Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: TË IKUR PA KTHIM…

Harruam shpejt mëngjesin asaj dite
Si pa e ditur se ish’ ditë e fundit.
Harbuar, ikëm nëpër stinë e vite,
Lamë kalendarin varur faqe – murit.
Kjo dhimbje e ndarjes sterrë i piku muret.
Që sikur lutshëm flisnin: “Rri dhe pak…”
Një vazo-plasur lehtas vyshku lulet,
Dhe rrezja ime s’erdhi mbi parmak.
Ne ikëm… pas s’e kthyem kokën.
(Të çmendur ishim? Ketë s’dita kurrë)
Kudo që shkelëm s’e fituam botën
S’e gjetëm truallin që na bëri burrë.
Tek vija prapë, prej motesh dëshpërimi,
Mëngjese s’lusja, si ato dikur..
Se ëndrrash pashë parmaqe pikëllimi
Dhe kalendarë varur përmbi mur.
Please follow and like us: