Albspirit

Media/News/Publishing

Teza antikombëtare e “pakicës si palcë e kombit”. Pse shumica e udhëheqësve të Shqipërisë e kanë vënë bastin e sundimit mbi përqafimin e tezave antishqiptare të shteteve fqinjë

Shaban Murati

 

Vështirë të gjesh komb në Europë që si kombi ynë të ketë lejuar pakicat etnike, fetare, gjeografike, linguistike, etj. ta drejtojnë shtetin njëanëshmërisht dhe të punojnë kundër shqiptarizmit, kundër kohezionit dhe unitetit të kombit.

Tragjizmi i historisë së shtetit shqiptar është se në shumicën e kohës deri në ditët tona kanë sunduar e drejtuar pakicat. Përvoja njerëzore dhe historike ka treguar që pakicat nuk e duan shumicën, që don të thotë nuk e duan as kombin dhe as shtetin kombëtar, ku ata janë pakicë.

Nuk ka komb në Europë si kombi shqiptar që të ketë përjetuar gjendjen tragjike, ku vetë udhëheqësit e shtetit profesojnë publikisht tezën antikombëtare se “pakica është palca e kombit” dhe për rrjedhojë shpikin të drejtën e rreme historike se ajo duhet të drejtojë shumicën dhe kombin.

Është një tezë shekullore e Serbisë dhe e Greqisë, që e kanë ushqyer dhe financuar me shekuj e deri sot e kësaj dite në mesin e kombit tonë, sepse zhbërja e kombit fillon nga mohimi i shumicës së kombit.

Mos harroni se në këtë rrugë, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912 dhe kundër asaj pavarësie kombëtare, na kanë mbirë nga pakicat disa “republika greke” dhe “republika serbe” në territorin e shtetit shqiptar. Sepse me mohimin e shumicës së kombit realizohet më lehtë nënshtrimi dhe zhdukja e popullit dhe e kombit shqiptar nga shtetet fqinjë në Ballkan.

Është një tezë antikombëtare, që i ka kushtuar Shqipërisë humbjen e trungut në Veri dhe në Jug, dhe rrudhjen drastike të demografisë natyrale dhe historike të kombit. Sepse shtetet fqinjë, që u majmën me territoret dhe me popullsitë shqiptare, vazhdojnë të sponsorizojnë vazhdimisht dhe sot e kësaj dite në mesin tonë tezën antikombëtare se për kombin shqiptar “pakica është palca e kombit”.

Tragjikja qendron në fenomenin e shëmtuar të ditëve tona që udhëheqës të Shqipërisë e duartrokasin dhe reklamojnë këtë tezë të rrezikshme dhe injorojnë thelbin e ekzistencës dhe të mbrojtjes kombëtare, që bazamentin e ka te shumica e popullit dhe e kombit. Imagjinoni efektet katastrofike të kësaj teze antishqiptare në momentet e rreziqeve mbarëkombëtare në Shqipëri dhe sidomos në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Është e lehtë për ta kuptuar se kush ka interesin strategjik ta lerë kombin shqiptar pa shumicën e vet. Ky komb ka për të vdekur dhe për t’u asimiluar nëse beson profkën antikombëtare fetaro-politike se “pakica është palca e kombit”.

Në historinë e shtetit shqiptar nga themelimi e deri në ditët tona shumica e udhëheqësve të Shqipërisë e kanë vënë bastin e sundimit mbi përqafimin e tezave antishqiptare të shteteve fqinjë. Ndaj ata konvertimin e tyre fetar dhe etnik e kanë bërë modë elektorale, politike dhe varësie nga shteti më i fuqishëm i kohës në rajon.

Udhëheqësit shqiptarë, që nuk mësuan dot as në shkollë e as në jetë se çfarë është demokracia dhe as çfarë është laicizmi, janë të pabesueshëm në psalmet e tyre fetare njësoj siç janë edhe në psalmet e tyre politike.

Proklamimi prej tyre i tezës antikombëtare se “pakica është palca e kombit” i shërben strategjisë asimiluese të shteteve fqinjë për ta lënë kombin shqiptar pa palcën e vërtetë dhe pa shtyllën kurrizore të kombit, që është shumica e popullit dhe e kombit, e cila garanton ekzistencën, mbrojtjen, identitetin kombëtar dhe përjetësinë kombëtare./gazeta dita

Please follow and like us: