Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, por është aset kombëtar

Partia Demokratike doli e traumatizuar nga zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti. Kur publiku priste ndëshkimin me votë të qeverisë së Rilindjes për shumëçka kishte ndodhur gjatë tetë viteve, Partia Socialiste e Edi Ramës fitoi zgjedhjet, madje me një numër mandatesh impresionuese. Nëse populli opozitar mbeti i zhgënjyer dhe i trishtuar, populli i majtë u trondit nga rezultati dhe mbeti gojëhapur. Pastaj, anuloi të gjitha axhendat, që kishte përgatitur për pozicionimin e sigurtë në opozitë.
Çfarë ndodhi?
Lidershipi i Partisë Demokratike kishte dështuar rëndë në veprimet politike të ndërmarra si: mospjesëmarrja në reformën territoriale, dorëzimi i mandative parlamentare, mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, pranimi i ndryshimeve të njëanshme të kodit zgjedhor nga qeveria, duke hyrë në zgjedhje me një disavantazh therës. Për këto veprime parapolitike të dështuara të lidershipit të PD-së kam shkruar në një shkrim të publikuar më parë.
Partia Demokratike humbi mjaft mandate për shkak se kryeministri Rama ndryshoi kodin zgjedhor në mënyrë të njëanëshme, veprim ky pa precedent gjatë tri dekadave pluralizëm dhe lidershipi i PD-së, për shkak të kompleksit të fajit për veprimet e gabuara politike para aleatëve perëndimorë, e pranoi ndërrimin e rregullave në mes të lojës dhe hyri në zgjedhje, u dorëzua pa kushte. Lidershipi i Partisë Demokratike dështoi në bashkëpunimin me të gjithë faktorët opozitarë, duke humbur disa mandate për shkak të miopisë politike.
Rilindja e Edi Ramës, duke qënë e vetëdijshme për skandalet e ministrave të saj gjatë tetë viteve, duke mosrealizuar premtimet e bëra, duke e zhytur vendin në mjerim dhe duke shkaktuar hemorragjinë e qytetarëve shqiptarë drejt BE-së, mori masa ekstra- ligjore për të fituar zgjedhjet, duke përdorur armët e falura nga opozita, makinën e rëndë shtetërore dhe institucionet, paratë e kanabisit dhe paratë e publike, organizatat kriminale dhe blerjen paraprake të votave. Nisur nga kjo pamje, Partia Demokratike mori rezultatin e mundshëm.
Pas 25 prillit disa zëra brenda lidershipit të PD-së dhe disa zëra jashtë saj kërkuan dorëheqjen e kryetari Lulzim Basha. Nëse do t’i shohim me kujdes nga erdhën këto zëra, do të shohim se ishin zërat e zyrtarëve të lartë, që kryetari Basha nuk i futi në listat e sigurta për deputetë ose disa zëra të atyre që qenë larguar nga PD-ja dhe kishin krijuar parti të vogla, të cilat dështuan në zgjedhje.
Në fakt dështimi nuk erdhi vetëm nga kryetari Lulzim Basha, por nga i gjithë lidershipi i PD-së. Vendimet fatkeqe që i sollën dështime të dhimbshme popullit të djathtë dhe qytetarëve të tjerë që dëshironin ethshëm rotacionin, nuk i mori vetëm Lulzim Basha, por i gjithë lidershipi i PD-së. Kërkesa për dorëheqjen e kryetarit Basha është kërkesa më normale në një vend me demokraci normale. Pas disa humbjeve të zgjedhjeve ai kishte humbur besimin te populli i djathtë dhe, natyrisht, edhe te fasha gri që mezi priste rotacionin.
Bashkë me dorëheqjen e kryetarit Basha, duhet të dorëhiqej i gjithë lidershipi i PD-së, që, ose qe dakord me vendimet e kryetarit, ose nuk reagoi në institucionet e larta të partisë, kur u diskutuan ato vendime. Thënia “Heshtja është flori” në Partinë Demokratike u ka sjellë të heshturve poste të larta ministri, deputeti, kryetari bashkie etj. Mungesa e demokracisë së brendshme ka krijuar atë situatë absurde, në të cilën gjendet sot lidershipi i saj dhe njerëzit pranë tij. Filtrat demokratikë kanë munguar në këtë parti, sikurse në të gjithë shoqërinë shqiptare. Në PD kambanat gjithmonë kanë rënë për tjetrin. Goja funksionarëve të lartë u ka ardhur vetëm kur kambana ka lajmëruar ikjen e tyre.
Në fakt, pas zgjedhjeve, lidershipi i PD-së më në krye kryetarin Basha nxituan për të oraganizuar kuvendin kombëtar të partisë dhe për të mbërthyer sërish postet drejtuese nga i sollën dështime të njëpasnjëshme popullit të djathtë. Disa zëra të arsyeshëm mbetën të vetmuar dhe u përcollën nga media, pa patur asnjë impakt te baza e partisë, e cila qe mësuar t’i mbante syte te lideri, që ka në dorë gjithçka për mirë e për keq.
Shpallja nongrata e kryetarit historik të PD-së Sali Berisha, nga Departamenti i Shtetit, solli një turbulencë të pazakontë në Partinë Demokratike. Kjo qe kambana që mori vëmëndjen e të gjithve. Befas morën zë edhe ata që nuk kishin folur kurrë. Deputeti Sali Berisha u përjashtua nga grupi parlamentar me një vendim të kryetarit Basha. Ky vendim solli një çarje të thellë, fillimisht në organet drejtuese të PD-së dha pastaj kjo çarje u projektua te baza e partisë. Mund të jem i gabuar, por në të dy grupimet, të paktë janë ata që mendojnë për të nesërmen e shëndetshme të PD-së, ndërsa projektojnë të nesërmen e tyre.
Anëtarët e thjeshtë të PD-së, ata që kanë dhënë gjithçka për këtë forcë politike, herë – herë edhe me idealizëm të kulluar, janë ndarë në dy grupe, në mbështetës të kryetarit aktual dhe në mbështetje të kryetarit historik të PD-së, ndërkohë që me mendje të ftohtë duhet të ishin një grup i bashkuar dhe t’u kërkojnë llogari të Dyve për gjendjen e sotme të PD-së që është rrjedhojë e veprimeve dhe mosveprimeve të tyre.
Ndërsa të larguarit, ata që Basha me apo pa të drejtë i largoi nga lidershipi i PD-së gjatë këtyre viteve u bashkuan me kryetarin historik, ndonëse më parë kishin shprehur rezerva të forta për lidershipin e tij të dikurshëm. Të dy “elefantët” e PD-së këto ditë tundin në dorë “tapinë” e Partisë Demokratike, duke harruar se kjo parti nuk është pronë e askujt, por është aset me vlerë kombëtare.
Nëse baza e partisë do të kishte kohën për të medituar, apo do t’i lihej kjo kohë për t’u shprehur, do të artikulonte atë që e shpreh nëpër kafene apo në bisedat e zakonshme: I gjithë ky lidership ka dështuar dhe lipset që partia demokratike të rikonceptojë veten, duke gjetur brenda vetes dhe rreth saj vlera të pallogaritshme lidershipi me energji demokratike, larg sjelljes dhe artikulimit tipik stalinist të armikut të klasës, me të cilin janë manipuluar turmat brenda dhe jashtë PD-së dje dhe sot.
Please follow and like us: