Danilo Kish: Vetë budallenjtë dhe konspiracionistët janë të kënaqur
Kultivo dyshimin ndaj ideologjive dhe parimeve dominuese.
- Qëndro larg nga parimet.
- Ki mendjen të mos e ndotësh gjuhën tënde me atë të ideologjive.
- Binde veten se je më i fortë sesa gjeneralët, por mos u mat me ta.
- Mos beso se je më i dobët sesa gjeneralët, por mos u mat me ta.
- Mos beso në projekte utopike, përveç se tek ato që i koncepton vetë ti.
- Tregohu njëlloj krenar përpara parimeve dhe turmave.
- Ki ndërgjegjen e qetë për sa u përket privilegjeve që të jep zanati yt prej shkrimtari.
- Mos ngatërro mallkimin e zgjedhjes tënde me shtypjen klasore.
- Mos u obsesiono nga urgjencat historike dhe mos beso në metaforën e trenave të historisë.
- Domethënë mos vrapo të hipësh në «trenat e historisë»: është vetëm një metaforë idiote.
- Kujto gjithmonë këtë thënie: «Kush godet objektivin, gabon gjithçka».
- Mos shkruaj reportazhe për vende që i ke vizituar si turist: të mos shkruash aspak reportazhe, nuk je gazetar.
- Mos beso në statistikat, numrat, deklaratat publike: realiteti është ajo që nuk shikohet me sy të lirë.
- Mos vizito fabrikat, kolkozet, kantieret: përparimi është diçka që nuk shikohet me sy të lirë.
- Mos u merr me ekonomi, sociologji, psikanalizë.
- Mos ndiq filozofitë orientale, zen-in, budizmin, etj., ke gjëra më të rëndësishme për të bërë.
- Ji i vetëdijshëm për faktin se fantazia është motra e gënjeshtrës, kështu që është e rrezikshme.
- Mos u shoqëro me asgjë: shkrimtari është i vetëm.
- Mos u beso atyre që thonë se kjo është më e keqja e botëve.
- Mos beso tek profetët, pasi je ti profeti.
- Mos bëj profetin, arma jote është dyshimi.
- Ki ndërgjegjen e qetë. Parimet nuk kanë të bëjnë me ty: je ti parim.
- Ki ndërgjegjen e qetë. Minatorët nuk kanë të bëjnë me ty: je ti minator.
- Dije se ajo që nuk u ke thënë kurrë gazetave nuk ka humbur përgjithmonë: është torfa.
- Mos shkruaj me komandë për faktet e ditës.
- Mos vër bast mbi çastin. Do të pendoheshe.
- Mos vër bast as mbi përjetësinë. Do të pendoheshe.
- Ji i kënaqur me fatin tënd. Vetëm budallenjtë janë të kënaqur.
- Mos ji i pakënaqur me fatin tënd. Je një njeri i zgjedhur.
- Mos kërko shfajësime morale për njerëz që kanë tradhëtuar.
- Ruaju nga «koherenca e tmerrshme».
- Ruaju nga analogjitë false.
- Besoju atyre që e paguajnë shtrenjtë moskoherencën e tyre. Mos u beso atyre që e shesin shtrenjtë moskoherencën e tyre.
- Mos mbështet relativitetin e të gjitha vlerave. Hierarkia e vlerave ekziston.
- Priti me indiferencë shpërblimet e princave, por mos bëj asgjë për t’i merituar.
- Bindu se gjuha më të cilën shkruan është më e mira e të gjithave, pasi nuk ke tjetër.
- Bindu se gjuha në të cilën shkruan është më e keqja, anipse nuk do ta ndryshoje me asnjë.
- Mos ji servil. Princat të marrin për portier.
- Mos ji mendjemadh. Do te dukesh si portieri i parimeve.
- Mos beso se ajo që shkruan është e kotë nga pikëpamja sociale.
- Mos beso se ajo që shkruan është një punë «shoqërisht e dobishme».
- Mos besoj se ti vetë je një anëtar i dobishëm i shoqërisë.
- Mos lejo të bindesh se për këtë je një parazit i shoqërisë.
- Krijo një opinion personal për gjithçka.
- Mos e shpreh opinionin tënd personal për gjithçka.
- Fjalët e tua janë më të çmuarat.
- Mos fol në emër të kombit tënd. Kush je ti që të përfaqësosh këdo, përveç vetvetes?
- Mos qëndro në opozitë. Ti nuk je përballë, je nën.
- Mos u vendos përkrah pushtetit. Ti je sipër.
- Lufto padrejtësitë sociale, pa e bërë atë program.
- Mos lejo që lufta kundër padrejtësive sociale të të shmangë nga rruga jote.
- Njihe opinionin e të tjerëve dhe më pas harroje.
- Mos bëj ndonjë program politik, mos bëj asnjë program. Ti krijon nga magma dhe nga kaosi i botës.
- Ruaju nga kush të propozon zgjidhje finale.
- Mos ji shkrimtar i pakicave.
- Sapo një komunitet kërkon të të të adopotojë, vure veten në diskutim.
- Mos shkruaj për «lexuesin mesatar»: të gjithë lexuesit janë mesatarë.
- Mos shkruaj për elitën. Elita nuk ekziston. Elita je ti.
- Mos mendo për vdekjen dhe mos harro se je i vdekshëm.
- Mos beso në pavdekshmërinë e shkrimtarëve, janë budallallëqe profesorësh.
- Mos ji serioz në mënyrë tragjike. Është gjë komike.
- Mos bëj komedianin. Bojarët janë mësuar me argëtimin.
- Mos bëj lolon e oborrit.
- Mos beso se shkrimtarët janë «ndërgjegja e njerëzimit»: ke parë tashmë shumë batakçinj.
- Mos e beso se je asgjë dhe askushi: ke eksperimentuar tashmë se princat kanë frikë nga poetët.
- Mos shko drejt vdekjes për asnjë ide dhe mos bind asnjë që ta bëjë.
- Mos ji frikacak dhe përbuzi frikacakët.
- Mos harro se heroizmi kërkon një çmim shumë të lartë.
- Mos shkruaj në raste festash dhe përkujtimesh.
- Mos shkruaj elozhe: do të pendoheshe.
- Mos shkruaj fjalime funebër për heronjtë e kombit: do të pendoheshe.
- Nëse nuk mund ta thuash të vërtetën, hesht.
- Ruaju nga gjysmë të vërtetat.
- Kur e gjithë bota feston, nuk ka arsye që edhe ti të marrësh pjesë.
- Mos u bëj favore princave dhe bojarëve.
- Mos ji tolerant prej edukatës.
- Mos e përhap të vërtetën me çdo kusht: «Me budallenjtë nuk debatohet».
- Mos u bind se të gjithë kanë njëlloj të drejtë dhe se shijet nuk diskutohen.
- «Të jesh dy veta gabim nuk do të thotë se po dy veta mund të kenë të drejtë» (Karl Popper).
- «Të pranosh se një tjetër ka të drejtë nuk na mbron nga një rrezik i mëtejshëm: të besuarit se ndoshta të gjithë kanë të drejtë» (idem).
- Mos debato me injorantët për gjëra që i dëgjojnë për herë të parë nga ty.
- Mos ki mision.
- Ruaju nga ata që kanë mision.
- Mos beso në «mendimin shkencor».
- Mos beso tek intuita.
- Ruaju nga cinizmi, edhe nga i joti.
- Shmang klieshetë ideologjike dhe citimet.
- Ki kurajo të thuash se poezia e Aragonit për lavdinë e GPU-së është turp.
- Mos kërko rrethana lehtësuese.
- Mos u bind se në polemikën Sartre – Kamy kishin të drejtë të dy.
- Mos beso në të shkruarën automatike dhe në «papërcaktueshmërinë e qëllimshme»: ti aspiron për qartësinë.
- Refuzo shkollat letrare që të imponohen.
- Kur dëgjon të flitet për «realizëm socialist», hiq dorë nga çdo diskutim i mëtejshëm.
- Lidhur me temën «letërsi e impenjuar» rri i heshtur si peshku. Lërua profesorëve.
- Tregoji rrugën kujt krahason kampet e përqëndrimit me Burgun e la Santé.
- Mallkoje 100 herë atë që thotë se Kolyma ishte ndryshe nga Auschwitz.
- Kush pohon se në Auschwitz shfarosnin vetëm morrat dhe jo njerëzit, kape për leckash dhe flake tej.
- Dhe kush thotë se e gjitha kjo përfaqëson një «domosdoshmëri historike», bëji të njëjtën gjë.
Përgatiti: ARMIN TIRANA
Please follow and like us: