Albspirit

Media/News/Publishing

Ermal Mulosmani: Rruga se si Berisha mund ta shpëtojë PD-në

Sali Berisha, i nxitur në dukje nga shtysa thellësisht personale, ka filluar një luftë ndaj udhëheqjes së Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës. Është e paqartë mënyra sesi mundet të ketë sukses një lëvizje e tillë nga pikëpamja e rregullave të Partisë. Por një lëvizje me bazë të gjerë mundet të ribëjë nga e para edhe rregullat. Ndoshta ky është edhe qëllimi i saj.

Berishizmi është akoma i fortë në anëtarësinë e Partisë dhe në një ballafaqim Basha-Berisha, fituesi ka shanse reale të anojë nga Berisha. Zhgënjimet e njëpasnjëshme në betejën me Edi Ramën e kanë zbehur shpresën demokrate për pushtet dhe besimin se Basha është udhëheqësi i duhur. Nga kjo premisë, shanset për një mbështetje nga baza janë të mëdha.

Sali Berisha është personi i duhur për të nxitur ringritjen e Partisë Demokratike (nga pikëpamja e ndikimit në bazë) por kurrsesi për ta riudhëhequr atë. Konflikti i hapur me administratën amerikane e zhvesh çdo lëvizje të Berishës nga idealizmi nëse synon kreun e Partisë. Opininoni publik do ta lexojë përpjekjen e Berishës për të rimarrë PD-në si interes i ngushtë personal për të lidhur fatin e tij me atë të Partisë që krijoi. Kjo do ishte në dëm të Berishës dhe një premisë e fortë për dështim. Prandaj duhet ta përjashtojë kategorikisht veten nga mundësia për të drejtuar Partinë ose për të ndikuar në zgjedhjen e Kryetarit.

Sali Berisha duhet të ribëjë amanetin e tij politik me këtë lëvizje, duhet të bëjë atë që nuk e bëri gjatë kohëve të arta të tij.

Një lëvizje për ringritjen e një Partie Demokratike duke rrëzuar Kryetarin aktual dhe shpalljen e një fushate zgjedhore një vjeçare për Kryetarin e ri do të ishte ndoshta veprimi më i mbështetur nga baza e etur për të gjetur një lider të ri të cilit mund ti besojë në fitore. Nëse Berisha krijon shtratin demokratik për zgjedhjen e Kryetarit të ri të PD-së, përmes ndryshimeve statuore, kufizimit të mandatit të Kryetarit, shkarkimin automatik në rast të humbjes së zgjedhjeve parlamentare, ky do të ishte veprimi më i mirëserdhur për të gjithë demokratët dhe me gjasë puna më e mirë e Sali Berishës.

Meqë jemi këtu, ky do ishte edhe korrigjimi i gabimit që bëri në 2013-ën duke emëruar Lulzim Bashën si pasardhës.

Lulzim Basha i pati gjithë mundësitë për tu dëshmuar si lider. Sot atë e besojnë veç organet e reja drejtuese që i zgjodhi vetë. Ato që i ruajnë vulën.

Partia ka hyrë në një rreth vicioz. Një herë në katër vite, pas çdo dështimi elektoral, konfirmon Kryetarin dështues i cili, menjëherë, rrethon veten me eunukë yes-menë që më shumë bëjnë gjeste sesa flasin. Pushteti i karriges së Kryetarit që, me një të rënë të lapsit të bën apo zhbën karrierën ka sterilizuar debatin e brendshëm, ka eleminuar individin me mendim të pavarur dhe i ka dhënë Kryetarit të Partisë hijen e Zotit në Parti. Partia nuk është më një organizim vullnetar apo shoqëri aksionere por kompani me pronar të vetëm.

Lulzim Basha, e kuptoi shpejt peshën e vulës së Partisë. Në vitin 2017, me një vendim diabolik në limitin e fundit të afatit të dorëzimit të listave zgjedhore për deputetë këputi karrierat politike të Jozefina Topallit, Astrit Patozit, Arben Imamit, Genc Rulit, Majlinda Bregut e shumë të tjerëve që i bënin hije në oborrin demokrat. Tha që kjo listë është basti i tij dhe e pagëzoi me emërtimin pompoz “Republika e re”.

Basti shënoi humbjen më të thellë elektorale por kjo nuk do të thotë asgjë. Rruga e telasheve ishte spastruar paçka se Partisë i firuan 200 mijë vota. Biznesi i Bashës nuk është fitorja, është PD-ja pa telashe. Ai gjithmonë është marrë me mbarëvajtjen e biznesit të tij brenda PD-së, jo me, ruajna zot, fitoren e zgjedhjeve! Për Bashën e rëndësishme është vetëm alibia e humbjes dhe rimëkëmbja e karriges së Kryetarit menjëherë pas saj. Shpejt e shpejt, për 20-30 ditë. Punë e madhe se PD-ja rudhet. Mund të bjerë 300 mijë vota, e pastaj? Mjaftojnë edhe aq, boll të jemi të dytët e të vazhdojmë biznesin.

Kjo praktikë duhet të marrë fund për të mirën e demokracisë. Sali Berisha, njeriu që ndërtoi mitin e Kryetarit të Partisë së bashku me Edi Ramën me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, ka shansin të korrigjojë gabimin e tij. Një Kryetar i fortë vërtet mundet të të çojë drejt pushtetit dhe të kthehet në autokrat siç ka bërë Edi Rama me bekimin e Berishës (ndryshimet e 2008-ës). Por një Kryetar Partie hileqar që di të shfrytëzojë epërsitë e vulës për të rudhur Partinë e njëkohësisht për të menaxhuar çdo humbje është një fatkeqësi kombëtare. Largimi i tij nga udhëheqja e Partisë dhe moslejimi në të ardhmen i një precedent të tillë, përmes demokratizimit të statutit dhe sanksionimit të shkarkimit të humbësit, do t’i jepte lëvizjes së Sali Berishës legjimitet moral dhe ndoshta do të ishte kontributi më i madh i tij qysh nga themelimi i asaj Partie.

Nuk ka rëndësi shtysa, rëndësi ka rezultati.

Përjashtimi i Bashës dhe Berishës nga drejtimi i Partisë së re do të ishte edhe mundësia më e mirë e shmangies së përçarjes së Partisë. Një Kryetar i ri do të bënte hapjen e madhe pasi do ishte i çliruar nga pengjet e së shkuarës. Gazeta Express

Please follow and like us: