Lindita Nikolla: SHBA-Shqipëri, parneritet dhe miqësi
Unë do të kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes në Versajë dhe këtë zë do ta përdor në interes të Shqipërisë.” Këto fjalë historike të Presidentit Willson, drejtuar Fan Nolit, janë shënjuar në vetëdijen e popullit tonë. Vetëdije që u formësua në një marëdhënie speciale me SHBA, miqtë e aleatët tanë më të mëdhenj.
Gjithshka që kemi arritur të ndërtojmë bashkarisht mishërohet në dy fjalë: Partneritet dhe Miqësi.
Diaspora e hershme shqiptare në Amerikë ka qenë dhe mbetet një urë lidhëse midis dy vendeve.
Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë shembull unikal sesi mbijetesa dhe përparimi i një kombi të vogël është rezultat i investimit të një kombi të madh, kjo e konkretizuar nga:
Vetoja e Presidentit Willson në Konferencën e Paqes, që i ktheu pavarësinë Shqipërisë;
Mbajtja gjallë e idealeve të lirisë nën regjimin totalitar;
Përmbysja e atij regjimi dhe mbështetja e demokratizimit;
Mjaftojmë të sjellim në kujtesë vetëm rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur radioja shtetërore e Departamentit të Shtetit, “Zëri i Amerikës.
Çlirimi, pavarësia e Kosovës dhe vendosmëria e Presidentit Biden për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e fokusuar në njohjen e ndërsjellë.
Të gjitha këto tregojnë se Shtetet e Bashkuara janë fuqia e lirisë, dora e zgjatur e miqësisë, modeli drejt integrimit e qytetërimit perëndimor dhe mbështetësit e valëve të demokratizimit.
Partneriteti strategjik me ShBA është gur themeli i politikës së jashtme të Shqipërisë.
Shqipëria është partnere e denjë e ShBA, në NATO, në OKB dhe në aleancat e paqes, sigurisë dhe të të drejtave të njeriut dhe ato kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm e armiqve të demokracisë.
Deklarata e Përbashkët për Partneritet Strategjik Shqipëri-SHBA, nënshkruar më 20 prill 2015, parashikon një kalendar konkret e gjithëpërfshirës bashkëpunimi, në tre plane: partneritet për çështjet globale; çështjet rajonale dhe agjendën dypalëshe.
Rreth 30 traktate e marrëveshje dypalëshe janë prova të zbatimit të partneritetit strategjik.
Kur flasim për marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, nuk mund të mos përmendim investimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm për realizimin e reformës në drejtësi.
Gjatë dy viteve të ardhshme, ne do të jemi bashkë, në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për t’i kontribuar paqes e sigurisë, si vendim-marrës.
Shqipëria ka qenë dhe do të vijojë të jetë një ndër aleatët më të palëkundur të SHBA, të këtij vendi “kaq të madh, që udhëheq njerëzimin drejt një të ardhme më të mirë dhe paqes universale, drejtësisë, lirisë dhe demokracisë”, siç e përshkruante edhe Fan Noli.
*Fjala në ceremoninë e 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ShBA-Shqipëri.