Albspirit

Media/News/Publishing

Geron Kamberi: Si lindi çmimi Nobel nga një nekrologji false në një gazetë franceze?

SI LINDI ÇMIMI NOBEL NGA NJË “NEKROLOGJI E PARAKOHSHME” E ALFRED NOBELIT NË NJË GAZETË FRANCEZE?

Çdo tetor e gjithë bota e drejton vëmendjen nga Stokholmi e Oslo ku bëhet publikimi i laureatëve të çmimeve Nobel. Përtej kërshërisë e kuriozitetit është interesante të mësosh sesi nisi historia e këtij çmimi, që sot është bërë pikë referimi për botën e shkencës, ekonomisë, letërsisë e paqes…

 

ÇFARË JANË ÇMIMET NOBEL

Çmimi Nobel përbëhet nga pesë çmime të veçanta që, sipas testamentit të Sir Alfred Nobel (21.10.1833- 23.12.1896) të 27 Nëntorit 1895, u jepen çdo vit “atyre individëve nga veprimtaria e të cilëve gjatë një viti më parë njerëzimi ka patur përfitimin më të madh” (those who, during the preceding year, have conferred the greatest benefit to humankind). Çmimet Nobel jepen në fushat e Fizikës, Kimisë, Mjekësisë, Letërsisë dhe për kontribute të veçanta në vendosjen e Paqes në botë. Alfred Nobeli (21.10.1833- 23.12.1896) e karakterizoi Çmimin Nobel për Paqe si mirënjohje “për atë person që ka bërë më shumë ose më mirë për të nxitur miqësinë midis kombeve, për të hequr ose pakësuar pozitën e ushtrisë, si edhe krijimin e promovimin e kongreseve të paqes” (to the person who has done the most or best to advance fellowship among nations, the abolition or reduction of standing armies, and the establishment and promotion of peace congresses). Ndërkohë në 17 Shtator 1968, Banka Qëndrore e Suedisë (Sveriges Riksbank) krijoi Çmimin në Shkencat Ekonomike në kujtim të Sir Alfred Nobel, themeluesit të Çmimit Nobel me rastin e 300-vjetorit të themelimit të saj. Çmimet Nobel konsiderohen gjerësisht si çmimet më prestigjioze ekzistuese në fushat e tyre përkatëse. Alfred Nobel ishte një kimist, inxhinier dhe industrialist suedez i njohur më së shumti për shpikjen e dinamitit që vdiq në 23 Dhjetor 1896. Në testamentin e tij të 27 Nëntorit 1895, ai la amanet që të gjitha “pasuritë e tij të mbetura” (remaining realisable assets) të përdoreshin për të realizuar pesë çmime të cilat u bënë të njohura si “Çmimet Nobel”. Çmimet Nobel kanë një traditë 120-vjeçare dhe Çmimi i parë Nobel u dha për herë të parë në vitin 1901. Njoftimet e shpalljes së fituesve të Çmimeve Nobel zhvillohen çdo vit në muajin Tetor, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve zhvillohet çdo datë me10 Dhjetor me rastin e përvjetorit të vdekjes së Alfred Nobel. Çdo individ që fiton këtë çmim, njihet me emrin “laureat”. Fjala laureat e ka prejardhjen nga latinishtja lauris (dafinë) dhe do të thotë një person që mban mbi kokë një dafinë. Në Greqinë e Lashtë dafina ishte një bimë e shenjtë për perëndinë greke Apollonin, perëndesha e muzikës dhe artit e të vërtetës dhe si e tillë, degëzat e saj përdoreshin për të bërë kurora për të nderuar poetët dhe heronjtë. Kjo simbolikë ka qenë e përhapur që atëherë dhe në Itali për studentët kur përfundojnë studimet universitare (italisht: diploma di laurea ose laurea triennale) u vendoset mbi kokë një kurorë dafine që do të thotë se janë laureuar (dafinizuar=diplomuar!) Çdo individ fitues i çmimit Nobel merr një medalje ari, një diplomë dhe një çmim monetar. Çmimi monetar është 10,000,000 korona suedeze( SEK), që konvertohet në 1,145,000 dollarë amerikanë, ose 968,000 euro. Një çmim nuk mund të ndahet midis më shumë se tre individëve, megjithëse Çmimi Nobel për Paqen mund t’i jepet organizatave që kanë më shumë se tre persona. Edhe pse Çmimet Nobel nuk jepen pas vdekjes, nëse një personi i jepet një çmim dhe vdes para se ta marrë në ceremoninë përkatësë atëherë mund t’i jepet ky çmim. Çmimet Nobel në Fizikë, Kimi, Mjekësi e Paqe kanë filluar që të jepen që vitin 1901, ndërsa Çmimi Nobel Memorial në Shkencat Ekonomike, ka filluar të jepet duke filluar që nga viti 1969. Deri në vitin 2021, gjatë 120 viteve çmimi Nobel është dhënë 603 herë ku e kanë marrë 962 persona dhe 25 organizata. Ndërkohë katër individë kanë marrë më shumë se një Çmim Nobel.

 

KUSH ËSHTË ALFRED NOBEL (21.10.1833- 23.12.1896), KRIJUESI I ÇMIMIT NOBEL

 

Alfred Nobel lindi më 21 tetor 1833 në Stokholm, Suedi, në një familje inxhinierësh. Eksperienca e tij profesonale ishte e lidhur me faktin se gjatë jetës së tij ai ushtroi profesionin e kimistit, inxhinierit dhe shpikësit. Në vitin 1894, Nobel bleu fabrikën e hekurit dhe çelikut Bofors në rajonin e Karlskogës në Suedi, duke e bërë këtë fabrikë, prodhuesen më të madhe të armëve. Nobeli grumbulloi një pasuri të madhe gjatë jetës së tij dhe pjesa më e madhe e kësaj pasurie vinte nga 355 shpikjet e tij, nga të cilat dinamiti është më i famshmi. Në 12 Prill 1888, Nobeli u habit kur lexoi në një gazetë franceze “nekrologjinë e tij të parakohshme” të titulluar ‘Tregtari i vdekjes ka vdekur’ (Le marchand de la mort est mort). Në fakt titulli i gazetës kishte qenë një ngatërresë e gazetarit francez, pasi në fakt kishte qenë vëllai i tij, inxhinieri i naftës dhe humanisti Ludvig Nobel (27.07.1831-12.04.1888) ai që kishte vdekur gjatë një udhëtimi në Kanë të Francës. Artikulli e shqetësoi Nobelin dhe filloi të ndjente një mërzi brenda vetes se si do të mbahej mend pas vdekjes. Kjo e frymëzoi atë të shkruante testamentin e tij. Më 10 Dhjetor 1896, Alfred Nobel vdiq nga një hemoragji cerebrale në vilën e tij në San Remo, Itali, në moshën 63 vjeç. Nobeli shkroi disa testamente gjatë jetës së tij, ndërkohë që testamentin e fundit e nënshkroi një vit para se të vdiste, në Klubin Suedezo -Norvegjez (Swedish–Norwegian Club) në Paris më 27 Nëntor 1895. Në këtë testament Nobeli shprehu vullnetin që 94% e pasurisë së tij të atëhershme që vlerësohej në 31 milionë korona suedeze (SEK) (186 milionë dollarë amerikanë apo 150 milionë euro me vlerën e sotme), të përdorej për të krijuar pesë Çmimet Nobel. Duke qenë se në periudhën kur hartoi testamin e tij, mbretëria e Suedisë dhe Norvegjisë ishin të bashkuara në atë që quhet Unioni Suedo- Norvegjez (Svensk-Norska Unionen, një bashkim politik mes dy vendeve që zgjati 91 vjet, nga 17 Maj 1814- 07 Qershor 1905, ku të dy mbretëritë qeveriseshin nga një monark i vetëm dhe kishin një politikë të jashtme, por kishin qeveri, parlamente e kushtetuta të ndryshme). Parlamenti norvegjez (Storting) nuk e miratoi deri më 26 Prill 1897 të drejtën e Alfred Nobelit për të krijuar këtë çmim. Më pas zbatuesit e këtij testamenti që ishin inxhinieri kimist suedez Ragnar Sohlman (26.02.1870-09.07.1948) dhe inxhinieri Rudolf Lilljeqqvist (06.09.1855-12.07.1930) formuan Fondacionin Nobel për t’u kujdesur për pasurinë dhe për të organizuar dhënien e çmimeve. Pasi u miratua e drejta e Alfted Nobelit për të dhënë çmimin Nobel, në bazë të udhëzimeve të tij në 26 Prill 1897 u caktua Komitet Norvegjez Nobel për dhënien e Çmimit të Paqes, anëtarët e të cilit u miratuan menjëherë. Më pas u përcaktuan organizatat e tjera që do të jepnin çmimet Nobel. Për çmimin Nobel në Mjekësi, në 7 Qershor 1897 u caktua ta jepte Instituti Karolinska (Karolinska Institutet); për çmimin Nobel në Letërsi, në 9 Qershor 1897 u caktua ta jepte Akademia Suedeze (Svenska Akademien); ndërsa për çmimin Nobel në fizikë dhe kimi më 11 Qershor 1897 u caktua ta jepte Akademia Mbretërore e Shkenacve të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien).

 

PËRSE PESË ÇMIMET NOBEL (FIZIKË, KIMI, MJEKËSI, LETËRSI, EKONOMI) JEPEN NË SUEDI- STOKLHOLM, NDËRSA ÇMIMI NOBEL PËR PAQE JEPET NË NORVEGJI (OSLO)

 

Përgjatë një periudhe gati 100-vjeçare, 17 Maj 1814- 07 Qershor 1905, mbretëritë e Suedisë e Norvegjisë bashkëjetuan në një strukturë që njihet në historinë e këtyre vendeve si Unioni Suedezo-Norvegjez (Svensk-Norska Unionen). Në këtë kuadër kur inxhinieri dhe industrialisti Alfred Nobel (21.10.1833- 23.12.1896) vendosi me nënshkrimin e testamentit të 27 Nëntorit 1895 që të krijonte Çmimin Nobel që përbëhet nga pesë çmime të veçanta (Fizikë, Kimi, Mjekësi, Letërsi e Paqe), kjo periudhë përkonte me ekzistencën politike të Unioni Suedezo-Norvegjez (Svensk-Norska Unionen). Kur në 07 Qershor 1905 Unioni Suedezo- Norvegjez (Svensk-Norska Unionen) u shpërbë në mënyrë paqësore, kjo nënkuptonte se përgjegjësia për dhënien e Çmimeve Nobel u nda midis dy vendeve. Në këtë mënyrë Komiteti Nobel i Norvegjisë u bë institucioni që do të jepte Çmimin Nobel të Paqes, ndërsa Suedia dhe institucionet e saj si Instituti Karolinska (Karolinska Institutet), Akademia Suedeze (Svenska Akademien) dhe Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien) do të jepnin katër çmimet e tjera Nobel (Mjekësi, Letërsi, Fizikë dhe Kimi). Ndërsa Çmimi Nobel Memorial në Shkencat Ekonomike ishte një çmim që nuk ishte pjesë e testamentit të 27 Nëntorit 1895 të Alfred Nobelit, por një çmim që u krijua për nder të tij më 17 Shtator 1968 nga Banka Kombëtare e Suedisë (Sveriges RiskBanka) me rastin e 300-vjetorit të krijimit të kësaj banke.

 

CILI ËSHTË ROLI I FONDACIONIT NOBEL PËR DHËNIEN E ÇMIMEVE

 

Fondacioni Nobel u themelua si një organizatë private më 29 Qershor 1900 për të menaxhuar posaçërisht financat dhe administrimin e Çmimeve Nobel. Fondacioni Nobel arriti një marrëveshje mbi udhëzimet se si duhet të jepeshin çmimet dhe, në vitin 1900, statutet e Fondacionit Nobel u miratuan rishtaz nga Mbreti suedez Oskar II (21.01.1829-08.12.1907). Në përputhje me vullnetin e testamentin e Alfred Nobelit, detyra kryesore e fondacionit është të menaxhojë pasurinë që Nobeli la pas tij në një fond të posaçëm. Ndërkohë një detyrë tjetër e rëndësishme e fondacionit është të përfaqësojë Çmimin Nobel në botën e jashtme dhe të marrë përgjegjësinë për aktivitetet dhe çështjet joformale që lidhen me dhënien e Çmimeve Nobel. Duhet thënë se Fondacioni Nobel nuk përfshihet në asnjë mënyrë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që marrin çmimin Nobel. Në shumë mënyra, Fondacioni Nobel është i ngjashëm me një kompani investimesh, pra një organizatë që investon para në mënyra të ndryshme për të krijuar një bazë solide financimi për çmimin Nobel dhe aktivitetet administrative. Për shkak të aktivitetit të tij filantropik Fondacioni Nobel është i përjashtuar nga të gjitha taksat në Suedi që prej vitit 1946 ashtu sikurse që nga viti 1953 është përjashtuar edhe nga taksat e investimeve në Shtetet e Bashkuara. Sipas statutit, Fondacioni Nobel duhet të përbëhet nga një Bord që është i vendosur me seli në Stokholm dhe të përbëhet nga pesë burra. Kryetari i Bordit të Fondacionit Nobel duhet të emërohet nga Mbreti suedez në Këshillin e Shtetit (Konungen i Statsrådet), një strukturë këshilluese pranë mbretit. Ndërkohë katër anëtarët e tjerë të Bordit të Fondacionit Nobel duhet të emërohen nga anëtarët e bordeve të institucioneve që japin çmimet Nobel si Instituti Karolinska (Karolinska Institutet), Akademia Suedeze (Svenska Akademien) dhe Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien). Detyra e parë e Bordit është që të zgjedhë Drejtor Ekzekutiv nga anëtarët e bordit. Ndërkohë zëvendës drejtori emërohet nga Mbreti suedez në Këshillin e Shtetit (Konungen i Statsrådet) dhe dy zëvendës drejtorët e tjerë emërohen nga anëtarët e tjerë. Sidoqoftë, që nga viti 1995 të gjithë anëtarët e bordit janë zgjedhur nga anëtarët e bordeve të institucioneve që japin çmimet Nobel, ndërsa Drejtori Ekzekutiv dhe Zëvendës Drejtori emërohen nga vetë bordi. Përveç bordit, Fondacioni Nobel përbëhet nga institucionet që e japin këtë çmim siç janë Instituti Karolinska (Karolinska Institutet), Akademia Suedeze (Svenska Akademien) dhe Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien). Në vitin 1965, Fondacioni filloi Simpoziumet Nobel (Nobel Simposia), një program që organizonte simpoziume “kushtuar fushave të shkencës lidhur me përparimet qe po ndodhnin në të gjithë botën ose merreshin me tema të tjera me rëndësi parësore kulturore ose shoqërore”. Simpoziumet kanë mbuluar tema të tilla si prostaglandinat, kinetika kimike, diabeti mellitus, teoria e fijeve, kozmologjia dhe Lufta e Ftohtë në vitet 1980. Komiteti i Simpoziumit Nobel përbëhet nga anëtarë të Komiteteve të Çmimeve Nobel në Kimi, Fizikë, Mjekësi, Letërsi dhe Paqe, Komiteti i Çmimeve Nobel Memorial për Ekonominë, Fondacioni i Bankës Qëndrore të Suedisë dhe Fondacioni Wallenberg, një fondacion suedez për studime në fushën e natyrës, teknologjisë e mjekësisë krijuar më 23 Tetor 1917 nga bankieri e politikani suedez Knut Agathon Wallenebeg (19.05.1853-01.06.1938) dhe bashkëshortja e tij Allice.

Në vitin 2007, gjatë një TedEx, Shoqata e Bamirësisë së Nobelit (Nobel Charitable Trust) , e themeluar nga pasardhës të Alfred Nobelit si Michael Nobel, Gustaf Nobel, Peter Nobel dhe Philip Nobel, njoftuan planet e e e tyre për të krijuar një çmim të ri Nobel, të quajt Çmimi Michael Nobel për Energjinë (Michael Nobel Energy Award), që do të ofronte risi në teknologjinë e energjisë alternative. Ky do të ishte çmimi i parë i ri Nobel i vendosur nga familja Nobel që kur Alfred Nobel krijoi çmimet e tij. Sidoqoftë, ky çmim do të jepej nga Shoqata e Bamërisë së Nobelit (Nobel Charitable Trust) dhe jo nga Fondacioni Nobel, megjithëse të dyja janë organizata të themeluara nga familja Nobel. Fondacioni Nobel reagoi shpejt duke kërcënuar se do të ndërmerrte veprime ligjore për “keqpërdorim të qartë të reputacionit dhe vullnetit të mirë të Çmimit Nobel”. Drejtori i Fondacionit Nobel, Michael Sohlman dhe kreu i zgjedhur i familjes Nobel nuk e miratuan institucionin e të ashtuquajturit ‘Dr. Çmimi Michael Nobel’ si dhe Shoqatën e Bamërisë së Nobelit (Nobel Charitable Trust-NCT) dhe Shoqata Mirëbërese të Familjes Nobel (Nobel Family Benevolent Society).

 

ÇFARË JANË KOMITETET E ÇMIMIT NOBEL

 

Komiteti Nobel është një strukturë përgjegjëse e cila realizon shumicën e punës lidhur me përzgjedhjen e laureatëve të Çmimit Nobel. Janë pesë Komitete Nobel, një për secilin Çmim Nobel. Në këtë, mënyrë kemi katër Komitetet Nobel që gjenden në Stokholm të Suedisë:

1) Komitetin e Nobelit për çmimin Nobel në Mjekësi në Institutin Karolinska (Karolinska Institutet).

2) Komitetin e Nobelit për çmimin Nobel në Letërsi në Akademinë Suedeze (Svenska Akademien).

3) Komitetin e Nobelit për çmimin Nobel në fizikë dhe kimi në Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien). Të katër Komitetet Nobel propozojnë vetëm laureatë, ndërsa vendimi përfundimtar merret në një asamble më të madhe. Kjo asamble përbëhet nga të gjitha akademitë për çmimet Nobel në fizikë, kimi dhe letërsi, si dhe 50 anëtarët e Asamblesë Nobel në Institutin Karolinska (Karolinska Institutet) për çmimin në mjekësi. Ndërsa Komiteti i pestë Nobel, që ndodhet në Oslo, është Komiteti Norvegjez Nobel, përgjegjës për Çmimin Nobel për Paqen. Ky komitet ka një status të ndryshëm pasi është njëkohësisht struktura dhe organi që vendos për këtë çmim. Edhe Komiteti për Çmimin Nobel Memorial në shkencat ekonomike, që nuk jepet nga Fondacioni Nobel, por nga Banka Qëndrore e Suedisë (Sveriges Riskbanka), ndodhet pranë Akademisë Mbretërore e Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien). Procesi i nonimit për laureatët e çmimit Nobelit fillon kur secili Komitet Nobel u dërgon një formular në muajin Shtator, një vit para se të shpallet çmimi, rreth 3,000 individëve që janë përgjithësisht akademikë të shquar që punojnë në një fushë të caktuar. Përsa i përket nominimeve për Çmimin Nobel të Paqes, formularët u dërgohen edhe qeverive, ish -laureatëve të Çmimit Nobel të Paqes, anëtarëve aktualë ose ish–anëtarëve të Komitetit Norvegjez të Nobelit. Afati i fundit për kthimin e formularëve të nominimit është data 31 Janari e vitit kalendarik kur do të jepet ky çmim (psh formularët për nominim dërgohen në Shtator 2020 e dërgohen në 31 Janar 2021). Komiteti Nobel i çdo fushe emëron rreth 300 laureatë të mundshëm nga këto formularë ashtu edhe emra shtesë. Të nominuarit nuk bëhen publikë dhe as nuk njoftohen se kandidatura e tyre po shqyrtohet për të marrë çmimin Nobel. Të gjitha diskutimet e regjistruara për nominimin e një laureati për çmimin Nobel arkivohen për 50 vjet nga dhënia e çmimit. Përzgjedhja e tyre bëhet nga Komiteti Nobel i çdo fushe pasi përgatit një raport ku pasqyron mendimet e ekspertëve në fushat përkatëse. Ky raport së bashku me listën e kandidatëve paraprakë, u paraqitet institucioneve që japin çmimet Nobel siç janë Instituti Karolinska (Karolinska Institutet) për çmimin Nobel në Mjekësi; Akademia Suedeze (Svenska Akademien) për çmimin Nobel në Letërsi; Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien). për çmimin Nobel në fizikë dhe kimi. Këto institucione mblidhen për të zgjedhur laureatin ose laureatët në secilën fushë me shumicë votash. Vendimi i tyre, i cili nuk mund të apelohet shpallet menjëherë pas votimit. Maksimumi mund të zgjidhen tre laureatë dhe dy vepra të ndryshme për çmim. Me përjashtim të Çmimit të Paqes, i cili mund t’u jepet institucioneve, çmimet e tjera Nobel të Paqes mund t’u jepen vetëm individëve.

Sipas traditës së Çmimit Nobel, ai nuk e parashikon procedurën e dhënies së Çmimit Nobel pas vdekjes. Megjithatë ka patur individë fitues të Çmimit Nobel që kanë ndërruar jetë në muajt midis nominimit të tyre dhe vendimit të Komitetit Nobel dhe kanë patur të drejtë ta merrnin çmimin. Kjo ka ndodhur dy herë: Në rastin e Çmimit Nobel për Letërsinë të vitit 1931 që iu dha shkrimtarit e poetit suedez Erik Axel Karlfeldt (20.07.1864-08.04.1931) dhe Çmimi Nobel i Paqes i vitit 1961 i është dhënë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB -së ekonomistit e diplomatit suedez Dag Hammarskjöld (29.07.1905-18.09.1961). Që nga viti 1974, kjo praktikë nuk ekziston më dhe tashmë laureatët e Çmimit Nobel duhet të jenë të gjallë në kohën e shpalljes së Çmimeve Nobel, në muajin Tetor të çdo viti. Testamenti i Alfred Nobelit të 27 Nëntorit 1895 që krijoi çmimet Nobel parashikoi dhënien e çmimeve në shenjë mirënjohjhe ndaj individëve që kishin zbulime të rëndësishme “gjatë vitit parardhës”. Por disa nga ato zbulime nuk rezultuan të suksesshme. Për shembull, mjekut danez Johannes Fibiger 8 23.04.1867-30.01.1928) iu dha Çmimi Nobel në Mjekësi në vitin 19126 për zbulimin e tij të supozuar të një paraziti që shkaktonte kancer. Për të shmangur përsëritjen e këtyre probleme Çmimet Nobel njohën gjithnjë e më shumë ato zbulimet shkencore që i kishin rezistuar kohës. Sipas Ralf Pettersson, ish-kryetar i Komitetit të Çmimit Nobel për Mjekësi, “kriteri në vitin paraardhës interpretohet nga Asambleja Nobel si viti kur është bërë i qartë ndikimi dhe pesha e rëndësishme që ka patur ky zbulim”.

 

SI JEPEN ÇMIMET N0BEL NË LETËRSI, FIZIKË, KIMI, MJEKËSI, PAQE DHE EKONOMI

 

Çmimi Nobel në Letërsi jepet nga Akademinë Suedeze (Svenska Akademien).

Çdo vit, Akademia Suedeze (Svenska Akademien) dërgon kërkesa për nominimin e kandidatëve për Çmimin Nobel në Letërsi anëtarëve të Akademisë, shoqatave të letërsisë, profesorëve te letërsisë dhe gjuhës, ish –fituesve të Çmimit Nobelit në letërsi dhe presidentëve të organizatave të shkrimtarëve, të cilit lejohen të propozojnë të gjithë nga një kandidat. Mijëra kërkesa dërgohen çdo vit dhe propozimet nga institucionet e mësipërme duhet të pranohen nga Akademia deri më 1 Shkurt, pas së cilës ato shqyrtohen nga Komiteti Nobel. Deri në Prill, Akademia ngushton fushën për rreth njëzet kandidatë. Deri në Maj, një listë e shkurtër me pesë emra miratohet nga Komiteti i Çmimit Nobel për Letërsi. Katër muajt e ardhshëm shpenzohen për leximin dhe analizën e veprave të pesë kandidatëve. Në Tetor, anëtarët e asamblesë së Akademisë Suedeze (Svenska Akademien) votojnë dhe kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave (51 %) konsiderohet fitues i Çmimit Nobel në Letërsi. Askush nuk mund të marrë çmimin pa qenë në listën e të nominuarve të paktën dy herë. Në këtë mënyrë shumë autorë rishfaqen dhe rishqyrtohen në mënyrë të përsëritur gjatë disa viteve. Akademia ka njohuri për trembëdhjetë gjuhë, por kur përzgjidhet një kandidat nga një gjuhë e panjohur [nevojitet sqarim], ata u bëjnë thirrje përkthyesve dhe ekspertëve të betuar që të japin mostra të atij shkrimtari. Elementë të tjerë të procesit janë të ngjashëm me ato të Çmimeve të tjera Nobel. Anëtarët e Komitetit Nobel në Letërsi përbëhen nga një komitet 18 anëtarësh të cilët zgjidhen përjetë dhe deri në vitin 2018 nuk lejohen teknikisht të largohen. Më 2 Maj 2018, Mbreti Carl XVI Gustaf ndryshoi rregullat e akademisë dhe bëri të mundur që anëtarët të jepnin dorëheqjen. Rregullat e reja gjithashtu thonë se një anëtari që ka qenë joaktiv në punën e akademisë për më shumë se dy vjet mund t’i kërkohet të japë dorëheqjen. Çmimi zakonisht shpallet në muajin Tetor të çdo viti. Ndonjëherë, megjithatë, çmimi është shpallur një vit pas vitit nominal, rasti i fundit i tillë është çmimi 2018. Në mes të polemikave rreth pretendimeve për ngacmime seksuale, konflikt interesi dhe dorëheqje nga zyrtarët, më 4 Maj 2018, Akademia Suedeze (Svenska Akademien) njoftoi se fituesi i vitit 2018 do të shpallet në vitin 2019 së bashku me laureatin e vitit 2019.

Çmimi Nobel në Fizikë jepet nga Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien) Për të dhënë këtë çmim përzgjidhen një maksimum prej tre laureatësh Nobel dhe dy vepra të ndryshme Krahasuar me Çmimet e tjera Nobel të tjera, procesi i nominimit dhe përzgjedhjes për Çmimin Nobel në Fizikë është i gjatë dhe rigoroz. Kjo është një nga arsyet kryesore pse është rritur rëndësia e tij me kalimin e viteve duke u bërë çmimi më i rëndësishëm në Fizikë. Laureatët (fituesit) e këtij çmimi përzgjidhen nga Komiteti Nobel për Fizikën, një Komitet që përbëhet nga pesë anëtarë të zgjedhur nga Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien). Gjatë fazës së parë që fillon në Shtator (një vit para shpalljes së fituesit) një grupi prej rreth 3,000 individëve që janë profesorë të përzgjedhur nga universitete të ndryshme , ish- laureate Çmimit Nobel në Fizikë dhe Kimi, dhe personalitëeteve të tjera shkencore në këtë fushë u dërgohen formulare konfidenciale nga Komiteti në mënyrë që ata të nominojnë individë të ndryshëm për këtë çmim. Formularët e plotësuar duhet të mbërrijnë në Komitetin Nobel për Fizikën deri më 31 Janar të vitit kur do të jepet ky çmim. Të nominuarit shqyrtohen dhe diskutohen nga ekspertët dhe përzgjidhet një listë me afërsisht 15 emra. Komiteti Nobel për Fizikën i paraqet një raport Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien) duke bërë rekomandime mbi kandidatët finalë që e meritojnë këtë çmim. Akademia pastaj bën përzgjedhjen përfundimtare të kandidatëve fitues të Çmimit Nobel në Fizikë me shumicë votash. Emrat e të nominuarve për Çmimin Nobel në Fizikë nuk shpallen kurrë publikisht dhe as nuk u bëhet e ditur këtyrë individëve se janë përzgjedhur për jëtë çmim derisa atë merret vendim përfundimtar. Diskutimet në Komitetin Nobel për Fizikën arkivohen dhe nominimet për këtë çmim pas vdekjes së shkencëtarit fizikan nuk lejohen. Rregullat për Çmimin Nobel në Fizikë kërkojnë që rëndësia e zbulimit është “testuar me kalimin e kohës”. Në praktikë, kjo do të thotë që vonesa midis zbulimit dhe dhënies së Çmimit Nobel në Fizikë është zakonisht një periudhë prej 20 vjetësh dhe mund të jetë shumë më e gjatë. Për shembull, Çmimi Nobel në Fizikë 1983 u nda më dysh me astrofizikantin indiano-amerikan Subrahmanyan Chandrasekhar (19.10.1910-21.08.1995) për punën e tij në strukturën dhe evolucionin yjor që kishte bërë gjatë viteve 1930. Një nga aspektet “negative” të këtij çmimi tregon se jo të gjithë shkencëtarëte fizikantët mund jetojnë aq gjatë në mënyrë që puna e zbulimet e tyre të njihem. Si rrjedhojë disa prej zbulimeve të rëndësishme shkencore nuk merren kurrë në konsideratë për një Çmim Nobel, pasi shkencëtarët kanë vdekur ndërkohë kur vlerësohet ndikimi i punës së tyre.

Çmimi Nobel në Kimi jepet nga Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien). Laureatët (fituesit) e këtij çmimi zgjidhen nga Komiti Nobel për Kiminë i përbërë nga pesë anëtarë të zgjedhur nga Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien). Gjatë fazës së parë që fillon në Shtator(një vit para shpalljes së fituesit) një grupi prej rreth 3,000 individëve që janë profesorë të përzgjedhur nga universitete të ndryshme , ish- laureate Çmimit Nobel në Kimi, dhe personalitete të tjera shkencore në këtë fushë u dërgohen formulare konfidenciale nga Komiteti në mënyrë që ata të nominojnë individë të ndryshëm për këtë çmim. Formularët e plotësuar duhet të mbërrijnë në Komitetin Nobel për Kimi deri më 31 Janar të vitit kur do të jepet ky cmim. Nominimet shqyrtohen nga komisioni dhe përpilohet një listë me afërsisht 200 kandidatë paraprakë. Kjo listë i përcillet ekspertëve të zgjedhur në këtë fushë. Të nominuarit shqyrtohen dhe diskutohen nga ekspertët dhe përzgjidhet një listë me afërsisht 15 emra. Komiteti Nobel për Kiminë i paraqet një raport Akademisë Mbretërore të Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien) duke bërë rekomandime mbi kandidatët finalë që e meritojnë këtë çmim. Akademia pastaj bën përzgjedhjen përfundimtare të kandidatëve fitues të Çmimit Nobel në Kimi me shumicë votash. Emrat e të nominuarve për Çmimin Nobel në Kimi nuk shpallen kurrë publikisht dhe as nuk u bëhet e ditur këtyrë individëve se janë përzgjedgue për këtë çmim derisa të merret vendimi përfindimtar. Diskutimet në Komitetin Nobel për FKiminë arkivohen dhe nominimet për këtë çmim pas vdekjes së shkencëtarit kimist nuk lejohen, Rregullat për Çmimin Nobel në Kimi kërkojnë që rëndësia e zbulimit të jetë “testuar me kalimin e kohës”.

Çmimi Nobel për Mjekësi jepet nga Instituti Karolinska (Karolinska Institutet) në Stokholm të Suedisë. Për Alfred Nobelin ishte e rëndësishme që çmimi të jepet për një “zbulim” i cili të përbëjë “përfitimin më të madh për njerëzimin”. Sipas dispozitave të testamentit, vetëm personat e përzgjedhur nga Komiteti i Nobelit për çmimin përkatës kanë të drejtë të emërojnë individë për çmimin. Në këta individë të përzgjedhur që kanë të drejtë të nominojnë kandidatë për Çmimin Nobel përfshihen anëtarë të akademive të shkencave në të gjithë botën, profesorë të mjekësisë në Suedi, Danimarkë, Norvegji, Islandë dhe Finlandë, si dhe profesorë të universiteteve të zgjedhura dhe institucioneve kërkimore në vende të tjera. Edhe laureatët e mëparshëm të Çmimit Nobel në mjekësi gjithashtu mund të propozojnë kandidatë për këtë çmim. Deri në vitin 1977 ishin të gjithë profesorët e Institutit Karolinska (Karolinska Institutet) në Stokholm të Suedisë që vendosnin për Çmimin Nobel në Mjekësi. Në atë vit, ndryshimet në ligjin suedez e detyruan Institutin Karolinska (Karolinska Institutet) që të bënte publik çdo dokument që lidhej me Çmimin Nobel. Në këtë mënyrë u konsiderua e nevojshme të krijohej një organ ligjërisht i pavarur për punën e Çmimit Nobel në Mjekësi. Për këtë arsye u krijua Asambleja e Çmimit Nobel në Mjekësi që përbëhet nga 50 profesorë të Institutit Karolinska (Karolinska Institutet) në Stokholm të Suedisë . Kjo Asamble zgjedh Komitetin Nobel në Mjekësi me pesë anëtarë që vlerësojnë kandidatët për këtë çmim, Sekretarin që është përgjegjës për dhe çdo vit përzgjedh dhjetë anëtarë ndihmës për të ndihmuar në vlerësimin e kandidatëve. Në vitin 1968, u shtua një dispozitë që Çmimin Nobel në Mjekësi nuk mund të ndahej në më shumë se tre persona.

Çmimi Nobel për Paqe jepet në Oslo çdo vit nga Komiteti Norvegjez i Nobelit . Ai fton në mënyrë specifike njerëz të kualifikuar që të paraqesin nominimet për Çmimin Nobel të Paqes. Statutet e Fondacionit Nobel specifikojnë kategoritë e individëve që kanë të drejtë të bëjnë nominime për Çmimin Nobel për Paqen. Këta nominues janë a) anëtarët e parlaamenteve dhe qeverive kombëtare dhe anëtarët e Unionit Ndërparlamentar b)anëtarët e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë b)anëtarët e Institutit të së Drejtës Ndërkombëtare c)akademikët në nivelin e profesorit ose profesorit të asociuar në histori, shkenca shoqërore, filozofi, ligj dhe teologji, rektorë universiteti, drejtorë universitetesh (ose ekuivalentët e tyre), dhe drejtorë të instituteve të kërkimit në fushën e paqes dhe çështjeve ndërkombëtare d) ish –fitues të mëparshëm të Çmimit Nobel për Paqe , përfshirë anëtarët e bordit të organizatave që kanë marrë këtë çmim .e)anëtarët e tanishëm dhe ish-anëtarë të Komitetit Norvegjez të Nobelit f) ish -këshilltarë të përhershëm të Institutit Norvegjez të Nobel. Nominimet paraqiten në gjuhën angleze e norvegjeze dhe çdo vit paraqiten më shumë se 200 nominime . Statutet e Fondacionit Nobel nuk lejojnë që informacioni për nominimet, opinionet në lidhje me dhënien e çmimit të bëhen publike për të paktën 50 vjet pasi të jetë dhënë ky çmim. Me kalimin e kohës, shumë individë janë bërë të njohur si “Kandidatët për Çmimin Nobel të Paqes”, por ky përcaktim nuk ka status zyrtar .Nominimet e bëra merren në shqyrtim nga Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel për Paqe në një takim ku hartohet një listë e ngushtë e kandidatëve për tu rishqyrtuar më pas . Kjo listë e shkurtër shqyrtohet më pas nga këshilltarët e përhershëm të Institutit Nobel, i cili përbëhet nga Drejtori i Institutit , Drejtori i Kërkimit dhe një numër i vogël akademikësh norvegjezë me ekspertizë në fushat që lidhen me Çmimin Nobel për Paqen. Këshilltarët zakonisht kanë disa muaj për të përfunduar raportet, të cilat më pas merren në shqyrtim nga Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel për Paqe për të zgjedhur laureatin. Komiteti kërkon të arrijë një vendim unanim, por kjo nuk është gjithmonë e mundur dhe fituesi përcaktohet nga vota e kryetarit. Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel për Paqe zakonisht arrin në një përfundim në mes të Shtatorit, por herë pas here vendimi përfundimtar nuk është marrë deri në takimin e fundit para shpalljes zyrtare që është në fillim të Tetorit.

Çmimi Nobel në Shkencat Ekonomi jepet nga Banka Qëndrore e Suedisë (Sveriges Riksbanks pris i Ekonomisk Vetenskap till Alfred Nobels Minne), Ky është një çmim që administrohet nga Fondacioni Nobel. Edhe pse teknikisht nuk është një Çmim Nobel, i cili u vendos me vullnetin e Alfred Nobel në 1895, Çmimi në Shkencat Ekonomike identifikohet me çmimin; fituesit e saj shpallen me marrësit e Çmimit Nobel dhe paraqitet në Ceremoninë e Çmimit Nobel. Si rezultat, zakonisht quhet Çmimi Nobel në Ekonomi. Çmimi u krijua në 17 Shtator 1968 nga një donacion i Bankës Qëndrore të Suedisë (Sveriges Riksbanks) që iu dha Fondacionit Nobel për të përkujtuar 300 vjetorin e krijimit të Bankës. Ky çmim administrohet dhe referohet së bashku me Çmimet Nobel nga Fondacioni Nobel. Laureateët (fituesit) e Çmimit Nobel Memorial në Shkencat Ekonomike (Nobel Memorial Prize in Economics) përzgjidhen nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave. (Kungliga Vetenskapsakademien). Çdo Shtator, Komiteti i Akademisë Mbretërore Suedeze e Shkencave. (Kungliga Vetenskapsakademien) për Çmimin Nobel në Ekonomik të Akademisë, i cili përbëhet nga pesë anëtarë të zgjedhur, u dërgon një ftesë mijërave shkencëtarëve , anëtarë të akademive dhe profesorë të universiteteve në shumë vende, duke u kërkuar atyre të propozojnë kandidatë për Çmimin Nobel në Ekonomi për vitin pasardhës. Afati për dërgimin e këtyre nominimevve është data 1 Shkurt. Propozimet e bëra shqyrtohen nga Komiteti dhe ekspertë të ndryshim të cilat para fundit të Shtatorit, zgjedhin laureatët e mundshëm për Çmimin Nobel në Ekonomi. Nëse rezultati për kandidatët del me pikë të barabarat kryetari i Komisionit hedh votën vendimtare. Anëtarët e Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave votojnë në mes të Tetorit për të përcaktuar laureatin ose laureatët e Çmimit Nobel në Ekonomi.

 

KUR U DHANË ÇMIMET E PARA NOBEL

 

Pasi u krijuan Fondacioni Nobel dhe u miratuan udhëzimet e tij, Komitetet Nobel filluan të mbledhin nominimet për të shpallur çmimet e para Nobel. Më pas, ata dërguan një listë të kandidatëve paraprakë në institucionet e dhënies së ketyre çmimeve dhe si rrjedhojë çmimet e para Nobel u shpallën në vitin 1901. Komitetin e Nobelit për çmimin Nobel në fizikë dhe kimi pranë Akademisë Mbretërore e Shkencave të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien) për herë të parë Çmimin Nobel në Fizikë ia dha fizikanit gjerman Wilhelm Röntgen( 27.03.1845-10.02.1923) zbulimin e për rrezet X dhe fizikantin gjermano-hungarez Philipp Lenard (07.06.1862-20.05.1847) mbi punën e tij në rrezet katodike. Ndërsa përsa i përket çmimit Nobel në kimi, në dekadat e fundit të shekullit XIX, shumë kimistë kishin dhënë kontribute të rëndësishme. Kështu, në rastin e çmimit Nobel në Kimi, akademia “u përball kryesisht thjesht me vendosjen e rendit secilit prej këtyre shkencëtarëve do t’u jepej çmimi”. Akademia Mbretërore e Shkenacve të Suedisë (Kungliga Vetenskapsakademien) mori 20 nominime apo emra kandidatësh, njëmbëdhjetë prej tyre ishin për kimistin hollandez Jacobus van’t Hoff (30.08.1852-01.03.1911) dhe më pas atij iu dha çmimi për kontributet e tij në termodinamikën kimike. Komiteti i Nobelit për çmimin Nobel në Letërsi në Akademinë Suedeze (Svenska Akademien) zgjodhi poetin francez Sully Prudhomme (16.03.1839-06.09.1907) për Çmimin e parë Nobel në Letërsi. Një grup që përfshinte 42 shkrimtarë, artistë dhe kritikë letrarë suedezë protestuan kundër këtij vendimi, pasi kishin pritur që këtë çmim ta merrte shkrimtari rus Leon Tolstoi (09.09.1828-20.11.1910). Disa prej tyre e kritikuan këtë çmim sepse e konsideronin Prudhomme një poet mediokër ndërkohë që dnjë pjesë prej tyre shumica e anëtarëve të akademisë preferuan letërsinë viktoriane dhe kështu zgjodhën një poet viktorian. Komiteti i Nobelit për çmimin Nobel në Mjekësi në Institutin Karolinska (Karolinska Institute) ia dha Çmimin e parë Nobel Mjekësisë mjekut dhe mikrobiologut gjerman Emil von Behring (15.03.1854-31.03.1917). Gjatë viteve 1890, von Behring zhvilloi një antitoksinë për të trajtuar difterinë, e cila deri atëherë po shkaktonte mijëra vdekje çdo vit. Ndërsa Çmimi i parë Nobel për Paqen iu dha zviceranit Jean Henri Dunant (08.05.1828-30.05.1910) për rolin e tij në themelimin e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe inicimin e Konventës së Gjenevës, dhe së bashku iu dha ekonomistit e pacifistit francez Frédéric Passy (20.05.1822-12.06.1912), themeluesit të Lidhjes së Paqes dhe aktiv me Dunantin në Aleancën për Rend dhe Qytetërim (Alliance for Order and Civilization). Ndërkohë fituesit (laureatët) e parë për Çmimin Nobel Memorial ne Shkencat Ekonomike ishin ekonomisti hollandez Jan Tinbergen (12.04.1903-09.06.1994) dhe ekonomistit norvegjez Ragnar Frisch (03.03.1895-31.01.1973) për zhvillimin dhe zbatimin e modeleve dinamike për analizën e proceseve ekonomike. Bordi i Fondacionit Nobel vendosi që pas kësaj shtese që iu bë çmimeve Nobel me Çmimin Nobel Memorial për Shkencat Ekonomiake, nuk do të lejonte çmime të tjera që do t’i shtoheshin listës zyrtare.

 

KU DHE SI ZHVILLOHEN CEREMONITË E DHËNIES SË ÇMIMIT NOBEL

Me përjashtim të Çmimit Nobel të Paqes që jepen në Oslo të Norvegjisë, të gjitha çmimet e tjera Nobel jepen në Stokholm, Suedi, gjatë organizimit të Ceremonisë Vjetore të Çmimit Nobel (The Annual Nobel Prize Award Ceremony) më 10 Dhjetor, përvjetori i vdekjes së Alfred Nobelit. Nga viti 1901-1925 ceremonia e dhënies së çmimeve Nobel në Fizikë, Kimi, Mjekësi e Letërsi zhvillohej në Akademine Mbretërore të Muzikës (Kungliga Musikaliska Akademien) ndërsa nga viti 1926 e deri tani, ceremonia zhvillohet në Sallën e Koncerteve të Stokholmit (Stockholms Konserthus). Në ditët para zhvillimit të ceremonisë së dhënies së çmimeve zhvillohen të ashtuquajturat Leksionet Nobel (Nobel Lectures). Ceremonitë e dhënies së cmimeve Nobel (The annual Prize Award Ceremony) zhvillohen çdo datë 10 Dhjetor në Sallën e Koncerteve të Stokholmit (Stockholms Konserthus)dhe ,shoqërohen me Banketin Nobel (Nobel Banquet) që organizohet në Bashkinë e Stokholmit (Stockholm City Hall). Ndërsa Ceremonia e Çmimit Nobel për Paqen fillimisht është zhvilluar në Institutin Norvegjez Nobel (1905–1946), më pas në auditorin e Universitetit të Oslos (1947–1989), dhe nga viti 1990 e deri më sot ceremonia zhvillohet në Bashkinë e Oslos (1990 – e deri më sot). Momenti kryesor i Ceremonisë së Çmimit Nobel (The Nobel Prize Award Ceremony) në Stokholm ndodh kur secili laureat Nobel ecën përpara për të marrë çmimin nga duart e Mbretit të Suedisë. Në Oslo është kryetari i Komitetit Norvegjez të Nobeli (The Chairman of the Norwegian Nobel Committee) që i jep Çmimin Nobel për Paqe (Nobel Peace Prize) në prani të Mbretit të Norvegjisë. Pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve në Suedi, zhvillohet ai që quhet Banketi i Nobelit (Nobel Banquet), i cili organizohet në Sallën Blu të Bashkisë te Stokholmit, në të cilën marrin pjesë Familja Mbretërore Suedeze dhe rreth 1,300 të ftuar. Ndërsa banketi për Çmimin Nobel për Paqen mbahet në Norvegji në Oslo Grand Hotel pas ceremonisë së dhënies së çmimit. Përveç laureatit, të ftuarit përfshijnë presidentin e Storting( Parlamenti Norveghez) dhe sipas rastit merrr pjesë kryeministri suedez, dhë që nga viti 2006 në të merr pjesë Mbreti dhe Mbretëreshën e Norvegjisë. Në total, marrin pjesë rreth 250 mysafirë.

Sipas statuteve të Fondacionit Nobel, secilit laureat që ka marrë çmimin Nobel i kërkohet të japë një leksion publik mbi një temë që lidhet me fushën ku ka marrë këtë çmim. Leksionet Nobel (Nobel Lectures) eshte nje model që iu deshën dekada për të arritur formatin e tij aktual. Këto ligjërata normalisht zhvillohen gjatë Javës së Nobelit (Nobel Week 3-10 Dhjetor eshte java që paraprin ceremoninë e ndarjes së çmimeve Nobel dhe Banketit, e cila fillon me mbërritjen e laureatëve në Stokholm dhe normalisht përfundon me Banketin Nobel), por kjo nuk është e detyrueshme. Laureati është i detyruar të japë ligjëratën brenda gjashtë muajve nga marrja e çmimit

MEDALJA, DIPLOMA DHE VLERA FINANCIARE E ÇMIMIT NOBEL

Fondacioni Nobel i prodhon të pesë medaljet e Çmimit Nobel për Svenska Medalia AB. Midis 1902 dhe 2010, medaljet e Çmimit Nobel u realizuan nga fabrika Myntverket, një nga kompanite më të vjetra te Suedisë, e cila pushoi së funksionuari në vitin 2011 pas 107 vjetësh. Në vitin 2011, do të ishte fabrika e Norvegjisë, e vendosur në Kongsberg, që realizon medaljet. Çdo medalje përmban një imazh të Alfred Nobel në profilin e majtë, në anën e përparme. Medaljet e Çmimit Nobel për Fizikë, Kimi, Mjekësi dhe Letërsi kanë dy anë identike, duke treguar imazhin e Alfred Nobel si edhe vitet e lindjes dhe vdekjes së tij. Portreti i Nobelit shfaqet edhe në pjesën e përparme të medaljes së Çmimit Nobel të Paqes dhe medaljes për Çmimin Nobel Memorial për Shkencat Ekonomike, por me një dizajn paksa të ndryshëm. Imazhi në pjesën e pasme të një medalje ndryshon sipas institucionit që jep çmimin. Fituesit marrin një diplomë të dekoruar së bashku me një medalje ari. Të gjitha medaljet e bëra para vitit 1980 janë bërë me ar 23 karat. Pesha e secilës medalje ndryshon me vlerën e arit, por mesatarisht është rreth 175 gram për secilën medalje. Diametri është 66 milimetra dhe trashësia ndryshon midis 5.2 milimetra dhe 2.4 milimetra. Për shkak të vlerës së lartë të përmbajtjes së tyre të arit dhe tendencës për t’u shfaqur në publik, medaljet e Çmimit Nobel shpesh i nënshtrohen edhe vjedhjes. Fituesit e Nobelit marrin gjithashtu një diplomë drejtpërdrejt nga duart e Mbretit të Suedisë, ose në rastin e çmimit të Paqes, kryetarit të Komitetit Norvegjez të Nobelit. Çdo diplomë është projektuar në mënyrë unike nga institucionet e dhënies së çmimeve për laureatët që i marrin. Diploma përmban një fotografi dhe tekst në suedisht, i cili thotë emrin e laureatit dhe normalisht një citim pse ata morën çmimin. Secilit laureat (fitues) i jepet një shumë parash kur marrin çmimet e tyre, në formën e një dokumenti që konfirmon shumën e dhënë. Shuma e parave të shpërblimit varet nga sa para mund të japë Fondacioni Nobel çdo vit. Shuma është rritur që nga vitet 1980, kur vlera e çmimit ishin 880,000 korona suedeze SEK për çmim (rreth 2.6 milionë SEK në total, 350,000 dollarë sot). Nëse dy laureatë ndajnë çmimin në një kategori, vlera i çmimit ndahet në mënyrë të barabartë midis përfituesve. Nëse janë tre, Komiteti i Nobelit ka mundësinë të ndajë çmimin në mënyrë të barabartë. Zakonisht fituesit e çmimit Nobel pë Paqe i japin paratë për bamirësi apo në dobi të çështjeve shkencore, kulturore ose humanitare.

Please follow and like us: