650 MIJË FLAMUJ TË BARDHË NË NDERIM TË VIKTIMAVE TË COVID-19 NË SHBA
Mbi 650 000 flamuj të bardhë për të kujtuar viktimat e COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky është instalacioni i artistes, Suzanne Brennan Firstenberg i përuruar dje në National Mall, në Washington, para simbolit të obeliskut të kryeqytetit.
Në flamujt, të cilët do të jenë të dukshëm për 17 ditët e ardhshme, familja dhe miqtë e atyre që kanë vdekur nga koronavirusi do të jenë në gjendje të shkruajnë mesazhe.
“Kur numrat rriten kaq shumë, është e vështirë t’i kuptosh me të vërtetë, si artiste kam dashur t’i bëj ata numra më konkretë”, tha Firstenberg për ABC, e cila kishte krijuar një instalacion të ngjashëm në tetor të vitit të kaluar, por me 200 000 flamuj.
Në ditën e përurimit të veprës numri i viktimave ishte 670 000, sipas të dhënave nga universiteti ”Johns Hopkins”.
Që nga fillimi i pandemisë, një në 500 amerikanë ka vdekur nga koronavirusi.