Prof. dr. Emil Lafe: Këshilla të thjeshta gjuhësore
Në faqet e kësaj reviste dhe në shtypin e Kosovës janë trajtuar herë pas here çështje të ndryshme të gjuhës shqipe në praktikën e përdorimit të saj publik e në botime. Dhe këtu dua të përmend me nderim e me dashuri vëllazërore punëtorët e palodhur të kësaj fushe dhe që mjerisht nuk i kemi midis nesh: Shaqir Berani, Tafil Kelmendi e Isa Bajçinca. Ata kanë qenë vëzhgues të vëmendshme të praktikës gjuhësore dhe kanë ngritur zërin e kanë bërë thirrje për një kulturë gjuhësore të përshtatshme e të denjë për kohën tonë moderne. Ata kanë theksuar gjithashtu se ndërtimet dhe format e gabuara ose shabllone prej gjuhësh të huaja, po nuk u çrrënjosën shpejt e me vendosmëri, shtrohen një ditë të bukur këmbëkryq rreth vatrës së gjuhës shqipe dhe shtyjnë jashtë të zotët e shtëpisë. Pikërisht për disa prej këtyre formave, shablloneve e fjalëve prej gjuhësh të huaja dëshiroj të tërheq vëmendjen e lexuesve të revistës. Më poshtë janë paraqitur një numër shembujsh me trajta dhe ndërtime që nuk janë në pajtim me normën letrare dhe me natyrën e gjuhës shqipe në përgjithësi. Këta shembuj janë nxjerrë nga vëzhgimet kryesisht në gjuhën e shkruar e të folur, sidomos në Kosovë.
1. Kryeqyteti i SHBA, i SHBA-së apo i SHBA-ve?
Kohët e fundit vihet re se shkurtesa SHBA (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) po përdoret edhe si emër me trajta rasore. Sipas rregullave të caktuara, shkurtesat e këtij tipi shqiptohen si fjalë që mbarojnë me zanore të theksuar (shëbëá) dhe lakohen sipas paradigmës së emrit gjë-ja [1], p.sh.: NATO-ja, NATO-s, NATO-n; OKB-ja, OKB-së, OKB-në; UÇK-ja, UÇK-së, UÇK-në etj. Por shkurtesat e emërtimeve të shteteve nuk është bërë zakon të përdoren si fjalë të lakueshme. Gjatë leximit ato shqiptohen të plota, p.sh. U nis për në RFGJ një delegacion zyrtar … (lexohet: U nis për në Republikës Federale të Gjermanisë …), Zgjedhjet parlamentare në RMV … (lexohet: … në Republikën e Maqedonisë së Veriut), prandaj nuk është e këshillueshme të marrin trajta rasore. Por në qoftë se, megjithatë, dikush ka dëshirë ta përdorë si shkurtesë të lakueshme, atëherë mbetet vetëm trajta SHBA-ja, SHBA-së, SHBA-në, në pajtim me rregullën gramatikore të përmendur më lart. Trajta SHBA-të, SHBA-ve, që ka depërtuar edhe në shtypin e Tiranës, ka dalë si përkthim shkronjë për shkronjën nga serbishtja. Në këtë gjuhë Shtetet e Bashkuara të Amerikës quhen Sjedinjene Američke Države (d.m.th. Të Bashkuara të Amerikës Shtetet) – shkurtesa: SAD. Meqenëse shkronja fundore D shënon emrin Države (Shtetet), në serbishte kjo shkurtesë lakohet si emër i numrit shumës. Por në gjuhën shqipe është ndryshe. Gjymtyrët e emërtimit SHBA kanë një renditje krejt tjetër, prandaj përdorimi i trajtave SHBA-të, SHBA-ve, të përftuara sipas modelit të serbishtes, është gabim dhe i papranueshëm. Për raste fjalësh e përdorimesh të tilla të gabuara Aleksandër Xhuvani thoshte se “duhen kapur me mashë e duhen qitur jashtë gjuhës shqipe”.
2. Ju falënderoj për vëmendje/ për mirëkuptim/ për përkrahje! Konferencë për shtyp.
Formula të tilla, me gabim gramatikor, dëgjohen rëndom nëpër tubime të ndryshme në Kosovë. T’i zë veshi edhe në Tiranë. Në vend të tyre duhet thënë: Ju falënderoj për vëmendjen / për mirëkuptimin / për përkrahjen! – d.m.th. emrat vëmendje, mirëkuptim, përkrahje duhet të jenë në trajtën e shquar, sepse folësi ka parasysh një vëmendje, mirëkuptim ose përkrahje të caktuar, të njohur nga folësi dhe nga dëgjuesit e tij. Është njësoj sikur t’i kërkonim dikujt lapsin për të shkruar diçka ose një çadër kur na zë shiu, dhe, duke ia kthyer t’i thoshim: Falemnderit për laps/ për çadër! në vend të Falemnderit për lapsin/ për çadrën! (sepse lapsin dhe çadrën i kemi përpara syve)! Edhe ky përdorim i gabuar ka dalë nga përkthimi i pasaktë i formulave përkatëse të serbishtes (p.sh. Хвала на пажњи!); siç dihet, në serbishte nuk ka trajtë të shquar e të pashquar. Kur përkthehet nga serbishtja shqip (po ashtu dhe nga gjuhë të tjera që nuk e kanë kategorinë e shquarsisë) emri duhet vënë në trajtën e duhur sipas gramatikës së shqipes. Prandaj Хвала на пажњи! thuhet shqip vetëm Falemnderit për vëmendjen! (ose edhe … për vëmendjen tuaj!).
Të njëjtën dukuri kemi edhe tek emërtimi konferencë për shtyp (sipas serbishtes конференција за штампу). Në të vërtetë konferenca është për shtypin, d.m.th. për gazetarët që përfaqësojnë organe të ndryshme të shtypit dhe radio e televizione. Në gjuhën shqipe për shtyp ka kuptimin ‘për t’u shtypur’, d.m.th. një material i caktuar (artikull, libër) ka marrë formën përfundimtare dhe është gati të dërgohet në shtypshkronjë për t’u shumëfishuar. Titullari ose redaktori përgjegjës sipas rastit vënë shënimin Të jepet për shtyp! dhe nënshkruajnë. Kurse konferenca për shtypin është një takim i personaliteteve të njohura shtetërore e shoqërore me gazetarët për t’u bërë njoftime a për t’i sqaruar për çështje të rëndësishme ose për të shprehur qëndrimin e vet në lidhje me to. Se çfarë boton a paraqet shtypi nga ato që thuhen në konferencë, kjo është një çështje tjetër. Pra, nuk kemi të bëjmë me një material për shtyp (= për t’u shtypur), po me një material për shtypin.
Në traditën e gazetarisë sonë është përdorur dhe përdoret emërtimi konferencë shtypi [2] dhe, kur vihet në trajtën e shquar del konferenca e shtypit, p.sh.: Në përfundim të takimit dy presidentët mbajtën një konferencë shtypi … Konferenca e shtypit u ndoq nga dhjetëra gazetarë ... Mund të përdoret edhe emërtimi konferencë për shtypin, por duhet mënjanuar tërësisht emërtimi konferencë për shtyp, i cili, siç e shpjeguam, është një përkthim i pasaktë i emërtimit serbisht конференција за штампу.
Po kështu, për të njëjtat arsye, thënia deklaratë për shtyp nuk është e drejtë. Duhet: deklaratë për shtypin, d.m.th. delklaratë që u jepet orgsaneve të shtypit të shkruar a të folur. Se çfarë bëjnë ato me deklaratën, e botojnë, e shpsallin, e transmetojnë ose jo – kjo është punë e tyre!
3. Çdo i katërti student merret me sport
Kështu përdoret rëndom në shqipen e folur e të shkruar në Kosovë. Por edhe te kjo formulë kemi të bëjmë me një përkthim të pasaktë të shprehjes përkatëse serbisht, p.sh. сваки четврти, që do të thotë shqip çdo i katërt (pra numërori rreshtor në trajtën e pashquar). Cili është dallimi? Po të themi çdo i katërti (pra numërori rreshtor në trajtën e shquar), kuptohet sikur p.sh. 40 studentë janë vënë në një rresht njëri përbri ose pas tjetrit dhe, duke i numëruar 1, 2, 3, 4, nxjerrim prej rreshtit 10 studentët që u bie numri 4 (d.m.th. i 4-ti, i 8-i, i 12-i, i 16-i e kështu deri te i 40-i). Për të mënjanuar këtë mospajtim ndërmjet formës së shprehjes (trajta e shquar i katërti) dhe përmbajtjes (personi përkatës nuk është i përcaktuar si i katërti në renditje), duhet të përdoret më mirë shprehja një ndër katër, ndër pesë, ndër gjashtë etj., e cila e jep qartë kuptimin thjesht statistikor që duam të shprehim. Formula çdo i katërt përdoret në gjuhët sllave e gjermanike, formula një ndër katër përdoret në gjuhët romane. Në Shqipëri në praktikën statistikore është përdorur gjithnjë dhe përdoret formula sipas gjuhëve romane (një ndër katër, ndër pesë, ndër gjashtë etj.), në Kosovë dhe më gjerë në ish-Jugosllavi formula sipas serbokroatishtes (çdo i katërti, i pesti, i gjashti etj.). Gjykoj që formula e gjuhëve romane është më e qartë, më e përshtatshme për shqipen, se shmang edhe gabimin e përdorimit të trajtës së shquar ose të pashquar. Si përfundim: shprehje si çdo i katërti, i pesti, i gjashti… janë të gabuara dhe duhen mënjanuar nga përdorimi. Mbetet të zgjedhim ndërmjet: çdo i katërt, i pestë i gjashtë … etj. dhe një ndër katër, ndër pesë, ndër gjashtë … etj. Siç u shpjegua më larët, mënyra e dytë është më e qartë, më e mirë për shqipen.
4. Gjinorja në vend të rrjedhores së pashquar (njëjës/shumës)
Vihet re se në gjuhën e shkruar në Kosovë përdoret mjaft herë gjinorja (e shquar) në njëjës ose në shumës, atje ku do të pritej rrjedhorja e pashquar. Ja disa shembuj:
Gjakova ka një numër të madh të shtëpive me arkitekturë tradicionale (duhej: një numër të madh shtëpish me arkitekturë tradicionale, sepse trajta e shquar nënkupton që lexuesit ia kemi bërë të qartë për cilat shtëpi e kemi fjalën, p.sh. sikur të ishte fjala për për të gjitha shtëpitë me arkitekturë tradicionale në Kosovë). Pra shtëpitë me arkitekturë tradicionale në kontekstin e mësipërm nuk janë një madhësi e përcaktuar, e njohur si për autorin ashtu edhe për lexuesin, që të përligjë përdorimin e gjinores së shquar. Te fjalia e mësipërme thjesht është fjala që në Gjakovë ka shumë shtëpi (një numër të madh) me arkitekturë tradicionale dhe vetëm kaq.
Po ky arsyetim vlen edhe për dy shembujt më poshtë:
Në fazën e dytë është bërë punë më e organizuar për të studiuar në detaje një numër të çështjeve dhe në këtë mënyrë …. (duhej: një numër çështjesh);
… është një barishte që del në ara gjatë stinës së pranverës … përdoret për të bërë lloje të ndryshme të burekut (duhej: lloje të ndryshme byreku).
Si përfundim: emri që vjen pas togut një numër normalisht vihet në rasën rrjedhore: një numër fëmijësh, nxënësish, shtëpish, librash, çështjesh etj.
Kur togu një numër është i zgjeruar me një përcaktor (i madh, i vogël, i rëndësishëm, i papërfillshëm etj.) dhe emri që vjen pas tij shënon sende të përcaktuara ose të njohura për lexuesin, atëherë emri vihet në rasën gjinore të shquar, p.sh.: Vetëm një numër i vogël i nxënësve të shkollës sonë nuk dinë ta përdorin kompjuterin; Një numër i madh i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, tashmë janë rindërtuar; Një numër i papërfillshëm i fidanëve të mbjellë nuk kanë zënë.
5. i/e tillë në vend të ky/kjo
Vëreni shembujt e mëposhtëm:
Rastin e tillë e ka postuar në Facebook …. Pyetja e tillë ka mbetur ende pa përgjigje … Punimet e tilla janë paraqitur si referate në konferenca e kongrese shkencore dhe janë botuar në revista të ndryshme.
Duhet pasur parasysh se emri përpara përemrit i/e tillë vihet në trajtën e pashquar: shi i tillë / borë e tillë nuk mbahet mend; peshk të tillë nuk kam ngrënë ndonjëherë [3]. Përdorimi i trajtës së shquar në raste si ato që u përmendën më lart, nuk është sipas sintaksës së gjuhës shqipe. Në vend të përemrit i/e tillë te këta shembuj duhej të ishte përemri tjetër dëftor ky/kjo përpara emrit përkatës, d.m.th.: Këtë rast e ka postuar në Facebook …. Kjo pyetje ka mbetur ende pa përgjigje … Këto punime janë paraqitur si referate … Kështu thuhet shqip.
6. derisa – ndërsa
Të dyja janë lidhëza kohore, por fjalitë që ndërtohen me këto lidhëza, kanë kuptime të dallueshme. Fjalitë me lidhëzën derisa shënojnë çastin fundor të veprimit që shpreh fjalia kryesore (Do të pres, derisa të pushojë shiu – të priturit mbaron kur të pushojë shiu), kurse fjalitë me lidhëzën ndërsa shprehin njëkohësinë e veprimeve të fjalisë kryesore dhe të fjalisë kohore: Ndërsa Afërdita shkruante, radioja po jepte një koncert simfonik. Pra, dikush është duke shkruar dhe njëkohësisht dëgjon koncertin simfonik nga radioja). Vihet re se jo rrallë për këtë tip fjalish kohore të njëkohësisë, përdoret gabimisht lidhëza derisa, p.sh.: Derisa po lexoja dorëshkrimin, në dhomën time të punës kishte hyrë mbesa ime tre vjeçe, … duhej: Ndërsa po lexoja …). Në këtë përdorim të gabuar të lidhëzës derisa me sa duket kanë ndikuar përkthimet e pasakta nga serbishtja, ku lidhëzat dok, dokle i kanë të dyja kuptimet: derisa e ndërsa. Por në gjuhën shqipe kemi dy lidhëza të veçanta, që duhen përdorur secila me kuptimin e vet: derisa dhe ndërsa.
7. Shprehja parafjalore duke iu falënderuar …
Shembull: Duke iu falënderuar pozitës gjeostrategjike, Ballkani gëzonte një vend të veçantë në politikën e Perandorisë Osmane. Këtu kemi të bëjmë me një përkthim shkronjë për shkronjë të serbishtes zahvaljujući. Shprehja e mësipërme është krejt e gabuar. Së pari, nga ana logjike, sepse pozitës gjeografike nuk mund t’i drejtohen falënderime! Së dyti, falënderohem ka vetëm kuptim pësor (dikush falënderohet nga dikush tjetër), ndërsa te shembulli më sipër përcjellorja pësore duke iu falënderuar është përdorur me kuptim vepror. Në raste të tilla në gjuhën shqipe është përdorur parafjala në saje (të)…, (huazim nga turqishtja), e cila po zëvendësohet sidomos në gjuhën e shkrimit me parafjalën foljore falë: falë teje, falë Zotit, falë ndihmës së …, falë pozitës gjeografike … etj. Edhe shprehja parafjalore duke iu falënderuar është nga ato që “duhen kapur me mashë e duhen qitur jashtë gjuhës shqipe” (Aleksandër Xhuvani).
8. dhe atë …
Shembuj: Pesë vëllezër të tjerë të familjes Tahiri u shpërndanë nëpër vise të tjera dhe atë për shkaqe ekonomike dhe martese.
Deri në fillimin e shek. XI dituritë merreshin nëpër vende të ndryshme të shoqërisë myslimane dhe atë si në dhoma të veçanta të shtëpive ...
Rimarrja e përmbajtjes së fjalisë paravajtëse te fjalia në vijim (me ndërtimin dhe atë) është karakteristike për bullgarishten e maqedonishten. Ndeshet sidomos te shkrimet shqipe në Maqedoni, po ndonjëherë edhe në Kosovë. Në gjuhën shqipe ky ndërtim është si një mish i huaj, krejt i panatyrshëm. Te shembujt e mësipërm fjalët dhe atë mund të hiqen krejt dhe pa e dëmtuar aspak kuptimin e fjalisë, përkundrazi, duke i dhënë një tingëllim shqip.
9. të dyt (erdhën të dytë)
Përpara një numërori themelor nyja të (e shoqëruar ose jo me pjesëzën që) shpreh kuptimin e tërësisë (totalitetit) [4]: (që) të dy, të tre, të katër, të pesë, të dhjetë … etj. Pra, kemi të bëjmë me numërorë themelorë. Por meqë numërorët nga gjashtë deri në dhjetë kanë rrokjen të në fund, në gjuhën e folur ajo shtrihet për analogji edhe te numërorët që nuk e kanë, duke u dhënë kështu këtyre formën e numërorëve rreshtorë. Prandaj sipas rregullave duhet thënë e shkruar, p.sh.: erdhën të dy. të tre, të katër, të pesë (jo të pestë) dhe për gjininë femërore: të dyja, të tria, të katra, të pesa (jo të pesta). Ndryshe nga shembujt e pikave 1–8, ku u trajtuan disa ndërtime e përdorime të shtrembra, që janë përftuar nën ndikimin e gjuhëve të huaja, në këtë pikën e fundit kemi të bëjmë me një dukuri dialektore të Kosovës, që ka gjetur pasqyrim edhe në gjuhën e shkrimit.
10. fjala e shëmtuar siguracion
Po të kërkosh në internet fjalën siguracion, të dalin një mori shembujsh, si: siguracion jete, pune, udhëtimi, makine…; siguracione online; çmimet e siguracioneve, llogaritja e siguracioneve etj. Në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë mund të shikosh tabela a njoftime: Presim siguracione. Siguracione makinash etj. Kjo fjalë u shpif në vitet ’90 të shekullit të kaluar, kur në Shqipëri u lejuan automobilat privatë. Fjala erdhi, bashkë me makinat e para personale, nga Italia. Në Itali sigurimi i makinës dhe çdo sigurim tjetër quhet assicurazzione, ashtu siç quhet insurance (inshurëns) në vendet e gjuhës angleze. Shqiptarët fjalën assicurazzione (shqiptohet: asikuracione) e përshtatën në siguracion: parashtesa a- doli tepër dhe pjesa tjetër u shqiptua me g (sipas siguri) etj. Fjala u kujtua si një lloj “termi teknik” vetëm për sigurimin e automjeteve dhe kështu po përdoret ende. Kështu e thonë edhe deputetë e anëtarë të qeverive. Për fat të mirë nuk ka depërtuar në legjislacion (me sa di unë) dhe në vetë dokumentin që lëshohet kur dikush paguan shumën e siguracionit ose pret siguracionin (shprehje e krijuar sipas pres biletën, faturën etj.) nuk shkruhet siguracion por sigurim. Pra fjala siguracion është një “ndërtim i paligjshëm”, që nuk mund të legalizohet, por duhet shembur. Për fat të keq fjalët “ndërtime të paligjshme” nuk mund të shemben me dinamit! Duhet kohë që njerëzit të binden se është fjalë e gabuar, që dëshmon shkallë të ulët kulture e qytetarie. Por më parë duhet të sqarohen që siguracioni nuk është gjë tjetër veçse sigurim dhe me të merren shoqëritë e sigurimeve (jo të siguracioneve).
11. rikuperoj, rikuperim, spostoj, spostim
Këto fjalë na kanë ardhur nga italishtja fqinje. Gazetarët sportivë në Shqipëri ndikohen shumë nga italishtja e transmetimeve sportive të RAI-t dhe meqë shumë herë qoftë italishten e qoftë shqipen i dinë përgjysmë, kur nuk u vjen ndërmend fjala e njërës gjuhë, përdorin fjalën e gjuhës tjetër.
Në italishte ricuperare ose recuperare do të thotë, së pari, rimarr (në zotërim) diçka që e kisha humbur ose ma kishin marrë; nxjerr shpëtoj (njerëz dhe mallra kur mbytet anija). Për hyrjen e kësaj fjale në gjuhën shqipe besoj se “merita kryesore” i takon shtypit sportiv. Kur një futbollisti ia merr topin kundërshtari dhe ky ia rimerr shpejt, në italishte thuhet rikuperon topin; kur një sportist dëmtohet a sëmuret, bëhen parashikime se sa kohë do të duhet që ky të jetë përsëri i aftë për të luajtur, dhe kjo në italishte quhet periudhë rikuperimi, X.Y. është duke u rikuperuar me shpejtësi…
Prej kuptimit të parë që shpjeguam, del edhe kuptimi i dytë i figurshëm i kësaj fjale: “rifitoj një gjendje fizike, psikologjike, shoqërore etj., që e kisha humbur”, d.m.th. riaftësohem, e (ri)marr veten, rifitoj (shëndetin). Gazetarët sportivë kujtojnë se rikuperohet, rikuperim janë terma teknikë kur është fjala për një lojtar të dëmtuar. Nuk është aspak nevoja të thuhet, p.sh. se sulmuesi .X.Y. rikuperohet për një muaj… ose: sot luan për herë të parë pas rikuperimit. Mund të themi shqip fare bukur: riaftësohet pas një muaji, pas një muaji do të zbresë përsëri në fushën e gjelbër, për riaftësimin e X.Y. do të duhen dy javë etj. Po kështu nuk është aspak nevoja të thuhet rikuperojshëndetin, forcat etj., sepse kjo thuhet fare bukur me fjalët shqipe rimarr ose rifitoj: ka rimarrë (rifituar) forcat, shëndetin, ka rifituar gjendjen fizike që kishte para sëmundjes etj. Herë-herë fjala rikuperoj përdoret me zgjerim kuptimi, por jashtë logjikës, si në shembujt: Për të rikuperuar pasojat e përmbytjeve … dëmet nga tërmeti etj. Rikuperohet diçka që e ke pasur dhe nuk e ke më, pra nuk mund të rikuperohet (d.m.th. të rimerret, të rifitohet) një pasojë a një dëm si të tillë! Në raste si të mësipërmet duhet thënë: … për të kapërcyer, për tç zhdukur, për të eliminuar dëmet, pasojat etj.
Është krejt e gabuar të përdoret folja rikuperohem me kuptimin ‘shërohem’, siç shohim herë-herë në shtyp, në njoftime të tilla si kaq pacientë të shtruar në spital janë rikuperuar … Ai që është shtruar në spital dhe që mposht sëmundjen përmirësohet dhe në fund shërohet. Kështu thuhet shqip!
Edhe fjalët spostoj, spostohem, spostim na kanë ardhur nga matanë detit. Por nuk na duhen aspak, se kemi tonat. Spostoj do të thotë “zhvendos, shtyj lëviz nga vendi, i ndërroj vendin, e çoj a e shtyj pak më tej”. Pse duhet thënë: Spostoje tryezën te dritarja. Spostoje një metër majtas! Spostoje makinën pak përpara …? Si i kemi thënë këto para se të mësonim fjalën e bukur spostoj? Kemi thënë dhe themi: lëvize, çoje, shtyje, zhvendose, ndërroja vendin, … Kështu të themi edhe sot! Fjalët spostoj e spostim po përdoren edhe kur është fjala për caqe kohore, p.sh. spostoj lejen, datën e nisjes, ndeshjen, pushimet, orarin …, por edhe këtu krejt pa nevojë, se kemi thënë dhe themi shqip për bukuri: shtyj lejen, datën e nisjes, ndeshjen, pushimet, ndryshoj orarin etj.
Si përfundim, fjalët rikuperoj, rikuperohem, rikuperim, spostoj, spostohem, spostim janë krejt të panevojshme! Edhe këto janë për t’u marrë me mashë e për t’u qitur jashtë gjuhës shqipe.
Problemet që klasifikohen si të kulturës së gjuhës, janë të shumta në të gjitha fushat e përdorimit të gjuhës shqipe Kjo është e kuptueshme, pasi tradita jonë letrare nuk ka pasur rrjedhën normale dhe dendësinë e nevojshme. Sot në gjithë truallin e gjuhës shqipe në Ballkan dhe kudo ku fitet e shkruhet shqip, vërehet një lloj osmoze gjuhësore: fjalë, shprehje e mënyra të thëni nisin e qarkullojnë ose bëhen të njohura edhe këtej, edhe andej. Përfshihen këtu burrat e shtetit, politikanët profesionistë, deputetët, analistët e politikës, njerëzit e artit. Në mënyrë të veçantë gazetarët e publicistët e zgjerojnë dhe e freskojnë inventarin e mjeteve të tyre gjuhësore. Dhe në këtë mënyrë qarkullojnë edhe “ndotjet gjuhësore”, sidomos kur merren si risi, si mjete për të këndellur stilistikisht ligjërimin. Prandaj duhet treguar kujdes që të ndahet gruri nga egjra!
…………………………………..
[1] Shih: Gramatika e gjuhës shqipe. Vëllimi I Morfologjia. Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Tiranë, 2002, f. 74 v.
[2] Shih edhe “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” (1980) te fjala shtyp-i.
[3] Krahaso edhe Gramatika e gjuhës shqipe … f. 232. Ndonjëherë emri mund të jetë edhe në trajtën e shquar, por në këtë rast ka kuptim përgjithësues: Njeriu i tillë nuk i vlen as familjes, as shoqërisë = Një njeri i tillë ..
[4] Te Gramatika … f. 210 është cilësuar në mënyrë të pasaktë si kuptim përmbledhës.