Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Kufiri që nuk duhet kaluar kurrë!

Bibla na thotë se ka disa kufij që nuk duhen kaluar kurrë. Kush i kalon këto kufij futet në territorin e mallkimit. Një nga këta kufij është injorimi i zërit të gjakut që vëngon nga toka: Zanafilla 4: 9 Atëherë Zoti i tha Kainit: “Ku është vëllait yt Abeli?”. Ai u përgjegj: “Nuk e di; mos jam unë rojtari i vëllait tim?”. 10 Zoti i tha: “Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka.

11 Dhe ti tani je më i mallkuar se toka që hapi gojën për të marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote.

12 Kur të punosh tokën, ajo nuk do të të japë më prodhimet e saj, dhe ti do të jesh një endacak dhe një ikanak mbi tokë”.

Kush mohon e injoron zërin e gjakut, zërin e gjakut të pafajshëm të vëllait, tërheq mbi vetvete, mbi familjen e gjithë fisin e tij mallkimin. Këto janë ligje hyjnore që veprojnë pavarësisht nëse ne i pranojmë ose i injorojmë. Personat e kombet nuk mund ti thyejnë Ligjet e Zotit, përkundrazi janë Ligjet e Zotit që do ti thyejnë personat e kombet që ju kundërvihen këtyre ligjeve.

Le të marrim si shëmbull ligjin e gravitetit. Po qe se dikush do të mundohet ta thyejë ligjin e gravitetit duke u hedhur nga çatia e pallatit, nuk thyhet ligji i gravitetit, thyhet personi që guxoi ta bënte këtë marrëzi. Po kaq real e shkatërrimsjellës është injorimi i zërit të gjakut të pafajshëm. Pasojat mbase nuk janë aq të menjëhershme sa kur dikush thyen ligjin e gravitetit, po janë po aq shkatërruese, po aq të sigurta.

I njëjti Zot që ka vendosur ligjin e gravitetit, ka vendosur edhe ligjin për respektimin e zërit të gjakut të pafajshëm. Është fakt i pamohueshëm historik se kundër popullit shqiptar të Kosovës, kundër vëllezërve tanë të gjakut janë kryrer sistematikisht krime monsrtuoze nga qeveria e shtetit të Sërbisë.

Këto krime janë justifikuar e madje nxitur nga Kisha Ortodokse e Sërbisë që në fakt sipas parimeve biblike është një kishë që vepron në shpirtin e Antikrishtit, një kishë që ka një teologji Xihadiste. Në qoftë se për krimet e hershme të shtetit sërb ndaj shqiptarëve të Kosovës dikush mund të mos ketë informacion, me siguri që për krimet e regjimit të Millosheviçit ka materiale të mjaftueshme që kushdo mund ti njohë.

Gjithashtu të gjithë e dinë se në kohën kur Sllobodan Millosheviçi ish drejtues i krimeve kundër shqiptarëve të Kosovës Aleksandër Vuçiçi ish ministri i tij i propagandës, pra kish të njëjtat raporte me krimet e tij siç kish Joseph Goebbels me krimet e Adolf Hitlerit. Tani Joseph Goebbels i Millosheviçit është Presidenti i Sërbisë, është gjithashtu edhe miku më i ngushtë i Edi Ramës. Populli thotë: “Më thuaj me kë rri të të them se cili je!” Si mund që një njeri, jo që ka sado pak gjak shqiptari, po që ka sado pak ndërgjegjje njerëzore; të bëhet mik, të hajë e të pijë me një Joseph Goebbels të regjimit gjakatar të Millosheviçit? Si mund të shkelet mbi gjakun e dredhur, mbi viktimat pa varre e mbi të gjitha tmerret e vuajtjet? Si mund që një njeri i tillë të mbajë postin e Kryeminishtrit të Shqipërisë? Po tani që e ka këtë post, është një bekim apo një mallkim për kombin?! Zoti nuk e injoron zërin e gjakut, nuk mund të bekohet një person apo komb qoftë që injoron zërin e gjakut të vëllait të tij.

Politikanë të padrejtë e të korruptuar ka patur e ka shumë, kudo në botë; po injorimi i zërit të gjakut të mijëra viktimave të pafajshme, miqësia me vrasësit e vëllezërve të gjakut, miqësi që i ndihmon ata të fshehin krimet e të së kaluarës dhe të kryejnë krime të reja, kalon çdo kufi. Në këtë rast nuk ndëshkohet vetën ai që e kalon këtë kufi por edhe ata që qëndrojnë indiferentë e neutralë ndaj atyre që e kalojnë këtë kufi.Ai që qëndron, ai që hesht e nuk vepron kur ka mundësinë të flasë e të veprojë bëhet bashkëfajtor. Jakobi 4: 17 Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat. Pasiviteti shpesh bën që krimineli të mos ndëshkohet dhe ndëshkimi të shkojë në popullin që nuk pati guximin të flasë e të veprojë.

Dhe ju lutem shumë mos na keqkuptoni. Kjo nuk është një propagandë politike nga pozitat e një partie të caktuar. Partitë politike e treguan vetveten gjatë gjithë këtyre viteve. Tani për kombin shqiptar,ndofta më tepër se kurrë, është aktuale thirrja të bashkohet pa dallim feje krahine e ideje, të bashkohet sipas parimit të vllazërisë së gjakut, sipas ligjeve të Zotit. Çfarë të bëjmë? Mos qëndro pasiv! Në qoftë se nuk bën dot diçka tjetër ngrihi duart drejt qiellit e lutju Zotit! Në qoftë se di të flasish fol, në qoftë se di të shkruash shkruaj, në qoftë se mund e di të…

Psalmi 5:

1Vëru veshin fjalëve të mia, o Zot; dëgjo me vëmendje ankimin tim.

2 Dëgjo zërin e britmës sime, o mbreti im dhe Perëndia im, sepse ty të drejtoj lutjen time.

3 O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres,

4 sepse ti nuk je një Perëndi që kënaqet në pabesinë; te ti nuk mund të zërë vend e keqja.

5 Ata që lëvdojnë vetveten, nuk do të mund të qëndrojnë para syve të tua; ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi.

6 Ti do të zhdukësh gjithë ata që thonë gënjeshtra; Zoti urren njerëzit gjakatarë dhe mashtrues.

7 Por unë, për shkak të mirësisë sate të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde dhe do të adhuroj me frikë të madhe, duke u drejtuar në tempullin tënd të shenjtë.

8 O Zot, më udhëhiq për drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi; bëje të drejtë para meje rrugën tënde,

9 sepse në gojën e tyre nuk ka asnjë drejtësi; zemra e tyre nuk mendon gjë tjetër veç shkatërrimit; gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhën e tyre bëjnë lajka.

10 Dënoji ata, o Perëndi; mos u realizofshin synimet e tyre; përsëri për të këqijat e shumta që kanë kryer sepse kanë ngritur krye kundër teje.

11 Por le të gëzohen tërë ata që kanë strehë te ti, le të nxjerrin klithma gëzimi përjetë, sepse ti i mbron; le të ngazëllohen ata që duan emrin tënd,

12 sepse ti, o Zot, do të bekosh të drejtin; do ta rrethosh me hirin tënd si me mburojë. Amin!

Please follow and like us: