Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejo: Si u zhvarros Petro Nini Luarasi?

Kumandari, siç i thoshte Enver Hoxhës imzot Noli, me kohë mori aq pushtet, sa nuk i hante palla për as më të mirin ndaj atyre që i ishin rreshtuar në krah që nga fillimi.
Me kohë, i shkoi nën sharrë, në satër gjithë komandantët e luftës… Dhe Sejfullain, T. Jakovën, M. Shehun, B. Ballukun. Nuk pyeti as për ndonjërin. Për më të mirin.
Por në anën tjetër, ai e përtonte dorën, matej e stërmatej shumë me ca që nuk kishin qenë, as nuk mund të ishin në shtabin e tij si partizanë të luftës. Dhe të tillët ishin Eqrem Çabej Eqrem, Odise Paskali, Skënder Luarasi, Ismail Kadare.
Mbase edhe… Petro Marko.
Me këta Kumandari përdori një taktikë prej të përuluri, prej atij që të godet i fshehur nga prapa ferrës. Atij që në dritë të shtiret se është mik dhe nën hije…të vret.
Skënder Luarasi në një mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve, kish shpallur se gjatë Luftës nuk do të kishte qenë as partizan, as ballist. Sepse ai do të kishte vdekur që më 7 prill 1939 në krah të Mujo Ulqinakut, po të ndodhej në Shqipëri.
Por Kumandari shtihej, bënte sikur nuk e dëgjonte këtë fjalë, apo dhe shumë të tjera më të hidhura, që hapur apo edhe fshehura ndër shokë, i thoshte S. Luarasi.
Atë e toleronte për dy arsye:
1. Ishte i biri i Petro Nini Luarasit,
2. Ishte i majtë exelent, antifashist me pushkë e me penë… kish luftuar deri në Spanjë.
Dhe, dhe…
Skënderi nuk lakmonte post, pushtet. Vetëm jepte anglisht në Universitet. Kaq.
Diku, aty nga vitet 70- 80, komunistët e Tiranës vendosën që ta rivarrosin Rilindasin Petro Nini Luarasi. Ta shkulnin nga varrezat e fshatit Luaras, ta vinin në varrezat e dëshmorëve në Ersekë.
Familjarëve në Tiranë këtë nuk ua kumtojnë. Nuk e honepsnin Skënderin, por patriotizmi i rilindasve, therorizmi i Petro Luarasit, kryekomunistëve u nevoitej.
Dikush atë ditë ia thotë Skënder Luarasit:
– Profesor, sot në Luaras po zhvarroset babai yt. Po e zhvarrosin që ta vendosin si dëshmor në Ersekë, nuk di gjë ti?
Nuk mund ta dinte.
Skënder Luarasi me vrap, shkoi te stacioni i vetëm i taksive në Tiranën e atëhershme, pranë BKSh, pranë bankës te sheshi ‘Skënderbe’. Mori taksi dhe urgjent u nis për në Ersekë, në Luaras.
Në rrugë, pa arritur në Ersekë, hasi proçesionin me eshtrat e të atit. Proçesion me flamur, me muzikë funebre, me temp të përzishëm ceremonial.
– Ndal, – bërtiti Skënder Luarasi. – Si i biri i Petro Luarasit, kërkoj të shoh eshtrat e babait tim. Zbritini në tokë… jam i biri.
U ndalën. U hap arka e eshtrave.
– Kthehuni pas në Luaras, – ulëriti Skënder Luarasi. – Kjo kafkë është e vogël sa një ftua. Shikoni fotografitë. Petro Luarasi kishte kafkë të madhe. Këto eshtra me kafkën sa një kokërr arrë, nuk janë të atit tim, të Petros.
Tim atë, Petro Luarasin, e kanë varrosur në krah të priftit të fshatit. Petrua e kishte kafkën sa një zall. Prifti ish me kafkën sa një grusht, pak a shumë sa një kokërr vezë. Shikojeni kafkën këtu…
U prish ceremoniali.
U rikthyen në fshatin Luaras te kisha. Zhgroposën varrin ngjitur. Kafka e zbuluar nga dheu, ishte e plotë, me qoshe, vërtet kafkë rilindasi, kafkë atdhetare… (thonë) me shkronja shqipe zbukuruar përsipër. Dhe eshtrat e shenjta ishin të Petro Luarasit.
Me flamur e me muzikë ato i celebruan në varrezat e dëshmorëve në Ersekë.
Këto eshtra me një qiri dhe me baltën kombëtare përsipër janë ende, janë edhe sot, nën emrin Petro Nini Luarasi.
“Për mëmëdhenë! Për mëmëdhenë!”, këndonte i padukur aty pranë miku i tij, Mihal Gramenoja.
Please follow and like us: