Albspirit

Media/News/Publishing

NGA SHTETET E BASHKUARA TË BALLKANIT TEK BALLKANI I HAPUR, 100 VJET PROMOVIM E DËSHTIM

Me 23 Shkurt 1923 Lozha e Masonëve në Paris në drejtimin e kryetarit të saj Lucien Le Foyer, organizoi një konferencë mbi Shqipërinë, ku u promovua projekti për Shtetet e Bashkuara të Ballkanit, Federatën Ballkanike, Shoqëria e Kombeve të Ballkanit, Popujt e Bashkuar të Ballkanit…

Një Federatë Ballkanike, sipas modelit amerikan, propozoi edhe Faik Konica në SHBA në Mars 1923.

Pas 100 vjetëve treshja Rama-Vuçiç-Zaev i rikthehen projektit për një Ballkan të Bashkuar…

 

NGA DALIP GRECA

Ballkani i hapur, i konceptuar si treg i përbashkët për shtetet jashtë Bashkimit Europian, nuk është tezë e re e hedhur për konsum politik, ajo ka 100 vjet që promovohet dhe po 100 vjet që refuzohet e dështon me sukses. Në fillim të viteve ’20 të shekullit të shkuar u fol gjatë për Shtete të Bashkuara të Ballkanit, për Konfederatë Ballkanike, Bashkimin e popujve të Ballkanit, bashkëpunim rajonal etj.

Në fillim të muajit Janar të vitit 1923 shtypi francez shkroi me entuziazëm për një takim “Mbi Shqipërinë”, e cila do të kishte edhe një konferencë nga miku i shqiptarëve francezi Godart.

Z. Justin Godart ishte i njohur për shqiptarët për udhëtimet e tij në Shqipëri si dhe nga libri që ai shkroi’ L’Albanie  en 1921’- Shqipëria në vitin 1921. Ai ishte një politikan i suksesshëm në radhët e Partisë Radikale Franceze, shërbeu si nënkryetar i bashkisë së Lyon-it, Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministër për Shëndetin Publik, Kryetar i Përkohshëm i Bashkisë së Lyonit, Përfaqësues i Francës në Organizatën Ndërkombëtare të Punës etj. Ai ishte një udhëtar i dashuruar me Ballkanin, veçanërisht me Shqipërinë.

Le të kthehemi tek Konferenca mbi Shqipërinë.Organizatore e konferencës ishte Lozha e Masonëve ’Cosmos’ e Parisit. Media u ushqye me këtë lajm që nga fillimi i janarit deri me 23 Shkurt 1923, kur nisi konferenca e trumbetuar si çelësi i artë që do t’i jepte fund grindjeve në Ballkan. Dukej se organizatorët, për të tërhequr vëmendjen, kishin lënë orët e vona të mbrëmjes. Konferenca do të niste në orën 9 të darkës. Mirëpo ora kishte kaluar mbi nëntë dhe konferenca nuk po fillonte. Nisën pëshëprimat dhe pikëpyetjet: Pse nuk fillon konferenca? Kurreshtja u shua, kur në korridorin e gjatë u ndjenë disa hapa të shpejtuara.Në sallë u shfaq një burrë i gjatë, thatanik, i cili u prit me nderime të veçanta, me protokoll nderi. Mysafiri ishte Ministri i Jashtëm i Serbisë, të cilit iu hap vend në krahun e djathtë të kryetarit të konferencës, ndërkohë që në të majtë ishte vendosur z. Godart.

Pasi ora po i afrohej 10 e mbrëmjes, kryetari i Lozhës ‘Cosmos’ z. Lucien Le Foyer, e hapi mbledhjen me një vlerësim mbi Shqipërinë;- Shqipëria, tha ai, është një vend i vogël me një milion njerëz, por lipset të kthejmë vështrimin tonë mbi Kombin Shqiptar, sikundër dhe mbi kombe të tjera ballkanikë, se janë popuj të rinj.

Drejtuesi i konferencës u kthye nga Ministri Serb, Spalaikoviç, të cilit i qeshi fytyra, kur Kombi shqiptar u prezantua si komb i ri, ndërsa kombi i tij sllav, qenkish më i moçëm! Shërbim me vlerë i bëri kombit shqiptar ky miku frëng!

Pasi u bind se efektet e vlerësimit të tij e kishin lumturuar ministrin serb, kryetari vijoi: …Jam i lumtur që këtu ndodhet ministri serb, i cili na siguron se sot për sot  ka një solidaritet midis popujve të Ballkanit, që mbi bazën e principeve të Kryengritjes Frënge, dhe mbi bazë të këtij populli punëtor, për të cilën Masonët lëvdohen, se janë zhvillonjësit(les commentateurs), mundet dhe lipset të shtrohet Bashkimi i popujve të Ballkanit shumë herë të ndarë në rendin e historisë.Për ne, paqtorët e Perëndimit të Evropës, formula është kjo:’Federata Ballkanike, Shoqëria e Kombeve të Ballkanit, Popujt e Bashkuar të Ballkanit, Shtetet e Bashkuara të Ballkanit- Kjo është zgjidhja, e cila pa dyshim, lipset të impozohet një ditë, sado të mëdhenj që të jenë hidhërimet, që coptojnë zemrat e popujve të Ballkanit, sado të mëdha që të jenë dhembjet, bashkimi do të sjellë paqtimin…

Për drejtuesin e Lozhës të Masonerisë së Parisit, prania e ministrit Serb aty, ishte garancia e bashkimit të Ballkanit, paçka se aty mungonin ministrat e Shqipërisë dhe shteteve të tjerë të Ballkanit. Si për konicidencë Ministri i Jashtëm Shqiptar ishte prej dy javësh në Paris, por në konferencë nuk ndodhej.

Cila ishte arsyeja? Ministri i Jashtëm Shqiptar Mehmed Konica kur u pyet të nesërmen nga shtypi se përse nuk u ndodh në Konferencën për Shqipërinë, u përgjigj shkurt: Shkaku që nuk u ndodha në konferencë është fare i thjeshtë; NUK MË FTOI KUSH!

Siç duket u pa e arsyeshme që të gjithë Ballkanin mund ta përfaqësonte ministri Serb! Konferenca ishte propaganduar se zhvillohej për Shqipërinë ndërsa i ftuar nderi ishte ministri Serb!Ec e kuptoje këtë përkujdesje të francezëve për Shqipërinë!

Në fund të konferencës ministri serb do ta përmblidhte fjalimin e tij në këtë perifrazim: Problemi që ka të bëjë me Konfederatën e Shteteve Ballkanike, Bashkimi i ardhëm i Ballkanit, ose më mirë Shtetet e Bashkuara të Ballkanit, është një ideal, për të pëmbushur një tjetër ideal edhe më të lartë për të cilin flasin shumë dendur në botë.Ky ideal në popujt e Ballkanit mund të realizohet….Në vendin tim, tha ministri serb- ka sllovenë, kroatë, serbë, ka katolikë, orthodoksë, muslimanë. Sot formojnë një organizëm të bashkuar me fuqi.Ja pra nisja e shtetit të Bashkuar të Ballkanit egziston. Po që të vërtetohet ky ideal, lipset që edhe popuj të tjerë të Ballkanit të vijën e të na  bashkohen….Po të vijnë bullgarët dhe Shqiptarët që janë të ndarë, atëherë krijohen Shtetet e Bashkuara të Ballkanit…

Përgjatë vitit 1923 u fol gjatë për Ballkanin e Bashkuar, për Konfederatën Ballkanike, por konfliktet mes shteteve dolën mbi projektet bashkuse; përplasjet Bullgaro-Jugosllave, Greko-Maqedone-Bullgare, Serbo-Kroate, ku e dyta tentonte shkëputjen nga Jugosllavia, treguan se sa të brishta ishin marrdhëniet mes shteteve Ballkanike dhe çfarë qëllimi fshihej pas projekteve sllave.

Për një Federatë Ballkanike foli edhe Faik Konica në SHBA në Mars 1923 (Jamestown), në një fjalim mbajtur para amerikanëve. Fjalimi, përvecse në shtypin amerikan, u publikua me 17 Mars 1923 në gazetën”Shqiptari i Amerikës” që dilte në Korçë dhe në Dielli. Në një fjalim të gjatë Konica trajton efektin zinxhir të ngjarjeve në Ballkan, të cilat nuk mbeten lokale, por përfshijnë rajone të tjerë. Kështu e trajtojë ai luftën Ballkanike që nisi në Vjeshtën e Tretë të vitit 1912. Besohej se lufta që nisi në një cep të Evropës lindore do të mbetej e kufizuar, dhe nuk do të kapërcente përtej Adriatikut, por askush nuk mendonte se do të kapërcente përtej Detit të Zi. Por Lufta Ballkanike solli konfliktin me Austrisë dhe Serbisë; tërhoqi në vorbullën e saj Rusinë, Gjermaninë, pastaj Belgjikën, Francën dhe Anglinë, më pas Japoninë, Turqinë dhe Bullgarinë, pastaj Italinë dhe Rumaninë, dhe më në fund hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E gjithë kjo luftë e pati fillesën nga një zënie e vogël në një cep të Ballkanit. Konstatimi i Konicës ishte i dhimbshëm: Ballkani ka qenë dhe mbetet shkaktar për luftra dhe duket se shtetet e Ballkanit kanë dalë të fituara nga luftrat, kanë fituar territore të reja në kurriz të shqiptarëve dhe bullgarëve. Në një analizë të detajuar që bën Konica, konstaton se shtetet e Ballkanit në buxhetet e tyre i japin pjesën e luanit përgatitjes për luftë. Kjo ishte shqetësuese për rajonin. Ai pyet:  Ndërkohë që shtetet e Ballkanit në fund të Luftës së përbotshme muarën çdo gjë që kishin bërë pazarllëk, përse organizojnë pas lufte ushtri të mëdha, përse harxhojnë shuma të çmendura?!

Konica shfaq mendimin se Ballkani mund të paqëtohej nëse krijohej një Federatë Ballkanike, e mbështetur në modelin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Ai propozonte që kjo federatë të funksiononte lipsej të rritej autonimia lokale për shtetet anëtare të federatës. Natyrisht që edhe  ky projekt ishte i parakohshëm dhe jashtë realitetit.

Projektet për një Ballkan të bashkuar u hodhën në tryezë sërish pas Luftës së II Botërore për vëllazërimin e Ballkanit, por projekti funksionoi vetëm për Konfederatën Sllave, e cila u zhbë pas luftës etnike të Serbisë.

Vijmë më së fundi tek projekti tresh:Rama-Vuçiç-Zaev i vitit 2021, që siç thonë ata, pason Projektin e  Berlinit, i ideuar nga Merkel që në 2014-tën.

E vërteta është se projekti i Ballkanit të hapur nuk është ide as e Ramës, as  e Vuçiuçit dhe as e Zaevit. Ideja e Ballkanit të Hapur (i njohur më parë si Zona Mini-Shengen) u shfaq për konsum politik në fillim të viteve 1990. Fillimisht u lakua si një zonë ekonomike midis shteteve të gadishullit Ballkanik,por, Serbia, ashtu si në të shkuarën, tregoi se nuk prodhon pakte bashkëpunimi e paqeje, por  konflikte e luftra agresive.Planet për bashkëpunim u braktisën përfundimisht për shkak të Luftërave etnike që udhëhoqi Serbia.

Ideja për këtë platformë bashkëpunimi rajonal hidhet në tavolinë për konsum politik tash kur Evropa ka hallet e veta dhe nuk ka kohë që të merret me integrimin e 6 shteteve të mbetura si një lloj gadishulli i izoluar dhe i larguar nga BE-ja.

Në kushtet e një korrupsioni kanceroz, të trafikut kriminal, drogës, krimit të organizuar, Shtetet e Ballkanit, e kanë të qartë se Europa e Bashkuar nuk ka vend për ata, ndaj dhe iu rikthyen teorisë 100 vjeçare të bashkëpunimit rajonal, duke u përpjekur që t’i bëjnë në një farë mënyre karshillëk Bashkimit Europian:Nuk doni të na pranoni? Ok, ne bëhemi bashkë dhe krijojmë Shtetet e Bashkuara të Ballkanit!

Bie në sy këmbëngulja e kryeministrit shqiptar Edi Rama i cili, jo vetëm ka marrë flamurin dhe i prinë projektit, por deklaron me plot bindje se:Ballkani i Hapur është vendosur, ai do të bëhet. Shtetet që e kanë kundërshtuar, do t’i bashkohen, herët a vonë! Se ku e gjenë sigurinë matematike të këtij parashikimi, vetëm kryeministri ynë global e di.

Të flasësh me kaq bindje, siç bëri kryeministri socialist i Shqipërisë në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të bën të dyshosh, edhe për faktin se qoftë kancelarja në ikje Merkel, qoftë presidentja e Komisionit Evropian, nuk u morën shumë me Ballkanin e Hapur, përveç këshillës së Merkelit se çdo bashkëpunim që ndihmon integrimin, është i mirëpritur. Mirëpo Ballkani nuk ka vetëm tre shtete për të krijuar atë që dikur quhej Mini Shengen, mbi të cilën u ngrit projekti Gjerman, që në vitin 2014, që në fakt tash është fare i zbehur dhe pritet formimi i qeverisë së re gjermane me mazhorancë të socialdemokratëve, për të parë nëse do t’i rikthehet këtij projekti apo do të shtyhet edhe ai në kalendrat greke…

Politika prej lideri rajonal i Kryeministrit shqiptar duket paksa naive. Pakti i tij me presidentin serb Vuçiç dhe Kryeministrin maqedon Zaev, pa marrë dakordsinë e tre shteteve të tjerë, por veçanërisht të Kosovës, që nuk njihet nga Serbia si shtet, ngjason me Konferencën e masonëve në Paris para 100 viteve, ku flitej për Ballkanin e Bashkuar dhe aty ishte vetëm ministri Serb!

Pyetja shtrohet: Kur Kosova e kundërshton me të drejtë projektin’Ballkani i Hapur’ dhe e cilëson të rrezikshëm paktin Rama-Vuçiç- Zaev, pa njohur Serbia më parë pavarësinë e Kosovës, përse kryeministri ynë bëhet tellall i Beogradit?

Kryeminstri i Kosovës Albin Kurti e ka kundërshtuar projektin dhe ka deklaruar se “Ballkan i Hapur” nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze. Rreziku është fare i qartë- si mund t’i bëjë ballë Kosova e pa njohur nga Serbia, Kina, Rusia, tregut agresiv serbo-rus e kinez?  Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet kryeministri Rama dhe jo të merret me sofizma dhe me naivitete konspirative e me strategji rajonale që i shkojnë për shtat Beogradit dhe lënë në harresë njohjen e Kosovës nga Serbi. Dhe një pyetje shtesë: Cili është kontributi i qeverisë Rama në njohjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës?

ZERO!

Kryeministri i Shqipërisë, i cili propagandon shumë paktin që vjen nga Beogradi, dhe kur ka kohë , apo kur i intereson karta nacionaliste, flet edhe për  mbledhjet e përbashkëta pa bukë të dy qeverive, dhe përmend hallet e vëllait të vogël,- është mirë që të dëgjojë zërat që vijnë nga Kosova.

Presidentja e Kosovës Dr.Vjosa Osmani, e ka cilësuar të rrezikshëm projektin e “Ballkanit të Hapur”, duke argumentuar se ai e vonon integrimin evropian të rajonit, ndërkohë që  Procesi i Berlinit është zgjidhja e vetme dhe e duhur për avancimin e rajonit drejt integrimit Europian.

Po nuk është vetëm Kosova që e kundërshton projektin e Beogradit- Tiranës dhe Shkupit, kundër tij janë edhe Bosnja e Mali i Zi.

Dëgjova me 4 tetor zv/kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazi, i cili e argumentoi”JO”-në e shtetit të tij (me qeveri pro serbe) si një rrezik për gllabërimin e tregut të vogël malazes prej tregut agresiv ruso-kinezo-serb. Ai e quajti projektin e Ballkanit të hapur si një tendencë e Vuçiçit dhe Ramës për të krijuar role liderësh rajonal. Konkluzioni është i qartë, kur Mali i Zi i njohur ndërkombtarisht i friket rrezikut, po Kosova e pa njohur ende nga Serbia e shtete të tjerë, si do të mbrohet nga ky rrezik?

Please follow and like us: