Fadil Sahiti: Konsistenca politike dhe morale e një intelektuali dhe humanisti serb
Rastësisht e pashë një intervistë që shkrimtari, eseisti dhe dramaturgu serb Filip David dje i kishte dhënë një televizioni në Serbi. Për shumëkë, David është i katërti nga kuarteti i shkrimtarëve serb i përbërë nga Danilo Kish, Mirko Kovaç dhe Borislav Pekiç, shkrimtarë stilistikisht dhe intelektualisht të ndryshëm nga shumica dërmuese e shkrimtarëve dhe intelektualëve të tjerë serbë të kohës moderne. Ai njihet edhe si një nga themeluesit e ashtuquajturit rrethi antimilosheviqian i Beogradit të vitit 1990, si dhe një luftëtar i pakompromis kundër nacionalizmit dhe shovinizmit serb.
Gjatë intervistës ai edhe njëherë shfaqi qëndrimin i tij krejtësisht parimor dhe humanist karshi shtetësisë së Kosovës. Për Filip David, njohja e pavarësisë së Kosovës nga pushteti serb nuk ka alternativë, për dallim nga gjendja e tanishme e konfliktit të ngrirë, që për të ka një alternativë. E, alternativa është lufta mes dy popujve. Konflikti i ngrirë mund të shndërrohet lehtësisht në një konflikt të madh midis dy vendeve, në të cilën Serbia dhe Kosova, dhe veçanërisht popullata shqiptare dhe serbe që jetojnë në Kosovë, do të vuanin më së shumti. Në mënyrë të veçantë do të dëmtohen marrëdhëniet edhe ashtu konfliktuoze mes dy popujve, të cilët, sido që të jetë përfundimi i një lufte eventuale, prap do jenë të detyruar të jetojnë si fqinjë.
Parimësia dhe konsistenca intelektuale e Filip David manifestohet edhe karshi Peter Handke dhe Çmimit Nobel. Për shkrimtarin serb, qëndrimet politike të Handkes, deklaratat e tij dhe ato që ai ka mbështetur, nuk mund të ndahen nga veprimtaria e tij letrare, pavarësisht nivelit artistik të veprave të tij. Si përkrahës i nacionalizmit shovenist serb të udhëhequr nga Milosheviq, si mik i kriminelit serb Karaxhiç, për David karakteri moral i Peter Handke mund të përmbildhet me një fjali – karakteri i tij moral s’është gjë tjetër veçse një NULITET.
Ashtu siç e thotë edhe vetë, për shkak të qëndrimeve të tij humaniste karshi shumë padrejtësive që kanë ndodhur në ish-Jugosllavi në këto 30 vitet e fundit, ai ka qenë vazhdimisht i shantazhuar dhe i kërcënuar me jetë. Por asnjëhërë nuk ka bërë kompromis me parimet dhe vlerat humane tek të cilat ka besuar. Filip David është një ndër personat e rrallë nga hapësirat e ish-Jugosllavisë që gjatë veprimtarisë së tij intelektuale ka përdorur humanizmin si mjet fillozofik dhe politik. Si i këtillë, ai është model unik i një intelektuali me plotë dinjitet dhe humanizëm.
Shkrimtari serb Filip David: Kosova nuk është kurrë pjesë e Serbisë