Albspirit

Media/News/Publishing

VATRA PRET PRESIDENTEN E KOSOVËS VJOSA OSMANI DHE MINISTREN e JASHTME DONIKA GËRVALLA

Sokol Paja

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra u takua me Presidenten e Republikës së Kosovës zonjën Vjosa Osmani, Ministren e Jashtme dhe të Diasporës Donika Gërvalla, Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Ambasadorin Frymëzim Isufaj, Ambasadorin Valdet Sadiku dhe ekipet shoqëruese diplomatike. Në takimin e pritjes në Konsullatën e Republikës së Kosovës në New York që Presidentja e Kosovës Osmani zhvilloi me diasporën shqiptare në SHBA, delegacioni i Vatrës përbëhej nga kryetari Elmi Berisha, Presidenti i Nderit Agim Rexhaj,  nënkryetarët Dr. Pashko Camaj e Besim Malota, anëtari i Kryesisë Anton Raja, anëtari i Këshillit Agim Alickaj, editori i Diellit Sokol Paja e vatranë të tjerë. Ceremoninë e pritjes dhe fjalën përshëndetëse e hapi Konsulli i Shtetit të Kosovës në New York, Ambasador Frymëzim Isufaj i cili falenderoi të pranishmit dhe u ndal në vlerësime të larta për rolin dhe ndihmën që diaspora e Amerikës ka dhënë për shtetin e Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se: “Mërgata shqiptare në USA ka qenë dhe mbetet shpirti e zemra e shtetit e kombit tonë. Ju e keni mbajtur gjallë shtetin tonë në kohët më të vështira. Këtë e dëshmuat edhe në kohë pandemie, ju nuk na latë vetëm. Nga ju patëm çdo mbështetje dhe për këtë meritoni çdo respekt dhe vlerësim. Mërgata jonë e sidomos e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është mergata më e jashtëzakonshme. Potenciali i jashtëzakonshëm që ofron mergata jonë do të jenë në vazhdim një investim për shtetin e Kosovës mbi të gjitha. Institucionet e Kosovës të dala nga vullneti i qytetarëve të Kosovës ka ndyshuar kuadrin ligjor duke hequr shumë procese burokratike me qëllim që mergata të jetë e sigurtë dhe të ketë lëhtësira investimi në Kosovë duke filluar te eleminimi i barrierave, dhënie përparësie dhe siguri në investimet strategjike. Shteti i Kosovës do të angazhohet drejtëpërsëdrejti në mësimin shqip në diasporë. Shkollat shqipe në diasporë do të mirëmbahen nga shteti  i Kosovës. Shteti do të bëjë gjithçka që së bashku me diasporën gjeneratat e reja ta mbajnë të gjallë lidhjen më Mëmëdheun e tyre. Edhe qëndrat kulturore do të jenë më aktive. Jam këtu për t’iu falenderuar nga thellësia e zemrës. Ju kurrë nuk na keni lënë vetëm. Kontributi juaj si diapsorë për shtetin e Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm. Askush nuk mundet ta përshkruajë me fjalë. Mirënjohje për gjithçka që keni bërë” tha Presidentja Vjosa Osmani. Ministrja e Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla pasi falenderoi diasporën e Amerikës për kontributin e dhënë tha se: “Do identifikojmë nevojat dhe potencialin që qëndron në bashkëpunimin e ngushtë mes mergatës dhe institucioneve të Kosovës. Institucionet tona do të jenë të hapura dhe bashkëpunimi i institucioneve të Kosovës me mërgatën do të jetë shumë i fortë, dhe nga ky bashkëpunim do të fitojë Kosova. Diaspora do të jetë e përfshirë në ndërtimin e institucioneve, nismave dhe projekteve konkrete me qëllim që të forcojmë e zhvillojmë Kosovën” përfundoi Ministrja Gervalla. Takimi vëllazëror zgjati deri në mbrëmje vonë ku u zhvilluan biseda miqësore dhe falenderuese për ndihmën që diaspora ka dhënë për shtetin e ri të Kosovës.

Please follow and like us: