Agim Xh. Dëshnica: Poeti i paharruar, Vinçenc Prennushi
Në librin ”Historia e Letërsisë Shqiptare”-1983, poeti Vinçenc Prennushi, i cili mbylli sytë si shenjt në hetusinë komuniste, përmendet kalimthi vetëm me dy rreshta cinike: “Ndër vjershëtorët klerikalë dhe publicistët më agresivë ishte edhe Vinçenc Prennushi, poet i dobët sentimental e fetar.” Sigurisht nga kritikë të atillë që ngrinin në qiell vjershat për dikatorët gjakatarë e për bomba e flamuj të kuq, nuk mund të shpresohej për vlerësimin shkencor të poezive me zanafillë qysh nga Naimi e Fishta.
Po kush qe ky poet, ”agresiv e sentimental”!? Ky poet i frymëzuar, që i këndonte vështrimit të dashur të nënës, lirisë njerëzore, atdheut, kënaqësisë e larmisë së luleve, hijeshisë së pyjeve dhe vezullimit të yjeve!? Veçse, pa dashur, të ashquajturit kritikë letrarë, duke e cilësuar Vinçens Prennushin sentimental, këtë predikues mbresëlënës të besimit ndaj Zotit, thanë një të vërtetë, se çfarë duhet të ketë një poet: shpirtin e ndjeshëm, që nuk pajtohet me asnjë sjellje agresive. Vinçenc Prennushi, ky shërbëtor i Hyjit, me shkrime e ligjërata, edukoi ndër vite disa breza besimtarësh.
Ai njihet tashmë për një varg aftësish: poet lirik, shkrimtar, dramaturg, përkthyes, folklorist, publicist, filozof teolog e peshkop françeskan. Prennushi lindi më 4 shtator 1885 në Shkodër. Mësimet e para i mori në vendlindje në shkollën françeskane dhe i vazhdoi në seminarin e Troshanit. Më 1908 kreu studimet për teologji e filozofi në Insbruk të Austrisë dhe u shugurua meshtar i Urdhërit Françeskan me emrin At Vinçenci. Qysh në ato kohë u njoh me disa gjuhë dhe me kulturën europiane, sidomos atë gjermane. Pas përfundimit të studimeve, kthehet në atdhe dhe emërohet drejtor i Kolegjit Françeskan në Shkodër. Aty bashkëpunon me revistën “Hylli i Dritës” dhe merr pjesë në themelimin e Komsisë Letrare Shqipe. Më 1911, boton në Sarajevë vëllimin “Kangë popullore gegnishte” -Veri, Kosovë, Shqipni e Mesme-. Më 1918, botoi “Fjala e Zotit” dhe “Grueja shqyptare“. Qysh në moshë të re u shqua me poezitë e përkryera lirike në vëllimin “Gjethe e lule”, botuar në viti 1921. Gjithkush teksa lexon këto poezi të krijuara thuajse njëqind vjet më parë, dëgjon kumbimin e pastër e të bukur të gjuhës shqipe e një melodi, sa të ëmbël po aq edhe ritmike, të përshkuar nga një tis i këndshëm melakonie djaloshare kohësh romantike. Nga pena e Prennushit kanë dalë edhe krijimet “E tradhtuemja”, “Guri i mshehtë e fort i çmueshëm”, drama, “Prej robnie në liri” etj. Më 1924, si një nga veprimtarët në shërbim të demokracisë botoi broshurën, “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë“. Ndër përkthimet e Prennushit njihet me romanet “Kuo Vadis” nga Henrik Sienkeviç, “Burgjet e mia” nga Silvio Peliko, “Fabiola” nga N. P. Uiseman. Gjithashtu ka përkthyer vepra nga Fridrik Vilhelm Veber, Fransua Rene Shatobrian, Dante, Aleksandër Manxoni, etj. Në vitet 1918-1921, drejtoi të përkohëshmen “Zani i Shna Ndohut” dhe më 1921-1924, revistën “Hylli i Dritës”. Ndërkohë bashkëpunoi me gazetat “Posta e Shqipnisë” dhe “Ora e Maleve”. Me 26 libra teologjike për shërbesat fetare, emërohet më 1936 ipeshkëv i Dioqezës së Sapës e më 1940 arkipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës. Më 1946 kryesoi Kishën Katolike të Shqipërisë.
Vinçenc Prennushi, është nderuar qysh në vitet e krjimtarisë nga poetë e shkrimtarë, si At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Kristo Floqi, Marin Sirdani, Ernest Koliqi, Stefan Shundi; nga arbërshët Zef Skiroi e Gaetano Petrota; nga albanologët Maksimilian Lamberci, Fulvio Kordinjano, etj. Sado në vitet e mohimit të vlerave kombëtare u orvatën të zhvlerësonin veprën e tij, ai mbeti i paharruar. Pas shembjes së diktaturës komuniste, jeta e vepra e tij u njoh më gjerë e më thellë nga shkrimet e një vargu të gjatë shkrimtarësh e dijetarësh të kulturës, si Arshi Pipa, Pjetër Pepa, Aurel Plasari, Gjergj Zheji, Rudolf Marku. Robert Elsi, etj.
Më 1941 Stefan Shundi shkruante: ”Prennushi njihet si kangatari i ambëlsisë dhe i melankolisë, e me të vërtetë ndër të gjitha poezitë e tij kumbon nji jeh i kandshëm dhe nji ushtimë zynmnuese, në dashtë të këndojë atdhen e bukuritë e veta, në dashtë të vargnojë misteret e besimit.
Arshi Pipa në kujtimet e veta na bën të ditur, se: “politika Imzotit nuk i pëlqente dhe ma shpesh kuvendojshim mbi gjana të tjera, mbi letërsi, mbi gjana të së kaluemes, mbi përvoja vetiake të ndryshme. Me të tjerët Imzoti ishte shumë i ndalun dhe çelte gojën për me dhanë ndonji këshillë, edhe atëherë kur ishte i pyetun, ose për me ngushëllue me fjalë të buta zemrat e vuejtuna të njerëzve. Fort rrallë tregonte ndonji ndodhi të jetës së vet, ndonji anekdotë ose nji fakt historik, dhe gadi gjithmonë me qëllim edukativ. Atëherë gjithë dhoma e vështronte në nji heshtje njimend fetare. Flitte thjesht, në mënyrë qi me e kuptue edhe fshatarët. Ndante me ma të vorfënit atë pak gjellë qi nji plakë e përshpirtshme i binte kur kishte. Rrinte, ndonjiherë me orë, në vendin e vet pa folë, me kqyrjen e tretun përtej dritares. Mbas gjasë atëherë lutej. Ishte i butë me shpirt të paqëm, thellë i devotshëm, i kushtuem kryekput misionit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue, me nji urtësi te bindshme, dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen për letërsinë. I buzëqeshun në të folun, zemërgjanë ndër gjykime, i qetë e i sigurt në besimin e vet të patrandshëm, por jo i mbyllun ndaj shekullit, madje fort i kuptueshëm për nevojat dhe të metat e njerëzve. Imzot Prennushi të bante shpejt për vete. Mbasi qemë afrue mjaft, un i lypa leje ta thirrsha Patër Vinçenc. Titulli i françeskanit të dikurshëm më tingëllonte ma për zemër në ato kushte të trishtueshme, ku dallimet mes njerëzve nuk mund të ishin veçse të rendit moral. Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prennushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e atdhetarizmit shqiptar, i jepte fytyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.”
Ndëshkimi mizor dhe rikthimi i shenjtë i poetit
Më 1947 ky njeri i mirë e poet i paharruar dënohet me njëzet vjet burg, pa asnjë faj, nga gjyqi komunist pa ligje, por pas torturash çnjerëzore ndërroi jetë më 19 mars 1949. Veçse, siç ndodh shpesh, kohët ndryshuan dhe emri i tij u përmend përsëri me zë më të lartë në tërë trojet shqiptare dhe jashtë tyre. Më 8 maj të vitit 1993 u shpall “Martir i Demokracisë“. Lajmi ngazëllyes për firmosjen nga Papa Francesku i dekretit me të cilin shpallen të Lumë Shërbëtorët e Hyjit, Vinçenc Prennushi, i Urdhërit të Fretërve të Vegjël dhe 37 shokë të tij martirë, të vrarë gjatë regjimit komunist, ishte një ngjarje e madhe historike. Veprat e tyre jetojnë dhe i shërbejnë shoqërisë shqiptare e së vërtetës së munguar, duke hedhur poshtë tërë vendimet e gjyqeve barbare dhe qindra sajesa e kundërthënie të letërsisë soc-realiste dhe historianëve me prirje të majta.
Poezi e prozë nga poeti Vinçenc Prennushi
Ndryshe nga çfarë shkruhet në librin “Historia e letërsisë shqiptare” – 1983, po japim më poshtë nga ky poet lirik me kulturë të gjerë, vargje dhe prozë të një ndjesie e bukurie të rrallë në letërsinë tonë. Ato zgjojnë ndjenjat e dlira njerëzore, krenarinë kombëtare, kujtimet e nderimin për nënat, ftojnë lexuesit në hijen e freskinë e pyllit, pranë lumit, të dëgjojnë zogjtë tek cicërojnë dhe duke qëndruar mbi Cukal të sodisin yjet lart.
Nana
M’i kande hyjt, qi ndrisin
Aq bukur atje n’qiell;
I due lulet e kandshme,
Kur njomshëm çilin n’Priell.
Knaqem sa herë m’bjen zogun
Me e ndie pyllës tuj vallzue.
A i ve un’ veshin prronit,
Kah rrshket tuj gurgullue.
Por lulet aq s’i due
S’i due aq hyjt vizluesa,
As m’knaqë blerimi i tokeve,
Me sa janë zogj kënduesa,
Sa m’knaqë perherë mue nana:
Virtytesh nji pasqyrë,
Nuk ka nevojë me m’folun,
Kam mjaft kur ajo më kqyrë.
Kuq e zi
28 nanduer
Fishkllon veri, ushton duhija,
Bjeshkët për rreth mbushen me borë:
Por kjo stinë për ne â me orë,
Qysh se i lule me rrit desht:
Rriti lulen kuq e zi,
Qi â ma e bukra në Shqipni.
Ngjyra e saj, njomsi prendvere,
Përtrin viset e Shqipnisë;
Lule â kjo, lule lirike,
Qi ne nderën n’vend na e çon,
T’falem, lule kuq e zi,
Si ty s’rritë mâ kjo Shqipni.
Kuq si gjaku, si përhera
N’dej t’ Shqiptarve idhtë pat vlue,
Zi si futa, qi pat mlue
Njat anmik qi me e njoft s’desht.
T’falem, lule kuq e zi,
S’t’ka kush, jo, pos ksaj Shqipni.
Ty t’bajnë burra nder lamije,
Vashvet parzmat jua stolise;
Je nderue nder kombe e fise,
Si dhanti e t’Naltit Zot.
Shejtë â lulja kuq e zi
E â ma e çmueshmja e ksaj Shqipni.
N’çdo kremtim, n’gzime kombtare
Mbledhë shqiptari çetë mas çetë,
Gjallnim s’ka, nuk nep shej jete,
Kur ket lule ngjet s’e shef.
Rrnoftë, pra, lulja kuq e zi
Qi â ma e hiejshmja e ksaj Shqipni.
Rueje, pra, Shqipni fatlume,
Ket dhuntin e t’Përgjithmonit,
Afër lterit, afër fronit,
Ndër dit‘ gzimit e n’mjerim,
Rueje lulen kuq e zi,
Qi s’ka shoqe n’kët Shqipni!
Ushtari i vogël
Veshë e njeshë kshtu si ushtar,
Si ushtar e si shqiptar,
Shpatë për bri e pushkë ndër duer,
Me i rresht çmime në krahnuer,
M’ndieni, burra, n’po u tham:
Kqyrni sa i bukur jam!
A thue vjen për mue kurr ditë,
E kto armë, qi shof tuj ndritë.
Njekto armë, qi sot un bari,
T’i shti n’punë si i shtjen shqiptari;
T’i shti n’punë për me qindrue
Për vend t’em, p’r Atdhe t’bekue!
T’ishem sot n’ushtri me tjerë,
Me korrë kishem nam e nderë;
Punë fort t’mdha kishem me krye,
Edhe anmiqt kishem me i thye:
Me qindresë e dalë-kadalë
General kishem me dalë.
General! s’a’ punë me luejtë:
Me ra n’luftë edhe me muejtë;
Me drejtue gjith’ at ushtri,
Veshë e njeshë për bukuri.
Por ç’dobi, se ndodha i vogël,
As s’di ç’ujë e ban kët gogël.
Njizet vjet kishem me dashtë,
E atëherë kënd s’kishem me drashtë:
Me m’ndigiue kish’ gjith’ ushtrija;
Me m’permendë kish’ gjith’ Shqipnija;
N’luft’ un kish’ me ra si rrfe,
Gjall a dekë, veç për Atdhe.
Nji ditë baba bisedote
E ne djelmve kshtu na thote:
Për ke dekë bjen për atdhe,
Mos t’thonë diq, por t’thonë ka le.
Edhe unë pra, sado qi fmi,
Me dekë kishem për Shqipni.
Por ma parë un due me mujtë,
Due me i pa anmiqt të prujtë,
E, masi, me ndihmë të Zotit,
T’siguroj tokët e Kastriotit,
Edhe anmiqt un do t’i fali,
Mjaft qi t’më thonë: “Rrnoftë generali!”
General, s’a’ punë me luejtë:
Me ra n’luftë edhe me muejtë,
Me drejtue gjith’ at ushtri;
Veshë e njeshë për bukuri.
Por ç’dobi se ndodha i vogël
e s’di ç’ujë e ban kët gogël!
Pylli
Pylli asht si nji vegël muzikore e pamasë e gjethet e landët e tija, të mëdha e të vogla, me at rendimin e tyne të panjehun janë si fijet e njaj harpe, qi të prekuna porsa, losin menjiherë e napin gjithfarë kumbimesh, prej ma të lehtave deri në ma të fuqishmet.
Kalon nji fllad e pylli fshan nëpër gjethe qi dridhen. Ulen flatrat e erës e përkasin majet, përshkohen nëpër degë e të fshamet shëndrrohen në nji gjamë. Shton era, losin gjethet e lehtas edhe trupi i landëvet. Pylli shungullon gjithkah e ndihet nji zhurmë, si krisëm e largët e njaj lumi qi shkon qetësisht tue u dikue. Po era nuk ndalet e tue marrë fuqi përherë ma të madhe, bashkohet me stuhi, e cila shpejt do të vetën: nisë lufta e elementevet t’ajrit, men era, e nji trumbë e mnershme i mbulon landët deri në rrajë. Asht çasi ma i kobshëm e pyllin e njofim n’atë kohë porsi nji përbindsh të vërtetë, që na paraqet të tanë egërsimin e natyrës, se, si t’ishte në rrezik me u mekë prej nji pshtjellimi të jashtzakonshëm, trandet, përkulet fishkullon, vret me atë furi qi ka deti, kur gjindet në tallaz.
Mnera qi të shtjen pylli kah vrret, furija me të cilën shpërvilet gjith’ ajo mblojë prej ere, ato degë qi hidhen e përdridhen, si krahët e njaj përbindshi qi asht kah mbaron, të lidhin, të pengojnë, të bajnë aq për vedi, sa mos me kenë njeriu ma i zoti me mendue kurrgja tjetër. Natyrës për rreth i këputet zani e rrin tue u dridhë, gadi si të pritte me pa se si do të marrë fund ajo luftë elementesh. Kuj i shkon mendja n’ato çase te miqt e pyllit, te zogjt e malit? Mshehë nën proje të ndonjij dege, ata struken, të tanë droje, as nuk u del ma kanga. Mbi ato maje n’atë kohë zotnon vetëm shtërgata, me ato gjamët e mnershme të vetat. Njaj qi përshkon me mend n’ato çase qetsin që pak parandej mbretnonte gjithkund nepër pyll, kur ushtojshin tjera zane, sa shndrimin kishte me vu re! Por, a nuk ndodh të thesh krejt njashtu edhe për at pyll epshesh të mbrapshta, qi asht zemra e njeriut, kur ven para rryma e mnis, tue e ba me kalue prej dashtnije në smirë, prej qetsije në furi, prej idylit në tragjedi?
Edhe ky pshtjellim pylli e ka bukurin e vet, bukuri e vrashtë sa të thuesh, qi tue lanë njerin pezull në shpirt, në vend që me e qetsue e turbullon, e ban me dishrue që të mbarojë sa ma parë ajo poterë. E mbarimi vjen përnjimend e aq ma shpejt sa ma i mnershëm të ket qenë pshtjellimi.
A nie i zymët resh shkon tue u shgatrrue, pran shiu, men era… Zogjt ndër degë, të siguruem, qesin prap kryet e nisin me vallzue. Mnija e furija mbaruen me njaq, e në pyll kthen edhe nji herë qetsija e paqja.
* * *
E çfarë paqe ndër ditë të kthejllta!
Duhet me pa pyllin ndër orë të kullueta të mëngjesit, kur rrezet e para të diellit nisin me u përshkue nepër degë të shpeshta të landvet, njat herë kur pikat e vesës, shtri mbi gjethe vizlijnë si t’ishin gurë të çmueshëm; e degë e trup e blerime të gjitha hapin gjithkah një erë balçmi, më nji që vala e kulluet e kronit merr teposhtën tue gurgullue; gjithkund freski e hije të qeta, ku mjedrra e erëkandshme, dredhëza e shijshme, përzi me lulet e shen Gjergjit e me sherbelë lidhin ma së miri me valle të gëzueshme të zogjve gjithfarësh.
Asht gjithnji simfoni, që t’i mbush ndiesit me nji gëzim të shëndoshët e të kulluet, që të balçmon shpirtin e të nep rasë me shijue njat poezi të hyjnueshme, me të cilën natyra virgjin e pat gjithherë në zakon me u folë njerëzvet. Symfoni jonesh të kandshme përnjiherë e të fuqishme, që marrin shkas nëpër landë a por edhe fill prej landve të madhnueshme: ah, shpardhe, bung, hale, arrnë, tis, etj.
Këto janë ato landë që i bajnë hijet e Cukalit aq të pëlqyeshme e që kanë nji fuqi aq të bindueshme me ngreh zemrën e çdo shtegtari. Ai shtat i gjanë e i naltë, kapë e shtërngue për dhé a por për nji curr me rrajë të veta, kush e din se sa qindra vjetsh i ban me kenë ato landë kreshniket e pamujshme në luftim me erë. Njato landë, po thom, të cilat edhe mbasi t’i ket’ rrëxue spata, mund t’i shofim të nguluna në det mbi ndonji ani, ase kthye e ba rrema, kah i ndihmojnë voztarit me ça valët shkumbuese. Ato landë rreshtue aq shpesh mbi maje ase brijavet të malit, vendue në mes të grykavet t’ashpra, janë me trup të vetin mburojë e sigurt për sa e sa krahina, tue ruejtë dhen, që mos të shkapërderdhet prej rrymës s’ujit, a por edhe tue kullue ajrin e tue i ba të shëndoshta viset të gjitha ku këto ngrehin shtatin e madhnueshëm të vetin e hapen degësh.