Dr. Arian STAROVA: BASHA E KA TEJKALUAR MASËN E GABIMEVE
Gjendja është vërtet shqetësuese në Opozitën politike.
Treguesit e shqetësimeve janë: frika e mbështetësve të Opozitës se PD po përçahet, pakënaqësia me Z. Berisha për shkakun se nuk e kanë dëgjuar të shprehet hapur më parë për gabimet dhe dorëheqjen e Kryetarit Basha (duke nënkuptuar se këtë po e bën tani që iu preken interesat e tij), shqetësimi për shkak të paqartësisë se ç’do të ndodhë më tej, pafuqia opozitare ndaj një rregjimi të superkorruptuar, tronditja nga ambasadorja amerikane që mbyll sytë përpara korrupsionit dhe arbitraritetit të qeverisë “rilindase” të “kurorëzuar” së fundi me vjedhjen e zgjedhjeve. Për të mos përmendur të tjera gjëra.
Sipas meje, duhet të jemi të qartë dhe jodyshues të paktën për këto gjëra:
1- Basha e ka tejkaluar masën e gabimeve, ndaj duhet të dorëhiqet sa më parë.
2- Berisha ka folur edhe më parë për dorëheqjen e kryetarit humbës të zgjedhjeve, por meqë fjala e tij ka shumë peshë dhe autoritet, ai është përmbajtur disi prej të qenit më shumë aktiv sesa duhet.
3- Amerikanët e kësaj administrate janë gabuar me Berishen dhe këmbëngulin më kot, nëse nuk tregojnë publikisht fakte në lidhje me atë për ç’ka e vlerësojnë moralisht negativisht Berishën.
4- Edhe ambasadorja Yuri Kim, nëse do të ishte më realiste, do të duhej të shërbente si zbutëse e marrëdhënieve ndërmjet Departamentit të shtetit dhe Opozitës shqiptare. E habitshme se përse është e rrjeshtuar verbërisht me qeverinë e superkorruptuar të “rilindjes”. Nëse vazhdon kështu, ajo duhet qortuar se po dëmton marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe besimin mbarëpopullor shqiptar të ShBA.
5- Në Shqipëri sundon ish klani i vjetër i diktaturës komuniste me farefis, krushqi, miqësira dhe shërbëtorë të paguar. Ata kanë vetëm një synim: Të përvetësojnë sundimin e tyre duke mos lejuar askënd tjetër t’u bashkohet, përveçse nëse pranon t’u nënshtrohet atyre.
6- O sot, o kurrë, duhet mbështetur opozita, e drejta dhe ajo çka është e moralshme pa u trembur nga asnjë lloj autoriteti i rremë dhe i padrejtë.
Kryetar i Bashkimit Liberaldemokrat