Albspirit

Media/News/Publishing

Sokol Paja: TUSH (TONI) MUSAJ, HEROI I HESHTUR I BAMIRËSISË


Kombi shqiptar është shquar gjithmonë për fisnikëri, bujari dhe zemërgjerësi. Kur këto virtyte si vlera të shtrenjta të një kombi pasqyryohen e transmetohen në “dhe të huaj” marrin një tjetër vlerë, fuqi dhe identitet. Të japësh nga vetja është një cilësi e njerëzve të veçantë. Bamirësit janë dora e Zotit mbi tokë pranë njerëzve në nevojë. Madhështia qëndron te thjeshtësia. Janë të shumë bamirësit apo shoqatat e ndryshme që për çdo akt bamirësie e amplifikojnë mediatikisht e trumbetojnë në public si një gjë të jashtëzakonshme. Por ka edhe nga ata njerëz që punojnë, veprojnë, ndihmojnë pa u shfaqur, pa u dukur, pa u dëgjuar, pa bërë publicitet, pa kërkuar certefikata nderi, fletëlavdërime e tituj. Ata punojnë me përshpirtshmërinë më të lartë, angazhimin më të madh njerëzor, energjitë e pashterrshme duke dhënë kohën e tyre, pasurinë e tyre, zëmren e shpirtin e tyre në ndihmë të të varfërve. I tillë është Tush (Toni) Musaj, një shqiptar i përkryer, një patriot aktivist, një bamirës i devotshëm, një familjar shembullor, një njeri energjik i cili në çdo kohë gjendet duke ndihmuar dikë apo duke shpërndarë diçka për të varfërit. Tush(Toni Musaj) është një shembull shqiptar i bamirësisë dhe shpirtit të madh e zemrës së bardhë. Toni është një krenari kombëtare. Toni është një modeli shëndoshë, një shqiptar i veçantë dhe punëtor i pashembullt.

Në New York, Tush (Toni) Musaj e njohin të gjithë. E vështirë të takosh dikë në Bronx dhe rrethina që nuk e ka marrë një ndihmë e mbështetje nga Toni dhe familja e tij. Toni Musaj është një veprimtar dhe bamirës që haset vështirë në ditët e sotme. Toni që sot bën krenar çdo shqiptar me shembullin e tij të jashtëzakonshëm, ka një histori të veçantë si pak shqiptarë që nga Kosova e deri në New York. Tush (Toni) Musaj mori pjesë në luftën për çlirim e atdheut duke kontribuar në UÇK e duke u rreshtuar më patriotët e tjerë shqiptarë që luafuan pë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Përveç luftës ai shërbeu në Spitalin Ushtarak në Irzniqë të Deçanit duke u marrë më shërbimin ndaj të plagosurve në luftën ndaj okupatorit serb. Pas luftës ai me krenari e ka mbajtur Emlemën e Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj”.

Në vitin 2004 Tush (Toni) Musaj zhvendoset për një jetë më të mirë në Amerikë. I lindur në fshatin Ratish i Ulët Komuna Deçanit sapo erdhi në Amerikë vazhdoi traditën e familjes së tij duke ndihmuar për bamirësi ndaj njerëzve në nevojë, cilësi dhe porosi e trashëguar nga familja e tij fisnike. Këtë shërbim të jashtëzakonshëm Tush (Toni) Musaj e kryen përditë si dëshmi e zemrës së tij të bardhë e shpirtit të tij të madh. Toni zotëron në Bronx tri markete: Dardania European Market, Nick’s European Market, European Fresh Produce, në të cilat tregton vetëm produkte e nënprodukte shqiptare, një tregti në shërbim të produkteve shqiptare, prodhuesve shqiptarë, shitësve shqiptarë e punonjësve shqiptarë. Në marketet e tij ai ka të punësuar patriotët e tij shqiptarë duke u hapur dyert të gjithëve, edhe atyre që u janë mbyllur dyert edhe atyre që kanë humbur shanset. Jo vetëm përgjatë pandemisë globale por në çdo kohë, Toni, familja e tij e veçanërisht bashkëshortja e tij Tina nuk e kanë ndalur për asnjë moment hapin dhe vrapin e tyre në bamirësi. Në kohën kur bota u gjunjëzua dhe paralizua nga virusi vdekjeprurës Covid-19, Toni Musaj dhe familja e tij në çdo kohë u gjend afër shqiptarëve dhe jo vetëm. Gjatë pandemisë dhe ende sot ai dërgon ushqime në shtëpi për të sëmurët, njerëzit në pamundësi lëvizjeje, pensionistët, njerëzit më aftësi ndryshe, ata që kanë humbur punët apo që vuajnë nga sëmundje të ndryshme etj. Në çdo rast Toni Musaj ishte aty për të shërbyer dhe ndihmuar me zemërgjerësi e zemërbardhësi. Me qëllim që të mos ishte frikë e panik në pandemi, Tush (Toni) Musaj bëri ulje çmimesh në marketet e tij me qëllim që çdo produkt të ishte i aksesueshëm për blerësit pavarësisht çmimit. Ata që nuk kishin mund të merrnin falas. Toni fali borxhet e atyre që skanë pasur mundësi të paguajnë, dërgoi për Shqipëri dhe Kosovë e viset shqiptare dërgesa financiare, për ushqime, ndërtime shtëpijash, për të sëmurët, ndihmë për fëmijët në nevojë dhe për fëmijët e të rënëve në luftë, dhe fëmijët e dëshmorëve të atdheut. Toni Musajt nuk iu dhimbs djersa e mundi i tij e familjes për të dhënë gjithçka që fitonte për të varfrit, të pamundurit dhe mbi të gjitha patriotët e tij që kishin nevojë.

Emri i Tush (Toni) Musaj lidhet direkt me ndihmat në shuma të mëdha monetare si kontribues i vetëm në pjesëmarrje dhe organizime darkash për bamirësi, në mbledhjen e fondeve me qëllim që të lëhtësojë barrën që heqin mbi supe vëllezërit e motrat tona në Shqipëri dhe Kosovë. Toni ka ndihmuar kishat dhe xhamitë në Shqipëri dhe Kosovë, ka ndihmuar kishat dhe xhamitë shqiptare në Bronx dhe në lagje të tjera shqiptare në New York, ka ndihmuar organizatat bamirëse dhe shoqatat e ndryshme shqiptare, studentët shqiptarë, kushdo që ka takuar Tonin e ka prekur nga afër ndihmën dhe zemrën e bardhë të Tonit. Toni Musaj në çdo kohë ka suportuar si mbështetës i pakufijshëm me të gjitha mjetet e nevojshme infrastrukturore dhe financiare aktivitetet shqiptare të Pavarësisë së Kosovës, të Shqipërisë dhe aktivitete fetare e shkollore për shqiptarët në Amerikë, Shqipëri dhe Kosovë. Toni Musaj sjell ndërmend një rast për festën e Flamurit kombëtar të para dy viteve të festuar në City Hall, Manhattan-New York ku Toni dhuroi produkte, pije dhe ushqime tipike shqiptare për festën kombëtare gjë që mahniti amerikanët dhe shqiptarët e pranishëm. Toni Musaj ka mbështetur edhe Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra në të gjitha aktivitetet e saj duke qenë njëri prej kontributorëve kryesorë. Toni Musaj është një shqiptar i thjeshtë dhe i veçantë. Ai mishëron vlerat më të larta dhe idealet më të pastra të shqiptarit të mirë që na bën krenar të gjithëve. Zemërgjerësia dhe shpirti i tij i madh janë modele krenarie kombëtare më të cilat kemi se çfarë ti tregojmë botës./gazeta dielli

Please follow and like us: