Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: 40 VJET NGA ZHDUKJA DON MARK HASIT (+16)

 

 

 

DON MARK HASI (1920 – 1981)

I MBËRTHYEM ME THIKË PËR TAVOLINËN E HETUESIT KRIMINEL NESTI KOPALI, NË VITIN 1946.

ARRESTOHET NË SHKODER ME 15 XI 1946.
TORTUROHET NË HETUESITË E SHKODRES E TIRANËS

NGA TERRORISTËT E SIGURIMIT TË SHTETIT… DHE MBASI
ARRESTOHET ME “REVOLUCIONIN KULTURAL 1967“, E
MBYSIN ME 11 IX 1981, NË KAMPIN E SHFAROSJES BALLSH.

 

NË 40 VJETORIN E ZHDUKJES, JA KUSHTON AUTORI.

(GRAFIKË E REALIZUEME NGA PIKTORI FRITZ RADOVANI, 2011, SIMBAS KALLZIMIT TË VETË D. M. HASIT 1961),

 

 

 

 

Biografi e shkurtë e Don Mark HASIT

 

Don Mark Hasi asht le në malin Kolaj pranë Shkodrës në vitin 1920. Kur ishte 7 vjeç mbeti jetim pa nanën dhe me që i ati ishte i rij dhe do të martohej, e mori nën kujdes famullitari Don Kolec Prennushi, i cili e pat vendos në dhomë me nanën e vet Ninen dhe flente e çohej me ata. Mbas një viti shkoi me vazhdue shkollën në Velipojë, tek Don Alfons Tracki.

Vazhdoi studimet në Kolegjin Saverian të Shkodrës, ku nën kujdesin e Fratel Salës, ishte ndër aktorët e dalluem të Teatrit të Jezuitve. Kujtohej për rolin e tij tek “Juda Makabe”, ku zani i tij nuk u harrue ma. Vazhdoi studimet e nalta në Padova, po për arsye lufte i përfundoi në Shkodër.

Dashunia për rrethin e Don Kolecit tek Don Marku kje e përjetshme… Dhe, Meshën e Parë e tha me 24 Shkurt 1945, me Don Kolec Prennushin. Asht emnue menjëherë zv.Famullitar i Shkodrës e ma vonë Sekretar i Kishës Kathedrale të Shkodres, ku ka vazhdue deri në kohën kur asht  arrestue. U arrestue në vitin 1947 dhe asht dënue 7 vjet burg, që i ka krye në kampe pune. Asht lirue në vitin 1953, kohë në të cilen ka ardh e ka banue në një dhomë me ne tre vllaznit… Deri mbas dy vjetësh që shkoi në Argjipeshkvi sekretar i Ipeshkvit Imzot Ernesto Çoba, deri në vitin 1967, që u arrestue edhe njëherë me rastin e “Revolucionit Ideologjik”. Më 7 Prill u arrestue dhe u dënue mbas një viti tortura barbare në hetuesi, ndonse nuk pranoi asgja u dënue me vdekje, dënim që iu kthye në 25 vjet burg, që do t’i kalonte në kampe shfarosje… Dënim që i kushtoi me jetën.

Në kampin e Ballshit, Don Marku u keqsue me shndet dhe, mbas plot 14 vjetësh e disa muej, në 11 Shtator 1981, thirri urgjent Don Mikel Koliqin e mbasi i la një porosi per mue, mbylli sytë dhe shkoi në Jetën e Pasosun…

Asht vorros në Ballsh dhe me 22 Janar 1992, u rivarros me nderime në Vorret e Rrëmajit në Shkodër, i përcjellun nga populli i Shkodrës.

Don Mark Hasi ishte ndër klerikët e nderuem jo vetëm për qendrimin e tij në hetuesitë terroriste komuniste, po edhe per respektin që gëzonte si predikatar i shkëlqyeshëm dhe kangtar i paharrueshëm…

Don Mark Hasi do të kujtohet nga Populli Shqiptar jo vetem, per thiken që hetuesi kriminel Nesti Kopali i nguli në gjuhë, dhe ka vazhdue jeten si burrat, po në vitin 1967 pak kush asht torturue një vit në hetuesi, tue u masakrue nga terroristët katila Elham Xhika dhe Dhimiter Shkodrani…

Vdekja në Ballsh asht kenë pasojë e torturave barbare e shnjerzore…

Po, Don Mark Hasi ishte dhe mbetet nder Figurat e Nderueme të Klerit Katolik Shqiptar dhe, per ata që e njoftën… Per vetë karakterin e Tij.

Ai asht Martir i Kishës Katolike i Perjetshem dhe i Nderuem n’ Shekuj!

 Melbourne, 10 Shtator 2021.

Fritz Radovani: Don Mark Hasi, në 100 vjetorin e lindjes…

 

 

Please follow and like us: