Miho Gjini: QYTETËRIMI PIQERASIOT
Nuk më hiqet nga mendja Buona, një vajzë e thjeshtë dhe gazetare shumë e talentuar nga anët tona që punon në TVSH dhe erdhi të pushojë dy vite të shkuara në shtëpine time në Piqeras! Po ajo iku dhe u kthye përsëri. Erdhi me një ekip televiziv, kësaj rradhe, për të fiksuar një mbresë të fortë: QYTETËRIMIN PIQERASIOT, në po atë emision të veçant për qytetet tona. Kështu i ngjau asaj dhe kështu e fiksoi, si një fshat-qytet që e ka patur dhe e ka shpërndar qytetërimin e vet nëpër botë, ngado që ka shkelur këmba e piqerasiotëve: në Itali, Greqi, Amerikë, Australi, Spanje e deri në Kanada e në Islandën e largët, në afërsi të Polit të Veriut. Për një orë dhe për herë të parë, një Dron shëtiti nga lartësitë qiellore, me syrin e vet, që të gjithë Piqerasin, që nga Manastiri i Kremesovës, i cili “mbrohet nga shteti” (!) e deri në anë të detit. S’ka pak ditë që, një Dron tjetër, prej “Top-News” e ripërsëriti bukurinë dehëse të qytezës sonë dhe, më së fundi, një djalosh-gazetar entusiazt trokiti në një derë jeshile, ku banon fabulisti Vasil Gjivogli e foli me Ezopin tonë të dashur, autorin e 10 librave e intelektualin e veçantë që i “ngrys” 365 ditët e vitit në po këtë fshat-qytet “të artë”… Dhjetë vite më parë, po një gazetar tjetër i TVSH që filmoi këtu dhe e pikasi këtë nismë qytetërimi të bashkëfshatarëve të mi, të cilët jo vetëm që kane “marrë” nga bota, po edhe i kanë dhënë asaj, qytetërimin e tyre të hershëm, -më porositi që të bëja edhe një skenar filmi dokumentar me këtë temë, në të gjithë gamën e vet qytetëruese. E shkrova, ia dërgova dhe, për fatin e hidhur, ky skenar ka mbetur ende i paprekur nëpër sirtaret e këtijë institucioni, që ka realizuar me qindra dokumentarë televizivë të tjerë, po jo ketë…
Dhe, meqënse ky Kodosh Virusi-19 na ka mbyllur brenda, le të shprehemi rradhazi për këtë temë historike e reale vitaliteti, aventure, heroizmi e energjie të pashëmbullt, kushdo që di e mund të thotë diçka për këto vlera të larta kulture, ndërkohë e vite të shkuara, për ç’ka kanë bërë e bëjnë banorët e Piqerasit, themeluesit e fshatit Villa Badessa në Itali dhe të Neo Pikernit ne Krahinën e Peleponezit të Greqisë. Dhe fenomeni qytetërues do të ndodhë sa herë që popujt venë e vijnë nga njeri-tjetri, kur japin e marrin kulturë jetese dhe kur rrojnë me dëshirat e përparuara të zhvillimit shoqëror. Dhe, nga banorët e Piqerasit , që dikur patën limanin e tyre, ku ankoroheshin deri në 100 varka peshkimi e transporti që venin e vinin nga Korfuzi disa herë në ditë e “rrihnin detin” deri në Maltë, apo kur mërgonin Amerikën e Australinë e largët, nuk mund të mos sillnin në fshatin e tyre qytetërimin e vërtetë. Dhe që do ta habiste Dhespotin Grek kur errdhi ne Piqeras në vitet 30 të shekullit të kaluar, kur pa e tha se “Piqerasi është një Paris i Vogël”!
VILLA BADESA
Në Shkollën Fillore te Piqerasit, kur sapo qe shpallur çlirimi i vëndit nga të huajt, mësuesi nga Delvina Pandeli Malo na thoshte fjalë trimërie për të parët tanë, ku rradhiste tri heronjtë e rrallë: Vasil Llaçi, Mitro Xhani e Apostol Çuni që e kishin falur jetën e tyre për vendin, po edhe për ata trima romantikë që “çanë detin” dhe shkuan në bregun tjetër, ne Itali, 300 e ca vite më përpara e themeluan aty një fshat tjetër me Piqerasiotë. Dhe që, kur befas shtetet u ndanë me njeri-tjetrin, delnin anës detit m’atanë e këndonin këngë mallëngjyese për të dashurit e tyre që lanë pas këtu… Afro dy dekada më vonë, kur unë pata si pedagog në krye, në Shkollën e Lartë të Aktorëve, kushëriun e parë të mësues Pandeliut, Andrea Malon, regjisorin e sapo kthyer nga Moska, do të mësoja se fshati i themeluar nga 19 familje piqerasiote, nuk ndodhej në fundin e “çizmes italiane”, po diku në qendër të saj, rreth 200 km. në lindje të Romës. Dhe vetëm atëhere do t’ia nisja këtyre kërkimeve nëpërmjet “arkivës së gjallë” të njerëzve, dokumentacioneve, si edhe të veja e t’i gjeja atje ku ishin ata, midis Romës e Peskarës, në afërsi të Chietit,-dikur kryeqendra e shtetit.
Nga pleqtë e fshatit tim do të mësoja se ata ikën pas një konflikti të ashpër me fqinjët e Borshit, për vendosjen e kufirit midis fshatrave, ndërsa nga një dokument arkivor do të informohesha më saktë se: “Fshati quhet Baddesa (emër ky, që do më sillte para syve kështjellën e rrënuar midis Piqerasit e Borshit, të quajtur “Bardha”-M.Gj.) dhe përfaqëson koloninë më jugore italo-shqiptare. Banorët e këtij fshati janë pasardhësit e një grupi prej 19 familjesh që u larguan në gjysmën e parë të shekullit XVIII nga fshatrat Piqeras, Lukovë, Shën Vasil, Nivicë, Lëkursi dhe nga Korfuzi. Ata errdhën në Itali më 4 mars 1744″… Më poshtë shkruhej se gjithsej bëheshin 23 familje dhe se Mbreti Karl III, i cili i adhuronte ata si trima luftëtarë, u dha tokë në luginën pjellore përreth lumit Nora, midis Abadessës dhe Piano di Koças. Piqerasiotët që krijonin shumicën e tyre, kishin sjellur me vete edhe ikonën e “Shën Marisë së Kremesovës” me vlerë unike, nga manastiri i tyre me të njejtin emër. Acarimi i tyre i parë me vëndasit qe mospërputhja e besimit të tyre artodoks me atë Katolik, derisa u gjend njëfarë “shartimi” greko-shqiptaro-bizantin, me atë katolik, në kishën e re të Villa Badessës, duke e braktisur atë që ngritën fillimisht të stilit ortodoks, duke e lënur ngrehinën edhe pa çati, tek për këtë çëshje u morë vetë Papa i Romës.
Po gjithçka që kishte të bënte me “enigmën” e mistershme të këtij fshati binjak do më qartësohej në mesin e dimrit, me dëborë të dëndur, më 21 shkurt 2012, kur unë do të shkelja me këmbet e mia ne fshatin e të parëve të mi, themeluar 350 vite të shkuara, i shoqëruar nga profesori italian i Universitetit të Chietit, miku im Françesko Giovani Maria Stoppa dhe nga përkthyesi Murat Aruçi (ish nxënësi im i dikurshëm). Pasi hymë në rrugën e asfaltuar të fshatit, përballja e parë ishin tri shtëpitë e para që u ngritën në ato vite, së toku edhe me ndërtesën e pambaruar të kishës se parë, e cila mbeti aty si “relike”. Në qendrën e fshatit do të na priste Giancarlo Ranalli, profesor në Universitetin e Molizës (Molise), miku i Prof. Stoppës, i cili m’u hodh në qafë i përmalluar, duke më thënë: “Mirëse erdhe në fshatin tënd! Unë jam Gjoni, i dashur Gjini, jam te nga ky fshat dhe kam qenë njëherë edhe në fshatin amë…”! Përqafohemi dhe afrohemi tek një pllakë mermeri, kushtuar dëshmorëve të fshatit gjatë Luftës së Dytë Botërore: Andon Pali, Mili Nikollo, Mihal Miho dhe të italianit Berardinis Domenica. Dy metra më tej qe vendosur busti i Skënderbeut. Në krahun përball ishte kisha, prej së cilës hapej sheshi kryesor, duke vazhduar me rrugën kryesore në trajtë “kurriz peshku”, me shtëpiat karakteristike piqerasiote, prej guri, një deri dy katëshe, të mbuluara me tjegulla të kuqe, shtrirë mbi kodrinën e gjelbër, po pa detin përkarshi, pa lumin e Bunecit, po në vend të tij kishin lumin “Nora”. Tek-tuk edhe disa shtëpi e mure të vjetëra, pjesërisht të braktisura nga banorë të emigruar në vende të tjera të Europës e të botës, sikundër edhe në fshatin e të parëve, të cilët pata fatin, t’i përfaqësoja në këtë rast fatlum.
Befas na vjen ftesa e parë për të pirë një kafe, kur unë po e kerkoja me sy një lokal të tillë, nga Kryetari i Komunës së Roscanës Alberto Secamiglia, që përfshinte edhe Villa Badessën. Ai qe një italian shumë i përzemërt, me ca sy që rezatonin dritë e ngohtësi. Unë i vura në qafë një shall të kuq me shqiponjë, ndërsa ai më vendosi në krahë-qafë shiritin e kryebashkiakut. Dhe mbi tryezë vendosi dhuratën e mirëseardhjes: një album të ikonografisë të një formati të madhë e të lidhur bukur, në koopertinën e së cilës shquante ikona e Shën Marisë së Kremesovës që e sollën këtu fshatarët e mi, së toku me disa ikona të tjera…Profesor Stoppa, miku i tij dhe i imi, do na rrëmbente prej këndej, për të më shpënë në një punishte rrobaqepsie, ku punohej për veshjet e reja, të grave e të burrave, sipas modeleve të para të banorëve të Piqerasit e të bregut të pohtëm, duke patur aty edhe një album etneografik që i kishte dërguar atij Spiro Shkurti nga Nivica, i cili jetonte përfundimisht në Piqeras , miku im i fëmijërisë dhe në atë kohë punonjës në sektorin e Institutit të Folklorit e të Etneografisë në Tiranë. Në mbrëmjen e djeshme ai na prezantoi grupin e tij të Folkut, që fliste e këndonte edhe në gjuhën e të parëve tanë, po edhe të uleshim nëpër tryeza e të hanim në ato gatime të taditës së hershme! Kurse tani po më rrëfente edhe disa skica të kostumit të Villa Badessës që kishte realizuar 150 vite më parë, po aty, Maximilian Lambert, si edhe një portret nga piktori anglez Eduard Lir, që kishin kaluar e qëndruar disa ditë në këtë fshat. “Unë dua që ta rikrijoj kustumin origjinal të Piqerasit që u trashëgua në Villa Badessa,-tha ai,-ashtu siç ka qenë. Ëndërroj për këtë e do t’ia arrij patjetër”. Dhe mua do të më kujtoheshin ato rreshta, shkruar dikur, me admirim, nga turisti francez Rene Pnaux, në librin e tij “Distixiseni”, kur e pritën banorët e Piqerasit në vitin 1920, me lule ndër duar, veshur me kostumet e tyre më të mira të traditës, në njerën anë burrat e në tjetrin gratë, vajzat e reja dhe fëmijët, me shami të zeza e të bardha, me pollkat me kopsa ari veshur, me fustane te gjata e të bollshme, ku binin në sy dizenjot e qëndisura ma dorë, kurse burrat me kostume leshi, me këmishën e bardhë, me xhaketa e poture të zeza dhe me tirqe të bardha. Ai nuk qe veçse një qytetar i huaj, një turist elegant francez, i cili shkruan në këtë libër për “kulturën e etikën qytetare” të piqerasiotëve të civilizruar, ashtu sikundër bënte edhe ky profesor shumë i nderuar i Antropologjisë në Universitetin me tradita të Chietit. Pasioni i tij ngjante si etje e një të çmënduri. Se gjithçka e bënte me paratë e tij dhe vetëm për kopsat e argjendit të njëfarë çibuni për burra, kishte paguar 700 euro!
Por misteri i banorëve të parë ruhej me fanatizmë në kishë, ku prifti i Villa Badessës, me origjinë rumune, do të më rrëfente brenda Ajodhimës ungjillin e kishës së Piqerasit të ,vitit 1743, si edhe librin e pagëzimeve të vitit 1745. Po ashtu edhe një portret të Shën Spiridhonit, sjellur nga kisha e fshatit të tyre,-shtoi prifti rumun, që ata i përkushtoheshin më shumë. Kurse ikona e madhe e Shën Marisë, e vendosur në hyrje, qe restauruar nga motrat piqerasiote Spiri, meqënse origjinali ishte dëmtuar vënde vënde… I shoqëruar nga Pinjolli i Gjonajve, Giancarlo, shkojmë deri në varrezat e fshatit. Nga të parët tanë aty do të gjejmë të vdekurit e familjes së Kosta Silvesterit, të Milit e Qesare, të Thoma Dukës, të Nikollore, të Lazre e të Vlashe, si edhe nga të fshatrave të tjera të Bregut. Për ta, qenë shkruar shqip këto fjalë: “I përjetshëm kujtimi i tyre”. Dhe të vdekurit tanë, kishin si “vend-banimi të përjetshëm” një territor të pastër, gjithë lule e mermeri të shtrenjtë, rrethuar po ashtu me qeparizat e lartë, si në fshatin e tyre të parë, midis manastirit e detit të kaltër, rrethuar nga ullinjtë e agrumet erëmira…
Si dalim prej këndej e lajmë duart, sips zakonit, Giancarlo na fton për një vizitë në shtëpinë e gjyshit Spiridon Gjoni, ku na priste e bija , një plakë 80-vjeçare, bashkë me të mbesën Antoneta Vlashi, (po ajo Antonietta Schimanski që tashmë jetonte në Gjermani dhe që disa vite më mbrapa do të vinte në Piqeras për të parë me nostalgji vëndlindjen e të merrte me vete një gur nga “Sheshi i Vlashe”, ku kishte dikur edhe shtëpinë e të parëve të saj). Në këtë shtëpi flitej shqip deri vonë, fjalë të përdorimit të përditshëm, bëheshin gatime tadicionale (si tepsi, pipeq e shëndetlije), po edhe këndoheshin melodi këngësh të rralla. Paskëtaj do të venim për vizitë tek plaka Silvia Mili (shkurtim i mbiemrit Mëhilli). Ajo nuk dëgjonte mire nga veshët , por dinte më shumë fjalë shqip. Po i biri i saj dhe mbesa qe jetonin e punonin në Romë s’mbanin mend kurrgjë.
Asimilimi qe krryer i plotë në këta njerëz, po kishte mbetur teksti shqip në Ungjillin e Kishës, në liturgjinë e korit dhe në psallmën e korifeut, si në tragjeditë greke. (“Shumë bukur është të lavdërojmë Zotin e të këndojmë emrrin tënd, o i Lartë….”). Nuk e prisnja që të më afrohej prifti e të më ftonte të thoshnja aty dy-tri fjalë zemre “për bashkëqytetarët e mi të një gjaku”, që më bënë të dritësohem e t’i afrohem Altarit, ku e gjithë qënia ime prej ateisti u shkërmoq, u përula para ikonës së Shën Marisë së Kremesovës e diçka thashë për rrënjët tona, rrëmbat e gjakut e për frymën e mbrritur deri këtu, me kaiket e njëhershme”. U dëgjua një duartrokitje dhe ndjeva krahun e Gjonit nën sqetullën time që më mbajti drejtpeshimin. Qe e kremte dhe derisa dolëm jashte i mbajta sytë gjysmëmbyllur, kur rrezatimi diellor përthyhej në dëborën që kishte mbushur “kurizin e peshkut” të kalldrëmit të sheshit kryesor. Po nuk do të vija në vete as gjatë drekës së shtrur për nderin tim, kur Gjoni (Giancarlo Ranalli) do më bënte surprizën më të madhe, duke vënë përpara meje një tepsi të tërë, ku shkruhej me germa të mëdha në shqip, emri im. Entusiazmi qe i papërshkruar. Po kaq edhe tek miqtë e mi që mbërritën po atë dite: poeti Aqif Hysa nga jugu i Italisë, pjanistja Aksinja Xhoja, aktivistia e mërguar Teuta Spahiu e piqerasiotia Tatjana Prifti që jetonte në Peskara me bashkëshortin, skulptorin Vladimir Nikaj. Pa aq edhe tek shoqëruesit e mi, profesorët Stoppa e Ranalli, si edhe tek përkthyesi Aruçi. Pa tjetër, edhe tek shumë i nderuari Kryetari i Bashkisë Alberto, si edhe tek “personazhia kryesore” e atyre ditëve: Atonetta Vlashi-Schimanski, me rrënjë e gjak nga Gjonajt, bashkëshorti i së cilës qe autori i kësaj tepsie të traditës kulinare piqerasiote, njera nga ato veçori të traditës së qytetërimit piqerasiot që nuk do të shuheshin….
***
Rikthimi në Villa Badessa do të ndodhte më vonë, kur ishte pjekur ideja e binjëkëzimit të Komunës së Lukovës me Komunën e Roscanës, pikërisht më 8 të shtatorit të motit tjetër, “Ditën e Perëndisë”, në praninë edhe të Kryepeshkopit të Kalabrisë Donato Oliveri, arbëresh nga rrënja e nga gjaku edhe ai, një burr shtatlartë e i pashëm, që e fliste shqipen rrjedhshëm e shumë pastër. Mungonte vetëm prifti i famshëm i Villa Badessës që ishte ndarë nga jeta disa vite më parë, tok me dashurinë e tij sublime për fshatin tonë e të “bijën”, Villa Badessa, duke na lënë si trashëgim edhe një libër të shënjtë për rrugën e gjatë e të ndritur të piqerasiotëve që errdhën e u ngulën deri këtu, për të bashkuar të dy qytetërimet tona.
Një mori njerëzish qenë mbledhur tek sheshi, para ikonës së Shen Marisë së Kremesovës, veshur me robat e tyre më të reja, kuq e zi, në prani të një orkestre fymore. Kryepeshkopin e shoqëronin tre priftërinjë arbëreshë të Lungros. Pas liturgjisë së shënjtë u shpërndanë pica nga besimtarët, sipas traditës, duke i uruar edhe priftit te ri të Villa Badessës mirësearrdhjen. Fjala e rastit e Kryepeshkopit ishte në gjuhën shqipe, duke ngritur së fundi një dolli me gotën e verës lartë “për ne shqiptarët,–që dimë të mbijetojmë si njerëz nëpër mote”, thirri ai më zërin e tij prej basi, që kumboi në të gjithë sheshin si një bekim hyjnor, duke shtuar se “tani kishat arbëreshe marrin frymë me të dyja mushkritë”! Mbas liturgjisë festive do të bëhej një Festë Popullore tradicionale, me humor, sikundër qe “Festa e Kungullit” dhe do ti jepej një çmim për rritësin e kungullit më të madh. Në vazhdim do të shpërrthente aty kënga e vallja, do të kërcehej “tarantela”, si edhe do te “derdhej” vera pa hesap, ku nuk do të mungonte as mishi i pjekur në hell, sipas traditës piqerasiote!
Po këtu mungonte ai që bëri më shumë për Piqerasin, për Villa Badessën, për të gjithe Arbëreshët e Italise e për të gjithë shqiptarët që errdhën në këto anë të Europës së qytetëruar, PRIFTI LINO BELLIZZI. Ai qe miku i ngusht i gjyshit të Prof. Gjonit, i lindur në Kozenca në v. 1922 që kishte mbaruar Kolegjin Papnor në Romë, Fakultetin Akademik të Filozofisë dhe te Teologjisë Ndërkombëtare të Shën Tommaso d’Aquinos, dorëzuar prift nga Kolegji Grek i Romës, që shërbeu prift 7 vjetë në Dioqezën e Lungros (Kozenca) dhe që e mbylli karrierën fetare, shpirtërore dhe kulturore në fshatin tënë VILLA BADESSA. Lino Bellizzi, nuk ishte thjeshtë një prift, po njeri i jashtzakonshëm, shkencëtar, studjues skrupuloz i qytetërimit piqerasiot, përmbledhur në një libër me vlera të mëdha historike, që shërbeu si “pikë referimi” edhe i librit tim “PIQERASIOTËT”, me emrin tij të ndritur, ashtu si i zbuloi e i shprehu ay, ku pasqyrohen me gjerë edhe 11 emigrimet e famshme të shqiptarëve. Ai shprehu këtu rrënjët e kësaj tradite që krijoi miqësinë e famshme Italo-Shqiptare, legjendat e bëmat reale, marrëdhëniet e shkëlqyera të tyre me Mbretin e Napolit Karlo Burbon. Ai la në kishën e këtueshme edhe një dokumentacion të saktë arkivor që nis me “Librin e Martesave” e atë të “Pagëzimeve”. Në librin e këtij historiani del në pah ca më tepër qytetërimi piqerasiot, kultura e jetesës e liturgjia fetare Noliste, kultura bujqësore me ullirin e agrumet, vreshtaria, gjahu, peshkimi e kulinaria e tyre. Po është trimëria, vlera e luftëtarëve të lirisë, si trashëgimtarë të Pirros e të Skëndërbeut që i shërbyen si të tillë Italisë e Spanjës dhe ngritën lartë emrrin e shqiptarit! Është merita e tij që në Arkivën Hitorike të Napolit janë të regjistruar kryefamiljarët piqerasiotë që erdhën të parët këtu: Jani Duka, Dhimitër Thanas (Prifti), Jani Spiri, Jani Lleshi, Spiro Andrea, Kosta Gjini, Dhimo Gjoka, Vrana Gjini, Mihal Thanas Gjini, Makari Nika e të tjerë, të familjes Silvestri , Vlashi, Mëhilli e me rradhë. Pra, kisha shkelur në atë dhe, ku patën shkelur edhe të parët e mi, duke u përlotur, në këte endje të gjatë e të pafundme qytetëruese… Jo më kot shkrimtari, gazetari dhe piktori Anglez Edward Ler, qysh në vitin 1843 do të qëndronte këtu, i magjepsur nga natyra e qetë, peisazhi tërheqës, bujaria, kultura dhe ajo gosti e veçantë e këtyre banorëve, me verë e fiq të thatë, me pipeq e tepsi me kofto e mish kecash e qingjash të njomë, si edhe me vezë të kuqe në kohën e Pashkës së Madhe. Është e tyre, organike dhe e përhershme edhe Festa e Karnavaleve, vallja e kënduar e vallja satirike, festa e rrushit dhe e kungullit, Në vitin 1957 fshati kishte 621 banorë, po më vonë popullsia u pakësua tepër, nga sëmundjet vekjeprurëse, nga emigrimet e tjera nëpër botë, sidomos në Gjermani, Zvicër, SHBA dhe Australi.
PIKERMI, PIKERNIS DHE NEO PIKERNI
Pasi kisha jetuar 22 vjet në Greqi, jo shumë larg Athinës, në Koropi, ngazëllehesha kur dikush nga banorët e këtueshm, si mësonte që isha shqiptar, ma kthente ndonjë fjalë në gjuhën shqipe. Tashmë e dija nga librat e Aleksander Xhuvanit, të Kristo Frashërit e të Aristidh Kolës, se dikur qenë vendosur shqiptarët edhe në Atikë, Peloponez, Korinth, Thivë e nëpër ishujt e Egjeut, po edhe nga gjurmimet albanologjike të amerikanëve Jon Uilkes e Xhorxh Kastelan, të francezit Zhan Klord dhe të prof. italian Antonelo Braxhini, për rivendosjet e tyre në këto vende të dikurshme pellazgjike, ku na shpinin realisht edhe gjurmimet e sotme të Aristidh Kolës. Fare pranë meje ndodhet fshati i Spatës, i Lëkursit (Pehania e sotme), i Markopulit, po edhe i një vargë qytezave, që më duhej t’i shkelja me këmbët mia, për të kërkur rrënjët e fshatit tim dhe të qartësoja këtë ngjajshmëri me emra të Piqerasit më këto tri vnd- banime… Dhe i zura me rradhë, bashkë me nipin tim, enciklopedistin e familjes, të mënçurin Romeo Çani, djalin e motrës, emigruar fillimisht në Greqi e më pas në Kanada, ku ndodhet edhe sot.
Mirëpo në Piqermi nuk gjeta asnjë gjurmë që të afronte me fshatin tim, pëveç ca gërmave të emrrit të shkruar e të ndonjë të vdekuri në varrezën afër një kishe të vjetër, të Sotirës, të vitit 1850 që quhej Thanas Gjinosati. Po kjo nuk do të thoshte asgjë, aq më tepër që një ushtar bavarez do të bënte aty gërmime, për të vërtetuar se fiset e para ishin vendosur këtu që në peridhën e Mikenës. Kështuqë marrim rrugën drejt Peloponezit, matanë Korinthos, në drejtim të Tripolit, për t’u ndalur në fshatin Pikernis, edhe ky me të njëjtin emër thuajse, vendosur mbi një kodrinë. Binte një shi dëbore e ne do të trokisnim në derën e nje kafeneje të mbyllur. Na i hapi një grua 68-vjeçare, e ardhur nuse edhe ajo, që do të na thoshte se banorët qenë larguar prej kohësh e kishin lënur aty shtëpiat e varrezat e dikurshme. Marrim një të ngrohur te oxhaku që bubulonte, pimë nga një kafe me cigare e vemi deri në varreza. Po edhe aty “banorët e varrezës” së vjetër qenë grekë , tek tuk edhe dia emrra shqiptarësh si: Niko Papajani e Nikolla Cici. Vallë, ishte një rastesi që këto fshatra afroheshin vetëm në emër me fshatin tim? Sigurisht që po. Dhe bëjmë shumë kilometra më tej, në drejtim të Neo Pikernit , ku siguria qe më e madhe, sepse kisha me vete edhe një skicë të Historianit Grekë Leonidha Kallavretakis, të studjuesit të vetëm, i cili vërtetonte se aty ishin vendosur ato 23 familje piqerasiote që shkuan më vonë në Villa Badessa dhe që Mbreti Karl nuk u dha tokë tjetër, për tu vendësur. Po ky studjues vërtetonte se, ikanakët piqerasiotë erdhën këtu në muajin prill të vitin 1875 të kryesuar nga prifti Dhimitri de Martino, pas një qëndrese të vogët konsultimi te Konsulli grek i Anconës dhe, pas marrëveshjes së krryer me Kryeministrin e atëhershë të Greqisë Aleksandër Kumuduras, i cili vendosi t’u japë njerëzve tanë tokën e nevojshme për banim në territorin e Komunës së Vuprasionit, midis fshatrave Kupaleto, Manoladha dhe Psarion. Pikërisht këtu u ndërtua fshati i ri NEO PIKERNI, (Piqerasi i Ri), i cili u shtua deri në 42 familje. Trishtohem tek mësoj se dy-tri epidemi të përsëritura në vitet 1918-19 i jep fund kësj mbijetese të piqerasiotëve ikanakë. Leonidha thotë së fillimisht këta njerëz të mirë që merreshin me bujqësi e me peshkim, si në fshatin e tyre të origjinës, nuk u pritën mirë nga vëndësit fillimisht, të cilët i quanin italianë, -meqënse prej andej erdhën dhe tani më duhej që t’i kërkojë te vdekur, duke qenë ndofta Piqerasioti i parë e i fundit, së toku edhe me nipin tim Romeo, që e fliste edhe ai italishten e anglishten lirshëm, ashtu si edhe gërqishten për mrekulli, si t’i kishte gjuhët e mëmës së tij. Aty, në Varrezat e Kurteshit do të gjeja të varrosur së bashku grekë, italianë e shqiptarë, ortodoksë e musilmanë dhe do të bindesha edhe një herë se grindjet e luftrat midis popujve, këtu mbyllen e mbarojnë me të gjitha… Edhe qytetërimet! Po sytë tanë do të lotonin, tek një kishë e vogël e fshatit Psarion, ku do do të gjeja mbiemrat e familjarëve të mi nga Piqerasi, që vinin nga Kondajt, Vlashajt e Millonajt!… O Perëndi! Ja tek ishte edhe një i vdekur nga Sasaji, fshati ngjitur me tonin, nga Kallullajt!… Për habinë tonë, aty afër ishte edhe kisha e Shën Maries. E pak me tej, përsëri sipas këtij studjuesi të paanshëm, ndodhej edhe një fshat tjetër me emrin Borsh,,, Të tri fshatrat pranë, si atje në vëndin tënë, në Piqeras, kur herë grindeshin e herë pajtoheshin, po ja ku prehen sot, në këtë cep vendi, larg vendit qe na lindi e që na “dha krahë të fluturojmë” në dhera të tjera!
* * *
Duke publikuar rrishtazi këto shënime të një kërkimi civilizues vetiak, nuk pretendojë se kam bërë e thënë gjithëçka për “qiellin që kam mbi kokë”, kur yjet janë të panumërt… Për Piqerasin tonë janë qindramijëra shkrime e dokumenta arkivore, të cilat presin akoma të dritësohen, këtu e në disa vende të botës, janë bërë kërkime hulumtuese nga “arkiva e gjallë” e janë botuar pjesërisht vëzhgime, faksimile, dokumentacione, gjurmime arkeologjike e folklorike, proverba, fjalë të urta e humor, janë xhiruar dhjetra filma dokumentarë e një film artistik, ku, herë pas here, janë përmendur dhe evidentuar njerëz të shquar që kanë bërë diçka ndër vite e dekada për fshatin e tyre, mesues e pedagogë të shumtë, inxhinier e specialistë të të gjitha profileve, deri tek gjurmëzbuluesit e arit në vëndin ton, si edhe intelektualë që janë të lidhur ngushtë me fshatin e tyre. Po ashtu, janë botuar edhe 4-5 libra prej bashkëfshatarëve, të cilat gjithsesi janë kontribut për historikun, ecuritë, përvojat e qytetërimin e tij, për të cilin ka shumë për të shkruar e folur, sikundër sapo thashë diçka edhe unë piqerasioti….
(Marrë me shkurtime nga libri im “PIQERSIOTËT”, botuar nga Sh.B. “Edlora”, v. 2014)
Please follow and like us: