Shqiptari Ylli Bajraktari në krye të projektit që do të transformojë politikat madhore të SHBA-së
Ish-bosi i kompanisë Google imiton projektin e mendimit politik të kohës së Luftës së Ftohtë përshtatur sipas sfidave të sotme – zgjedh Ylli Bajraktarin “si Henry Kissinger i kohës sonë”
Nga Ruben Avxhiu
Eric Schmidt ka qenë CEO-ja i famshmëm që e bëri kompaninë Google të jetë gjigandi i madh i teknologjisë moderne. Nën drejtimin e tij, Google shndërroi përgjithmonë mënyrën se si kërkojmë informacionin në internet.
Sot, pas një karriere të gjatë në teknologji dhe biznes, Dr. Schmidt e ka hedhur shikimin diku tjetër. Ai është frymëzuar nga miliardieri Nelson Rockefeller që në kulmin e frikës nga një luftë bërthamore mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovietik themeloi në 1956 Projektin e Studimeve Speciale Rockefeller (SSP). Me ndihmën e studiuesit të njohur të kohës në Harvard University, Henry Kissinger, ai afroi në projekt, strategjistët më të mirë dhe njohësit më të thellë të marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave ushtarake, dhe specialistëve bërthamorë. Puna e këtij projekti ishte vendimtar në përcaktimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë amerikane gjatë Luftës së Ftohtë.
Në kohën tonë, kur e ardhmja e botës do të përcaktohet nga fitorja në konkurrencën për inteligjencën artificiale dhe teknologjive të tjera të reja moderne, Dr. Schmidt ka vendosur të bëjë diçka të ngjashme. Ai ka krijuar Projektin Special të Studimeve Speciale (SCSO) që do të rekomandojë strategjitë e politikat vendimtare afatgjata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim.
Për të drejtuar këtë nismë vizionare, ish-bosi i Google-t ka zgjedhur ekspertin shqiptaro-amerikan Ylli Bajraktari që ka punuar në dy administratat e presidentëve Barack Obama dhe Donald Trump dhe së fundi ka qenë figurë kryesore në zyrën e Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Gjeneralit H. R. McMaster.
Historia e tij dhe e vëllait të tij, Ylber Bajraktari, si emigrantë lufte që u ngjitën në shkallët e larta të administratës amerikane është bërë e njohur në shumë gazeta të vendit.
“Jam i nderuar nga kjo mundësi e pabesueshme për të drejtuar Projektin”, tha shefi ekzekutiv (CEO) Bajraktari. “Besoj se ky grup jopartiak do të hapë një rrugë kritike përpara për vendin tonë për të mbrojtur pozitën udhëheqëse globale në teknollogjitë kyçe që do të formojnë të ardhmen tonë”.
Që tani, Dr. Eric Schmidt ka mbledhur një Bord Drejtues me figura të njohura me prejardhje nga të dy partitë politike kryesore amerikane: Robert Work, ish-Zv-Sekretar i Mbrojtjes dhe bashkëkryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale; Nadia Schadlow, ish-Zv- Këshilltare e Sigurisë Kombëtare për Strategjinë; Michèle Flournoy, ish-NënSekretare e Mbrojtjes për Politikat; dhe William McClellan “Mac” Thornberry, ish-kongresist dhe Kryetar i Komitetit për Forcat e Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.
Edhe vetë 97-vjeçari Henry Kissinger, një nga mendimtarët më të shquar të zhvillimeve ndërkombëtare e botërore, ka përshëndetur krijimin e këtij projekti. Ai sot ka më shumë kritikë sesa admirues, për shkak të debateve për kohën kur hyri në politikë si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare dhe pastaj Sekretar Shteti për presidentët Richard Nixon dhe Gerald Ford si dhe për dekadat e fundit ku ka shërbyer si këshiltar, lobist, dhe avokat për regjime, figura, shpesh jodemokratike, për të mos thënë diktatoriale apo anti-perëndimore etj. Mirëpo, pikëpamjet dhe librat e tij në fushën ndërkombëtare nuk e kanë humbur kuriozitetin dhe popullaritetin.
“Sot jemi në një moment historik të ngjashëm”, thotë Kissinger duke kujtuar kohën kur në kulmin e Luftës së Ftohtë krijoi partneritet me republikanin Nelson Rockefeller. “Kemi nevojë për analizë të thellë dhe veprim urgjent përndryshe fatin tonë do të na i përcaktojnë të tjerët fatin. Jam shumë i kënaqur që Eric vendosi të udhëheqë këtë nismë për të ndihmuar vendin tonë për të kuptuar se ku po na çojnë prirjet teknologjike dhe për të përcaktuar veprimet që udhëheqësit tanë duhet të ndërmarrin për të mbrojtur një të ardhme paqësore dhe demokratike”.
Vetë Eric Schmidt foli për fillimet e tij në shkencat kompjuterike duke sjellë në kujtesë se qeveria federale kishte financuar studimet kompjuterike, përfshi edhe punën e tij si student i gradave pasuniversitare në vitet 1970 dhe 1980.
Ai e sheh këtë angazhim të ri si një kthim borxhi që i ka qeverisë amerikane dhe Shteteve të Bashkuara. Pesë vjet më parë u ftua të shërbejë në Bordin e Inovacioneve të Mbrojtjes në Departamentin e Mbrojtjes, kurse tre vjet më parë Kongresi e vuri në krye të Komisionit të Sigurisë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale.
“Të dy këto poste më bindën se SHBA ka nevojë për të menduar, organizuar dhe konkurruar në rrugë të reja domethënëse. Asnjë komb serioz nuk mund të injorojë impaktet e teknologjive të reja në të gjitha aspektet e jetës sonë kombëtare. Qeveria jonë nuk mund të jetë një aktor pasiv, por ka nevojë për ndihmë. Për këtë arsye”, tha ish-bosi i kompanisë Google, “e themelova SCSP-në që të studjojë këto çështje kritike së bashku me miqtë dhe kolegët e mi – Bob, Michèle, Nadia, Mac ‐‐ të cilët i respektoj jashtëzakonisht. Dhe nuk mund të mendoj asnjë tjetër më të saktë për të udhëhequr këtë nismë në emrin tonë sesa Ylli Bajraktarin, dhe ai është duke ndërtuar një ekip të klasit botëror për t’u përballur me këto sfida”.
Asnjë shqiptar i Amerikës nuk ka qenë ndonjëherë në një pozitë kaq kyç dhe të rëndësishme në histori. Ne krenohemi me figura si Ferid Muradi, Wilson Kokalari etj, por në sferën e shërbimit publik, sidomos në një fushë që mund të përcaktojë të ardhmen e kombit amerikan, nuk ka pasur ndonjë figurë kaq të madhe shqiptare. Pa dyshim jo në një moshë kaq të re dhe jo kaq të lidhur me rrënjët shqiptare e produkt i historisë sonë kombëtare të kohëve të fundit. Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe të politikës së jashtme amerikane për fatin e kombit tonë, kjo pozitë e fuqishme e Ylli Bajraktarit merr edhe më shumë rëndësi. Ky sukses kaq i shpejtë në sferat më të larta të vendimeve madhore amerikane të bën vërtet të mendosh se ky i ri shqiptaro-amerikan do të lërë gjurmë të rëndësishme në histori.
(Fotografi e Ylli Bajraktarit dërguar gazetës “Illyria” nga Projekti i sapo themeluar nga Dr. Eric Schmidt)
Please follow and like us: