Miho Gjini: NJË MBRËMJE ME STEFAN GAJON…
Si në një “Kyç vapori” mbi det, përreth një tavoline rrethore, jemi ulur tre vetë, karshi kineastit Stefan Gajo, që shumë kush e dallon me emrin e shkurtuar Naçi. Na ka thirrur për një kafe, po vetëm kur do të uleshim aty, qe diçka shumë më tepër: një tryezë e mbushur me gjithë të mirat, meze pikante për raki, verë e uzo greke 12. Do të zgjidhnim uzon, kur edhe qelqurinat shkonin për të, po edhe pagaqet (në kovën e vogël me copra akulli), mezet e ujdisura me merak, po edhe hapësira e detit, gjer në ishujt e Korfuzit, në një det llamburitës që kufizohej me Porto Palermon. Na dukej se kishte një “hile”, në këtë ftesë, ndofta, edhe ngaqë e kishim ftuar Naçin të ulej me ne në “Bar Bufe Piqerasi”, a në ato lokalet e inprovizuara prej kashte të Bunecit, ndërkohë që asnjëherë ai nuk ulej ma ne, në njëfarë ngutje të vazhdueshme, i përpiktë kurdoherë me vetveten, po dhe me bahkëshorten Katina Nako (Gajo) që e ngarkonte me punët e shtëpisë, dhëndrrin piqerasiot. Realisht, ne jemi mburrur me këtë dhëndër, për të cilin të gjithë punonjësit e televizionit e artistët e filmit shqiptar flisnin me veneracion, ashtu sikundër flisnin edhe për dhëndrrin tjetër, kompozitorin Aleksandër Lalo, bashkëshortin e Margës së Vranare, që na iku para pak vitesh nga sytë e nga jeta, duke na lënë një boshllëk në shpirt kudo e ngado ku i shkelte këmba e ku i dëgjoheshin këngët e kompozimet e tij të mrekullueshme…
Që të tre ne piqerasiotët e moshur: Vasil Gjivogli, autor i 10 librava me fabula e i “Thsarit” të bëmave të fshatit, Niko Nino, regjisori i estradës së dikurshme të fshatit dhe tani Kryeplaku ynë i zgjedhur në të dyja legjislaturat e fundit, si edhe unë “binadali” i vuajtjeve e i disa librave memorialistikë, letrarë e artistikë, si edhe i shkrimeve kritike, e kemi rrethuar me shumë dashuri Artistin e Merituar e Mjeshtrin e Madh Stefan Gajo,-njeriun më të thjeshtë e më të dashur të TVSH-së, si edhe të piqerasiotëve, që e njohin edhe ata me emrin Naçi dhe e kanë bile si fshatarin e tyre, ashtu sikundër quanin e dhe të ndjerin Aleksandër Lalo…
Ngadalë-ngadalë do të perëndonte dielli mbi det, diku pas ishujve të ngushticës së Korfuzit e gjuha e shkretë do të na vejë përsëri tek prona, e ndarë dhe e pandarë mirë, që ka tri dekada e s’vete dot akoma tek i zoti, bile as te “çertifikatmbajtësit” (?!), tek shohim ngrehinën e Neço Konomit, gati për t’u rrënuar, sherret e lindura për pronat tona të “varfëruara” e aq të pasura me agrume e ullinj që plaçkiten dimrave, kontradiktat e konfliktet pambarim, që zbresin gjer në familjet e vëllezëritë, po edhe për krijimet tona nepër vite… Mrekullohemi tek mësojmë nga Katina se bashkëshorti i saj e ka ngritur vetë këtë “anije përmbi ullinj”, me xhamat anësore, shkallaret e parmakët e aluminit, me durimin e përvojën e një artisti duarartë. Po, do të ngazëllehemi kur Naçi reciton një poezi satirike të fabulistit, si edhe kur rrëfen mbresat e tij, pas leximit të librit tim më të ri, me tregjime e rrëfime të zgjedhura “Një Natë e ndyrë”. Dhe mua do më kujtohej një skenar për film dokumentar që e pata shkruar 10 vite e ca më parë, për Piqerasin, të cilin gati e pata harruar dhe nuk e dija pse e mbanin akoma nëpër sirtaret e atjeshme TVSH-ja, pa dhënë asnjë përgjigje, kur fshati ynë qe shtrire edhe në dy shtete të tjera, në Itali e në Greqi, duke përbërë kështu një event të jashëzakonshëm të identitetit etnik, kur shembëlltyra të tilla kërkoheshin me ngulm e “me qiri”, në errësirën e shekujve! Ndërkohe që vetë Naçi,-pa i thënë kush,- kishte xhiruar edhe vetë kushedi se sa akte, për fshatin tashmë të tij, Piqerasin a Artë, me një perlë-plazh të virgjër, që mbeti i “virgjër akoma”, ashu si Perëndia e tha dhe e bëri!
E do të kujtonim se si kamera e tjj kishte fiksuar me aq finesë, filmat “I treti” që në vitin 1978, e me radhë filmat “Goditja”, “Një telegram, një këngë”, “Çanta e zetë”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, si edhe një sërë fimash dokumentarë për Tefta Tashko Koçon, Lasgush Poradecin, Marije Krajën, Vangjush Furxhiun, Guri Madhin, pa përmendur fiksimet në ekran të disa teledramave, midis të cilave “Zekthin” e me radhë.
Po ky artist i talentuar e i heshtur, që i urren lëvdatat e përgojimet për kolegët, sido qe të ishin ata, nuk fliste kurrë për veten, për krijimet e tij aq shumë dinjitoze, veç do t’i pëlqente të fliste për udhëtimet e tij, për çastet e punës krijuese në rrethana shumë të vështira, si edhe për teknikën e praktikën primitive të fillimit. Ai nuk pajtohej asnjëhëre edhe me dobësitë, amatorizmin e praktikat spontane e të pamenduara mirë. Ish nxënësi im, regjisori e aktori Mevlan Shanaj, që e do aq shumë Naçin e mirë, e kishte fiksuar në ekran, shumë dokumentarë me të, më thoshte se Gajo përfaqësonte kamerën më profesionale te televizionit. Ndërsa Ermal Mulosmani do ta quante Naçin si: “Simbolin e Televizionit Shqiptar, që vrapone me kamera në krahë në majë të malit, në zgrip të rënies, në zheg apo në të ftohtë”… I pasionuar si gjithmonë, me energjinë e një talenti të lindur, të forcuar e zvilluar më tej, prej instikteve vetiake, imazheve filmike të përvetësuara mrekullisht, kur shijet estetike vizive bëhen burimore, origjinale e bashkëkohëse. Pa bërë shkollë të lartë arti, në vendet e lindjes e të perëndimit. Dëshmi e shkelqyer se artistin e bën puna e tij këmbëngulëse, e harmonizuar me talentin e tij, si edhe me atë “pikë të artë” që marrin përsosjet e artit modern….
Ne të tre do të harroheshim në bisedat tona të fundme, duke bërë “fajin” e largimit nga vëmëndja të zonjës së shtëpise, që kujdesej për ne,duke na sevirur pa rreshtur e të na mbushte gotat , kur gjysmerrësira e kishte bërë punën e vet , gjersa ta ngrinim dollinë edhe për këtë bashkudhëtare të Stefan Gajos që përcillte afro gjysmë shekulli bashkëjetesë me artistin e madh, tashmë edhe bashkëfshatarin tonë të dashur, dhëndër “për kokë të dhëndrit”, me të cilin kaluam edhe këtë mbrëmje të mrekullueshme, edhe pse ajo pati njëfarë “hileje njerëzore”, duke fshehur kështu ditëlindjen e tij të 12 shtatorit! Po ç’t’i thuash e si mund ta “ndëshkosh” Naçin, këtë njeri e artist të mrekullueshëm?!…
Piqeras 15.09.2021.
Please follow and like us: