Albspirit

Media/News/Publishing

Bledar Koçi: Dhimbje…

Ish një shegë atje te lëmi
Faqe skuqur çupëlinë
Dhimbja shpesh aty më shembi
Që s’ia ndjeva vajzërinë.
Ish një fik aty më tutje
Plak i moçëm, i pafjalë
Diç më flisnin si me ngutje
Ca kujtime mbetur gjallë.
Ish një ftúa, shumë e doja
Puthur fletësh tej në erë
Një folezë atje kundroja
Kur trokiste një pranverë.
Ish dhe arra mbi një shekull
Degëdjegur vetëtimash
Fshehur hiret nëpër mjegull
Shkarë e zbritur prej borigash.
Kaq shumë ishin e më s’janë
Ç’mall i dridhur shungulloi
Si zogth humbur anë më anë,
Qiejsh të largët fluturoi..
Please follow and like us: