Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: PERVERSITETI I NJË DEBATI

Dy ditë më parë postova një artikull në lidhje me nismën “Open Balkan”. Nga debati shumë i gjallë që pasoi, kuptova dy gjëra. Së pari, shumica dërrmuese e komentuesve nuk e lexojnë fare artikullin dhe përpiqen të debatojnë pa u mbështetur në atë që është shkruar. Së dyti, një grup tjetër, ata me më pak kulturë debati, shtrembërojnë qëllimisht idetë e shkrimit dhe më pas përpiqen të degradojnë artikullshkruesin. Dua të bëj dy ose tre komente shtesë për atë që thashë më lart.
1. Meqenëse disa nga debatuesit e kanë sulmuar marrëveshjen pa e lexuar fare, dua të ritheksoj se këta njerëz nuk e kanë idenë se si funksionojnë ekonomitë kombëtare sot në epokën e globalizimit. Në veçanti, ata nuk i kuptojnë parimet themelore të funksionimit të strukturës ekonomike dhe politike të quajtur Bashkimi Evropian. Është hipokrizi e pështirë të shtireni se po i promovoni këto parime, dhe nga ana tjetër, merrni vendime izalocioniste.
Ekonomitë e Kosovës dhe Shqipërisë, kompanitë shqiptare, kanë nevojë për një treg të lirë për dy arsye. Së pari për të rritur tregun, e dyta për t’u përballur me konkurrencë më të fortë biznesi. Vetëm atëherë ata mund të testojnë kapacitetin dhe cilësinë e tyre konkurruese.
2. Disa nga debatuesit më thanë se nuk ka treg të lirë pa marrëveshje politike mes shqiptarëve dhe serbëve. Kjo deklaratë është e saktë. As unë nuk kam iluzionin se tregu i lirë mund të funksionojë pa pajtim politik. Zhvillimi ekonomik është peng i politikës. Popujt e Ballkanit ende, për fat të keq, veprojnë sipas principeve dhe ligjeve të jetës së shekullit XIX. Serbët, shqiptarët, boshnjakët, maqedonasit, malazezët nuk e kuptojnë se jeta në fqinjësi mes tyre është një destinacion natyror që nuk mund të ndryshohet. Pa e kuptuar këtë, është e vështirë të bëhesh pjesë e qytetërimit perëndimor.
3. Gjuha e përdorur në debate, përmbajtja e fjalorit është shumë primitive. Këtu njerëzit nuk merren me ide, me veprime individuale. Për shkak të mendësisë tribale, fisnore, shumë shqiptarë nuk i mbrojnë idetë e tyre personale, por mbrojnë liderin suprem, organizatën në të cilën janë të shkrirë. Shqiptarët mbrojnë Berishën, Kurtin, Ramen, etj. sepse besojnë në ta në mënyrë religjioze. Ata sillen si myhib, pavarësisht se kanë diploma akademike, deri në doktoraturë. Një zonjë që pretendon se është shkrimtare dhe që me sa duket jeton jashtë vendit, më dërgon të ‘nëmura’ (curses me) sepse unë menduakam ndryshe nga lideri suprem. Një tjetër, gazetar ky, i cili punon në një institucion publik, më thotë të ‘mbyll gojën’ sepse vetëm lideri i di këto gjëra. Një tjetër, i sëmurë nga halucinacionet perverse, thotë se u ngjajë kllounëve të politikës, edhe pse unë kurrë në jetën time as nuk kam pasur një post politik ose nuk jam marrë me politikë.
Siç jemi katandisur, me këtë intolerancë ndaj mendimit ndryshe, me këtë kulturë debati, nuk ka gjasa që një ditë të bëhemi pjesë e qytetërimit perëndimor. Dhe, virtyti thelbësor i këtij qytetërimi është toleranca ndaj atij që mendon ndryshe.
Filozofi anglez Bertrand Russell thoshte se intoleranca dhe urrejtja janë marrëzi. Ne duhet të mësojmë të tolerojmë njëri-tjetrin, duhet të mësohemi dhe të pranojmë faktin se disa njerëz thonë gjëra që edhe mund të mos na pëlqejnë. Nëse duam të jetojmë së bashku dhe të mos vdesim së bashku, ne duhet ta pranojmë këtë fakt.
Toleranca është është principi i parë i së drejtës natyrore, thoshte Volteri!
Please follow and like us: