Albspirit

Media/News/Publishing

Zija Basha: Kënga e moçme për Skënderbeun në Frashtan të Dropullit

Vasiliev Nini: Skënderbeu.

 

Në maj të vitit 1983 në Lazarat erdhi për të mbledhur këngë popullore mbledhësi i njohur i folklorit Fatos Mero Rrapaj nga Gumenica e Vlorës. Nëna ime i tregoi një këngë të moçme për Skënderbeun që ja kishte mësuar një plakë nga Frashtani i Dropullit që në vitin 1932 në kullotën e fshatit Goricë ku mbanin bagetitë së bashku në dimrin e atij viti. Kënga është shqip sepse banorët e 2 fshatrave Lugar dhe Frashtan janë fshatra shqiptare. Kënga është kjo:

                     

HËNË MOJ HËNË E BUKUR

 

        Hënë, moj hënë e bukur

        Fole ku ke bujtur?

        Katër djem të humbur,

        Andej nga vjen, mos i pe?

        Andej arçë e i pashë,

        Në Stamoll brenda i lashë.

        U thotë një grua e ve,

        U thotë të bëheni turq.

        Se do tu vënë në shkollë

        Pa do mësoni dituri,

        Pa do mirrni grada të larta,

        Kuaj me shalë të arta.

        Shpata të ergjenta do miri,

        Gra të bukura do të kini,

        Më të mirat në Turqi.

        Njeri deshi e tre që s’ deshën?

        Me cohë të vdekuri i veshën.

        Shkuan ditë e shkuan netë,

        Shkuan muaj edhe vjetë.

        Një natë kur doli hëna.

        Doli mbretëreshë grikëzena

        Edhe hënësë i thotë:

        Hënë o moj ti hënë,

        Që na ndricon vënë!

        Andej nga ke qenë,

        Mos na pe Gjergjin tënë?

        Edhe hëna seç i thotë

        Ja atje e pashë sot.

        Me pesëqind epirotë

        Të hipur mbi kuaj.

        Me shpata në duar,

        Vijnë duke kënduar.

Kjo këngë e joshi mledhësin e pasionuar Fatosin për ta dëgjuar edhe nga plaka ose pleq frashtanjotë  dhe si e këndonin. Si mlodhi edhe këngë të tjera në popull me ndihmën e mësuesit Vasil Jushi përgatiti vëllimin për këngët e Labërisë. Para se të fillonte botimi një dorë tinzare nga instituti i folklorit e tërhoqi këtë këngë. Arsyeja mbeti enigmë për autorin që ma tregoi ngjarjen më 1995. Profesor Aleks Buda në vitin 1983 porosiste dhe lutej për të gjetur këngë të vjetra për Skënderbeun. Po e citoj “mjerisht edhe këngë disa vargjeshe janë shumë të çmuara për lavdinë e asaj kohe heroike”.

Please follow and like us: