Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: “ZGJIMI I PRANVERËS” NË SKENËN E PRISHTINËS

Para publikut artdashës të Dibrës së Madhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e mbylli Festivalin Teatror Mbarëshqiptar, në edicionin XX të saj, spektakli i dramës së Gjermanit Frank Wediking, – si produksion i Teatrit Kombëtar të Prishtinës dhe Teatrit më të ri që i është shtuar Kosovës “Art Polis”,-vënë në skenë nga regjisorja e këtij teatri, Zana Hoxha,-shpallur nga Juria si regjisorja më e mirë. E përgatitur gjatë “kohës së kolerës”,- premiera u saj u dha më 12 qershor 2020 në Prishtinë dhe u mirëprit kudo që është shfaqur, jo thjesht për pathosin e saj artistik rinor, po për trajtimin e një teme tabu, kushtuar revolucionit seksual, si një platformë edukuese për adoleshencën, në rritjen e zhvillimin social, në ato kushte e rrethana të një errësimi të plotë në të kaluarën. Por edhe si një sfidë kundër kodeve tradicionale që kufizonin lirinë seksuale…
Në inskenimin e veprave të tilla është gjithmonë rreziku i shpërfaqjes së pornografisë vizive,-gjë që, rëndom ka ndodhur e ndodh sidomos në kinematografi, pot jo pak edhe ndër skena teatrore të huaja. Dua të them se regjisorja Zana Hoxha e kapërcen këtë “rrezik natyralist” e priret prej trajtimeve poetike në zhvillimet njerëzore, duke e parë këtë akt si vetë zanafillën e jetës, jo thjeshtë si nevojë e domosdoshmëri biologjike, por edhe si një nga kënaqësitë më të rralla të jetës njerëzore. Mandej, të krijojë edhe skena erotike të një sensibiliteti të lartë erotik e estetik, kur djaloshi e futi të dashurën brenda kanotierës së tij, si një “gjymtyrë” e vetvetes, për ta njësuar me “brinjën e Adamit”, në harmoni me ndjesinë e tij seksuale, poetikisht për syrin e spektatorit gjithashtu. Në të kundërtën, me ato raste perversiteti, kur kjo marrëdhënie njerëzore bëhet e imponuar e barbarisht mbulohet dhunshëm, sikundër veprohet këtu me fytyrën e partnerit-viktimë! Punuar mjeshtërisht e estetikisht,- në trajta të tilla,- nuk i mungojnë spektaklit as skenat koreografike, që u referohen të dyja rasteve, me të cilat shprehen këto marrëdhënie shoqërore, deri dje të ndaluara, të cilat jepen vrullshëm në trajtimin viziv. Në karakterin e një “zgjimi masiv”, kur nis pranvera në natyrë, po ashtu në shpirtin e të rinjve. Ky lloj trajtimi e ngre lartë spektaklin, e bën atë impulsiv, ritmik e dinamik, duke i dhënë atij frymëmarrjen e vet jetës, kur në natyrë buisin fletët e lulet e natyra qeshet.
Duke i dhënë hapësirës skenike një skenografi konvencionale, me shkallare lëvizëse, ndërtohen edhe mizanskena të diferencuara, nëpërmjet të cilave shkallëzohet edhe mendimi i dhunshëm i njeriut, kur zotëron hera-herës tribunali i egër, dhuna, instinkti, ndëshkimi e perversiteti. Sepse platforma artistike është njëherësh edhe ideologjike, në atë zbërthim vizual të meditacionit të avancuar të dramaturgut gjerman, kur atë e ndëshkuan dhe e ndaluan së shkruari e jetuari normalisht në Gjermani, me lëvizjen naziste, që u pri më pas me agresionin politikë të luftës, edhe kundër lirisë së popujve e gjithçkaje të bukur e njerëzore.
Do të shtoja këtu edhe atë vështirësi që ka kapërcyer regjisorja e re ne krijimin e nje unitei artistik e estetik, me të gjitha komponentët që përbëjnë spektaklet polidimensionale, ndër të cilat harmonizohet regjisura me aktrimin, mizanskena me skenografinë dhe koreografinë, muzika me këngën, pa e ndërvlerësuar fjalën, si bazamentin e shprehjes emocionale. Krijohet një tërësi unike, me forcën shprehëse që ka arti skenik. Dhe kjo bëhet akoma më e bukur , kur ne teatrot tona “ra kolera” e u paralizua gjithëçka në jetën e të gjithëve e u vendosën përsëri maskat, si në Teatrin Antik të Eskilit e të Euripidit Grek, mijëra vite me parë…..
Kemi pra një spektakël ansambël ku ndihet e gjithë trupa, si një e vetme, por që eventualisht evidentohen disa syresh, që aktrojnë e interpretojnë lirshëm në hapësirën e skenës. E, do të rendisja këtu aktorët: Arta Muçaj, Shkëlzen Veseli, Hajat Toçilla, Valmir Krasniqi, Labinot Raci dhe kështu me radhë, gjer te muzikantët e talentuar Alzar Gashi, Arben Salihu e Drin Tushi, si edhe te aktorja Qëndresa Kushuni që këndon aq bukur… Ndërsa koreografi Robert Nuha meriton përgëzime të veçanta në këtë përballje të rikrijimit të natyrës njerëzore në “Zgjimin e Pranverës”, ashtu sikundër ka dashur ta trajtojë edhe regjisorja e talentuar Zana Hoxha. Po, kur spektakli mbaron mbeten në kujtesë, ca më tepër dyshja Toçilli-Krasniqi, në atë etyd erotik të dashurisë, po edhe Labinot Rasi në monologun e të përdhunuarit, me botën e brendshme të “pushkatuar”, nga dhuna e perversiteti, sikundër janë portretizuar edhe aktorët e talentuar: Arta Muçaj e Shkëlzen Veseli, pikërisht në këtë anë konfliktuese, në përballjen me regresin e së shkuarës. Ndofta, spektakli i Zana Hoxhës, mund të ishte edhe më konciz, pa përsëritje mizanskenash, sidomos me shkallaren lëvizëse, por edhe në përmasat që zë koreografia e kënga, të cilat arrijnë gjer në disa paraqitje koncertale. Ajo që duhet të zotërojë, është gjithmonë veprimi skenik aktrues e sensi i masës me komponentët e tjerë. Gjithsesi, shohim në skenë artistë të tillë aktiv që nuk mund të mos i përmendim, të paktën me emra, si:Semra Latifin, Shpëtim Kastratin, Qëndresa Lokin,Verona Koxhën, Flamur Ahmatin dhe Arben Ballazhin, pa të cilët nuk mund të bëhej e të shprehej ky spektakël ekspresiv i flladit të pranverës së dashurisë njerëzore…
Do të ishte një spektakël krejt i dhunshëm, nga ana e pushtetarëve të asaj kohe të egër, nga shkollat e familjet e doktrinuara, që këtu kanë përfaqësuesit e tyre, me mentalitetin primitiv e instinktet e kafshës, nëse regjia nuk do të kishte penetruar me anën lirike, erotike, të inkurajimit të dashurisë së lirë, me vullnetin e dëshirat reciproke, si baza e një shoqërie të emancipuar, por edhe me hijeshinë e valltarëve e me atë muzikë e interpretim të melodive për erërat pranverore të dashurisë. Zana Hoxha rrëfeu edhe një herë se artisti mund të jetë edhe i pavarur e të realizoje edhe ato tablo skenike që janë e mbeten në aktualizimin e revolucionarizimin e vet teatrit, për të dalë më përtej amullisë, qëndrimit në pritje e krizave, kur pandemi të ndryshme mbyllin dyert e teatrove dhe kurë një duzinë aktorësh plogështohen që t’u vijë repertori nga qielli e nga regjisorët. Të gëzon edhe fakti i daljes në sheshin skenik të regjisoreve të reja shqiptare, sikundër u dukën në këtë festival të Dibrës, me pulsimin artistik të Driada Dervishit nga Durrësi e të Zana Hoxhës nga Prishtina, Laureate e këtij festivali, nxënëse e denjë e regjisorit Fadil Hysaj.
Tiranë, 10 shtator 2021.
Please follow and like us: