DËSHMORI I FUSHËBARDHËS BAXHUL NORA QË RA NË MALIN E BARDHË
(Në përkujtim të 75 vjetorit të rënies së dëshmorit Baxhul Duro Nora, nga Fushëbardha e Gjirokastrës, eshtrat e të cilit akoma nuk po prehen në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës sikurse parashikon Ligji nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, Kreu IV, “Varrezat e dëshmorëve dhe ceremonitë në nderim të tyre” Neni 13 – Vendprehja e dëshmorëve të atdheut; në pikën 1: “Në shenjë nderimi, përkujtimi dhe mirënjohjeje kombëtare për dëshmorët e atdheut janë ndërtuar dhe do të ndërtohen varrezat ku prehen dëshmorët e atdheut” dhe në pikën “3.Çdo dëshmor ka një varr në varrezat e dëshmorëve të atdheut, të ngritur në territorin e qarkut ku ka rënë ose ka pasur vendbanimin..”. Dëshmori Baxhul Duro Nora kishte lindur më 13.1.1919 në Fushëbardhë të Gjirokastrës, pjesëmarrës me armë në dorë në formacionet e LANÇ-it ish-partizan i BrXIIS, dhe ka rënë më 11.6.1946, në rrethinat e Burrelit. Baxhul Nora është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1979 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër. (sipas librit zyrtar në Republikën e Shqipërisë: “Dëshmorët e Atdheut”, të Ministrisë së Mbrojtjes, Tiranë, 2012, publikuar me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, faqe 100 (Dëshmorët e atdheut, Gjirokastër, rreshti 9. Dëshmorët e ngelur përjetësisht në themelet e lirisë janë përmendore nderi, lavdie e trimërie, që meritojnë nderimin e brezave të mbarë kombit shqiptar).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Historia shqiptare e kohës së re i ka provuar shqiptarët përballë sfidave të shumta. Lakmitë ndaj truallit shqiptar kanë sjellë okupues të disa ushtrive lakmiqare. Këtu përfshihen dhe nazifashistët që erdhën gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përballë fashizmit u ngrit një popull i tërë për t’i ndalur dorën gjakatare të italianëve dhe gjermanëve që pushtuan Shqipërinë. Në qytete e fshatra pushtimi u kundërshtua me armë. Lufta u zhvillua pa dallim feje krahine ideje në të gjithë hapësirën shqiptare dhe përtej kufijve të saj. Fushëbardha, krahina e Kardhiqit dhe gjithë Labëria u bë çerdhja e antifashismit dhe që me ngritjen e strukturave partizane çoi në luftë pa kompromis kundër fashizmit. Fitorja u ngrit mbi gjakun-lumë të derdhur nga dëshmorët. Por Atdheu kërkoi angazhim kundër bandave e diversionit dhe djemtë e popullit si Baxhul Nora nuk u kursyen deri sa gjakun e derdhi në qershorin e vitit 1946, në Malin e Bardhë duke ngelur përjetësisht atje si një përmendore nderi, lavdie e trimërie, që meriton nderimin e brezave për këta dëshmorë të lirisë, pavarësisë së tokës shqiptare. Për këtë arsye nderimi dhe respekti për bartësit e idealeve të lirisë, për bijtë e bijat e kombit shqiptar, që nuk e kursyen gjakun në ditët më të vështira të Atdheut, për djalin e Fushëbardhës, nënoficerin shembullor të ish-DPB të Gjirokastrës, këtij piedestal nderi, që meriton të kujtohet e respektohet me dinjitet e krenari përherë. Të nderosh dëshmorët është obligim në nderim të kombit e flamurit shqiptar. Ndër luftëtarët e lirisë gjatë LANÇ, ishte luftëtari i orëve të para Baxhul Nora, që jetën ja fali atdheut për çështjen e lirisë shqiptare.
Djemtë e Labërisë armëngjelur për lirinë e Shqipërisë
Lisat e mëdhenj, burrat e Luftës Nacionalçlirimtare po rrallohen. Sot mendimi e gjykimi i tyre për vitet e stuhishme të luftës partizane dhe ditët sfiduese të pasluftës ngelen të gjalla dhe tingëllojnë aktuale. Për bëmat e luftatarëve të rreshtave partizane është folur dhe shkruar dhe do të kujtohen përherë për atë çka bënë në vitet më të vështira të ekzistencës së atdheut. Fushëbardha ishte një nga fshatrat e Labërisë që mbushi vrullshëm rreshtat e çetave, batalioneve e brigadave partizane. Nuk është e rastit që nuk ka djalëri por burrëri. Fushëbardha i ka falur atdheut mbi dyzetë dëshmorë në vitet e luftës antitanzimat me osmanët më 1847-1852, në Janinë e Lëkurës (Sarandë), në Palavli më 1978, 1913, në Skërficës më 1914, në Vlorës më 1920 e sidomos gjatë LANÇ në vitet 1939-1944, por edhe në përballje me bandat diversioniste në veri e jug të Atdheut. Ndër luftëtarët partizanë që i bënte ndër Fushëbardhës e gjithë krahinës labe ishte partizani Baxhul Nora, luftëtari partizan që u lind në Fushëbardhë të Gjirokastrës më 13 janar 1919 në një familie të thjeshtë fshatare, por me tradita të shquara atdhetare, patriotike e luftarake. Prindërit e tij, babai Durua dhe nënë Merushja njiheshin në fshat e krahinë për njerëz të urtë, punëtorë e mikpritësa, megjithëse Fushëbardha dhe krejt treva labe shquheshin për bujari, besë e mikpritje. Vëllezërit e tij ishin Tehati, Leskua dhe Pronjua i cili në luftën Italo-Greke kur bombardoi aeroplani Italian mbi shtëpinë e Maçe vrau së bashku me shokun e tij Çeno Maçin. Baxhuli ishte më i vogëli nga vëllezërit dhe kishte vetëm një motër Gazia, e cila e qau me ligje një jetë të tërë dhe amaneti i saj i vetëm ishte gjetja e eshtrave të të vëllait. Baxhuli ka qenë përreth 9 muaj i martuar me Nisibe Haxhi Bello, por nuk kishte fëmijë. Baxhul Nora sikurse gjithë moshatarët e tij lindën dhe jetuan nën peshën e halleve të kohës. Arsimimin fillor e mori në vendlindje, edhe pse etja për dituri ishte e madhe infrastruktura arsimore linte për të dëshiruar. Prindërit e tij merreshin me blektori dhe pak bujqesi për të mundësuar sigurimin e jetesës. Baxhuli që i ri ishte personifikimi i njeriut të shkathët, zemërmirë e të lirë si dhe ambicioz në jetë. Familja ku u lind Baxhuli ishte një familje me tradita luftarake, atdhetare, patriotike e liridashëse, ku në vatrën e tyre flitej për të parët e tij kishin luftuar historikisht me osmanët, grekët, pushtuesit italianë e gjermanë. Aktiviteti i tij edhe pse në moshë fare të re ka qenë bujk dhe blegtor, por natyrisht edhe profesioni i luftëtarit ishte trashëgimi brezash. Baxhuli ishte 20 vjeçar kur pushtuesit italianë zaptuan vendin. Kishte filluar LIIB. Ashtu si moshatarët e tij duke mos duruar okupatorin ju bashkua forcave të lëvizjes partizane. Lëvizja nacionalçlirimtare në fshat e krahinë, ngriti moralin popullor që djemtë e vendit të merrnin vendimin për të dalë partizan, vendim që gjeti përkrahjen e opinionit dhe të prindërve. Djemtë e Fushëbardhës ndjeheshin të rritur, të pjekur për të luftuar në radhët e rreshtave partizane atje ku e kërkonte zëri i atdheut. Baxhulin dhe shokët e tij i thirri zëri i arsyes dhe këshilla e prindërve, edhe pse ishin fare të rinj, por ndjeheshin të “pjekur për pushkë” dhe “djalë për luftë”. Baxhul Nora fillimisht u bë pjesë e strukturave partizane të cetës së Fushëbardhës, që ishte krijuar tek Rrapi në Fushëbardhë më 12.12.1942, dhe më tej të inkuadrua në radhët e formacioneve të tjera partizane. Baxhul Nora u inkuadrua në batalionin partizan territorial i krahinës së Kardhiqit me komandant batalioni Karafil Bellon nga Fushëbardha dhe zv/komandant Nexhip/Xhipe Kozaku, batalion që u krijua më 13.4.1943 në Cepo të fshatit Plesatit. Nga Fushëbardha ishin 72 luftëtarë: Karafil Bello, Sami Golemi, Kasëm Golemi, Rushit Golemi, Ali Proda, Axhem Muho, Avni Bello, Asllan Nora, Zenel Bello, Bastri Bello, Tafil Lagji, Mehmet Lagji, Baxhul Nora, Lesko Nora, Çete Nora, Destan Nora, Boro Zani, Brahim Miho, Boço Muho, Hodo Basho, Çobo Miho, Çaush Kondi, Idriz Stefani, Nishat Çarçani, Hazis Çarçani, Xhelo Çarçani, Jonuz Çarçani, Kanan Muho, Kajtaz Onjea, Kudret Veliu, Birçe Basho, Laze Caca, Merko Zani, Mehmet Kondi, Maliq Cama, Mato Mato, Musa Muho, Manxhar Muho, Mitat Baho, Musto Zani, Namik Veliu, Nimet Veliu, Qek Cama, Razi Veliu, Dino Meçani, Ferik Shalari, Ferjat Zani, Ferdi Veliu, Gusho Muho, Gjolek Shalari, Hariz Nora, Harrem Gjeçi, Hair Shalari, Hasko Kazo, Hajrulla Çarçani, Habip Xhuvani, Ramiz Cama, Sedat Veliu, Sadedin Bineri, Sejdo Shkurti, Sadik Cama, Serjan Muho, Sulçe Kondi, Sali Basho, Skëndo Xhuvani, Shuko Xhuvani, Shuquri Këndezi, Veli Nora, Veiz Onjea, Xhevdet Baho, Zano Shehu, Zubo Proda, Zeko Basho. Batalioni territorial kishte një aktivitet të gjerë luftarak në Krahinën e Kardhiqit dhe në zonën e Rëzomës e Delvinës. Djemtë e Labërisë ishin tashmë të burrëruar para kohe në zjarrin e luftës për liri, djem që shkruan epope lavdie që nuk mund ta shuajnë dekada e shekuj. Në këtë batalion luftonte ajka e djalërisë së Fushëbardhës, me sytë nga liria. Më 7.8.1943 tek rrepet e Kardhiqit u formua batalioni partizan “Asim Zeneli”, ku nga Fushëbardha në këtë batalion bënin pjesë Siri Çarçani, Alem Shehu, Baxhul Nora, Bexhet Shalari, Cirok Cama, Elmaz Zervoi, Emro Kondi, Hariz Shalari, Islam Poçi, Kutbi Gjeçi, Latife Nora, Lulo Nora, Muho Duka, Mevlut Veliu, Nishat Kondi, Beqir Kondi, Nimet Veliu, Qazim Baho, Sami Golemi, Tahir Xhuvani, Xhezo Proda, Ziadin Carcani dhe Fidai Veliu i cili pas disa muajsh kaloi me forcat e tjera, në një situatë komplekse. Baxhul Nora me armë në dorë për lirinë e Shqipërisë, i papërkulur përpara betejave e vështirësive të shumta ka qenë shumë aktiv si luftëtar i radhëve të para. Pas luftimeve që kreu në përbërje të batalionit “Asim Zeneli”, ka qenë pjesë e një formacioni më të madh partizan, të Br12S.
Partizani Baxhul Nora në Brigadën e Kongresit të Përmetit
Fakt i dokumentuar është se vetëm katër ditë përpara se të fillonte punimet Kongresi i Përmetit, pikërisht më 20.5.1944, rreth 600 partizanë e partizane të ardhur nga Zona I-rë Operative Vlorë-Gjirokastër, u mblodhën në Sukë të Përmetit dhe krijuan Br12S. Komandant kishte Refat Bajramin e Komisar Qemal Klosin. Detyra e parë e Br12S ishte mbrojtja e punimeve të Kongresit, prandaj emri i kësaj brigade është i lidhur me Kongresin e Përmetit ndaj dhe thirret “Brigada e Kongresit”, kështu do ta njihte historia. Brigada bëri organizimin e saj duke i ndarë forcat luftarake në 4 batalione, ku në këtë brigadë karakteristike ishte pjesëmarrja masive e vajzave partizane, që në fillim ishin 50 dhe që më vonë në rreth 200 partizane, të cilat luftuan trimërisht krah për krah me vëllezërit e tyre partizanë. Brigada u rrit në 670 partizanë nga të cilët 200 nga Gjirokastra dhe mbi 400 nga Vlora e Mallakastra. Në Përmet partizani Baxhul Nora u takua me 26 bashkëfshatarë fushëbardhas, që luftonin në të njejtën njësi luftarake si: Mehmet Tafil Lagji, Cirok Cama, Guxho Muho, Maksut Muho, Fejzo Kapo, Sako Mullai, Shefqet Golemi, Ramiz Cama, Aqif Bello, Avni Bello, Boço Muho, Mato Mato, Rauf Basho, Musto Zani, Lufto Bello, Rabihe Caca, Sako Meçani, Laze Muho, Ramo Nora, Sorush Bineri, Shefqet Deçka, Shega Onjea, Nuri Çarçani, Amzo Muho, Dife Maçi eHodo Basho. Br12S në Operacionin armik të Qershorit 1944, përballoi detyra të rëndësishme duke vepruar në Berat e Skrapar, në Tendën e Qypit, Qafës së Kiçokut, në Tepelenë, Kurvelesh, Vlorë, Llogara, Himarë etj, ku Baxhul Nora dhe partizanë të kësaj brigade shkruan faqe lavdie e heroizmi. Bashkë me Br7S përballuan operacionin gjerman të koduar “Kaprollì i Egër”. Më 15.7.1944, Br12S mori në dorëzim prej Br6S zonën e luftimit nga Sarandë tek Ura e Mifolit në Vlorë. Luftimet e zhvilluara më 8 dhe 9 gusht 1944 në kodrat e Therepelit, Vokopolës, Paraspaurit, Rehovës, Tendës së Qypit, Qafës se Kiçokut, ishin mjaft të ashpra. Nga 18.7.1944, deri më 9.10.1944, zhvilloi luftime të ashpra me armikun në zonën bregdetare. Br12S më 9.10.1944 çliroi Sarandën dhe vijoi rrugën e lavdisë luftarake, deri më 15.10.1944 çliroi Vlorën dhe më 22.10 1944 çliroi Sazanin, që mbahej i pushtuar që prej tre dekadash. Nga Vlora, Br12S vazhdoi luftimet drejt Tiranës. Më 9.11.1944 në Lushnjë iu bashkua batalioni 5-të dhe zhvilloi luftime për çlirimin e Peqinit, Rrogozhinës, Kavajës, Durrësit e Shijakut. Br12S la në fushën e nderit 105 dëshmorë, të cilët do mbeten yje të pashuar në altarin e lirisë. Brigada 12-të Sulmuese, kjo njësi e lavdishme e UNÇSH, shkroi histori gjatë LANÇ. Në dekada 20 maji dita e formimit të Br12S është përkujtuar me madhështi dhe askush nuk mund t’i ulë vlerat e idealeve të partizanëve, e të asaj lufte legjendare të popullit shqiptar. Partizanët shqiptarë pjesë e koalicionit të madh antifashist treguan trimërinë dhe heroizëm gjatë luftës partizane, prandaj edhe shkrimtari i shquar Ismail Kadare më 1988 në poezinë “në festën e Br12S”, shkruante: “..Parakalojnë ish-partizanët, ata që bënë luftën,/ Mungojnë midis rreshtave të rënët,/parakalojnë plagët, luftrat, këngët,/Midis tyre një grua shtatëzënë,/e pashë dhe mendova,/ Ja Shqipëria,/Një lëndinë e qeshur, shkëlqejnë bajonetat,/dhe në bark të nënës fëmija,/si ushtar është radhitur në rreshtat…”. Por për disa nga luftëtarët e saj lufta partizane ende nuk kishte mbaruar. Çlirimi i Shqipërisë nuk do mjaftonte, sepse retë e zeza përmbi Shqipëri vijonin me bandat diversioniste dhe kolaboratorët fashistë që kurrë nuk shteruan.
Sfida e përballjes me banda diversioniste në rrethinat e Burrelit
Mbas çlirimit Baxhul Nora nuk e hoqi uniformën partizane dhe as armën që solli lirinë. Pas clirimit të vendit dhe kur partizanët e BrXIIS e kreu me lavdi misionin e saj, Bazhuli në atë kohë 25 vjecar u pranua në forcat e Degës së Punëve të Brendëshme të Gjirokastrës, ku lufta kundër banave diversioniste si dhe kolaboratorëve të fashistëve kishte dalë si prioritet i shtetit. Në vitet l945-1946 në veri dhe në jug në rrethin e Matit/Burrelit qarkullonin disa banda kriminelësh me dhjetra e qindra persona. Pjesa me e madhe e ketyre elementeve kishin qënë pjesëmarrës të organizatave bashkëpunuar me okupatorët dhe luftuar aktivisht kundër lëvizjes nacional-çlirimtare. Në dokumentet arkivorë të AQSH, të tetorit 1945, dokumentohen drejtuesit kryesor të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit: komandant Gjeli Argjiri, komisar: Lefter Kasneci, zv/komisar Maqo Çomo dhe kuadro të tjerë Sali Ormeni, Sulo Kozeli, Medin Bilbili, Latif Shehu etj si dhe tre brigadat e nëntë batalione. Në drejtimin Tiranë – Elbasan përgjegjës ishte Bako Dervishi, në sektorin e Beratit (me Korçën, Gjirokastrën e Vlorën) drejtues Niko Cetën, dhe në sektorin e Shkodrës (me Kukësin e Peshkopinë) me drejtues Zoi Themelin. Divizioni i Mbrojtjes së Popullit duhet të shikohet në kontekstin historik me profesionalizëm si veprimtari e ligjshme dhe mbi të gjitha e domosdoshme. Puna në DPB Gjirokastër në funksionin si nënoficer do të ishte e shkurtër, sepse ju përgjigj thirrjes së atdheut për t’ju bashkuar forcave të ndjekjes duke luftuar kundra bandave në veri të vendit. Grupimet e bandave diversioniste ishin të fuqishme sepse kishin mbeshtetje nga jashtë, që i kishin pajisur me armatim e me mjete logjistike. Sikurse në të gjitha rrethet e Shqipërisë, në Gjirokastër kontigjentet për “forcat e ndjekjes”, u thirrën nga komisari i Divizionit të I-rë të Bajram Sinoimerit dhe ju dha detyra për të punuar në këtë sector delikat, në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit. Ata ishin të gjithë të rinj, djem të çelniktë me rrenjë të thella në popull, besnik të Atdheut. Pas LIIB, lufta për rimekenbjen e konsolidimin e shtetit në vitet e para të clirimit ishte prioritet për vitet 1944–1948. Në Mat koordinatori i parë me forcat tona të ndjekjes ishte caktuar Kryetari i Degës së Brendeshme, Banush Goxhua, që ideal kishte flamurin dhe Atdheun. Koordinimi bëhej me forcat e ndjekjes në terren. Lufta tashmë ishte bërë pjesë e jetës por më e sofistikuar dhe e një natyre krejt të re me formacione luftarake të copëzuara shtigjeve, gërxheve, grykave e shpellave. Kishte disa kohë që shërbimi kishte filluar në zonën e Malit të Bardhë. Megjithë sukseseve të fillimit problemet vijonin, edhe për shkak të terrenit tepër të vështirë e delikat. Në një ditë qershori gjatë luftimit i plagoset një shok dhe Baxhul Nora për të mos e lënë që ta kapnin të gjallë e mori në krahë duke ngjitur shpatin e malit të Bardhë, mirëpo nuk u shpëtuan dot plumbave të bandës diversioniste dhe u vranë në Malin e Bardhë me 11.6.1946. Rrethanat e përballjes me bandat i detyruan autoritetet që varrimi të bëhej në rajonin e kryerjes së detyrës dhe në fakt eshtrat e tij nuk u sollën kurrë në varrezat e dëshmoreve në Gjirokastër.Megjithëse Baxhul Duro Nora është i shpallur deshmor i atdheut me Vendim nr.65 date 2 tetor 1979 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Gjirokastër. Dokumentacioni e ka rënë në Burrel, pranë Malit të Bardhë, por eshtrat e tij nuk prehen në varrezat e dëshmorëve, sikurse parashikon ligji, çka është më e pakta për çdo të rënë dëshmor.
Amaneti i Dëshmorit që dha jetën për Atdheun meriton një varr me bashkëluftëtarët
Dëshmorët minimalisht e meritojnë një varr, një vendprehje të jenë të përbashkuar edhe nën dhe rreth idealit për të cilën luftuan, fituan dhe derdhën gjakun për liri. Mbas çlirimit të vendit nga pushtuesit djemtë e popullit pjesëmarrës nga Fushëbardha, Labëria dhe trevat e tjera shqiptare u angazhuan në asgjësimin e bandave të diversanëtve u përhapën sipas një plani të detajuar në të gjithë vendin. Rajoni i veprimit të djaloshit fushëbardhas Baxhul Nora ishte pranë Malit të Bardhë … “Varka e jetës” së tij nuk mundi të mbushej me vite, por u mbush me përkushtim atdhetar në vetëm 28 vite jete. Memoria historike e kombit me ndihmën edhe të gojëdhënës, të familjarëve dhe historianëve nuk harron ngjarje e data, personazhe historikë, të rënë për atdheun, që nuk kanë zë por jetojnë nën zërin e brezave shqiptarë për të sotmen dhe për të ardhmen. Kur shkruhen dhe kujtohen dëshmorët kurrë nuk harrohen. Nipërit dhe mbesat e dëshmorit Baxhul Nora bëjmë homazh si gjithë populli për çdo 5 Maj tek varrezat e dëshmorëve por eshtrat e dëshmorit të Atdheut Baxhul Nora nuk janë në varreza sikurse parashikon Ligji nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, kur në fakt në Kreun “IV”, “Varrezat e dëshmorëve dhe ceremonitë në nderim të tyre”, Neni “13”, “Vendprehja e dëshmorëve të atdheut”, thuhet: “3.Çdo dëshmor ka një varr në varrezat e dëshmorëve të atdheut, të ngritur në territorin e qarkut ku ka rënë ose ka pasur vendbanimin…”, ndërsa në pikën “5”: Varrimi i dëshmorit të atdheut apo rivarrimi i mbetjeve mortore të tij në varrezat e dëshmorëve të atdheut në qarqet përkatëse bëhet me vendim të këshillit të qarkut, këshillit bashkiak ose të prefektit”. Gjetja dhe rivarrosja ashtu sikurse e kërkon nderi dhe ligji për “dëshmorët e Atdheut”, për djemtë që mbushën rreshtat partizane dhe kryen detyra speciale pas çlirimit është detyrim mbarëkombëtar për gjithë ata që jetën e gjakun e falën për atdhe. Organizata e familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, në emër të etërve, nënave, gjyshërve e gjysheve që mbajnë lart idealet e luftatarëve për liri, çlirim e përparim kombëtar, bashkë me institucionet shtetërore, mund e duhet të mbajnë amanetin e fundit të prehjes me shokët, me bashkëluftëtarët. Kështu edhe për dëshmorin Baxhul Nora ish-efektiv i formacione të vogla e të mëdha partizane deri në Br12S, e sidomos me aktin sublime në forcat e ndjekses të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, për djaloshin që shkëlqen si meteor-dëshmor në gjoksin e atdheut, dhe është nderi e krenaria e kombit jo për dekorata e shpërblime, por për një ideal të madh të lirisë së kombit shqiptar, meriton të prehet në varrezat e dëshmorëve në Gjirokastër. Fushëbardhasi Baxhul Nora dëshmoi trimëri dhe mbeti simbol trimërie, sacrifice e heroizmi, humanizmi dhe dashurie për shokët e armëve në shërbim të Atdheut e lirisë. Detyrimi ynë është respekti e nderimi i gjakut të derdhur për atdhe. Brezat e sotëm kanë detyrimin madhor që minimalisht të zbatojnë ligjin e dëshmorëve.
Në kërthizë të truallit Arbëror: Dëshmori që nuk u kthye kurrë, por s’u harrua asnjëherë!
Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve në cdo kapilar të saj. Por para së gjithash Shqipëria është e të rënëve që derdhën gjakun në kapilarët e saj. Djaloshi fushëbardhas mbeti përjetësisht në trevat e zëmrës arbërore, atje ku fisi ilir “Albanoi” kishte dhe qytetin e tij me të njëjtin emër, vendodhja e të cilit sipas profesor Dhimitër Shuteriqi i cili thotë: “Ka mendime që qendra e Arbërit të jetë Xibri ose Guri i Bardhë apo ndonjë vend malor i luginës së Matit”. Ndërsa nga hipotezat e hartës së Ptolemeut si dhe nga përcaktimi që i bën shkrimtarja Ana Komnena mund të flitet për afërsi me fshatrat Prellë e Mcuc të Matit. Albanologët thonë se emri Arba/Alba është emër i lashtë i krahinës së Matit dhe emrin Arbani dokumentohet në burimet e kohës antike. Të vërtetat e qytetërimit mesjetar nxjerrin në pah Albanët e vitit 1332, përmendur edhe nga Guielm Adae, kryepeshkop i Tivarit. Qyteti ishte që prej vitit 1166 kur shkruhet për Arbërit” e Matit. Rrethi i Matit është një nga 36 rrethet e vendit, por që bën pjesë në Prefekturën e Dibrës, me 62000 banorë me një sipërfaqe prej 1028 km² dhe kryeqendër Burrelin. Është fakt se, para çlirimit, Mati nuk përfaqësohej me ndonjë qytet. Ndonse ishte qendër rrethi, Burreli në të kaluarën nuk ishte qytet sepse përveç burgut, n/prefekturës e kazermave të ushtrisë që u ndërtuan në kohën e mbretërisë, nuk kishte vec driza e ferra. Pyje të mëdha që rrethonin Burrelin. Fashistët italianë i dogjën ato pak ndërtesa bashkë me dymbëdhjetë fshatra përreth. Burreli u bë gërmadhë, aq sa pas çlirimit të Matit, organet e pushtetit u vendosën në fshatin Lis. Njerëzit e parë që erdhën atëhere në Burrel ishin partizanë e fshatarë. Ata u bënë edhe banorët e parë të Burrelit. Çelën disa zyra dhe ju vunë çpyllëzimit, për të hapur vend për qytetin e ri, që nuk ka të krahasuar me të sotmen, por mbi gjithcka në themelet e një jete të re qëndrojnë sërish të rënët ata që i bëjnë nder kombeve sikurse edhe kombit shqiptar. Nuk është “jashtë mode”, maksima proverbial popullore se, “kush bie për atdhe nuk ka vdekur por ka lerë”. Këtu në Matin historik ka ngelur përjetësisht edhe dëshmori fushëbardhas Baxhul Duro Nora që ra heroikisht më 1947-tën, në mbrojtje të jetës e sigurisë njerëzore të rracës arbërore. Ai ishte përzgjedhur nga punonjësit më të përkushtuar të Degës së Punëve të Brendëshme të Gjirokastrës, por që kishte ardhur atje nga formacioni i lavdishëm i LANÇ, i BrXII Sulmuese. Ai ishte një yll që u shkëput nga gjiri i familjes pa thënë “lamtumirë”. Por ai është pjesë e njerëzve të lavdisë që ndrijnë me veprën e tyre, një yll i pashuar fushëbardhas faqebardhë në mademin e Malit të Bardhë. Baxhul Nora meritoi emrin e shenjtëruar dëshmor i ruajtijes së tërësisë tokësore të Atdheut, të Shqipërisë sonë në kushte nga më komplekset. Ai dhe dëshmorët e tjerë ngelën memorial lavdia në gjoksin e atdheut. Ai dha jetën athere kur Atdheu e kërkonte duke u bërë një frymëzim për kujtesën historike të brezave. Dëshmori fushëbardhas Baxhul Nora prehet në tokën shqiptare, në “Malin e Bardhë”, në tokën e bardhësisë, në prehër të malit. Së fundi familjarët, por edhe një grup nismëtarësh ka hartuar dokumentacionin për kërkim të eshtrave të dëshmorit për të zbatuar atë pikë të rëndësishme të “Ligjit për Dëshmorët e Atdheut”, se dëshmori prehet në varrezat e dëshmorëve, dhe meriton të prehet në varrezat e dëshmotëve të Gjirokastrës. Për këtë arsye ka një nismë të re pikërisht nga Organizata qendrore e Dëshmorëve të LANÇ-it dhe dëshmorëve të Atdheut në bashkëpunim këtë herë edhe me Bashkinë e Këshillin Bashkiak të Gjirokastrës. Sipas të dhënave të marra nga: libri “Për popullin me popullin”, Tiranë, 1968; Libri “Dëshmorët e Atdheut”, Tiranë: Realstamp, 2012; Yje të pashuar, vëllimi, III, Tiranë, 1972; Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë: Gentgrafik, 2015; Periodiku i gazetës “Fushëbardha”, 2004-2014; Periodiku i gazetës “Labëria”, “Mbrojtja” dhe “Ushtria”, 2010-2019; Të dhëna nga muzeumet (MHK), Muzeu i Ministrisë së Brendshme dhe seria “Heronj të heshtur III”; Të dhëna nga arkivi famijar i dëshmorit (nga nipat dhe mbesat e dëshmorit Baxhul Nora).