Halima Aden: Modës i duhen edhe gra muslimane
Supermodelja, Halima Aden, jep këshilla për modelet me hixhab dhe shpresat e saj për industrinë e modës. Në rolin e saj të ri, Aden thotë se dëshiron të theksojë për gratë muslimane se hixhabi tradicional duhet të jetë diçka që e veshin me krenari dhe se duhet të jenë të sigurta në identitetin e tyre.
“Moda ka nevojë për gratë myslimane, kurrë anasjelltas. Pasi ta keni parasysh këtë, mund të lundroni në industrinë e modës.” tha ajo.
Një nga shqetësimet më të mëdha të Aden para se të linte industrinë e modës vitin e kaluar, ishte presioni i vazhdueshëm për të ndryshuar hixhabin ose komprometuar atë. Ajo përshkroi kohët kur kthehej në dhomën e saj të hotelit pas xhirimeve dhe qante, sepse ndjehej sikur nuk ishte autentike për veten ose besimin e saj.
“Për gratë myslimane, nuk është vetëm një prirje. Është një mënyrë jetese. Është padyshim shqetësuese kur shoh, për shembull, markat që veshin mbulesa të kokës që i ngjajnë hixhabit, por tregojnë lëkurë, si kyçin e këmbës” thotë Aden, duke iu referuar faktit që mbulimi i trupit dhe i flokëve është pjesë e hixhabit
Çështja e agjencive të modelimit, stilistëve dhe fotografëve që nuk arrijnë të kuptojnë modën modeste, dhe nevojat e grave myslimane në hixhab, është e kamotshme, shkruan Middleeasteye, transmeton Klankosova.tv.
Kështu Umma Models me bazë në Londër, u lansua në vitin 2017 pasi themeluesi, Shannie Hammouda, vuri re një hendek në treg për një agjenci që kupton modën modeste. Agjencia komunikon me markat, duke i informuar në emër të modelit për nevojat e tyre.