Nga Pashko te Berisha, ja të gjithë deputetët e përjashtuar në vite
Instituti i Studimeve Politike (ISP)
Vendimi i fundit i kryetarit të PD për të përjashtuar nga grupi parlamentar deputetin Berisha, përbën një prej zhvillimeve më të rëndësishme politike të tranzicionit. PD ka shkarkuar kryetarin Selami më 1995, ka përjashtuar si deputet ish kryetarin Hajdari dhe më vonë edhe ish kryetarin Shehu, por në rastin e zotit Berisha kemi të bëjmë me deputetin më me ndikim të kësaj partie në hierarkinë vendimmarrëse të saj në 30 vjet.
Një statistikë me të dhëna përpunuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) paraqet listën e deputetëve të përjashtuar zyrtarisht nga grupi parlamentar ndër vite. Në krye të listës është deputeti Gramoz Pashko përjashtuar më 1992, pak muaj pas rotacionit politik, pas deklarimeve të tij kritike në media ndaj linjës zyrtare të PD. Në gusht 1992 u përjashtuan grupi i mocionistëve, në mesin e viteve ’90 u përjashtuan deputetët Kalakula (për një deklaratë politike) dhe Baleta (për qëndrimet politike). Përjashtime në grup pati më 1997 me grupin e 14 deputetëve në premomorien kritike në PD dhe më 2001 me grupin mbështetës të ish kandidatit për kryetar Pollo. Azem Hajdari u përjashtua më 1997 për shkak të nismave të tij (lëvizja sindikaliste kritike me qeverinë e PD, por një prej rasteve më të bujshme ishte përjashtimi i deputetit Spartak Ngjela gjatë një debati verbal me kryetarin Berisha. Deputeti Fufi i përjashtua për votë pro PS dhe refuzim të vendimit politik, dy deputetë u përjashtuan për refuzimin e vendimit për dorëheqje kolektive nga mandati parlamentar dhe së fundi, Berisha përjashtohet (përkohësisht) për shkak të qenies së tij në listën e zezë amerikane. Disa prej të përjashtuarve janë rikthyer, tregues se vendimi ndaj tyre ka qenë jo parimor, por i motivuar nga interesat e momentit, dhe se edhe vetë të përjashtuarit kanë kryer përjashtime, – tregues se vijojnë të mungojnë standardet demokratike të funksionimit.
Raportet periodike të Institutit të Studimeve Politike (ISP) kanë nxjerrë në pah me shqetësim natyrën vertikale të vendimmarrjeve në partitë politike, mungesën e rregullave të brendshme garantuese të integritetit dhe rolin dominues të liderëve në raport me strukturat statutore të partive. PD nuk përbën përjashtim nga këto praktika kritike, përkundrazi. PD nuk ka ende një rregullore publike të grupit parlamentar, nuk ka mbledhje dhe vendimmarrje transparente periodike, si dhe strukturat e apelimeve dhe integritetit brenda partive janë krejtësisht formale. Aktualisht, neni 27 i Statutit të PD përcakton rastet e thyerjes së disiplinës dhe masat ndëshkimore që ndërmerren. Sipas pikës 5, “në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm”. Gjithashtu sipas të njëjtit nen, të gjitha masat disiplinore që merren “konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit, Etikës dhe Integritetit”. Kjo strukturë nuk ka qenë asnjëherë funksionale në PD, përfshirë edhe në dy periudhat e fundit kur drejtohej nga Arben Ristani dhe Halim Kosova. Aktualisht drejtohet nga Flutura Açka.
ISP vlerëson se asnjë parti nuk garanton demokraci dhe transparencës të brendshme dhe nuk ka struktura etike dhe zgjedhore funksionale e të besueshme, – një tregues kritik për gjendjen e partive dhe një sinjal për nevojën urgjente të reformimit të legjislacionit në partitë politike. Kjo analizë i përket PD, por përjashtime për shkak të kritikës apo kolektive ka pasur dhe ka sidomos edhe në PS, por edhe në LSI dhe partitë e tjera më të vogla.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka mbështetur parimet e dekriminalizimit, integritetit, etikës dhe të vetingut në politikë, promovuar nga ligji 138/2015 dhe aktet e tjera nënligjore, por edhe nga nismat e ardhura nga parti të ndryshme në këtë drejtim, përfshirë nga PD. Nga ana tjetër, ISP ka mbështetur edhe nevojën e largimit nga vendimmarrja politike të individëve në listën e zezë amerikane, të akuzuar për korrupsion, abuzim me pushtetin dhe si pengesë për shtetin e të drejtës dhe të demokracisë funksionale. Gjatë 2019-2021 janë përfshirë në listën e zezë amerikane Tom Doshi (ish deputet i PS, tashmë kryetar i PSD, por që dha dorëheqje nga mandati parlamentar), Vangjush Dako (ish anëtar kryesie i PS dhe kryetar bashkie në Durrës, larguar në zgjedhjet e fundit në Asamblenë Kombëtare), si dhe Sali Berisha (ish President dhe ish kryeministër, deputet në 9 legjislatura dhe një nga 2-3 figurat më të rëndësishme politike të tranzicionit). Gjatë viteve 2000-2007 ka qenë në listën e zezë edhe kryetari i PUK, I.Beqiri, një parti pa vlerë referuese. ISP paralajmëron se pritet të ketë politikanë të tjerë në listën e zezë dhe largime të tjera nga parlamenti dhe politika, – një zhvillim me rëndësi në nevojën jetike të Shqipërisë për masa antikorrupsion dhe për politikë (më) të pastër.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar jetësimin e parimeve të dekriminalizimit dhe të integritetit në politike me mbështetjen e ambasadës së Holandës (2019-2021) dhe të fondacionit amerikan NED (National Endowment for Democracy) për periudhën nga 2020 dhe në vijim deri më 2023. Për këtë qëllim është ndërtuar edhe database http://dekriminalizimi.isp.com.al/