Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: MARRËZIA E ‘MENDJEVE TË NDRITURA’

Thonë se marrëzia nuk ka të bëjë me çmendurinë, budallallëkun, injorancën apo ndonjë çrregullim mendor. Kështu kanë folur disa mendimtarë të mëdhenj si Erasmo i Rotterdamit, Theodor Adorno apo Max Horkheimer.
Kur para disa ditëve po dëgjoja një akademik shqiptar se si u bënte apologjinë dy ngrehalucëve të politikës shqiptare, më erdhi në mendje libri i Erasmo’s ‘Lavdërimi i Marrëzisë’ (In Praise of Folly – 1509). Një libër i vogël, përmes të cilit filozofi holandez fshikëllon veset e shumë shtresave të njerëzve, veçanërisht akademikëve. Filozofi i sheh akademikët të zhytur në marrëzi; që merren me veprime të pandershme, që kënaqen me argumentet e tyre të ndërlikuara dhe të errëta, që formësojnë dhe riformësojnë pikëpamjet e tyre politike në përputhje me interesat e çastit; i sheh si ‘mendje të edukuara’ por që shtrembërojnë realitetin.
Gjersa po surfoja në internet ndonjë deklaratë tjetër të akademikut shqiptar, rastësisht hasa në një intervistë të tij, dhënë disa vite më parë. Në mënyrë të rëndë i stigmatizon dy kolegë të tij; i quan këlyshë komunistësh. Veprën letrare të njërit prej tyre e cilësonte si tërësisht ideologjike, madje staliniste, ndonëse vepra e kolegut të tij lexohet gjithandej nëpër botë. Për kolegun tjetër kishte rezervuar recetën e njohur, e quante dishepull të komunizmit jugosllav.
Kjo është edhe e frikshme edhe fyese.
Andaj, me këtë soj akademikësh, nuk kemi pse të habitemi kur shohim se si murmuritjet e mediokritetit dhe klithmat e injorantëve, me dhe pa qëllim, vrasin të mençurit dhe heshtin të urtët.
E, përballë kësaj gjendje, individi detyrohet të arrijë në një përfundim absurd dhe të thotë, “në izolimin tim të përsosur, unë jo vetëm që do të shijoj ‘marrëzinë e kohës’, por gjithashtu do të lutem që kjo marrëzi të mos ketë fund kurrë”.
Please follow and like us: