Albspirit

Media/News/Publishing

Arqile Garo: Në përvjetorin e vdekjes së poetit, Edgar Alan Poe

Edgar Alan Poe: ANNABEL LI

Shumë vite e shumë kohë më parë,

në një bregdet gjithë bukuri,

një vajzë na ish porsi lastar,

emrin e kish Annabel Li,

më dashuronte si e marrë,

e doja unë me çmenduri.

 

E vogël ish e unë fëmijë,

n’ atë bregdet plot bukuri,

por duheshim sa për njëmijë,

unë dhe e imja Annabel Li

vetë Zoti me ëngjëjt e tij,

lakmonin atë dashuri.

 

Them për këtë, me siguri,

n’ atë të bukurin bregdet,

fryu një erë e një stuhi,

një re e zezë, një kiamet,

fisniken time Annabel Li,

ma mbyllën thellë në varr të shkretë,

mbeta i vetëm në vetmi,

n’ atë shkreti, n’ atë bregdet.

 

Ëngjëjt nga qiejt na vunë synë

edhe zilinë s’ e fshehën dot,

erdhën ma morën dashurinë,

n’ atë bregdet njomur me lot,

dërguan ngricë e suferinë,

e më lanë vetëm përmbi botë.

 

Veç ishte dashuria jonë,

si asnjë tjetër dashuri,

mbi tokë s’ e kishte parë njeri,

ndaj serafimët qiellorë,

tok me demonin më të zi,

s’ ma shqitën dot nga shpirt’ i gjorë,

të bukurën Annabel Li.

 

Pse hënë e zbehtë më vjen në gjumë,

në ëndërr, si Annabel Li

dhe yjet e ndriçojnë më shumë,

të bukurën Annabel Li.

 

Ndaj unë kaloj netët i shtrirë

pranë vajzës sime në rrëpirë,

pranë varrit që deti e lan,

ku dallga vjen, shpërthen dhe qan.

 

 

Shqipëroi: Arqile Garo.
Please follow and like us: