Albspirit

Media/News/Publishing

OKB duhet ta refuzojë vrasësin e masave të Iranit

Bordi Editorial

Ebrahim Raisi ka qenë i përfshirë në masakrën ndaj 30,000 të burgosurve politikë.

Presidenti i regjimit iranian, Ebrahim Raisi, pritet të bëjë udhëtimin e tij të parë si president jashtë vendit të enjten. Sipas mediave shtetërore, Raisi do të marrë pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Taxhikistan. Kjo do të ndodhë pavarësisht faktit që Raisi është pjesë e listës së sanksioneve amerikane për shkak se është një dhunues serial i të drejtave të njeriut.

Që kur Raisi-t iu dha posti i presidentit jo-legjitim të mullahëve, ka patur thirrje gjithnjë e më të forta nga organizatat e të drejtave njerëzore që ai të ndiqet penalisht si kriminel. Në 1988-ën, ai ka qenë i përfshirë në masakrën ndaj 30,000 të burgosurve politikë, shumica e të cilëve ishin anëtarë të opozitës kryesore Mujahedin-e Khalq (MEK). Familjet e viktimave kanë 33 vite që kërkojnë drejtësi.

Por kultura e pandëshkueshmërisë që sundon në Teheran për kriminelët e dhunuesit e të drejtave njerëzore ka lejuar ngritjen e Raisi-t në një prej posteve më të larta të regjimit klerikal. Siç ka deklaruar organizata globale e të drejtave, Amnesty International, “Fakti që Ebrahim Raisi ngrihet në postin e presidentit në vend që të hetohet për krimet e vrasjes, zhdukjes me forcë dhe torturës, kundër njerëzimit, është një kujtesë e zymtë që pandëshkueshmëria  ka pushtet absolut në Iran.”

Raisi, Kasapi i Masakrës së 1988-ës në Iran

Mungesa e hetimeve ndërkombëtare mbi rolin e Raisi-t në vrasjen e mijëra qytetarëve të pafajshëm e ka trimëruar regjimin. Para se të merrte postin e presidentit, Raisi ka luajtur një rol kyç në shtypjen ndaj protestuesve dhe aktivistëve, gjatë mandatit të tij si kryegjyqtar.

Prandaj, nuk do të ishte aspak kontroversale të kërkohej që, në vend të pranimit në forume të ndryshme ndërkombëtare, Raisi të hetohet dhe të ndiqet penalisht. Vrasësit e masave nuk duhet të legjitimizohen në forume globale.

Bashkimi Europian, dhe në veçanti kreu i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, e ka forcuar kulturën e pandëshkueshmërisë për mullahët vrasës. Borrell ka dërguar madje një zyrtar të lartë të BE-së për të marrë pjesë në inaugurimin e Raisi-t në gusht, ku ishin të pranishëm terroristë të njohur globalë.

Ky gjest turpërues, i ndjekur nga lëshimet e njëpasnjëshme të BE-së ndaj regjimit me shpresën për të fituar dakordësinë e tij në paktin bërthamor, ishte një fyerje jashtëzakonisht e rëndë ndaj miliona iranianëve që vuajnë nën një teokraci brutale. Ky veprim shkon gjithashtu kundër vlerave të vetë Europës, si mbrojtja e të drejtave njerëzore, drejtësia, dhe liritë personale.

Kjo të kujton paralajmërimin e Ëinston Churchill-it se paqësuesit vazhdojnë ta ushqejnë krokodilin me shpresën se do t’i hajë të fundit. Regjimi i ka marrë të mirëqena lëshimet bërthamore që i ka bërë Europa. Organizata bërthamore e OKB-së i ka dënuar herë pas here shkeljet e regjimit, më së fundmi në dy raporte inkriminuese të publikuara këtë muaj. Si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni, kanë bërë një sy qorr.

Thuhet se “nuk ka asgjë më mizore se pandëshkueshmëria.” Dhe vërtet, sado mizore të ketë qenë vrasja e mijëra njerëzve në 1988-ën, edhe më mizore është t’i lejosh vrasësit të udhëtojnë lirshëm nëpër botë.

Please follow and like us: