Ndahet nga jeta Kostandin Grillo
Pas 55 ditësh, në gjendje të rëndë dhe nën regjim të fortë intubimi, gazetari i shquar sportiv Kosta Grillo 59 vjeç, mposhtet nga Covid-19. Ndahet në moshën e energjisë së madhe, profesionisti i mikrofonit dhe komentit sportiv, gazetari që ndau mbi dy dekada emocione dhe raportime speciale për sportdashësit dhe audiencën shqiptare. Birii i vetëm i shkrimtarit të famshëm Odise Grillo nga Vunoi i Himarës, ndërroi jetë mëngjesin e ditës së sotme në Stamboll, në një nga spitalet e njohura.Largimi i parakohshëm nga jeta i Kosta Grillos është humbje e pazëvendësueshme për bashkëshorten e tij Ledi dhe dy djemtë, si dhe për motrën e vetme Ani Grillo.Kosta Grillo do të mbahet mend si kolegu i dashur, energjik, i sinqertë dhe i drejtëpërdrejtë. Kosta Grillo ishte qytetari që me kurajo dhe çiltërsi u përball me rryma të ndryshme në jetë. Ai refuzoi qytetarisht çdo tendencë dhe shfaqje anti-humanizmi, nacionalizmi. Qytetaria e tij shfaqej shpesh si vlerë e njeridashjes. Cilësitë dhe virtytet që mishëronte ishin të pakrahasuara. Në mediat audiovizive shqiptare, Kosta Grillo la një zë të fuqishëm, me timbër dhe ngarkesë të përhershme emocionesh si dhe solli për vite të tëra një raportim të rrjedhshëm, të sigurt dhe pasionant. Ai u ushqye me shkollën italiane të artikulimit radiofonik dhe pasuroi më shumë cilësitë e veta prej profesionisti duke iu referuar përvojave fqinje greke, serbe e më tej franceze e spanjolle. Komentet e tij radiofonike dhe televizive për kampionatet e futbollit, si ato kombëtare ashtu edhe ato europiane dhe ndërkombëtare në përgjithësi, përbëjnë një aset të traditës sonë të re në gazetarinë sportive. Gazetari Grillo ishte koleg dhe mik I dashur me gjithë komunitetin e gazetarëve sportivë dhe më gjerë në Shqipëri dhe në shumë vende të ndryshme të botës. Ikja e parakohshme e tij nga jeta sjell një moment pikëllimi për gjithë miqtë e kolegët e tij, por veçanërisht për familjen e tij të dashur.U prehsh në paqe miku dhe kolegu ynë I shtrenjtë Kosta!