokumenton torturat dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut të ndodhura që nga fillimi i protestave, me synim inkriminimin e regjimit të Llukashenkos. Provat audio dhe video të siguruara nga Partizanët Kibernetikë mund të kenë një peshë të konsiderueshme.
Precedentët
Bjellorusia përfaqëson rastin e fundit të përfshirjes të hakerave në betejat politike. Gjatë Pranverës Arabe të vitit 2011, grupimi “Anonymous”sabotoi disa faqe qeveritare në Tunizi dhe Egjipt. Në vitin 2016 në Ukrainë, u krijua një grup që e paraqet veten si “Aleanca Kibernetike” për të kundërshtuar agresionin rus në vend. / “Wired.it” – Bota.al