Albspirit

Media/News/Publishing

Poeti Rifat Ismaili, intervistë ekskluzive për radion ‘Eklipsi’

Shqiponja Panajoti

Pasi lexova poezinë tënde “Sikur…”, një perlë do e quaja unë, më lindën brenda vetes shumë pyetje, disa prej të cilave, dëshiroj që t’ua bëj juve, për të kuptuar më mirë botën prej poeti dhe për t’iu njohur më mirë edhe si njeri. Gjithmonë lexuesi ka dëshirën e mirë t’i njohë më nga afer autorët prej të cilëve inspirohet. Si mendon, a do i përgjigjesh kësaj mini interviste?!

Rifat Ismaili: Sigurisht që do përgjigjem, edhe pse duket, sikur po më vini përpara makinës së të vertetës. Kam qenë dhe jam i hapur dhe nuk mbaj dorashka. Ç’është për ta thënë, e them, në mënyrën time, kuptohet.

 

Sikur të tê falnin gjithë botën a do pranoje te ishe padroni i saj?

Rifat Ismaili: Nuk ështē në natyrën time të ndjehem apo të sillem si padron i diçkaje apo dikujt. Nganjëherë, dyshoj nëse padronoj siç duhet edhe veten time, sepse edhe ajo shpesh më rrebelohet. Në rrafsh psikologjik ne jemi dy njerëz brenda të njëjtit njeri. Dy binjakë në kundërshti me njeri-tjetrin, që sundojnë trupin dhe mendimet e mia. Njëherë fiton njeri, e njëherë tjetri. Pra, me një fjalë, kur dikush nuk ndjehet as padron i vetes, si mund të ndjehet padron i botës? Ndjehem një pjestar i denjë i saj, që me punët e mira që kam bërë, si artist dhe si njeri, me angazhimet e përditshme familjare dhe të punës, mendoj se e kam merituar këtë dhuratë të çmuar që më është dhëne, pra të jetoj!

Nëse do më falnin gjithë botën, unë do t’ua dhuroja të gjithën të tjerëve, kêshtu që do më mbeste përsëri kaq sa kam tani. Bota bëhet më e bukur kur jetojmë me natyrshmëri dhe pergjegjesi, kur për të gjitha qeniet që ekzistojnë përcjellim dashuri e respekt dhe kur në çdo veprimtari që ndërmarrim ruajmë ekuilibrin e duhur. Mendoj se kaq sa kam, më mjafton.

 

Sikur të falnin gjithë gratë e botës a do t’i mbaje te gjitha e si do ia dilje mbanë?

Rifat Ismaili: Pyetje interesante, që çdo burrë ia bën vetes. Në subkoshiencën e tij, çdo mashkull ka tërheqje instiktive për çdo femër qe në një farë mënyre plotëson ‘modelin’ e tij të bukurisë, apo çfare kërkon ai tek një femër, kush e ndjell apo e tërheq më shume tek ajo e shumë të tjera. Por kjo praktikisht është e pamundur. Që në kohët primitive, si kafshët ashtu dhe njeriu, kanë pasur dhe kanë tendencat e grupimit, sepse kështu ndjehen më të sigurtë për të përballuar vështirësitë dhe kanosjet e kohës. Si pasojë dhe bashkëjetesa në çift, duke iu përgjigjur ekzigjencave familjare. Me zhvillimin dhe qytetërimin, por edhe nën ndikimin e feve monoteiste, roli fisnor dhe i familjes u forcua gjithnjë e më tepër. Por me shpikjen e artit, e cila u dha përparësi ndjenjave më të thella e intime, u rrit dhe u forcua dhe fjala ‘dashuri’, që i dha shije e bukuri të veçantë jetës në çift. Pra, bota është ndërtuar në atë mënyrë që secili të çiftezohet dhe të çojë përpara ardhmërinë e jetës. Prandaj, askush, qoftë edhe perëndi, nuk mund të përballonte diçka kaq të pamundur. Pra, në imagjinarin erotik të çdo burri, mendoj se dëshira e tij do ishte të kishte mbase, gjithë gratë e botës. Në jetën reale kjo nuk mund të ndodhë. Ndërsa në rastin tim, mendoj se është pak ndryshe: I çmoj femrat për bukurinë, për inteligjencën dhe për dhjetëra afësi të tjera, për prezencën e tyre që zbukuron jetën e çdo burri, por nuk kam tendeca politeiste, as maskiliste. Duke qenë i qytetëruar dhe i kulturuar, dikur u dashurova me një vajzë të re, që sot pas 26 vjetesh jemi prapë bashkë dhe mendojmë të plakemi së bashku. Pra dua dhe mbroj dashurinë time dhe u lë të tjerëve mundësinë të gjejnë dhe të kenë dashuritë e tyre.

 

Sikur të falnin gjithë paratë e botës, kë do ndihmoje më parë e çfarë do bëje me to?

Rifat Ismaili: Të gjithëve na pëlqejnë paratë. Kujt më pak e kujt më shumë. Dikush i ka me tepri, dhe s’di ç’të bëjë me to, e ka plot të tjerë, që mezi nxjerrin bukën e gojës.Tani të themi se jeta me disa është e padrejtë, them se nuk gaboj. Të tjerë, kanë aq shumë, sa pa e kuptuar bien pre e veseve dhe përfundojnë në vetshkatërrim. Unë punoj për të fituar para dhe per të jetuar dhe të siguroj që s’është kurrë mjaftueshëm. Kur mendoj se sa gjëra do kisha bërë, sa udhëtime, sa libra do kisha botuar dhe sa njerëz e miq në vështirësi do kisha ndihmuar. Pra, të kisha pasur të gjithë paratë e botës, do kisha bërë shumë vepra të mira, do i kisha shpenzuar të gjitha për një botë më të mirë. Se një pasuri e pafundme, me një botë të vuajtur përreth teje e me njerëz me lot ne sy, s’të hyn në punë. Por si rezultat i gjithë veprave të mira që do bëja do kthehesha prapë, po ky që jam tani. Me pak fjalë, nuk më duhen gjithë paratë e botës, por ca më shume se ç’kam tani do i pranoja me dëshirë. Kështu do kisha me pak dhimbje koke, kur vjen koha të paguash qeranë e faturat, shkolla e vajzave, cigaret që pi e të tjera. Do bëja ndonjë udhëtim, do botoja mjaft libra, që ashtu sikurse dhe unë ‘po plaken’ kyçur ndër sirtarë, mbase do bleja ndonjë shtëpizë buzë detit apo liqenit, me pak fjalë do e merrja veten me të mirë dhe do jetoja më i shpenguar e do kisha më shumë kohë për të shkruar.

 

Po sikur të falnin të gjithë dituritë, çfarë do zgjidhje të ishe, a do bëheshe prapë poet?

Rifat Ismaili: Por dituria në një farë mënyre ka të bëjë me poetin. Nuk mund të behesh poet duke qenë i paditur. Dituria nuk vjen vetëm nëpërmjet diplomave e universiteteve, por mbi të gjitha prej një kërkimi të pafund me veten për të kuptuar prezencën tënde në këtë jetë sa të gjatë dhe të shkurtër njëkohësisht. Një zhbirim psikologjik që çdo çast, çdo orë, çdo ditë, duhet të bësh me veten për të kuptuar më mirë botën dhe enigmat e saj. Dituria është një koncept abstrakt, sepse është e pafundme dhe e paarritshme. Prandaj dhe Herakliti thoshte se “unë di që s’ di asgjë”. Prandaj një pikë dituri në oqeanin plot shtrëngata të diturisë, do t’i mjaftonte një poeti si unë, i thjeshtë, njerëzor, me vese dhe huqe si gjithë të tjerët, tolerant dhe dashamirës, plot dëshira dhe dashuri për jetën.

 

Sikur të falnin përjetësinë a do doje të ishe i përjetshëm dhe vetëm, pa njerëzit e tu te dashur?

Rifat Ismaili: Termi i përjetësisë na tundon të gjithëve. Secili prej nesh ne shpirtin e tij do donte të ishte i tillë. Por çdo gjë e ka një çmim për të paguar. Edhe Noe, dikur u mërzit nga përjetësia që i kishte dhuruar Zoti dhe çdo ditë i lutej ta merrte me vete. Por asgjë nuk është e përjetshme. Edhe bota ku sot jetojmë, pas mijëra vjetësh do shuhet. Edhe yjet shuhen e vdesin. Vetëm gjithësia duket sikur është e përjetshme, por është e parrokshme dhe e pafundme, një mister i pazgjidhshëm për njeriun. Por, për t’u përgjigjur pyetjeve, do thoja pa hezitim: jo, nuk më pëlqen përjetësia! Sepse do ishte kundër natyres dhe mënyrën si është krijuar. Do humbte koncepti i brezave, njerëzia do shtohej aq shumë sa për të lëvizur do duheshin shkallë në ajer, etj. Pastaj të bësh një jetë të vetmuar e të përjetshme, pa të dashurit e tu, mendoj se do ishte një ferr i vërtetë. Jeta jonë merr kuptim e vlerë edhe nga relacionet, afeksionet dhe marrëdhëniet që krijojmë. Pra, për mua, Olimpi i zotave të përjetshëm është sa teatrale po aq e dhimbshme. Njeriu duhet të jetojë ciklin e tij, ashtu si çdo gjë tjetër, si zogjtë, si gjethet e pemëve, si retë, si stinët. Unë dua të jetoj jetën time gjer në fund, per aq sa më është caktuar. Me mend në kokë dhe me shëndet në dashtë Zoti!

 

Me gjithë këto sikur, sikur, çfarë do bëje me parë nëse do të thonin zgjidh… poezinë apo të gjitha këto më lart, kë do zgjidhje dhe përse?

Rifat Ismaili: Shumë njerëzve u shkon jeta me sikur kështu e sikur ashtu dhe mbeten peng dëshirash të pa plotësuara, mllefesh e shumë herë, rrojnë me ndjenjën e inferioritetit. Unë s’e njoh fjalën,  sikur… Që i vogël kam qenë tip i lirë dhe rebel, jetoj me dëshirat e momentit dhe nuk e vras kokën se ç’ndodh. I marr gjërat ashu si vijnë, më gëzojnë mirësitë dhe përpiqem t’u bëj ballë vështirësive pa u demoralizuar dhe pa u dorëzuar. Tani jeta është komplekse dhe s’mund të bësh përzgjedhje drastike. Paratë na duhen, por na duhet dhe dashuria e shëndeti. Dituria dhe fama na joshin, por jo për t’u kthyer në formë sëmundjeje e madhështie, sa për të mos kuptuar më veten, jo më të tjerët. Ai Olimpi i madhështisë do shndërrohej në varrezën e ndjenjave të tua. Poezia është dashuri pafund, por nuk është gjithçka në këtë botë. Pra, po të detyrohesha të bëj zgjedhje, do zgjidhja pa dyshim, dashurinë për familjen! Është më e rëndësishme se paraja, fama, dituria dhe poezia. Është një ndjenjë  e krijuar me mund ndër vite dhe është e lidhur me qënie njerëzore. Poezia është ndjenjë që del nga shpirti, por është ëndërr, është qiëll i hapur. Dy sy të gjallë që të shikojnë me ngulm, sapo hap perdet e tij diellore mëngjezi, dy sy që i ke fare pranë dhe të miklojnë, vlejnë më shumë se bota, se paratë edhe sesa poezia. Unë jam një poet që fluturoj me vargjet nëpër ëndrra, por në jetën reale i kam këmbët ngjeshur fort në tokë.

 

Dhe për kënaqësinë time a ke menduar se poezia jote ”Sikur” do ishte një mjet i bukur për të marrë një pozicion, fron në Olimp ose perëndi, çfarë do i rregulloje kësaj bote të mbrapshtë që po shkon drejt fundit?

Rifat Ismaili: Pyetje me vend. Të gjithë ndjehemi përgjegjës sesi po shkon kjo botë, sepse më duket se po e prishim atë me duart tona. Më së fundmi, njeriu i sotshëm i etur siç është për teknologji, mirëqënie e pushtet, po shfaros të gjitha burimet natyrale dhe po minon gjithnjë e më shumë ekuilibrin njerëzor dhe atë të tokës që na ka mirëpritur. Nuk ndihemi më mysafirë në këtë botë, por padronë. Kështu që po ta filloj dhe unë me sikur-e dhe po të mundja, do ndryshoja së pari mentalitetin e krijuar, do punoja për një jetë dhe mirëqënie brenda mizurës së njeriut, do shpërndaja mirëqënie në çdo cep të globit dhe, mbi të gjitha, me të gjitha mjetet që mund të kisha në dispozicion, do punoja për ndërgjegjësimin njerëzor. Por duke qenë poet i thjeshtë, pa pasur asgjë në dorë, mbetemi tek “sikuret”!

 

SIKUR…

Sikur të më falnin gjithë botën

Unë botën do ta lija prapë aty…

Më mjafton të shoh një rreze dielli

Një fluturim zogjsh nëpër kaltërsi.

Sikur të më falnin gjithë gratë e botës

Unë gratë do t’i lija për të tjerë…

Më mjafton prekja jote e mëngjesit

Buzët e tua si një kupë me verë!

Sikur të më falnin gjithë paratë e botës

Ç’ ti dua paratë, kur të kam ty, poezi!

Një shkronjë e beftë më djeg kraharorin

Një varg dashurie më mbush me magji!

Ah, sikur t’ më falnin të gjithë diturinë

Do më mjaftonte vetëm një pikë…

Aq, sa të më mësonte vlerat e mirësinë

Sa për të qenë mjaftueshëm njeri!

Sikur të më falnin dhe përjetësinë

Unë nuk do të pranoja kurrësesi…

Nuk jam i gatuar për fron në Olimp

Dhe të qenurit perëndi më mërzit!

Sikur, sikur, sa e pafund, kjo fjalë

Po unë me sikur-et s’rroj asnjë ditë.

Çdo çast i jepem jetës me afsh e mall

Rend nëpër qiejt e vetes pa drojë e frikë!

 

Please follow and like us: