Albspirit

Media/News/Publishing

Kur cënohet siguria, SHBA duhet të bashkëpunojë edhe me regjimet autoritare

 

Nga David A. Keene & Dan Negrea

“National Interest”

“Ai i vlerësonte diktatorët!”, është një kritikë që përsëritet shpesh ndaj presidentit Donald Trump. Në fakt ai e bëri këtë gjë, por në shërbim të interesit kombëtar të Amerikës, dhe po kështu kanë bërë të gjithë presidentët e tjerë amerikanë.

Dikush duhet të shqetësohet kur presidentët e theksojnë promovimin e demokracisë globale, apo nëse lavdërojnë diktatorët e gabuar. Për të fituar pavarësinë e Amerikës, George Washington krijoi një aleancë me monarkun absolut të Francës, i cili ishte një sundimtar aq i keq saqë u rrëzua nga populli i tij dhe iu pre koka.

Për të fituar Luftën e Dytë Botërore, Franklin D. Roosevelt hyri në një aleancë me Stalinin, diktatorin komunist që vrau dhjetëra miliona njerëz. Gjatë Luftës së Ftohtë, presidenti Richard Nixon vizitoi Pekinin dhe krijoi një aleancë kundër Bashkimit Sovjetik me Mao Ce Dunin, një tjetër diktator komunist, që vrau edhe më shumë njerëz sesa Stalini.

Dikush mund të supozojë se ka pasur shumë lavdërime në këto marrëdhënie diplomatike, dhe nëse ato kanë qenë apo jo të sinqerta. Dhe kjo nuk përfundon me Luftën e Dytë Botërore. Ka gjithmonë lavdërime kur presidentët amerikanë presin vizita në Shtëpinë e Bardhë ose kur vizitojnë kryeqytetet e huaja.

John F.Kennedy priti ngrohtësisht Chung Hee Park, presidentin autoritar të Koresë së Jugut. Jimmy Carter vizitoi Shahun brutal të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, që më vonë u detyrua të mërgojë pikërisht nga qytetarët e vendit të tij.

Reagan priti Ferdinand Marcos, diktatorin e korruptuar të Filipineve, dhe bëri shaka kur u pyet se si Marcos ishte bërë kaq i pasur vetëm me një pagë shtetërore, duke thënë se Marcos ishte një investitor i zgjuar. Asnjë nga këta udhëheqës nuk u zgjodh në mënyrë demokratike apo të ishte pretendent për çmime humanitare.

Por vendet e tyre dhe vullneti i tyre i mirë, ishin të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara.

Që të gjitha këto ndodhën gjatë Luftës së Ftohtë, kur Shtetet e Bashkuara kishin nevojë për mbështetjen e atyre vendeve që sundonin territore strategjikisht të rëndësishme, dhe që ishin aleatë të gatshëm në kohën kur ne përballeshim kundër një Bashkimi Sovjetik shumë më të rrezikshëm.

Nga ana tjetër, pas Luftës së Ftohtë dhe në një mjedis të mirë ndërkombëtar, presidenti Barack Obama takoi Raoul Castro, diktatorin komunist të Kubës, që në atë kohë ishte strategjikisht e parëndësishme për Shtetet e Bashkuara.

Akoma më i vështirë për t`u kuptuar mbetet fakti se pse Obama mori me vetë në atë udhëtim gruan dhe vajzat e tij, dhe ndoqi bashkë me Castro-n një ndeshje bejsbolli. Promovimi i demokracisë jashtë vendit si një qëllim në vetvete, dhe jo si një mjet për të arritur objektivat e politikave, ka qenë gjithmonë një çështje delikate.

Në vitin 1979, profesoresha e Universitetit Xhorxhtaun, Jeane Kirkpatrick, më vonë ambasadore e SHBA në OKB, botoi esenë e saj të famshme“Diktaturat dhe standardet e dyfishta”. Ajo kritikoi prirjen e Uashingtonit për të kërkuar reforma demokratike nga diktatorët që mbështesin Shtetet e Bashkuara, ndërsa ishte më pak këmbëngulëse me sundimtarët komunistë që kundërshtonin Shtetet e Bashkuara.

Kirkpatrick pretendonte se nuk ishte në interesin e Shteteve të Bashkuara që të kërkohej një liberalizim i shpejtë në vendet pa tradita demokratike, sidomos nëse rezultati do të ishte zëvendësimi i një diktatori pro-SHBA me një diktator anti-SHBA.

Sipas saj Shtetet e Bashkuara duhet të inkurajojnë përparimin e tyre drejt demokracisë, por kjo përmes një procesi të gjatë dhe gradual. Historia i ka dhënë të drejtë. Carter e tërhoqi mbështetjen e tij për Shahun e Iranit, dhe e inkurajoi atë të largohej nga vendi i tij.

Regjimi i Shahut u pasua nga një teokraci fanatike anti-amerikane. Presidenti i  Egjiptit Hosni Mubarak u rrëzua pasi Obama i hiqi mbështetjen e SHBA-së. Por ai u zëvendësua nga presidenti islamik Mohamed Morsi, një armik i Shteteve të Bashkuara, që udhëhoqi një regjim brutal dhe jopopullor.

Morsi u rrëzua nga një grusht shteti ushtarak në vitit 2013 nga gjenerali Abdel Fattah El-Sisi, që nuk ishte një lider demokrat, por është gjithsesi një mik i Shteteve të Bashkuara. Presidenti rus Vladimir Putin ka vepruar me shpejtësi për të shfrytëzuar tendencën tonë për t’i dhënë mbështetje edhe aleatëve tanë të papërsosur në raport me parametrat e një demokracie.

Gjatë një konference për mediat, menjëherë pasi e urdhëroi ushtrinë e tij të mbështeste diktatorin e Sirisë pasi ishte aleat i Moskës, Putin deklaroi:“Problemi me politikë-bërësit amerikanë është se ata mendojnë, se nëse rrëzojnë një mik të papërsosur, ai do të zëvendësohet nga një prej 4 liberalëve që takuan në një bibliotekë.

Por bota nuk funksionon kështu”. Kjo na sjell tek politika e promovimit të demokracisë globale e presidentit aktual Joe Biden, dhe përballjen e sotme të SHBA-së me Kinën dhe Rusinë. Në këtë garë, Shtetet e Bashkuara do të kenë nevojë për shumë aleatë, dhe disa prej tyre nuk do të jenë demokratë të thekur,madje mund të jenë edhe diktatorë.

Promovimi i demokracisë nuk duhet braktisur asnjëherë. Por ai duhet të zbatohet në një mënyrë më të nuancuar. A do të kritikojë Biden mangësitë demokratike të Indisë dhe Filipineve, duke rrezikuar të distancojë këta 2 partnerë kritikë në kundërvënien ndaj Kinës?

Po të metat e Polonisë dhe Turqisë, vende shumë të rëndësishme për mbajtjen nën kontroll të sjelljeve të Rusisë? Kredencialet demokratike të Egjiptit dhe Arabisë Saudite janë akoma më të këqija, megjithatë ata janë partnerë të domosdoshëm në kundërvënien ndaj Iranit, shtetit më të madh në botë që sponsorizon terrorizmin.

Shtetet e Bashkuara duhet të jenë realiste në përcaktimin e vlerave dhe interesave të tyre. Demokracia është sigurisht e mirë për Amerikën dhe për botën, dhe duhet të mbështetet kudo në mënyrë aktive. Por kur kërcënohet siguria e Shteteve të Bashkuara, atëherë Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përgatitura që të bashkëpunojnë me demokracitë e papërsosura nëse është e nevojshme.

Dhe stabiliteti i këtyre partnerëve dhe gatishmëria e tyre për të punuar me Shtetet e Bashkuara, nuk duhet të rrezikohen duke kërkuar që ata të fitojnë kredencialet demokratike optimale. Winston Churchill na ka lënë trashëgimi një thënie të paharrueshme për këtë çështje.

Anglia po përballej e vetme me Gjermaninë naziste, dhe kishte shumë nevojë për aleatë. Bashkimi Sovjetik u bë aleat i Anglisë vetëm pasi Adolf Hitleri e pushtoi atë. Churchill e urrente komunizmin, por ishte i lumtur të kishte Stalinin si aleat, dhe e lavdëronte atë në publik. Madje ai ishte i përgatitur të shkonte shumë më tej:“Nëse Hitleri do të pushtonte Ferrin, unë do t’i bëja të paktën një referencë të favorshme Djallit në Dhomën e Komuneve”- tha ai.

Shënim: David A.Keene, ish-kryetar i Unionit Konservator Amerikan. Dan Negrea, ka mbajtur poste drejtuese në Stafin e Departamentit të Shtetit për Planifikimin e Politikave dhe Byronë Ekonomike gjatë administratës Trump.

Please follow and like us: