Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: 1946 – 26 HETUESI E BURGJE KISHTE SHKODRA?!

 

 

 

Sot edhe ky bli  ju tregon se shka ka pa dhe provue nder degët dhe nen degët e veta, tue fillue nga Nandori i vitit 1946, kur Kuvendi i Fretenve të qytetit të Shkodres u kthye në hetuesi të Sigurimit të Shtetit komunist…

A e dini se Shkodra asht nder qytetet ma të lavdishme të Asaj Shqipni që, asht masakrue e vuejtë si pak e aspak qytete të Europës komuniste?

Vetem me kujtue diktatorët terroristë që mendonin me shfarosë dhe me e varrosë Shkodren time, prej momentit kur hypne në pushtet dhe kur aty u formue dhe asht vue në punë kriminale turpi antinjerzor i vetmi në botë:  “Seksioni Katolik i Degës së të Brendshme”, po në vitin 1946 dhe, tue dijtë se kush e drejtonte ate nga kriminelët ma barbar në Europë, me etiketen “antifetare” dhe antikulturore e antihumanitare, tue fillue nga tiranët vrastarë Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, Ramiz Alia, Haxhi Lleshi, Nexhmije Hoxha, Fiqrete Shehu, Lilo Zeneli, Xhevdet Miloti, Hysni Ndoja, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Vaskë Koleci, Cuf Lohja, Ndrekë Nallbani, Qamil Gavoçi, Jonuz Dini, Kasëm Troshani, Pjerin Kçira, Ylvi Dibra, Rasim Dedja, Elham Xhika, Vehbi Fishta, Zoi Themeli, Hilmi Seiti, Rexhep Kolli, Dhimiter Shkodrani e deri tek Shyqyri Çoku, të gjithë “heronjë” të Ministrisë së Mbrendshme, të zhytun deri në fyt në gjakun e Popullit Shqiptar. Këta kriminelë  terroristë e gjakatarë, kanë krye në Shkoder veprat ma të shëmtueme tue torturue në mënyrën ma mizore dhe, bashkë me trashigimtarë të sotem janë ata që po shfarosin tashti edhe gjurmët kulturore, historike e atdhetare në Shqipninë e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut e të Nanës Tereze, shemelltyrat tona Botnore.

Kjo dokumentohet sakt vetëm me kenjen e këtyne qendrave të torturave, spijunazhi, hetuesie, vrasjesh e dhune, zhdukje e shpifje, burgje dhe shtëpi strehimi për të parainternuem që kishte qyteti i Shkodrës prej vitit 1946:

  1. Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme.
  2. Hetuesia (Shtëpia e Pjetër Çiurçisë).
  3. Burgu i Prefekturës (Kati përdhé).
  4. Konvikti “Malet tona”.
  5. Burgu i Madh pranë Prefekturës.
  6. Burgu i Kishës së Fretënve (Kuvendi) në Gjuhadol.
  7. Burgu i vjetër i Gestapos, pranë shtëpisë së Zef Shirokës.
  8. Shtëpia e Ulqinakut.
  9. Kuvendi i Motrave Servite.
  10. Kisha e Motrave Servite.
  11. Shkolla e Çelës.
  12. Podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, (nën farmaci).
  13. Burgu i Çekës (sot Instituti “Nanë Tereza”).
  14. Toga e Ndjekjes së Sigurimit (tek Sanatoriumi i sotëm).
  15. Burgu i Postës tek harku kundrejt Xhamisë së Kuqe në Perash.
  16. Shtëpia e Rrojëjve (pranë Maternitetit të vjetër).
  17. Shtëpia e Guljelm Lukës tek rruga e Jezuitëve (ku interrnonin).
  18. Shtëpia e Dr. Karamitrit.
  19. Shtëpia e Lec Shkrelit, tek Dugajtë e Reja.
  20. Hoteli i Bepit të Mishiqit (ishte përballë Institutit Pedagogjik).
  21. Shtëpia e Guljelm Sumës.
  22. Shtëpia e Sandër Saraçit.
  23. Shtëpia përdhese e Vuksanëve, mbas shtëpisë së Shkrelit.
  24. Spitali i burgut përballë Shtëpisë së Kulturës.
  25. Spitali i burgut tek Spitali Civil sot.
  26. Burgu i ushtrisë tek rekrutimi.
  • Edhe zvoglimi i këtyne shifrave “dikujt” po i sherben prap sot!

Gjyqet janë zhvillue në kinema “Rozafat”, kinema “Republika”, Teatri i Jezuitëve, në  shtëpi të Kadukut, Pogut, Dr. Prelës etj. Gjyqet e mbylluna janë zhvillue kryesisht tek Burgu i Kishës ose Kuvendi i Fretënve në Gjuhadol (në mensë), ndër dhomat e Shtëpisë së  Çiurçisë, ku shpesh, vriteshin, hudheshin nga dritarët dhe zhdukeshin kufomat e pafaj me proces-verbale false të gjyqeve gjoja të zhvillueme aty.

Qendrat e masakrave ma të mëdha që nuk harrohen kurrë janë kenë: Shtëpia e Çiurçisë, Burgu i Kishës së Fretënve (1946), Konvikti “Malet tona”, Dega e Punëve të Mbrendshme, Shtëpia e Lec Shkrelit, podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, shtëpia e Ulqinakut, etj., etj.

Ka me kalue një kohë e gjatë e ma e gjatë se ajo që kujtojmë na, për me dalë në dritë veprat terroriste e kriminale të Partisë Komuniste (të Punës  e asaj “Socialiste”) të Shqipnisë, të kryeme nga dora e Sigurimit të Shtetit gjakatar, shërbëtore besnike e Partisë sllavokomuniste të Jugosllavisë, B.R.S.S. Stalinist dhe Kinës komuniste.., që nga thëmelimi i saj në 1941.

Per krimet e torturat e bame nder këto 26 qendra masakrash duhen disa libra të shkruem nga Ata, që i kanë provue mbi trupat e Tyne…

Edhe njëherë po persëris: Shkodra nuk do “Histori fallco”!

Melbourne, 21 Shtator 2021.

Please follow and like us: