Albspirit

Media/News/Publishing

Festivali Kulturor Shqipëri-Izrael solli një sërë aktivitetesh kulturologjike dhe veprash artistike të jashtëzakonshme te Muzeu Historik

Në ditën e pestë të tij, Festivali Kulturor Shqipëri-Izrael solli një sërë aktivitetesh kulturologjike dhe veprash artistike të jashtëzakonshme te Muzeu Historik Kombëtar

I konceptuar në dy segmente kryesore, eventi te Muzeu i Festivalit Kulturor Shqipëri-Izrael mblodhi së bashku një sërë personalitetesh të mëdha nga fusha e akademisë, historisë, letërsisë dhe artit.

Pjesa e parë ishte një konferencë akademike, ku morën pjesë, me kumtesa origjinale dhe me fakte të reja të panjohura më parë për publikun, Akademiku Prof. Dr. Shaban Sinani, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, dhe Drejtori i Arkivit Qëndror të Shqipërisë, Prof. As. Ardit Bido.

Akademik Shaban Sinani, Sekretar shkencor te Akademia e Shkencave, paraqiti një këndvështrim të ri nëpërmjet referatës së tij për vendosjen dhe ekzistencën e popullit hebre në territoret shqiptare. Dr. Koçi u fokusua te muzealizimi i pranisë dhe shpëtimit në Shqipëri të komunitetit hebre gjatë Holokaustit, duke përfshirë dhe refugjatët hebrenj që vinin nga Europa qëndrore e lindore. Nga ana tjetër, Prof. As. Bido paraqiti dhe analizoi materiale të ndryshme arkivore që lidhen me shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë hapësirën shqiptare.

Pjesa e dytë e programit, iu dedikua letërsisë dhe më saktësisht pikëtakimeve dhe veçorive tipologjike të gjeniut të letrave shqip Ismail Kadare dhe shkrimtarit brilant izraelit Amos Oz, si dy nga shkrimtarët më përfaqësues të dy vendeve.

Prof. Dr. Viola Isufaj erdhi me një shtjellim të imtësishëm të veprave të dy autorëve, duke u përqëndruar te rrëfimet e tyre për fëmijërinë, luftën dhe botën. Në përqasjen e saj, Prof. Isufaj analizoi përafritë lëndore të dy autorëve dhe analogjitë tipologjike. Ndërkohë, aktori i mirënjohur Arben Derhemi interpretoi dhe solli me mjeshtëri fragmente në prozë dhe në poezi nga të dy autorët.

Eventi u përshëndet nga Rabini Yoel Kaplan, Krye-Rabini i Vendeve të Ballkanit. Në fillim të aktivitetit pati dhe një paraqitje të baletit kontemporan të përgatitur nga artisti i mirënjohur Eltion Merja dhe të vënë në skenë nga balerina Aneda Lusha, e cila trajtonte në mënyrë artistike tragjedinë e Holokaustit. Në përfundim të eventit, të pranishmit mundën të shijonin ekspozitën fotografike “Jeruzalemi Gjallnon” të fotografit hungarez Ivan Benda dhe ekspozitën me piktura “Streha” të artistit Arben Golemi.

Please follow and like us: