Vrasjet e nderit të grave të reja në Iran mbeten pa ndëshkuar për shkak të ligjeve mizogjiniste
Gjatë këtyre javëve të fundit, historitë e vrasjeve të nderit në Iran kanë pushtuar faqet e para të gazetave në mbarë vendin, ku tregohet për vrasjen e grave të reja nga bashkëshortët apo meshkuj të tjerë në familjet e tyre.
Në raste të tilla, policia dhe drejtësia veprojnë me neglizhencë në parandalimin e këtyre vrasjeve ose në ndjekjen penale të meshkujve të përfshirë në to, pas aktit kriminal, duke u dhënë kështu këtyre burrave ‘liçencën për të vrarë’. Kjo duket se është e vërtetë në rastin e Romina Ashrafi-t, e cila u vra nga i ati në Gilan, dhe të Sargol Habibi-t nga Sanandaj, e cila u vra nga i shoqi, si dhe në rastin e Bayan dhe Sahar Moradi, të cilat u vranë nga bashkëshorti i Bayan, pas shpërfilljes ndaj kallëzimeve ligjore që ishin bërë nga Bayan për aktet e mëparshme të dhunës nga i shoqi.
Komiteti i Grave i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) raporton se: “Dhuna ndaj grave është një nga shkeljet më të rënda të të drejtave njerëzore në botë. Por në Iran, ajo nuk është kriminalizuar. Ligjet për ndëshkimin e vrasësve janë të dobëta, duke u dhënë atyre privilegje të veçanta dhe liçencën për të vrarë.”
Një nga rastet më të fundit ishte ai i Mobina Souri. 14-vjeçarja vdiq pasi i shoqi ia shtrëngoi fytin me shaminë e saj të kokës, më 30 gusht në provincën Lorestan. Ajo ishte viktimë e martesave të fëmijëve të cilat janë shumë të shpeshta në Iran. Arsyeja e dhënë për vrasjen e saj ishin thashethemet e pabaza se ajo e kishte tradhëtuar të shoqin. Në fillim, familja e Souri-t dhe ajo e bashkëshortit të saj kishin thënë se vajza kishte kryer vetëvrasje. Por më vonë, hetimet dhe rrëfimi i bashkëshortit vërtetuan se atë e kishin vrarë.
24-vjeçarja Sabri Nalbandi, nënë fëmijësh, është vrarë gjithashtu nga i shoqi, i cili më pas i vuri flakën shtëpisë për të fshehur provat e krimit. Më 8 gusht, Sara Pirzadi u qëllua për vdekje nga kushëriri i saj për arsye se ishte martuar me një burrë tjetër, ndërsa bashkëshorti i Shilan Mondami hapi zjarr mbi të dhe mbi familjen e saj më 6 gusht, për shkak se ajo kishte kërkuar të divorcohej.