Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Shansi i dytë i Sali Berishës

Rënia e të djathtës nisi verën e vitit 2013-të, pikërisht pasi një nga kandidaturat për kreun e saj, Sokol Olldashi deklaroi se i kërkova Sali Berishës të mos mbante asnjë krah, por ai bëri të kundërtën. Eshtë fjala për Lulzim Bashën. Një figurë që vinte nga i ashtuquajturi KOP apo Komitetit i Orintimit të Politikave. Tjetër emër ishte prirja apo ndjesia e demokratëve. Në fund të fundit donin një djalë race, një demokrat me peshë. Mirëpo Berisha katapultoi dhe promovoi një xhelist për arsye bizarre që sot i kanë kushtuar së pari Shqipërisë dhe së dyti të djathtës, humbjen e 3 palë zgjedhjeve. Nga 2013-ta e deri mbremë, Lulzim Basha ka shkelur me të dyja këmbët çdo statut e rregull normal brenda një force politike. Humb, ngri e shkri, rizgjidhu, përjashto…, këto me mjete demokratike. Madje duke na lënë të kuptojmë se, një diktator mund të sundoj fare kollaj me mjetet e demokracisë. Në të njëjtën kohë edhe duke ndjekur në mënyrë perfekte pushtetin absolut të gjoja kundërshtarit të tij, Edi Rama. Sot asambletë e partisë socialiste janë tërësisht shfaqje, me një aktor të vetëm në skenë. Ky ngre vetullat, përbuz, urdhëron, vendos, vulos dhe salla vetëm miraton. Madje edhe ata në gjumë miratojnë me gjithë shpirt. Kujtoni asambletë publike të kohës së Fatos Nanos dhe bëjeni vet krahasimin. Aksionin më të madh politik që pati e djathta, ishte djegia e mandatave në shkurtin e vitit 2019. Mirëpo nëse 90% e demokratëve e kishin seriozisht, ai që nuk e kishte, ishte Lulzim Basha. Duke na dhënë në të njëjtën kohë indicjen e një humbje të paralajmëruar, për arsyen e thjeshtë. Një lider që bishton nuk është lider i fortë, kësisoj fundet janë të mesme, të vuajtura, pa rezultatin e duhur. Shkurt, o fito o hap krahun, se bindja nuk merret me akademi çadrash, por peshën e frymës. Mirëpo çuditërisht kjo nuk po ndodhte më, madje nëse në partinë socialiste mallkonin në kor petritat e partisë, zuri fill një stinë e tillë edhe në partinë e demokratëve. Nuk guxoje të shkruaje kundër Lulit se nuk të linin gurë shtëpie pa të sharë. Madje kur ata prisnin fjalën e Berishës, si një arbitër moral, Berisha bishtonte, prapë për arsye bizarre mbronte Lulin. Nga ana tjetër partia demokratike po shtonte radhët e të nëmurve, të përjashtuarve, gati të hapte fshatra të internuarish kundër pushtetit absolut të njëshit. Që në një apo tjetër mënyrë, fironte edhe votat duke rritur jo hambarin e saj, por hambarin gri. Kësisoj në ikjen e shqiptarëve nuk kishte faj vetëm pushteti, por edhe opozitarizmi. Dhe kishte të drejtë, deri sa heshte vet Sali Berisha, Luli mund të korrte e të priste, ku t’i donte, kur t’i donte dhe kë të donte. Mbrëmë i erdhi radha edhe vet Saliut. Ajo që mua më bëri përshtypje, ishte një fakt i pasinqertë i Sali Berishës kur akoma nuk pranon se ka gabuar duke mbështetur Lulzim Bashën. Dhe se ky, ka kohë që shkel statutin e partisë demokratike. Duhej ta bëj këtë publikisht. E ka bërë me shumë figura të tjera. Pasi sot, për shumë të djathtë ngrihen paralel një sërë pikpyetje. Përse jemi këtu? Vërtetë edhe brenda të djathtës denigrohet mendimi ndryshe. Manipulohet vota? Shkelet me ndërgjegje të plotë statuti? Akoma me Edi Ramën në pushtet? A mundet Saliu ta riorganizoj të djathtën? Sigurisht që mundet. Me gjithë ulje ngritjet e tija, karakterizohet nga dy gjëra, nuk njeh kompromis kur vjen puna në çështje finale. Dhe kompromiset heshtura e nxjerrin atë non grata. Për ta shpjeguar më thjeshtë, nëse në shkurtin e 2019-ës në vend të Bashës, kur u dogjën mandatet, do ishte vet Saliu, do i kishte shkuar deri në fund çështjes. Shqiptarët nuk do shihnin një parlament gallatë. As të djathtën e përçarë, as një lider opozite parale si presidentin e Republikës etj. Dhe e dyta nëse do kishte shmangur kompromisin e heshtur, pra demokratët të kishin zgjedhur të duhurin, Olldashin, ai nuk do ishte sot një person non grata. Megjithatë pas kolapsit të fondacionave, 97-ës, ky është shansi i dytë në një pleqëri të vonë. Megjithatë e ka kohën me bollëk të rikthej në shina të djathtën. Sepse për ata që nuk e kanë kuptuar akoma, mund të keni edhe një qeverisje Rama Basha, që dmth, legjitimin total të regresit, marihuanës, pagave të ulta, apo shkërdhimin e çfarëdolloj kushtetute.
Please follow and like us: