Makthet gjatë gjumit në kulmin e pandemisë
Në kulmin e pandemisë, ndodhi një fenomen i çuditshëm: njerëzit nisën të shohin ëndrra të çuditshme. Efekti duket se ka qenë më i theksuar veçanërisht tek ata që u preken nga virusi, dhe në vendet me masa shumë të rrepta kufizuese. Shqetësimet në lidhje me bllokimet, njerëzit e afërt dhe shëndetin personal, u ngatërruan befas me mendime të tjera, duke bërë që jo pak njerëz të zgjohen në konfuzion nga gjumi.
Për njerëzit në vijën e frontit të luftës kundër Covid-19, ëndrrat u bënë makthe. Nga 114 mjekë dhe 414 infermierë që punojnë në qytetin kinez të Vuhan, dhe që morën pjesë në një studim të botuar në janar të këtij viti, më shumë se një e katërta raportuan se shihnin shumë shpesh ëndrra të këqija.
Raportet mbi makthet midis qytetarëve u ngritën gjatë bllokimeve kombëtare, ku më të rrezikuar ishin të rinjtë, gratë dhe njerëzit që vuanin edhe më parë nga ankthi apo depresioni. Por për njerëzit që studiojnë traumat, shtimi e maktheve nuk ishte befasi.
“Për ata që kanë qenë në vijën e frontit kundër Covid-19, si mjekët dhe infermierët në Vuhan, 2020-a ishte një periudhë e stresit kronik”- thotë Rashel Ho, psikologe në Universitetin McMaster në Kanada. Periudhat e gjata të stresit për muaj apo vite me radhë dhe që prekin popullata të tëra janë të pazakonta, të krahasueshme vetëm me luftërat botërore. Por Ho thotë se dihet se stresi kronik ka një efekt të rëndësishëm në funksionin tonë njohës.
Njerëzit që jetojnë nën një kufizim të vazhdueshëm kanë më shumë gjasa që të shohin makthe në gjumë. Një studim mbi disa nxënës shkollash, të moshës 10-12 vjeç në rripin e Gazës, zbuloi se më shumë se gjysma e tyre përjetuan makthe të shpeshta, mesatarisht 4 netë në javë.
Fëmijët janë veçanërisht të ndjeshëm, thotë Ho, pasi truri i tyre është ende në zhvillim. Por Xhoan Dejvis, psikologe klinike në Universitetin e Tulsas, thotë se ndërsa makthet janë të lidhura fort me një mori sëmundjesh mendore, disa ëndrra të gjalla na ndihmojnë qëtë përpunojmë emocionet e ditës që sapo kaloi.
Psikologët si Dejvis kanë filluar që të zbulojnë lidhjet midis ëndrrave tona, çrregullimeve psikologjike dhe rëndësisë së tyre për të na mbajtur emocionalisht të qëndrueshëm kur jemi mirë me shëndet. Kur flemë, ne organizojmë dhe skedojmë kujtimet tona të ditës së mëparshme, dhe “shpluhurosim” dhe riorganizojmë kujtimet tona më të vjetra.
Mendohet se kjo ndodh gjatë gjithë gjumit, por kujtimet tona më emocionale ruhen në fazën e Lëvizjes së Shpejtë të Syve (REM) (pra pak para se të zgjohemi ose kur nisim të flemë).Kur truri ynë është në fazën REM të gjumit, si hipokampusi ashtu dhe amigdala janë shumë aktive.
E para është pjesa e trurit tonë që rendit dhe ruan kujtimet, e dyta pjesa që na ndihmon të përpunojmë emocionet. Kjo i ka nxitur studiuesit të sugjerojnë se ëndrrat e gjalla, emocionale dhe të paharrueshme gjatë fazës REM janë ato që ruajnë kujtimet. Dhe pas një ëndrre të keqe, zona e trurit që na përgatit për të pasur frikë është më efektive, a thua sikur ëndrra të na stërviste për këtë situatë.
Ndaj sa më gjatë që njerëzit kishin ndjerë frikë gjatë ëndrrave të tyre, aq më pak aktivizoheshin qendrat e tyre të emocioneve kur u shfaqeshin imazhe stresuese. Ndoshta hedhja e “bagazheve emocionale” të ditës së mëparshme gjatë natës, na lejon që ta fillojmë ditën tjetër nga një bazë e re.
Studimet mbi punonjësit e stresuar, tregojnë se niveli ynë i kortizolit, hormoni që ndihmon për të rregulluar reagimin tonë ndaj stresit, është më i lartë në mëngjes, që do të thotë se jemi më të aftë atëherë që të reagojmë ndaj stresit. Ndërsa kortizoli prodhohet diku tjetër, amigdala jonë përdoret për të zbuluar situata stresuese.
Atëherë si t’i trajtoni ankthet? Është një gjë të shohësh një ëndërr të keqe por të dobishme, dhe tjetër të kesh makthe kronike. “Kur shihni makthe për një periudhë të gjatë kohore, ato bëhen si zakone. Ju shqetësoheni për një makth, mbase e shmangni gjumin ose përpiqeni të flini sa më shpejt”- thotë Dejvis, që në rase të tilla rekomandon trajtimin.
Gjithsesi, ajo thekson se ne përgjithësi ne duhet t’i shohim makthet si një tregues i hershëm i problemeve të së shkuarës. Ëndrrat emocionale ndodhin ndonjëherë natën pas një ngjarjeje domethënëse, dhe nganjëherë 5-7 ditë më vonë.
Ndaj herën tjetër që bëni një gjumë të keq gjatë natës, mendoni që kjo është mënyra që ka truri për të rregulluar emocionet tuaja, duke u “ndarë” me streset e ditës së mëparshme. Dejvis thotë se duhet të shqetësoheni vetëm nëse ëndrrat e këqija janë të rregullta ose nëse fillojnë të ndikojnë mbi shëndetin tuaj. Por për shumicën e njerëzve, një ëndërr e keqe dhe e çuditshme, mund të jetë një gjë e mirë.