Albspirit

Media/News/Publishing

Avokati Kieran Both: Green Card dhe Nënshtetësia, ç’duhet të dinë shqiptarët

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Erdha në Shtetet e Bashkuara me vizë turisti për të parë djalin që sapo mbushi 21 vjeç. Djali është nënshtetas amerikan. Kur mund të më sponsorizojë djali që të bëhem dhe unë nënshtetas amerikan?

AT

Vizitor në SHBA

Duke qenë se djali juaj i ka mbushur 21 vjet, ai mund të paraqesë menjëherë kërkesën që të bëheni rezident i përhershëm i ligjshëm, dmth të merrni green card. Pasi të kenë kaluar katër vjet dhe nëntë muaj që nga dita që keni marrë green card-ën, mund të aplikoni vetë për të marrë nënshtetësinë duke paraqitur formularin përkatës N-400, Application for Naturalization. Vetëm një nënshtetas amerikan që është të paktën 21 vjeç mund të paraqesë peticion që prindi i tij ose i saj të marrë green card. Duke qenë se keni ardhur në SHBA me vizë të rregullt, mund ta kryeni aty intervistën. Ky proces quhet “ndreqje statusi” (adjustment of status). Gjatë procesit në fjalë, mund të qëndroni në SHBA edhe nëse vizës që keni i mbaron afati. Një mënyrë tjetër për të marrë green card-ën është të ktheheni në vendin tuaj dhe, pasi peticioni që ka paraqitur djali të jetë aprovuar, ta kryeni aty intervistën. Megjithatë, do t’ju duhet të prisni më gjatë për të marrë green card-ën.

* * *

Jam nënshtetas amerikan dhe kam paraqitur një peticion për bashkim familjar me nënën që jeton në Shqipëri. A mund ta marrë green card-ën bashkë me nënën edhe motra ime 18 vjeçare, që të udhëtojnë së bashku? USCIS-i e ka aprovuar peticionin që kam paraqitur për nënën – si prind i një nënshtetasi amerikan – dhe nëna është në pritje të intervistës.

DB

Filadelfia, PA

Fatkeqësisht jo. Nëna është në kategorinë e “pjesëtarit të afërm të familjes së një nënshtetasi amerikan”, por bashkëshorti/ja dhe fëmijët e një pjesëtari të afërm të familjes nuk mund ta shoqërojnë një prind në Shtetet e Bashkuara nëse për ta nuk është paraqitur një peticion më vete. Mënyra më e shpejtë për ta sjellë motrën në SHBA është nëse mamaja, kur të marrë green card-ën, do të paraqesë vetë një peticion për bashkim familjar me vajzën. Nëse ju vetë paraqisni një peticion për bashkim familjar me motrën, asaj do t’i duhet të presë 14 ose më shumë vjet.

* * *

Ka disa vite që më ka skaduar green card-a.  A duhet të kërkoj të ma rinovojnë që të mund të bëj kërkesë për nënshtetësi amerikane?

TZ

Queens, NY

Një banori të ligjshëm të përhershëm d.m.th. dikujt që është pajisur me green card, i kërkohet të ketë gjatë të gjithë kohës një dëshmi të statusit të banorit të ligjshëm të përhershëm, e cila është e vlefshme dhe nuk ka skaduar. Një kërkesë e tillë vlen edhe kur aplikohet për marrje të nënshtetësisë. Për këtë arsye, si rregull, duhet të aplikoni për rinovim të green card-ës së skaduar edhe pse keni aplikuar për nënshtetësi. Është mirë të përpiqeni të aplikoni njëkohësisht si për green card-ën dhe për nënshtetësinë. Në këtë mënyrë, kur Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) t’ju thërrasë për intervistën e nënshtetësisë, do të mund të keni me vete njoftimin që tregon që keni aplikuar për rinovim të green card-ës, pra keni dërguar formularin I-90, Application to Replace Permanent Resident Card dhe aplikimi në fjalë është marrë nga emigracioni.

* * *

Po aplikoj për të marrë nënshtetësinë amerikane dhe po mbush formularin N-400. Një nga pyetjet e formularit kërkon të dijë mbi organizatat apo shoqatat ku jam anëtar. Nuk i përkas asnjë kishe apo grupimi tjetër. A do të luajë rol diçka e tillë në aplikimin tim? Do të mendojë qeveria amerikane që jam një person pa karakter moral?

Anonim

Las Vegas, NV

Jo. Thjesht, aty ku ju pyesin në formular mund të shkruani “N/A”. USCIS-i i bën këto pyetje për të vendosur nëse aplikantët janë ose kanë qenë anëtarë të ndonjë organizate që mund të përbëjë kërcënim për Shtetet e Bashkuara. Anëtarësia në disa organizata, siç janë organizatat terroriste, përbën pengesë për marrjen e nënshtetësisë.

* * *

Kam green card që prej pesë vjetësh. Çdo vit kthehem në Tiranë për të parë familjen time dhe rri gati tre muaj. Një herë qëndrova aty për shtatë muaj. A mund të bëhem nënshtetas amerikan?

RD

Stamford, CT 

Po.  Dikush që ka green card, duhet që të ketë banuar në SHBA në mënyrë të pandërprerë për të paktën pesë vjet, ose tre vjet në rastin e atyre që janë bashkëshortë të një nënshtetasi amerikan dhe përmbushin kriteret përkatëse. Me banim të pandërprerë nënkuptohet që SHBA-ja ka qenë shtëpia juaj dhe nuk keni qëndruar jashtë saj për një vit të tërë pa ndërprerje ose më shumë. Udhëtimet/qëndrimet jashtë shtetit që kanë zgjatur gjashtë ose më pak muaj zakonisht nuk përbëjnë ndonjë problem. Një udhëtim/qëndrim shtatëmujor nuk duhet të përbëjë ndonjë problem serioz, por e mira është të jeni të përgatitur t’i përgjigjeni pyetjeve se pse keni qëndruar kaq gjatë jashtë shtetit. Zyrtarit [të emigracionit] i intereson të dijë nëse keni hequr ose jo dorë nga statusi i rezidentit në SHBA./ylliria press

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është kieranboth@verizon.net

Please follow and like us: