Miho Gjini: HOMAZH PËR MËSUESIN E LETËRSISË
Pas largimit nga jeta në Lukovë të poetit Koço Mërtiri, bën “flatra” drejt qiellit edhe mësuesi i tij i letërsisë Thanas Boçi, një pedagog e studjues i kësaj lënde në Kondispol, Sarandë dhe Lukove, miku ynë i vyer këtu e në Athinë, njeri prej themeluesve të “Lidhjes së Shkrimtarëve e Atistëve Shqiptarë në Greqi” (“Liter-Art”). Me një kontribut të veçantë intelektual e studimor në rrethet tona letrare, me shkrime e analiza kritike, si edhe me veprën e tij të botuar në këtë fushë,-i nderuar e i respektuar nga të gjithë ne, të mërguarit e tjerë që, së bashku kontribonim me përkushtim për kulturën, artin e identitetin tonë kombëtar. Ai shquhej edhe për thjeshtësinë e tij, duke punuar në emigrim s kopshtar, kur edhe në gjithë jetën e tij rriti dhjetra-qindra “fidana” në shkollat tona të jugut! Kohët e fundit meremetoi në Lukovë edhe çatinë e shtëpisë së tij dhe vetë u largua drejtë “çatisë” qiellore, duke lënë të pikëlluar bashkëshorten, fëmijët, shokët, miqtë që e donin aq shumë dhe ish nxënësit e përhapur në krejt vëndin. I paharruar qoftë kontributi e kujtimi i çmuar i jetës së tij.
Miho Gjini, Mjeshtër i Madh, Kryetar Nderi i “Liter-Artt”-it. 22 shtator 2021
***
Për Thanas Boçin dhe librin e tij:”E VECANTA SI NJËSI ESTETIKE”
Thanas Boçi, si miku ynë, si mësues, edukator i shumë brezave, po edhe si studiues i Letërsisë dhe i Folklorit Popullor, gjatë jetës se tij, mblodhi e akumuloi, jo vetëm një bagazh kulturor, po edhe studimor në fushën e letrave dhe të kultutrës njerëzore. Libri që kemi përpara, është i dyti i këtij lloji dhe duhet thënë e përshëndetur, me këtë rast se në jetën e njeriut, gjithmonë ka një pikë kulmore, kur ai kërkon të shprehet përçka fituar prej një jete të tërë e të ngjeshur. Kur ka ç’të thotë, veçanërisht, studjuesi dhe e shpreh atë, për ta bërë pronë të të tjerëve. Prandaj e shoh si anë pozitive, që këto dy libra të jenë e të mbeten, jo thjesht si pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij, po edhe si pronë shpirtërore e të gjithëve.
Në një plan më të veçantë, vëllimi modest që kemi përpara, përfshin një sfond kohor gati 10-vjeçar dhe është si një pasqyrë edhe i veprimtarisë së organizmës sonë, të “Liter-Art”,-it. Shkrimet, artikujt studimorë janë kumtime për libra konkretë, sidomos të antarëve tanë të Lidhjes, po edhe më gjëre. Ai është këtu një vëzhgues, po edhe pasqyrues i një rrugëtimi që kemi bërë ne të gjithë, në fushën e letrave, me qëllimin fisnik, për të thënë se, e gjitha kjo përpjekje e jona rreh në një qëllim fisnik, për të thënë se ajo ç’ka bëjmë këtu, jo vetëm që ka vlerën e vet, po edhe është domosdo edhe pjesë integrale e Kulturës Kombëtare, në fushën e letërsisë e të artit.
Në vështrimin e përgjithshëm ndjehet edhe një qëllim tjetër fisnik: Të evidentojë vlera në një këndvështrim pohues. Kemi, si të thuash, një Kritikë Entuziaste, që nuk nxin, po afirmon, që nuk dekurajon, po ndihmon e publikon, për të evidentuar arritjet tona. Në këtë drejtim, përpiqet të jetë konstruktiv e dashamirës. Keshtu, ai nënvizon ato anë që meritojnë e janë më thelbësore në krijimtari. Shpesh ai nuk hyn në vërejtje e kritika dhe kjo duhet parë edhe si një qëndrim i veçantë, për të tërhequr vëmendjen tonë nga ajo çka është më thelbësore, më pozitive, si një përqendrim emocional… Por le të pranojmë edhe anën tjetër, se hara- herës e vlen edhe një qëndrim kritik, për anët negative të krijimeve tona, të cilat nuk jan gjithheri të përsosura nga niveli cilësor, pra jo edhe pa probleme, që duhen vënë në dukje… Këtu Thanasi e vlen që të ndalet në librin e tij të ardhshëm. Në vazhdim të këtij mendimi, duhet të theksoj se, Thanas Boçi, në qëndrimin e tij studimor e dashamirës, e vlen që të ndalet shpesh edhe në atë veçori ndarëse të krijimtarisë sonë, sepse nuk mund të jenë, bie fjala, që të gjithë poetët që kemi ne “surealistë”, po ndryshe është njëri e ndryshe tjetri dhe krejt i paarrirë mund të jetë tjetri. Ky lloj vëzhgimi i bën mirë studimit, po edhe vetë krijuesit… Nuk është keq pse ia themi këtë mikut tonë… Jam vetë kritikë e studjues dhe e kam provuar peshën e kësaj që them, duke e pësuar jo pak herë nga kritika të tilla që kam bërë… sepse nuk e vlerësojnë e nuk e duan krtikën e kritikun, duke e anatemuar e denigruar në mjaft raste… e megjithatë, studiuesit i bie si detyrë thelbësore që të jetë sa më objektiv, i ekuilibruar dhe përherë kundër konformizmit e qëndrimeve nganjëhere nivelizuese që i bëjnë dëm jo vetëm letërsisë po edhe vetë krijuesit… Perfundimisht duhet ta përshëndes Thanas Boçin që në librin e tij të ardhshm të perfshihen, sado pak, edhe qëndrime të kësaj natyre, krahas afirmimeve pozitive që ai bën e do të bëjë. Urime e suksese, miku im!
(Nga një dikutimi im në “Liter-Art” për librin studimor të Thanas Boçit, viti 2010, Athinë).
Please follow and like us: