Odise Kote: Dëbora e murrme
Tregim
E kisha mbytur ngadalë me duart nervoze që s’gjenin guxim të ndaleshin. I mbyturi qëndronte shtrirë në shtrat. Nuk meritonte të jetonte deri sa kishte hequr dorë nga udhëtimet dhe endej si i verbër në udhëza të ngushta, të shkurtra që i njihte përmendësh. Jashtë binte dëborë, por çuditërisht ngjyra e saj nuk ishte e bardhë. Era e murlanit përplaste kanatet e ballkonit dhe shkundte grilat metalike. Zemërata ishte mbledhur pikëz në mesin e ballit. Vërtet, vërtet nuk besoj në atë dashurinë e Romeos dhe Zhyljetës, por këtu brenda diçka më thotë se kam të drejtë e mbi gjithçka, meritoj të dashurohem. Ky mendim që vetëtiu në vend që të zbuste dhimbjen, e shtoi ca më të tepër. Në fund të fundit, të shpëtova prej ngërmimit, angështisë dhe hapave prej iriqi që më kallin krupë!
Të shpëtova? Ah po unë nuk jam heroina. Jam thjesht gruaja jote e mjerë. Heroina e vërtetë është aksidentalisht aty ku ndodh ngjarja. Ajo është aty se kërkon të jetë e ndershme me friken e saj dhe kjo e shtyn të bëjë aktin.
Po ç’heroinë jam unë? Unë jam në shtëpinë time dhe ti je burri im. Të mbyta sepse ti më pengon të kërkoj mijëra arsye për të jetuar. Kthehem në mbrëmje prej punës së përditshme ku seleksionoj e gëlltis iluzionet e një kohe tjetër, dhe ulem në qoshkun tim atje në cep të ballkonit. Ndez cigare dhe e thith fort. I ngul sytë në drejtim të pakuptimtë. Qyteti tutje ngjan me një kafshëz të egër që përgjon brengën time. Trishtimin si teshë të vjetër e ka rrëmbyer era. Kushedi ku e ka çuar. Nuk kam fuqi ta kërkoj. Rruga e shtrembër përposh ballkonit të shpie drejt e në Club Night-in e ri, me ato dreq dritash jeshile e portokalli që të mbushin kapilarët e gjakut me hidhësi e tërbim. Qëndroj palëvizur në qoshk. Nuk e di sa orë. Bie errësira. Në fund kthehem e mardhur në dhomën time. Si çdo mbremje tjetër e kam gjetur me mundim një arsye për ta mbajtur shpirtin gjallë! Eh, i përkëdheli ashtu kot flokët e të mbyturit. Ti kthehesh vonë, shumë më vonë. Si hije. Këpucët në korridor i lë një këtu e një atje. Hapat janë rënduar e gjunjët dridhen. Je i lodhur. Jo prej udhës së gjatë, jo, jo. Do të ta dhuroja gjithë qejf shërbimin e përkujdesjen. Ty të ka dërmuar boshësia, mungesa e kërkimit, udhëtimeve, prehja. Të dhemb koka, të merren mendtë, të vjen gjumë. Nderkohë sytë e mi të flasin parreshtur, gjatë gjithë kohes. Ti zgjat disi hutueshëm dorën drejt supit tim dhe unë keqkutoj një dëshirë të fshehur. Djegën. Shkoj vrap para pasqyrës. Rrudhat bëhen rrafsh dhe lëkura e butë si kadife. Ledhatoj brishtësinë dhe ijet që janë tretur prej pritjes. Kthehem menjëherë tek ty, prej frikës mos të humb.
E kotë. Ti ke ikur. Në atë mbretërinë e hicit. Asgjësë. Atëherë e humbas fillin, nuk e di përse bëhem aq e ngurtë, e padurueshme, këlthitëse. Ai, pikërisht ai është çasti që më mbush trurin me ide vrasëse. Në një prej këtyre netëve, komshia që hyri e trembur në hyrjen tonë, më prekte me duar pasi pandehte se isha një copë shkëmbi. Nuk e kuptonte e gjora që atje, brenda copës së shkëmbit fshihej e mbrohej brishtësia e thelbit. Pimë kafe me rum dhe kur e kuptoi se isha zbutur disi, ngrihet e shkon në shtratin e saj bosh. Dera mbetet hapur. Më zë gjumi në guzhinë dhe e fjetura zgjat deri sa drita shpon grilat e pushton hapësirën brenda. Me siguri gjatë fjetjes duhet të kem parë shumë ëndrra, pasi në njërin sy kisha diellin e imagjinatës që përcëllonte, ndërsa në tjetrin nuk e di pse qëndronte ende një hënëz verdhane e ngrënë përgjysmë. Me sa duket ndonjë ëndërr e pambaruar, këmbëngulte të sqaronte gjithë detajet e shfaqjes. Ngrihem e vishem shpejt e shpejt për ti shkuar pas asaj ëndrre me frikën se gjatë ditës mund të ma ndalojnë, por trupi s’më bindet plotësisht. Kam dhimbje kudo. Dhimbje e tkurrje. Në qoshet e buzëve më dalin disa fjalë që më shumë ngjajnë me lulet se sa kanë fuqi arsyetimi, të bëjnë sqarimet e duhura. Megjithatë nëpër trup sikur shtrihen rrënjët e tyre dhe lëkura lëshon aroma me afshe zjarri. O zot! Jam e vendosur të iki. Nuk e shmang dot pasionin dinak që më shtyn në vorbull emocionesh, aty ku rikthehet bujarisht shkëlqimi i syve. E di që këtë moment rrezikoj sigurinë e vagullt me pasigurinë tinzare. Nëse nuk e bëj dot, nuk mund të ringre zemrën e gremisur. I ngre edhe më lart grilat e dritares. Jashtë dëbora nuk ka pushuar. Ajo ka ngjyrë të murme. Si lëkurë kunadheje. Ca njolla të zeza që duken tutje janë oxhakë të ndezur në shtëpitë matanë rrugës. Borëpastruesja ka nisur të hapē rrugën kryesore. Ndjej ftohtë dhe kthehem të vesh një bluzë të trashë. Kujtohem që atë e kam lënë të mbytur, shtrirë në krevat. Me shumë vështirësi, arrij të bashkoj gjithë kontraditat dhe mundësitë brenda vetes, me të vërtetë shpresë për të mbijetuar dhe … Futem sërish në shtratin martesor. Aty në shtrojet e akullta. E ngroh me trup. Me çdo pjesëz trupi. Ai, ai… çuditërisht ca sekonda më pas lëviz. Po, po lëvizi. Nuk e di në ishte mëshira a nxehtësia e trupit të gruas që e rizgjoi? I gjallëroi qelizat. E riktheu. Apo mos ndoshta nuk e paskësha mbytur?
Please follow and like us: