Albspirit

Media/News/Publishing

Kodi i Besës në shpëtimin e Hebrenjve dhe Kodi i Diplomacisë i “Festivalit Kulturor Shqipëri-Izrael”

Dita e dytë e Festivalit Kulturor Shqipëri-Izrael 2021 u zhvillua tek instalacioni “Reja”, ku shfaq dokumentari “Kodi Shqiptar” i regjisores izraelite Yair Katzir, u ekspozuan kostumet mbresëlënëse të “Tradita Edlira”, të shoqëruar edhe me tingujt magjikë të Agron Peni Trio Guitar.

Fjalimet e rastit u mbajtën nga Megi Fino, Zv.Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.

 

Mesazhi i Megi Finos

Në cilësinë e Zv.Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, kam kënaqësinë dhe privilegjin të përshëndes sot këtë aktivitet që organizohet me rastin e tridhjetëvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Izraelit.

Marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe popujve tanë janë tëshenjuara edhe nga një tipar dallues më shumë nga ato që karakterizojnë zakonisht marrëdhëniet midis dy vendeve nëpërgjithësi.

Në themel të tyre qëndron mikpritja dhe mirënjohja: mikpritja e shqiptarëve që gjatë Luftës së Dytë Botërore i bënë krenarisht vend vetes në histori, duke zgjedhur të shpëtonin jetë nëpërballje me makinerinë më mizore të kohës. Dhe mirënjohja e popullit qëndrestar izraelit, i cili u përball me agresionin më barbar të spastrimit në historinë moderne, duke u ringjallur si Milshami i legjendave të tij, për të ndërtuar me vendosmëri të ardhmen.

Shqipëria e vogël, ende në hapat e para të shtet-ndërtimit dëshmoi se humanizmi dhe solidariteti janë vlera që jo domosdoshmërisht mësohen. Ato më së pari burojnë nga shpirti!

Me aktet e tyre të shpëtimit të hebrenjve, shqiptarët treguan se dinjiteti dhe madhështia fitohen përmes sakrificës. Familjet shqiptare që strehuan hebrenjtë ishin të vetëdijshëm për rrezikun që po merrnin përsipër. Autoritetet shqiptare të kohës që u përfshinë në këtë mision shpëtimi njerëzor, ishin të ndërgjegjshëm se ajo çfarë bënin, i kundërvihej politikave të makinerisë çnjerëzore naziste.

Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga Gjermania naziste, ku numri i hebrenjve në përfundim të luftës u dhjetëfishua; nga vetëm 200 hebrenj që ishin në fillim të Luftës së 2-të Botërore, në fund të saj, ishin nëShqipëri rreth 2000 hebrenj të mbijetuar.

Akti humanist dhe shtetëror në mbrojtje të familjeve hebreje që u mikpritën dhe strehuan nga shqiptarët, – myslimanë, katolikë apo ortodoksë, – është pjesë e kulturës së mikpritjes dhe traditës shqiptare.

Kodi i mikpritjes dhe Kodi i Besës janë ligjet e pashkruara të shqiptarëve, në të cilat mbështeten aktet e sakrificës së vetëdijshme, të familjeve shqiptare për të strehuar dhe mbrojturmiqtë në rrezik me çfarë kishin më të shtrenjtë. Aty lexohet qëndresa e një populli të vogël dhe të trajtuar padrejtësisht nga historia, për një popull me fat të ngjashëm.

Shqipëria ka arsye ta kujtojë me krenari rolin e saj në këtë histori, për shkak të shpirtit human e guximtar të njerëzve të thjeshtë.

Pjesë e pandarë e kontributit të shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve nga politikat naziste antisemite është edhe vizioni e puna e diplomatëve shqiptarë që punonin e drejtonin legatat shqiptare në vendet ku kishte popullsi hebreje, në Evropën Qendrore e Lindore.

Deri në shpërthimin e luftës, diplomatët shqiptarë dhanë qindra viza tranziti për hebrenjtë drejt SHBA-së, Amerikës së Jugut apo Australisë, viza ‘turistike’ dhe autorizime leje-qëndrimi apo dhënie shtetësie shqiptare për hebrenj të Gjermanisë, Austrisë, Hungarisë dhe Polonisë.

Gjithashtu edhe diplomacia kulturore është shumë e rendësishme në këtë drejtim. Ndaj ky festival është për t’u përgëzuar, së paku për dy arsye: së pari, sepse mundëson këtë lloj dialogu mes popujve tanë, mes kulturave dhe brezave, dhe asaj që dy vendet tona mund të promovojnë së bashku nënjë kontekst më të gjerë ndërkombëtar. Së dyti, i kundërvihet rrezikut të harresës.

Shqipëria u rreshtua në anën e të drejtëve të historisë dhe vazhdon t’i qëndrojë me besnikëri aleancës me të drejtën.Harresa dhe shtrembërimi i së vërtetës mbi Holokaustin, rrezikon përsëritjen e së keqes në çfarëdo forme dhe fytyre.

Dita ndërkombëtare e përkujtimit të Holokaustit është për të gjithë, kohë për reflektim.
E rreshtuar me dinjitet në koalicionin e forcave përparimtare, Shqipëria kontribuon aktivisht në përpjekjet dhe luftën kundër antisemitizmit dhe kundër shtrembërimit të së vërtetës së Holokaustit.

Në këtë frymë, Shqipëria dëshmoi edhe një herë së fundmi, gatishmërinë për të qenë strehë dhe shpëtim, me mikpritjen e saj për shtetasit afganë. Kodi shqiptar i besës, edhe një herë i dëshmoi botës se nuk ka rëndësi sa vend i vogel je. E rëndësishme është të kesh shpirtin e madh!

(Fjala e mbajtur në Ditën e Dytë të “Festivalit Kulturor Shqipëri-Izrael”)

Please follow and like us: