Presidentja e BE-së, thirrje anëtarëve të zhvillojnë kapacitete mbrojtëse pa mbështetjen e SHBA-së
Shefja ekzekutive e Bashkimit Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare të zhvillojnë kapacitet e tyre mbrojtëse pa mbështetjen e SHBA-së.
Komentet e Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen vijnë një muaj pas shpërbërjes së shpejtë të ushtrisë afgane dhe evakuimit të rrëmujshëm të mijëra njerëzve nga vendi, ndërsa talebanët morën kontrollin e plotë të vendit.
“Evropa mund dhe duhet në mënyrë të qartë të jetë në gjendje dhe e gatshme të bëjë më shumë vetë“, tha zonja Von der Leyen gjatë fjalimit të saj vjetor para Parlamentit Evropian në Strasburg.
“Ajo që na ka penguar deri më tani nuk është vetëm mungesa e kapaciteteve, por edhe mungesa e vullnetit politik“, shtoi zonja Von der Leyen, ish-ministre gjermane e Mbrojtjes. Gjermania është një ndër vendet më hezituese të bllokut për të dërguar trupa në rajone në konflikt kudo në botë.
Zonja Von der Leyen i bëri thirrje BE-së të krijojë atë që e quajti “bashkim për mbrojtje”, çfarë do të plotësonte qasjen tradicionale të bllokut, që nuk synon përdorimin e forcës.
Presidentja e BE-së propozoi stimuj tatimor për të inkurajuar prodhimin dhe shitjen e armëve brenda Bashkimit Evropian, përmirësimin e programeve të shkëmbimit të informacioneve të zbulimit si dhe forcimin e mbrojtjes kundër sulmeve kibernetike.
Propozimi për krijimin e një force prej 5,000 anëtarësh u hodh për herë të parë në muajin maj, gjatë rishikimit të strategjisë së përgjithshme të bllokut. Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha në takim se ai shpresonte që plani të përfundonte deri në nëntor.
Bashkimi Evropian ka aktualisht një sistem të trupave luftarake për t’u vendosur në zonat e trazirave, por që nuk janë përdorur kurrë.