Albspirit

Media/News/Publishing

“Lady D.”, të fshehta femërore në romanin e Ambra Hysës

Sapo është botuar librin më i ri i Ambra Hysës i titulluar “Lady D.”.  Është një roman që i kushtohet vajzave dhe figurës së gruas në tërësi. Është një krijim artistik, me përmbajtje të thellë emocionale. Autorja thotë se “do të dëshiroja t’i ftoja të gjithë dashamirësit e librit, ta lexojnë… dhe ta promovojnë kudo, madje edhe onlinë në hapësirën e tyre virtuale”.

Autorja e librit “Dashuri në kohë koronavirusi”, rivjen sërish para lexuesve me një prozë tjetër interesante, romanin “Lady D.”, një vepër mjaft interesante, ku autorja ka ngjitur bindshëm shkallët e krijimtarisë letrare, duke u afirmuar si një shkrimtare e re, e talentuar. Fantazia krijuese përshkon gjithë prozën romanore, qëndisur me një pendë fine, plot kolorite njerëzore, me dashamirësi e mirësi; me dhimbje deri në asht…

Gjithçka, me një dashuri të veçantë! Autores i burojnë natyrshëm ndjesitë, përshkrimet, çdo fjalë e veprim; çdo ngjarje e heronjve të saj, me një përjetim real dashurie, shumë speciale.

Kur dashuria, kuptohet, ndjehet dhe mëshirohet tek secili femër, si forca më e fuqishme që  mban ekuilibrin social, ajo sjell paqen, lumturinë, progresin, është një vlerë e madhe për cilindo.

Me Lady “D.”, Ambra Hysa na risjell në vëmendje forcëne madhe dhe të pazëvendësueshme dhe të dashurisë. Ajo e vendos dashurinë në epiqendër, ndriçuar fuqishëm nga prozhektorët më të besueshëm, ato  të shpirtit…

Krijuese, dashuruese e jetës, artit dhe të bukurës në veçanti… ata që e njohin Ambrën dhe botën e saj, e dinë sesa e vështirë është ta përkufizosh.

….

 

Diçka rreth librit “Lady D”…

Përse ky libër që u dedikohet vajzave, nuk duhet të mungojë në bibliotekën tuaj. Autorja thotë: “Lexuesit e shkrimeve të mia e dinë, gratë dhe vajzat i kam kryefjalë të mendimit, më frymëzojnë e do t’i mbështes gjithmonë, me të vetmen mënyrë që unë njoh dhe atë që di të bëj më  mirë, krijimin artistik. Kisha kohë që gërmoja për pak gjurmë frymëzimi, prisja për diçka apo për dikë që të më frymëzonte, aq sa të ulesha dhe të mos i ndahesha për disa javë me radhë makinës së shkrimit.

Dhe kështu ndodhi.

“Lady D.” është zonjusha inspiruese që e jeton jetën e  saj si një vepër arti, mbi të cilën ajo i ka të gjitha të drejtat autoriale.

Uroj me zemër, që “Lady D.” t’iu frymëzojë, ashtu siç mua më ka frymëzuar, për të qenë version më i mirë i vetes.

Si vajza, uroj të zgjojë brenda jush dëshirën për të rrezatuar forcë, autencitet, pavarësi, liri dhe  njëkohësisht të jepni dashurinë tuaj pa kursim  dhe pa kushte, në një histori dashurie të kohëve  moderne.

Si djem, uroj që të zgjoni brenda jush dëshirën për të dashuruar vajzën që i përket vetëm vetes!

Të mbani mend se… ‘She is not your girl’. Dhe ti, je një djalë me fat për këtë, për të gjithë  lirinë që ajo posedon, por zgjedh të jetë gjithmonë tek ti. Sa i lumtur mund të jesh? Kur dashuron dikë  që të do, po aq sa dashuron të jetë e lirë…

“Lady D.” është pak nga çdo grua frymëzuese që kam njohur…

Nuk ka rëndësi se sa herë e sheh atë, gjithmonë do të magjepsesh si herën e parë. Ka një sekret që fshihet  në labirintin e shpirtit të femrave të suksesshme,  ato nuk janë thjesht të bukura, ato mund të mos jenë fare të bukura, por janë të mahnitshme.

E ëmbël dhe e fortë; e pathyeshme, por delikate; lehtësisht e lexueshme, por e padeshifrueshme; mëngjes i butë pranvere kombinuar me stuhi të  acartë; të gjitha aksidente, brenda një zemre të  vetme!

Uroj dhe shpresoj që ky libër të përmbajë esencën që ju duhet, për të ndërtuar urat drejt ëndrrave tuaja, ju… vajzave ëndërrimtare që vraponi dhe nuk ndaleni…

Unë e di, që brënda secilës prej jush…gjëndet pak nga “Lady D.”./albspirit.com

Please follow and like us: