Miho Gjini: A do i jepet “bunkeri” Grigor Konomit në Piqeras?!
Vëzhgim
Këtë pyetje ka 30 vite që bën Grigor Konomi nga Piqerasi! Sepse nuk i jepet toka në “Gone”, në Bunecin afër detit, e regjistruar, që para ardhjes së Osmanëve këtu e që i mbeti e shkruar edhe në regjistrat e kësaj perandorie, po edhe kur u vendos Mbretëria e Zogut e gjersa u bë edhe Reforma Agrare e 46-ës… Si e vetmja tokë që kishte në pronësi familja e të parëve të këtij njeriu, prej dy mijë metrash… Riskun e tokës së tij e “preu” Enveri, kur tha se”të gjitha tokat e fshatarëve i takojnë Shtetit”, sipas Leninit në Rusi! Dhe, pikërisht aty, ku ky Gole Kononi kishte pronën, në Bunecin e Piqerasit, ngriti papritur katër bunkerë të mëdhenj, pa e “pjerdhur” fare Golen e shkretë, që të “mbroheshim” nga monarkofashistët grekë e fashistoiimperialistat italianë. Kurse pranë tij, në një copë tokë që ishte në pronësi të kishës, ngriti nje repart ushtarak, me 20 ushtarë të armatosur e me katër topa të vendosur në të katër bunkerët e mëdhenj, sa një shtëpi dy katëshe! Dhe, këtë pyetje që ka ky shkrim i çuditshëm, po real, e bëri përsëri Gole mavriu, i mbetur me gisht në gojë, kur u përmbys shteti i mëparshëm. Po, kur ngrehinat e reparteve ushtarake u nxorrën në ankand “për pesë para spec!” dhe për bunkerët u tha se qe një gabim e frikë bashkë, që kishte diktatori nga jashtë e asgjë më shumë, duke e lënë Golen tani, me katër bunkerë e me katër topa të kalibrit të rëndë. Një “pasuri” akoma më e madhe nga ajo e Mato Grudës, personazhit të romanit të Dritëroit, braktisur nga italianët! Golja nuk dinte ç’t’i bënte, veçse t’i linte në mëshirë të fatit, gjersa i zbërthyen e i shitën për hekurishta, ca xhambazë, kush qe më “i shkathëti e më i shpejti”.
Atëhere mbeti vetëm toka poshtë bukerëve. Si të thuash: “erdhi toka tek i Zoti që e kishte! Mirëpo “Jo”! Bunkerët e Enverit ia jepnin Goles, po jo tokën! Atëhere, ky njeri, i mbetur pa tokë e pa bukë, me dy fëmijë për të ushqyer, vendosi që të hapi brenda bunkerit,-pa u prishur ende ato,- një lokal dhe e bëri. BRAVO!,- i thanë fshatarët e vet. Aty venin plazhistët e Bunecit të pinin një kafe, një gotë raki, si edhe nga një birrë a lëngje freskuese, kur ai vuri aty dy a tri shtylla e mori linjën elektike, ndërkohë që këtë e kishte bërë edhe më përpara tij ai që bleu repartin ushtarak, -një burr “më i zoti” se ai dhe se fshatarët e Piqerasit, qe e kishin të tyren, si tokën, po edhe kishën!. Perëndia sikur u kujtua dhe e la të gëzojë edhe Golen… po zilarët e banditët që i “kacavirreshin” pushtetit të ri, nuk donin e nuk ia dhanë kurrë Grigor Konomit të drejtën mbi tokën e tij. Bile që të mos i shkelë as këmba aty! Se “toka afër detit është e mbretit”! Po, realisht, nuk mund t’ia jepnin Goles,me tapi, si në kohën e Turqisë, me ca fermanë me dyllë të kuq! Po vetëm me ca letra që edhe mund të grisen e të përdoren edhe gjetkë….! Ai ka tani disa çertifikata nëpër duar, që i ngrë përpjetë nëpër Gjykata, Komuna, Bashkira e Prokurorira të vogla e të mëdha. Paralelisht me këtë “udhë ligjore” që bënte “i ziu” njeri, zilarë e banditë,-që s’ishin të paktë, i vunë minat bunkerit natën e ia hodhën në erë, me gjithë pajisjet brenda ç’kishte lokali, Ai bëj e ata prish! Tri herë! Tritoli qarkullonte me bollëk! Deri sa vendosi të shpëtojë edhe jetën e fëmijëve që i flinin aty e bënin roje natën! Dhe vete përfundimisht në Greqi të shpëtojë jetën e tij e të fëmijëve, pa prona nuk mundej t’i jepej as pas tri dekadash! Më mirë të jetonte i varfër e të shiste krahët në Greqi, që kishte ligje më të forta dhe ku, në mesin e Athinës shikonte mure të rëna ndër vite e dekada e nuk guxonte askush t’i zaptonte trojet e tyre!
“O Perëndi,-thotë me vete,-Ç’bëhet kështu?! Gjykata e Sarandës dhe ajo e Gjirokastrës,-i japin të drejtë, po Përmbarimi nuk e zbaton vendimin e tyre… Nuk do! Atëhere ai i drejtohet SPAK-ut! Po janë mbledhur qindra, mijëra dosje atje!… Dhe vitet ikin, Grigor Konomi u bë befas 61 vjeç e djemtë iu bënë burra, në pamundësi që të punojnë në tokën e tyre! Grigor Konomit i dolën thinjat duke pritur si në ato komeditë e Ioneskos e të Beketit dhe tani duket si një dele e trembur! Se kjo botë ka edhe persona më të “zgjuar”: ka disa vjet që, mbi tokën e tij, pasi të katër bunkerëve ua shqepën e ua vodhën edhe hekurat, “mbinë” papritur edhe katër shtëpi prej druri, për plazhistët, duke e detyruar Gole Ziun t’i njomen sytë, në rërën e plazhit, lakuriq, me sytë nga qielli! “Po t’i kisha bërë unë e t’i vendosja ato katër baraka aty, pa le që janë edhe në tokën time, do m’i kishin hedhur në det!”.E i duket, sikur tashmë, pas 30 vjetësh , po bunkerizohen edhe “anti-ligjet” në bregdetin e bekuar nga Zoti. Para dy muajsh erdhi të pushojë, pikërisht këtu edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, po Grigori e morri vesh si iku ardhjen e tij që ta “zinte nga xhaketa”. Vetëm se, sipas gazetave, Ai u kishte thënë njerëzve: “EJANI NË PIQERAS”! Po për Golen, si t’ia bëjmë vallë?!
Please follow and like us: