Albspirit

Media/News/Publishing

Zeqir CAMA – krijuesi original, aristokrat i fjalës për Labërinë dhe më gjerë

 

(Kushtuar krijuesit të spikatur, gdhendësit të poezive, poemave e tregimit, kontribuesit në kulturën kombëtare të letrave shqipe Zeqir Cama, i cili ka ditur të lexojë realitetin lab dhe jo vetëm, hartuesit të qindra biografive në gjerdanin e “Yjeve të pashuar” të LANÇ-it, aristokratit të fjalës së përzgjedhur të dhjetra personazheve që çanë qiejt e Shqipërisë dhe shkruan histori trimërie në roje të kaltërsive të Atdheut; në kuadrin e vlerësimit me titullin e lartë “Personalitet i shquar i Labërisë” nga SHKA “Labëria”, “Nderi i kombit”. Zeqir Sadik Cama ka kryer arsimin e lartë ushtarak dhe më pas Fakultetin Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Ai bën pjesë në grupin e krijuesve letrarë që për vite të tëra kontribuan si ushtarakë profesionistë në Komandën e Forcës Ajrore në Rinas, në Ministri të Mbrojtjes, në organet e shtypit dhe propogandës dhe në stafin e hartimit të serisë së veprave për dëshmorët e Atdheut “Yje të pashuar”. Ai lëvron kryesisht poezinë dhe prozën e shkurtër, por dhe monografinë; librin e parë me poezi me titull “Shtigje të gurta” (1972), ndërsa përmbledhja e fundit e krijimeve të tij letrare titullohet “Ftesë nga Fushëbardha”, edhe pse gjithmonë ka në dorë krijimtari të spikatur që nuk rresht asnjëherë sikurse është libri “Kronikë ne aerodrom” me tregime nga jeta në Bazat Ajrore të vendit).

 

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

 

Oficeri i aviacionit – poet dhe tregimtar

Zeqir Cama është lindur në prill të vitit 1949 në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Arsimimin fillor e ka kryer në Fushëvërri dhe Fushëbardhë ndërsa shtatëvjeçar në Zhulat. Ai e njohu jetën e fshatit, të malit dhe të fushës, traditat patriotike e atdhetare. Fushëbardha ishte vatra ku u lind dhe që e mëkoi poetin me traditat më të mira labe. Në vitet 1963-1967, ka kryer Teknikumin Veterinar në Shkodër. Gjatë viteve 1967-1969, kreu Shkollën e lartë ushtarake e aviacionit, në specialitetin “armatim aviacioni”. Në 29.11.1969, diplomohet, titullohet oficer dhe emërohet shef armatimi skuadrileje, në bazën ajrore të Rinasit. Pasioni për poezinë lidhi fort me librat. Kulturën e të shkruarit e fitoi shpejt dhe rriti në vetvete pemën poetike, së cilës poeti i shërbeu me mjaft dashuri si misionar poetik. Ishte futur një rruge pa kthim, por të bukur, që kërkonte shumë mund e përkushtim, për të bërë një vend në “çairin” e poezisë shqipe.

Në vitin 1972 u komandua që të punonte në redaksinë e përgatitjes së librave “Yje të pashuar”, bashkëautor në vëllimin e IV dhe të V-të. Pas një viti rikthehet sërish në bazën ajrore të Rinasit si shef i kulturës dhe propogandës. Dashuria për poezinë dhe ndjenjë e muzës poetike e kishte marrë në vendlindje, por e kultivoi gjatë gjithë jetës në lëmin e letrave shqipe. Kështu në vitin 1972, boton librin e tij të parë poetik “Shtigje të gurta”. Poeti i vlerëson si kohë të arta periudhën kur pranohet kandidat i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve te Shqipërisë, ndërkohë që pas një viti pranohet anëtar dhe me rekomandim të Lidhjes së Shkrimtarëve.

Më 1973 nis pa shkëputje nga puna Fakultetin Gjuhë Letërsi në Universitetin Shtetëror të Tiranës, të cilën e përfundoi pas katër vjetësh më 1977, vit me rrezultate shumë të larta. Në 1975 kryen stazhin e partisë, si komandant i togës së ndërlidhjes në bazën ajrore Rinas. Në vitin 1979 emërohet në aparatin e komitetit të Partisë së aviacionit, në Ministrinë e Mbrojtjes, në sektorin e edukimit.

Duke qenë në këtë detyrë në Ministri të Mbrojtjes gjatë viteve 1981-1983, përfundon edhe shkollën e lartë të Partisë. Profesionalisht i lartësuar tashmë konteporan, edhe me rreth të gjerë poetësh e shkrimtarësh, me njohje dhe publikime të shumta për një dhjetëvjeçar vjen një kohë tjetër, ajo e tranzicionit dhe e reformave. Në shtator të vitit 1992, në kohën e nisjes së reformave në ushtri, transferohet dhe emërohet përkohësisht në bazen ajrore të helikoptereve në Farkë, me detyrën shef kulture e sociologjie, më pas shef shifre-sekretarie dhe më tej u rikthye aty ku e kishte nisur karrierën ushtarake, në regjimentin e Rinasit si shef armatimi skuadrilje. Në Janar 1995, 46 vjeç, nxirret në lirim reformë, në kulmin e pjekurisë dhe energjive profesionale dhe artistike. Ngjarjet e viteve 1996 -1997, vitin e vetshkatërrimit të ushtrisë shqiptare i përjetoi me dhimbje.

Në prill të 1998, rimerret përsëri me gradën “Nënkolonel”, në Shërbimin Informativ, si inspektor në degën e personelit të SHIK-ut. Në Janar 2007, nxirret përfundimisht në reformë dhe i përkushtohet krijimtarisë së lirë. Më 4.4.2004 ishte krijuar SHKA “Fushëbardha” dhe me këtë rast shoqata krijoi edhe gazetën e saj. Kështu që Zeqir Cama me dëshirë mori përsipër përgatitjen e gazetës “Fushëbardha”, organ i SHKA “Fushëbardha”.

Dallgët e jetës e çuan larg në emigración përtej Atlantikut. Kështu në Prill të 2008, në moshën 59 vjeçare, emigroi familjarisht në Kanada, ku punoi në një kompani ushqimore për dhjetë vjet rresht deri në vitin 2018. Aktualisht është në pension, që këtë përiudhë e ka ndarë midis Kanadasë dhe mëmëdheut Shqipërisë. Pasioni për krijimtarinë artistike e ka përfshirë në në proces publikimi ka tre libra “Kronikë ne aerodrom” me tregime nga jeta ne bazat ajrore, një libër poetik “Eshtë koha të heshtë” dhe një me tregime, “Enigma Suri”, libër që është në proces redaktimi.

Është e vështirë të përcaktosh e analizosh qartësisht dhe plotësisht poetin sepse shprehja “Poetët nuk janë mbretër, por mbahen dhe mbeten në kujtesën e brezave sikur të ishin mbretër”, do t’i shkonte për shtat poetit lab, të vërtetë dhe real, prekës dhe emocionues në vargje, gdhëndës me daltë poetike të jetës labe. Poeti është si një “thes zhake mielli”, që kur e kthen sa herë ta “rrahësh” aq herë nxjerr miell. Bereqeti poetik i djalit të Fushëbardhës e ka kaluar “provimin” e poetit shumë herët dhe i ka bërë vend vetes me krijimtarinë e tij në të dy sistemet që ka përjetuar në Shqipëri. Krijimtaria e tij ka kaluar në filtrat e Lidhjes së Shkrimtarëve e shtëpive botuese, që ta “matin kostumin”, sipas kohës së vështirë që ishte. Mbijetesa dhe publikimet në atë kohë në një farë mënyre ishin zotësi artistike dhe njerëzore, sepse rrugën duhet ta çaje me zotësi e meritokraci. Poezia dhe krijimtaria është zotësi e autorit. As dje dhe as sot nuk kishte dhe nuk ka miqësi e tarafllëk. Varku dhe muza poetike ishte një “shkurre” e ashpër që të “ngelte në klasë”, sepse notën dhe vlerësimin do ta merrje nga një masë e gjerë njerëzish, që përgjithësisht ishin të lexuar dhe të apasionuar pas leximit si një ndër format e vetme të thithjes së dijeve. Ishte koha kur miqtë e librit ishin me shumicë dhe ishe në fokusin e shumë lexuesve. Dhe në këtë mjedis poetik triumfi i Zeqir Camës ishte sinjifikativ dhe plotësisht i merituar.

Zeqiri është mjeshtër i kapjes së detajeve, nuk ecën kurrë në “të butë” dhe nuk pëlqen shtigjet e lehta, që vargëzimi poetik të mos vijë i ledhatuar. Nëse vargu nuk është i gdhendur, nuk është i larë në rrebeshin e kohës, nuk është i larë me diell, nuk ka vend në “murin” e poezisë, sikurse nuk ka vend as në tregimet plot vërtetësi e jetë të Zeqir Camës. Duke qenë kalorës i fjalës poetike dhe aristokrat i fjalës së gdhendur për Labërinë dhe më gjerë, ka merituar vëmëndjen e lexuesit dhe është bërë një penë e dashur në letrat shqipe.

*

Zeqir Cama në udhën e bukur dhe të vështirë të krijimtarisë.

Poetët nuk janë mbretër, por mbahen dhe meten në kujtesën e brezave si të ishin mbretër. Poeti Zeqir Cama në udhën e krijimtarisë ka ardhur gjithmonë në rritje. Forca e tij poetike qëndron tek fjala dhe mesazhi. I tillë është mesazhi që përcjell poezia dhe proza, forca e padiskutueshme e fjalës së gdhendur mjeshtërisht. Fushëbardha ofron me bujari natyrë e peizazh piktoresk me male, kodrina, lëndina, burime, korije, fëshërimë e fishkëllimë ere, me katër stinë të veçanta dhe të dashura për krijimtarinë dhe muzën poetike. Nuk e tepërojmë pot ë themi se vetë fshati është një burim i fuqishëm i muzës poetike të shumë poetëve dhe shkrimtarëve të fshatit tonë që e kalojnë një duzinë dhe një ndër ta dhe tepër i spikatur është padyshim Zeqir Cama.

Aktivitetin letrar e ka nisur në shkollën e mesme në Shkodër, sepse Shkodra i ofronte të tëra, edhe pse delli poetik rrinte i fshehur në damarët e poetit. Fakt është se krijimtaria merr vlerë kur bëhet pronë e të gjithëve dhe shikon dritën e botimit dhe  dritën e botimeve në të gjitha organet e shtypit, për Zeqo Camën ishte çelur që në vitin 1967, në moshën 18 vjeçare. Spikatën dy poema që u botuan te Revista “Nëntori”, “Në udhën tuaj”, poemë sintezë për nënat labe dhe “Dritë e pleqërisë së bardhë”. Ndërkohë në Nëntor 1971, pati fatin të botohej një poemë e plotë te gazeta “Zeri i Popullit”, e cila botonte shumë rrallë poema, që u kushtohej komisarëve. Ishte poema që e bëri kurreshtar të më njihte edhe zv/kryeministrin e kohës burrin e urtë të Fushëbardhës Adil Çarçani, i cili kishte qenë edhe vet komisar (në dosjet e ushtarakëve shqiptar, dosja me nr.1, në QPR është dosja e “Nënkolonel Adil Çarçani-komisar (ish-oficer në rezervë)”.

Interesimi i tij për poetin Zeqir Cama në një bisedë të tij në sheshin e fshatit në Zhërmë, ndohmoi për të çelur dritën jeshile edhe për të vijuar studimet në Universitetin e Tiranës poetin tonë, edhe pse zotësinë e kishte me vete dhe ishte në rrugë të mbarë për t’u afirmuar si shkrimtar. Viti 1972, nis me botimin e vëllimit poetik “Shtigje të gurta”. Nga ky libër të poetit të njohur jo vetëm të Fushëbardhës por mjaft i njohur në Labëri e në shkallë vendi kemi sjellë vargjet e Zeqir Camës për Xhaxho Nekiun, që janë një monument i spikatur për njerëzit e thjeshtë e punëtor në poezinë “Motiv baritor” kushtuar bariut Neki Sejdi Golemi: “Me një krrabë të dredhur mirë,/Me një krrabë piksi të dredhur thane,/Nisesh pas dhenëve pa gdhirë,/Festebardhi me llabane,(gjysëm gune),/Shkove kohë e theve vite,/Nëpër gërxhe, nëpër pllaja,/Nga stani në stan u ngjite,/Me llaja çoban me llaja,/Ndërrove mal, e ndërrove bar,/Ndërrove vendet e nomeve,/Por prapë me feste të bardhë,/Mbete çoban i kopeve,/Kapedan që s’plakesh kurrë,/Zdreng-zdreng dhenëve mbrapa,/Pas tyre u bëre burrë,/Me poture të shajakta”.

Vargje që janë marrë sipas origjinalit nga libri “Shtigje të gurta”, autorit (nipçes) Zeqir Cama, Shtypshkronja “Mihal Duri”, Stabilimenti “8 nëntori”, Tiranë, 1972, faqe 24, 25). Ndërkohë që krijimtaria poetike e Zeqir Camës kishte fituar individualitetin e tij dhe ishte bërë e njohur dhe e konfirmuar edhe në qarqet e larta të poetëve dhe të shkrimtarëve. Edhe pse në Tiranë fshati Fushëbardhë ngelej fshat i ëndërrave në krijimtarinë poetike të Zeqo Camës. Vende të tilla si Qafë Dardhë, Kofole, Kaçullat, Mogilë, Mesare, Gjinaz, Shënmëri, Zhërma, Rrapi i dyqanit, misteret e Qafës së Priftrave, Shpella e Zhulit, Skërfica, Piksi, Taronina, Rrepet e Agait, Qafëbardha në Zhulat, burimi i Belle, Ferëza, Kroi i Kalit, Goroqypi etj., ishin bërë “barrë” në ëndërrat e poetit. Ato vende të bukura të bekuara dhe të shenjtëruara vinin tek poeti edhe pa ftuar bashkë me njerëzit e mirë të Fushëbardhës. Në konkursin kombëtar me rastin e trdhjetë vjetorit të ushtrisë më 10 Korik 1973, fitoi çmim të tretë me vëllimin poetik “Netë aerodromesh” por pati të nëjtin fat siç patën mjaft botime të tjera me tematikë ushtarake, pas goditjes së të ashtuquajturit grupi puçist. Ndërkohë u përfshi në një botim përfaqësues që përgatiti Ministria e Mbrojtjes në një libër me tregime dhe në një përmbledhje me poezi me tematikë nga jeta në ushtri.

Në 1977, botoi vëllimin poetik “Shkallët e Labërisë”,  vëllim të cilin kritika e kohës e vlerësoi, si një ndër librat poetik më të mirë të vitit. Po në këtë vit me skenarin e tij, u realizua filmi me metrazh të gjatë nga jeta në aviacion “Shqiponjat marrin lartësi”. Në 1981, botoi “Udha e rritjes” dhe në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha organët e kohës veçanërisht në ato të shtypit ushtarak, botonte publicistikë dhe ishte një emër shumë i njohur për kohën. Në fillim të viteve ’80, Shtëpia botuese “8 Nëntori” e përfshiu në një grup shkrimtarësh që do të angazhoheshin për Heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Shkroi librin “Endërra që çelën nga lufta” për heroinën e popullit, pionieren Nimete Progonati”. Në konkursin kombëtar të atij viti, mori çmim të tretë, por dritën e botimit e panë vetëm disa fragmente të tij në shtypin e kohës sepse botimi i plotë qe planizuar nga lartë sipas rëndësisë dhe aktivitetit të heronjve të LANÇ-it.

Në vitin 2006,  botoi biografinë e letrarizuar “Jetë pa hije” për figurën e një ish-ushtaraku dhe ish-partizani të luftës, nga Kolonja e Labërisë, një monografi që u pëlqye për stilin e tij me parathënie të shkrimtarit nga fshati Fushëbardhë Resul Bedo. Libri nuk shkoi vetëm në Fushëbardhë dhe në Kolonjë, që është vendlindja e oficerit Hasim Çeli birit të Kolonjës që i kushtohet libri,  por veçanërisht në Tiranë e më gjerë. Parathënia sinjifikative e shkrimtarit Resul Bedo dhe botimi mjaft serioz i shtypshkronjës më prestigjioze në Tiranë “Gentgrafik”, e bëjnë botimin sehir në sy dhe me brendi të ndërthurur mençurisht nga autori. Në vitin 2013, publikon librin poetik, me njëqind poezi, “Nën diellin e Karaibeve”.

Në vitin 2017, librin “Ftesë nga Fushëbardha”, një përmbledhje e gjerë me tematikë e frymë nga treva e Labërisë, pjesa e parë e të cilit përfshinë gjashtëdhjetë poezi, pjesa e dytë, njëmbëdhjetë tregime dhe pjesa e tretë, publicistikë, ese e tregime të jetuara. Aktualisht edhe pse që nga viti 2008 Zeqiri jeton në Toronto të Kanadasë ka në proces botimi, “Kronikë në aerodrom” me tregime nga jeta në bazat ajrore si dhe dy libra, një me poezi “Eshtë koha të heshtë” dhe një me tregime, “Enigma Suri”, në proces redaktimi. Zeqir Cama vlerësohet poet e tregimtar i besueshëm, i mbështetur në tabanin popullor, me shkrime të spikatura, me poezi dhe shkrime biografike, por dhe një tregimtar i thekur, një personazh i dashur i letrave, me prurje të pashterrura e të maturuara, një gurgullimë e pastër labe, me prurje plot larmitet dhe kolorit.

Ndërkohë që brezi i ish-ushtarakëve të aviacionit, ka “racionin” e vet në krijimtarinë publicistike të Zeqir Camës.

Autori ka futur në arsenalin e historisë së Flotës Ajrore shqiptare, copëza historie, me shkrime, kushtuar dymbëdhjetë pilotëve që kryen kalimin, të parët, në aeroplanët superzanorë, gjuajtës-kapës-Mig-19PM, të pajisur me raketa të drejtuara ajër-ajër duke përbashkuar dekadat e evulicionit të aviacionit dhe aviatorëve ushtarakë shqiptarë, ka depërtuar në të padukshmen dhe botën shpirtërore duke i dhënë jetë e shpirt tregimeve për aviatorët si: Edip Ohri, komandantit të Aviacionit Shqiptar, zëvëndësit të tij ishte majori Haki Jupasi, gjithashtu pilot i klasit të parë dhe pilotëve Lulo Musai (Spahaj), Anastas Ngjela, Kosta Neço Dede, Bardhyl Taçi, Vasil Xoxi Andoni, Halit Bulku, Bajazit Jaho, Mahmut Hysa, Gëzdar Veipi, Çobo Skënderi. Është një copëz e historisë së aviacionit jo vetëm poetike por edhe e treguar me mjeshtëri të lartë artistike nga autori, duke i dhënë jetë një brezi që shkruan histori suksesi në përmbushje të misionit dhe mbrojtjen të paprekur të qiejve të Shqipërisë. Edhe pse përtej oqeanit, zemrën e ka lënë në Fushëbardhë, Labëri dhe Tiranë ku u afirmua si poeti, tregimtar e shkrimtar. Atje ku është ruan gjuhën e bukur tradicionale, theksin e ëmbëlsuar të labërishtes, traditat e zakonet, gjithçka të mirë të trevës labe me histori trimash, që lexohet për freskinë e vërtetësinë, muzën poetike plot frymëzim.

*

Biri që u bë njësh me hallet labe dhe që në rini e thirrën “xha Zeqo..!”

Nuk ka fshat të trevës labe që nuk ruan e mban, por dhe trashëgon histori, bëma e ngjarje jetësore. Kështu në Fushëbardhë këto janë me bollëk. Gjyshi i Zeqirit por babo Kasëmi (siç e thërrisnin), Nekiu vëllai i tij, Beluli, Feleku dhe të tjerë të moshuar, që në fëmijëri të Zeqirit, por deri vonë i flisnin “o xha Zeqo..!”. Dhe kjo për faktin se gjyshi i babait të tij quhej Zeqo Cama.

Meqënse djali i tij që quhej Barjam vdiq i ri, sapo kishte lindur babai i Zeqirit, Sadiku dhe u pleqërua nga ky, vdiq në prag të çlirimit mbi 80 e ca vjeçar. Sipas të dhënave ka qenë pjesëmarrës në gjithë luftrat kundër pushtuesve në Luftën e Lëkursit (1878) dhe në atë të skërficës. (1914), ka qenë vëlla me Muho Camën dhe moter kishin Hamidenë, të martuar tek gjyshi i Shefqet Golemit.

Pra ishin një zjarr, ndërsa tjetri qe Murat dhe Xhafo Cama. Pastaj qe një degë në Kalasë dhe një në Delvinë.  Zeqiri flet edhe për një takim në vitin 1993 me ish kryetarin e Partisë ekologjike shqiptare, Namik Hoti që ishte enciklopedist, por dhe “magazinë arkivore e pa inventarizuar”, që e njihte historinë e shqiptarëve dhe tregonte për origjinën e shume fiseve, duke gjykuar se, “Cama është fis i ardhur nga shqiptarët e Ukrahinës në shekujt 8-të ose 9-të, çetnik me male dhe me stane në pronësi, që në një farë mënyre përputhej me fisni Cama që kishin stane, kullota për verë dhe për dimër. Edhe pse Fushëbardhasit janë në shumicë autokton sikurse gjithë Labëria, por gjithë njerezimi ka qenë në levizje nga fillimet e veta. Biografinë e rrethit shumë të ngushtë të Zeqirit e gjejmë tek libri Fero Golemi, “Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore”: për nënën e tij Ferdeze Kasëm Golemi babain Sadik Barjam Cama, motrën Hamide (Çupa) vëllezërit e  Zeqirit, Barjamin, Vasfiun, dhe Evjenin që u shua herët (2021); për bashkëshorten Eva Çaush Kondi, dhe dy vajzat, Enkeledën dhe Gresën.

Zeqiri nga kolegët vlerësohet poet dhe tregimtar plotësisht i besueshëm, i mbështetur në tabanin popullor, poet që ndez dritë në errësirë, me shkrime të spikatura; në veçanti poezitë dhe shkrimet biografike, por dhe një tregimtar i thekur, një personazh i dashur i letrave, me prurje të pashterrura e të maturuara, një gurgullimë e pastër e rrjedhshme e ujrave të borta e të kristalta me prurje plot larmitet dhe kolorit. Edhe pse halli e ka çuar disi larg, shumë larg, përtej oqeanit, zemrën e ka lënë në Fushëbardhën e tij të dashur dhe atje ku është ruan gjuhën e bukur tradicionale, theks e ëmbëlsuar të labërishtes, traditat dhe zakonet, gjithçka të mirë të trevës labe me histori trimash. Ai lexohet për freskinë dhe vërtetësinë, për muzën poetike dhe frymëzimin atdhetar, që i përcjell poezitë dhe tregimet edhe përmes rjeteve sociale.

Zemra e poetit është e dhimbsur dhe këtë ndjenjë e pasqyron në krijimtari, veçanërisht për njerëzit e afërt e sidomos për ata që ja lëndojnë zemrën. Kështu hallet e kohës ka ditur ti presë sikurse kanë ardhur sepse kanë ikur dhe janë shuar njerëz të dashur të poetit jo sikurse thuhet në Labëri, “me radhë e me sira”, sikurse ka qenë nipçja e këto kohët e fundit edhe Evjeni i vëllai i tij, fotograf i Gjirokastrës, epiqendra ku mblidheshin djemtë e vajzat e Fushëbardhës dhe më gjerë Krahina e Kardhiqit, pikëtakimi i njerëzve në “18 Shtatori” që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe mërgimtarë në të gjithë kontinentet. Por jeta ecën dhe fjalët ngushëlluese të ndjera, për shpirtrat e të ikurve që u dërgojnë sinjal të gjallëve, për honin e boshëtisë në kraharonin e të gjallëve, që është gjetje petike për të shprehur dhimbjen, një gjetje që zor se mund ta gjejnë as mësuesit profesionistë e profesorët emeritus, që e kanë kaluar jetën mes lumit të diturisë.

*

Zanafilla– drita e muzës poetike që u ndez në Fushëbardhë me “Vallja e germave“

Zanafilla poetike për Zeqirin dhe për poetët e tjerë ka qenë që në kohën kur kanë qenë nxënës në Fushëbardhë, aty ku mësuan të hedhnin vallen e gërmave, në trashëgiminë që la të ndezur mësuesi i parë Nexhip Çarçani që nisnin rrugën e madhe të dritës së diturisë në fillimvjeshtë të vitit 1907. Fushëbardhasit gdhendën në kujtesën historike të brezave emrat e nxënësve të parë: Lulo Nora, Dulla Kondi, Fejzo Meçe, Neki Golemi, Zilfo Kondi, Hete Kondi, Zeqo Cama, Lufto Kondi, Kasëm Golemi, Bajo Kazo, Haki Çarçani, Zenel Çarçani. (në mungesë të dokumentacioni, emrat janë nga gojëdhëna popullore) dhe më vonë pasuan edhe nxënës si: Nesimi Yzeiri, Nazif Veliu, Musa Sabriu, Boro Zani, Bejet Proda, Myftar Çarçani, Cenko Kondi, Daut Çarçani, Feim Çarçani, Zenel Çarçani, Felek Golemi, Novruz Bello, Rrapo Bineri, Tafil Lagji, Ferik Shalari, Rrapo Veliu, Xhelo Çarçani, Kalem Golemi etj. Shekulli XX do të shkundte pluhurat e myket e shekujve të marrë së bashku. Nxënësit e tij të parë pas pesë vitesh do të përjetonin vitin e madh të flamurit, pavarësinë e vitit 1912, vit që u shkrua e ardhmja shqiptare. Poeti ynë Zeqir Cama do të mësonte nga tëparët se, mësues Nexhipi me shokët e tjerë kudo në Labëri e Shqipëri ishin xixëllonjat e para të zgjimit të madh kombëtar të diturisë. Gurët e themelit në traditat atdhetare e arsimore në Fushëbardhë, përkojnë me Kongresin e Manastirit (1908), që diskutoi dhe miratoi alfabetin e njehsuar për të gjithë shqiptarët. Fëmijët fushëbardhas nisën “vallen e shkronjave“, atë valle për të cilën poeti fushëbardhas Zeqir Cama tek “Shkallët e Labërisë” (1977) në poezinë “Vallja e germave“ këndonte: “Dymbëdhjetë burra festeshkruar,/Në dorë morën abetaren,/Lugjesh, shpellash aq magjike,/Si kështjellat madhështore,/Nisën vallen germat shqipe…”.

*

Poetët që i bëjnë nder Fushëbardhës

Fushëbardha historike e lapidareve dhe memorialeve ka çfarë t’ju tregojë dhe penës së poetëve dhe shkrimtarëve, edhe përtej Papa Zhulit burrit dhjetë shekullor, Taroninës me një lapidar që kujton të shkuarën luftarake, nga LANÇ-i, Taroninës ku mushkëritë zgjerohen nga ajri si parfum mali që të gudulis fytyrën dhe që është rruga që kërkon të “harrohet”, për shkak të së resë që nis të lidhet me autostratën së shpejti nga Piksi në fshat. Para më shumë se një çerek shekulli korierja e më vonë autobusi i Skënder Veliut (që iku nga sëmundja e shekullit por nuk harrohet kurrë për të mirat që bëri në jetë), qëndronte çdo mëngjes në Taroninë atje ku shpesh shkon mendja e poetit, këtu, ku merrte “racionin” e Zhulatit, 10 vende të rezervuar në autobus drejt Gjirokastrës. Por në mendjen e poetit ka ngelur dhe shoferi Kadri Onjea që me shpirtbardhësinë e tij ngeli një njeri i dashur në zemrat e të gjithëve dhe si personazh i personifikuar për mirësi që u largua nga kjo jetë si të largohej një mal mirësie. Shumëkush e ka kuptuar, ndjerë e shijuar. Gjaku i poetëve lëviz me natyrshmëri e gjallëri në Fushëbardhë prandaj edhe mendja shkon e “kullot”, që të takojë këngë, trimëri, mençuri, bëma, sikurse thotë kënga e këngëtarit Murat Nelo Cama: “Fushëbardhë nuk ka më lartë,/Këtu zoti derdhi mjaltë,/Të dha bukuri e dije,/Mbretëreshe labërie…”..“Trimëri guxim i labit,/Për kët’ popull fisnik/Fushëbardha lapidare,/Por dhe Qafa në Skërficë…”. Krahas poetëve të fshatit si Zeqir Sadik Cama, Arif Bajo Kazo, Agim Fejzo Golemi, Sinan Mehmet Kërpaçi, Nexhip Resul Resuli (Onjea), Muço Muho, Boço Muho, Islam Poçi, Halil Bello, Enkelejda Kondi (që jeton e punon në Francë), etj., pranë rrapit “monument kulture” kanë ardhur edhe dhjetra poetë të tjerë për të shkruar më tej për për luftë e qëndresë, për sakrificë e mbijetesë shekullore, për unitet njerëzor, dikur kanunor, për kompleks vlerash të kulturës shpirtërore të bashkësisë labe, për kala qindravjeçare gur mbi gur, si monument i kulturës materiale, për unitet të pandarë të kulturës së kombit shqiptar, për lirinë, barazinë, nderin, besën, mikpritjen, solidaritetin njerëzor. Këtu mund të përmendim edhe burra të rrallë e krijues popullore si Jonuz Kuci e Boro Zani që kanë lënë perla në trashëgimin gojore por që Zeqir Cama i mblodhi me kujdes dhe i publikoi tek gazeta “Fushëbardha”. Një personalitet i kulturës labe e më gjerë studiuesi i apasionuar Fitim Çaushi, e analizon historinë përmes vargjeve të këngës si një nga këngët më të vjetra dhe më të bukura: “Lum, o bir, Petro Zhulati,/Kal i kuq sa gjysmë shpati,/Me Bizant të zu inati,/Ç’i bëre gjithë ata trima,/Me kuaj si vetëtima,/Jataganët vringëllima”. Këtu në këto vargje dhe përtej tyre kanë gjetur frymëzimin mjaftë poetë, nga Fushëbardha, Zhulati dhe mbarë treva labe. Por poetët si Zeqir Cama dhe të tjerë që kanë pirë ujë në Ferrës e Burimin e Belle, e ngrenë “ngrehinën poetike”, mbi bazën e muzës së fantazisë dhe atë çfarë lexojnë drejtpërdrejtë në natyrën e Fushëbardhës si dhe tek njerëzit zemërbardhë të saj, tek mençuria natyrore e tyre.

*

Poetët që “vrasin” poetin me figura magjepsëse

Si në çdo shkollë e punë Zeqiri është serioz në udhën e dijeve, në udhën e jetës, me dëshirë dhe vullnet përmbush detyrimet familjare e shoqërore, është nder ta kesh shok e mik dhe gjithmonë ke çfarë mëson nga i mësuari dhe i dituri. Ndoshta janë edhe veti njerëzore që është armatosur që i ringa prejardhja labe. Në fushën e artit të të shkruarit tashmë është mësues, këshillues e redaktor i spikatur dhe kushdo bashkëpunon me poetin lab një gjë është e sigurtë se do të rritë dukshëm vlerat shkrimeve dhe publikimeve dhe do ta mbushë veprën me freski, gjallëri dhe vërtetësi. I tillë është gatuar si për poezi, tregime dhe publicistikë.

Kush lexon “Peisazh mbrëmje nga Fushëbardha” dhe nuk i ngelet mendja aty për ëmbëlsinë dhe bukurinë e vargut, për stanet e blegërimat, galeri minierash, livadhe, kodra e pyje, barinj, kope delesh e dhish, zogj, burime uji, frymëzuar nga e ëmbëla dhe e serta, Fushëbardhë: “Nëpër plepa pikon hëna,/Sërë sërë si hoje mjalti,/llamburit e ndizet mbrëmja,/ sikur nata nis së prapthi..”. Vështrimi i poetit shkon mbi Fushëbardhë, Zhulat e gjithë Labërinë por dy të parat janë të “një zjarri e një vatre”.

Poeti i njohur Agim Shehu jep esencën e krijimtarisë poetike të Zeqo Camës: “Një antologji ndjenjash që të mbeten në mëndje dhe bëhen pasuri kujtese. Një pasuri e veçantë poetike. Një thjeshtësi e çiltër tërë bukuri figurash thënë lirshëm si frymëmarrje shpirti..”.

Publicistët Sefedin Çela, Luan Malaj e Beqir Skreli pëlqejnë përshkrimet nga vendlindja, “… detajet fine të gdhëndura si me dorë, mjediset reale e të prekshme, të vizatuar me një mozaik ngjyrash e kombinacionesh..”. Poeti fushëbardhas Agim Golemi shkruan: “…Ti qendis me penë pasazhe të veçantë, shpirtin dhe dashurinë e thellë të gjysheve.. Duke portretizuar gjyshen tende ti ke tipizuar të gjitha gjyshet, me një gjuhë tërheqëse dhe të lexueshme për këdo,… nuk ke lënë mënjanë pa përshkruar bukur edhe ambjentin rrethues..”.

*

Personazhe që flasin me figura letrare deri në drithërimat e kurbetllinjve

Historitë e fshatit në penën e Zeqir Camës vijnë mjeshtërisht për Fushëbardhën, burrin e shquar, udhëheqës popullor dhe hartues kanunesh i cili ka ardhur gojë pas goje gjer në ditët tona, Idris Sulli, i ngelur në këngë: ”Idris Sulli burrë i rrallë,/me urti i tha ca fjalë:/Të mos jemi të pandarë,/s’jemi turq as venecianë…” .

Fushëbardha, në gjuhën e figurshme ngjan me një trapezë familjare, shtruar në gjunjët e pesë maleve të lartë, Gjikeçit, Gramatisë, Stravoit, Lucës, Qefallauzit e shtatë kodrave..”, thotë poeti që e vesh me këngë popullore: “I tha Stavroi Pylloit;/Bëni zë atij Dragoit,/ të marrë shkëmbënjtë në dorë,/ përmbi koka t’ua lëshojë,/ t’i mortisë, t’i sakatojë..”. Poeti është adhurues i truallit që lanë trashëgim të parët: “Borërat një mbi një kanë ngrirë në emrin tënd,/ jelekbardha jetëgjatë, eshtërzëna argjend,/Zalli mes përmes, prehet pa andralla,/ si një shall i leshtë, feks në shtatë mëhalla./Fusha sa një zemër, bora sa një mal,/njerëzit si njerëz, të ndjeshëm, plot mall./ Reliev i thyer vale-valë,/djepi që më tundi,/Fushëbardhë..”.

Nuk harrohet edheLalëmadhi: “Ejani të tërë në breg,/zini shtigjet e tepjetë,/se vjen i ligu përpjetë,/mizë lisi porsi bletë..”. Fushëbardhas e zhulaqotë kanë luftuar me heroizëm kundër pushtimit fashist duke njomur tokën me jetën dhe gjakun e tyre si dëshmori Karafil Bello, Sami Golemi, Xhezo Proda, Cirok Cama, Latife Nora që Fushëbardha i dha LANÇ-it 15 dëshmorë, që shumicën autori Zeqir Cama i sjell në formatin poetik, duke i dhënë një dimencion trimërie dhe lavdie, por edhe përjetësie emrit të ndritur “dëshmor”. Ndërkohë që tregimet “Siva”, “Kojua”, ”Çole Mëzati”, “Netë diversantësh”, vijnë kaq labërisht si lule-hakthi erëmirë në krijimtarinë e Zeqir Camës. Në krijimtarinë e tij “Homazh për Gerin”, është nga shkrimet më më mbreslënës sikurse ka edhe krijime për bashkëfshatarë të ndjerë, djem të ikur “në qemal” e deri tek vëllai i tij i vogël që perëndia e deshi pranë si një nga njerëzit më të mirë të fshatit.

Edhe dhimbjen poeti di ta tregojë me dashuri për më të shtrenjtën e jetës: “Unë nuk të pashë kur mbylle sytë,/ siç doje vetë me pak mundime,/ po kur t’u desh, të feksi dritë,/ si bukureja, hija ime../Unë nuk të thashë as lamtumirë,/ te streh’e errët në vetmi,/ po që nga larg, një dorë e shtrirë, të ledhaton pa e parë njeri…”, që në një farë mënyre janë drithërimat e kohës së kurbetllinjve.

*

Për kolosin e letrave “I. Kadare” dhe një “thes me vite” për poezinë

Të marrësh penën për të shkruar për kolosët duhet të jesh guximtar, që të kërkosh “gurët e çmuar kalldrëmeve të Gjirokastrës” dhe “kalldrëmeve të letrave shqipe”, duhet të kesh “një thes me vite” të merresh me Kadarenë. Me këto kulme tregon se poeti e ka mbushur “mastrapanin”, çikë-çikë që nga rinia. I tillë është Zeqir Cama kur shkruan poezi për Kadarenë e madh: “Kadaresë”, që ka të ngjarë ta ketë shkruar në bibliotekën e Torontos:

“S’e di ç’më shtiu të hyj brënda,/sikur një zë më tha në vesh,/do t’gjesh atë, që ta ka ënda,/te raftet, me kapak të qelqtë./ Dhe për çudi më ndihu fati,/se vate gjuha ku më dhemb,/midis shenjtorëve të artit,/një gur i çmuar, në kalldrëm./“Kronikë në gur” çokiti xhamin,/t’i bëj test anglishtes sime,/paçka se isha top i bindur,/që s’bëja bukë dot me thërrime./Të shkretës dorë mezi i pritej,/t’i kthente fletët frap me ngut,/siç kthejnë pllakat e çative,/n’qytetin tënd jugor, të gurtë./Po fati ndryshe qënkish thënë,/si unë dikush, kish bërë porosi,/të vetmen kopje patën lënë,/ta merrte një nga ne të dy./“It’s for you” – u rrëzëlleva-,/ jam andej nga është shkrimtari,/në ritin tonë për gaz e morte,/nderohet miku më së pari”.

Ndërsa nga libri i autorit “Nën diellin e Karaibeve”, shijojmë, “E sotmja”: “E sotmja, si dje, iku bosh,/e nesërmja, zor t’ma mbush syrin,/nëpër xhepa s’më mbetet një grosh,/sikur erdha të ngrohem me hirin./Më ndoqi pas fati me gurë,/ç’m’u desh kjo lojë, ç’m’u desh,/andej-lumë e deti me shkumë,/këtej-lumë e deti në brez!/As paga e lakmuar s’më josh,/me vjen nga pas “bisht i dardhës”,/sa marr me një dorë çekun plot,/me tjetrën laj bill-et e radhës./Mendja më del nga foleja,/sa gjen diku “një penxhere”,/tymosur më kthehet ngahera,/të ziej si çorbë në tenxhere./Mbi tëmtha çak e çuk e çokas,/siç i bie sopatës mbi dru./-mblidh vidhat – e kanos me inat-,/mendja jote më pruri këtu!”. Por në “Katarakti i Niagarës”, autori ngacmon “parajsën dhe ferrin”, mrekullinë e ujit në botë,/valët plot ngjyra ylberi,/si vargje qershie mbi tortë. Këtu poeti është edhe i ashpër me ligësitë e kësaj bote, duke parë e menduar në Ujërat “thërmija” që shkërmoqen llahtarshëm dhe me furi kur thotë: “Vetëm kur të bindet Zoti një ditë,/njerëzimin ta pakësojë kështu:/Le t’i hedhë mëkatarët e ligj,/këtu, në Niagara, këtu!”. Kjo flet qartë se poeti është në korsinë e duhur poetike të vargëzimit poetik, që në fakt është duke ecur paralel edhe si një tregimtar i spikatur, që po mbledh copëza të jetës, që nuk i përkasin vetëm rinisë, por edhe pjekurisë së plotë të burrërisë, që vlen në çdo kohë të lexohen për origjinalitetin, theshtësinë dhe mesazhin përcjellës.

*

“Personalitet i Labërisë”- vlerësim i lartë për poetin e Fushëbardhës dhe Labërisë

Poeti i Fushëbardhës parapëlqen të jetë origjinal në krijimtari. Poezia e tij vjen erë trëndelinë dhe lule akthi, bardhësia e qengjave, deleve e shelegëve ka “lyer” jo vetëm diellin që lind në Fushëbardhë, por dhe në blegërima, fëshfërime gjethesh, cicërima zogjsh, këmborë e zile, fyejsh e longarë. Poeti nuk ka perëndi dhe nuk respekton klishe, sepse është rritur e mëkuar në një trevë rrebele, të pabindur dhe që ka qenë gjithmonë e lirë, në pavarësinë e saj relative.

Ai është më shumë se vetvetja, ku dhe kur i Meriton të gjitha nderimet i quant ë tepërta ato, sepse ashtu i flet zemra dhe i thotë shpirti, i çlirët dhe i dlirë, shpirt që rron edhe në virtualitet në livadhet e kodrinat e gjelbëra të Fushëbardhës, në gurgullimat e burimeve të Labërisë dhe që nuk shterrin kurrë dhe nuk kanë limite e kufizime.

Vargëzimi poetik i Zeqir Camës dhe krijimtaria në skica e tregime, është një gurgullimë e pandalur labe, që e ka meritur plotësisht që të rrjedhë e tillë si gurgullima e kristaltë dhe e dëbortë e burimeve të Labërisë. Por poeti ynë është edhe “xanxar”, edhe pse ka qenë ish-ushtarak, bile madhor ish-nënkolonel, “nuk vihet dot në rresht”. I kërkuam të na bënte një foto me kostum, standard, xhaketë e zezë, këmishë të bardhë dhe kullaro të kuqe, për kombinim me ngjyrat e flamurit.

Po nuk vonoi përgjigjia: “E kam bezdi te ve kullaro sepse tani jemi bere si plaku Mere…!, jemi bërë si të kenër”, dhe më tej në thotë: “…qenka me shume içkëla protokollare kjo punë e “personalitetit” o vëllezër, me biografi e fotografi me kullaro, me veshjet protokollare e simbolikë ngjyrash të flamurit tonë kombëtar. Pashë mos gjeja ndonjë me kullaro por s’gjeta, kam vetëm një me xhaketë e bluzë sportive, mbase s’u prish gjë, sepse juve në Shqipëri dhe kryeministrin që u votua përsëri për mandatin e tretë e kini sportiv, madje dhe në takime zyrtare”. Ju bindëm e lamë poetin rebel, të vishej si të donte, dhe që në fakt kishte marrë nga huqet e Agim Shehut e Petro Markos, që nuk e njihnin “rreshtin”. Për vlerësimin propozues të SHKA “Fushëbardha”, kryesia e së cilës e përbërë nga: Pajtim Bello, Nexhip Onjea, Zaho Golemi, Angjelo Kazo, Trifon Golemi, Adriatik Cama, Teli Resuli, Zenel Shalari ju drejtuan Shoqatës “Labëria” “Nderi i Kombit”, organit më të lartë autoritar që e akordon titullin. Poeti Zeqir Cama na shkruante: “.. ju falenderoj nga zemra për kujtesën dhe vlerësimin që më bën. Kur ishim të rinj dhe merrnim ato dekoratat e asokohe (unë kisha dy a tre nga Presidiumi i Kuvendit Popullor), nuk i vlerësonim siç duhet sepse na dukej sikur mburreshim, ruanim modestinë e shtirur. Por modestia e tepëruar thonë që është budallallëk, aq më tepër sot. Megjithatë njeriu s’flet dhe s’kërkon dot për vete. Kështu ka qenë dhe kështu do ngelet. Vëllezërit e mi të Fushëbardhës, herë pas here më ka zënë syri vlerësimet që ka bërë Shoqata “Labëria” për shumë figura. As për një s’kam patur xhelozi, e merrte me meritë apo hajt t’ia japim se s’prish gjë. Për vete s’e mendoja sepse pavarësisht se krijimtaria ime është pothuajse me motive dhe ngjyrime të asaj treve, duhet të bëhet dikush mukajet që dhe ta njohë këtë krijimtari por dhe të jetë inisiator që ta propozoj dhe të dijë ta mbrojë propozimin që bën. Fati im është që ju të SHKA “Fushëbardha” jeni edhe të ingranuar në shoqatën e Labërisë së Tiranës, dhe keni dashamirësinë dhe njohjen e krijimtarisë time dhe përkushtimin tim ndaj trevës labe. Prandaj ju falenderoj shumë dhe falënderimi është për të dy shoqatat “Fushëbardha” dhe “Labëria”. Për të patur një njohje më të gjërë rreth asaj që ka shkruar për Labërinë, po rendisim librat me poezi” Shtigje të gurta”1972, “Shkallët e Labërisë”1977, “Udha e rritjes” 1981 dhe “Nën diellin e karaibeve”. Dy biografi të letrarizuar, e para për Heroinën e popullit “Nimete Progonati” dhe më vonë “Jetë pa hije”, të dy protagonistët janë prej Labërisë dhe figura të njohura. Në librat me poezi duke nisur nga i pari dhe deri tek i fundit, veç tematikës prej Labërisë ka mjaft poezi për heronj e dëshmor të asaj treve.

Në librin e parë të tij ka një poezi “Deputetja labe”, kushtuar deputetes së parë të Labërisë Duze Barjamit nga Bolena, që kishte dy djem dëshmorë. Tre katër herë ka fituar dhe çmime në konkurse kombëtare një i dytë dhe dy të tretat. Libri më i freskët siç jemi në dijeni që përmban kryesisht tematikë labërie është “Ftesë nga Fushëbardha”. Por dhe dy të tjerë të gatshëm me poezi dhe një me tregime, përveç këtij me tematik nga aviacioni që i ka përfunduar presin dritën e botimit në Tiranë. Poeti Zeqir Cama është një paraprijës i agimeve në zbardhje, me muzë, shpirt, ëndrra e shpresë, me frymë e kolorit në muzikalitetin e fjalës shenjtëruar.

Ai nuk e do luksin dhe pasurinë, por çmon shumë virtytet dhe botën shpirtërore, pasurinë në ndjenja e mendime, bukurinë e shpirtit njerëzor. Ai i dashuronte poetët e parë lirikë të Ballkanit (Greqisë së lashtë) si, Terpandri, Arioni, Tirteu, Soloni etj., ku ë vargjet e tyre mbizotëronte Atdheu, lufta, trimëria, dashuria për jetën, dashuronte Gjergj Fishtën, për lirikat e tij, Tirteu shqiptar, ose Homeri shqiptar) (i shekullit VIII p.K.), autor i “Iliada” dhe “Odisea”, njohës dhe adhurues i Eseninit, Robert Bërnsit, Longfellout, Viktor Hygo, Tolstoi, Dostojevski, etj., maja të letërsisë botërore.

Poeti Zeqir Cama është penë e njohur në poezinë shqipe që ecën i sigurtë në gjurmët e maleve të poezisë shqipe: Naim Frashëri, Dritëro Agolli, Andon Zako Çajupi, Ali Asllani, Gjergj Fishta, Asdreni, Migjeni, Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, Jorgo Bllaci, Fatos Arapi, Agim Shehu, Moikom Zeqo, Petrit Ruka, etj, por është në një llogore me poetë që i bëjnë nder vendit si: Sulejman Mato, Ndoc Gjetja, Arben Duka, Arben Bllaci, Ymer Nurka, Nexhip Onjea, Sinan Kërpaçi, Agim Golemi, etj. Fushëbardha, krahina e Kardhiqit, Labëria, shokët e miqtë e njohin poetin tonë me emrin Zeqo, por emri poetik Zeqir, ka gjysëm shekulli që ka fituar të gjitha të drejtat, prandaj edhe kështu identiteti thellë në gen dhe and e labit me rrënjë nuk ndryshon, përkundrazi çimentohet njësh me krijimtarinë poetike dhe tregimtare të Zeqir Camës.

Kemi bindjen se poezia do të lexohet gjithmonë. Krahas maleve të poezisë, lexuesit shqiptarë do të ketë nevojë të lexojnë poetë e krijues që kanë qëmtuar me vërtetësi jetën dhe të vërtetën të veshur me vargje e muzikalitet poetik, përfshi trevën atdhetare të Labërisë, që duhet thënë se poetët i ka me kimet, sepse ka me “kë të merret” në ditë me diell, gëzimi e hareje, por edhe në ditë me kohë të vrenjtur, shira e shtrëngatë. Motivi i poetit nuk ka qenë kurrë vlerësimi me tituj e nderime, por dy shoqata në cilësinë e organizmave shoqërorë e kolegjialë vendosën njëzëri për ta nderuar poetin e Labërisë si Zeqir Cama, me titullin “Personalitet i shquar i Labërisë”.

Titullin “Personalitet i shquar i Labërisë”, Zeqir Sadik Cama e ka meritur edhe më herët. Por më mirë vonë se kurrë thotë një maksimë popullore dhe organet kolegjale të dy shoqatave propozuese dhe miratuese u përbashkuan në një mendim të unifikuar në këtë motivacion:

Për kontribut të shquar në fushën e letrave shqipe, një individualitet krijues me karrierë të spikatur; si publicist, poet e prozator i pëlqyer, tematika dhe tiparet e kësaj krijimtarie (siç ka vënë në dukje dhe kritika letrare), kryesisht burojnë nga treva e Labërisë, ku ka mbetur “peng” zemra e tij; si ish-kryeredaktor i Gazetës “Fushëbardha”; si një ndër ruajtësit dhe mbrojtjësit e vlerave labe në Tiranë, por dhe në emigración në Kanada, ku krijimtaria e tij fitoi një dimension dhe frymëmarrje më të gjërë, por edhe si një individualitet aktiv në një periudhë të gjatë në shoqatën Atdhetare Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit”.

Please follow and like us: