Ilir Levonja: Liderët tanë dhe Europa
Po të shikosh fejsbukun e Edi Ramës dhe Albin Kurtit, për këtë samitin e 6 tetorit 2021 në Bërdo të Sllovenisë, ka me shumicë foto me personalitet e Europës. Por si ke njëri si ke tjetri, nuk gjen një foto të përbashkët. Apo çaste të përbashkëta ku liderët e shqiptarëve përpara se t’u mburren po shqiptarëve për xhestet e kortezitë karshi iks shefi a kancelari, le t’u ngrohin atyre shpirtrat. Çfarë i tundon liderët tanë të bëjnë një foto bashkë? Sikur një? Ta bëjnë për shqiptarët kudo ku janë, ashtu edhe për të huajt. Çfarë i tundon ata që të rrinë krah për krah njëri-tjetrit kur bëjnë foton përmbyllëse të një samiti? Se, mirë të huajt nuk na njohin, nuk na duan bashkë, po këta përse nuk i afrohen njëri-tjetrit? Ashtu si gjaku-gjakut? Përgjigja është e thjeshtë, jemi të ndarë. Jemi larg mendësisë për të qënë bashkë. Ata që hiqen se do shërojnë plagët e kombit janë në fakt ca dështakë të tij. Si tek njëri edhe tek tjetri gjen dy fjalime me nuanca të theksuara a dominante të unit. Një foto a një kolazh kohe e përbashkët do i ndihmonte më shumë shqiptarët se fjalimet plot arrogancë të Edi Ramës. A ligjërat shpjeguese për ”arritjet” madhore të Albin Kurtit në dyqind ditë qeverisje. Se si foli Edi Rama karshi shefave të Europës, është një pyetje naive që u shkon për shtat salloneve të Tiranës. Një mendësi joshëse nga koha e Enver Hoxhës, ku njerëzit mund t’i dominosh për dekada me llafe bosh pavarsisht resultave bajate të ekonomisë së tregut. Kësisoj kur Edi Rama i kërkon llogari Europës, një pjesë e shqiptarëve eksitohet, janë gati të thërrasin bravo baba. Kurrë nuk e kuptuam se karshi të mirave që na ka dhënë Zoti, përse mbetëm lypsarë? Jemi të vetmit që i kërkojmë llogari Europës, se përse nuk na jep? Nga ana tjetër, pyesni veten se, kujt i duhet Europa, Edi Ramës apo juve? Shqiptarët vet kanë kohë që janë futur në Europë, e kemi thënë, jemi mbi 40% e popullatës jashtë. Ajo që nuk është në Europë, është qeveria, apo qeveritë. Vetë shqiptarët kanë kohë që janë pjesë e Unionit. Madje kanë edhe dëshmorët e tyre, se lanë kockat maleve, u mbytën detit, por tek ne njihen vetëm dëshmorët e partisë. Në fakt ishin dy shtetarë lypsa. Megjithëse në analet pasurive kombëtare e kemi listën me bollëk, jo si Hollanda, një vend nën nivelin e detit, kënetë. Jemi akoa pa liri, pa ekonomi, pa ushtri etj. Jemi thjesht ca lypsarë llogari kërkues. Kurse Hollanda një fuqi ekonomike që ka lënë pas edhe Rusinë. Mund të bëjmë foto sa të duam, pasi e kemi në gjak…, foto me Xhorxh Bushin, Obamën, Donald Trampin etj. Japin vota unit. Ju kujtohet, shumica jonë pikohej nga fotot e Enverit me Stalinin. Madje kjo fotoja Edi Ramës me Obamën, ka edhe viktima. Ai quhet William Argero një ndërmjetësues fondesh në fushatën e Barack Obamës 2012. Mori ca para nga Edi Rama, thjesht për një foto me Obamën. Megjithatë shqiptarët kurrë nuk i kërkuan llogari Edi Ramës. Madje as nuk e kanë ndërmend pavarsisht se ai, i ka bërë lypsarë. Dy liderë që kontribuojnë për unin. Në fakt, lum kush e kupton se, foto që do na fuste në Europë është ajo mes vedit, mes liderëve tanë. Madje do ishte Europa ajo që do priste tek dera, jo ne.
Please follow and like us: