Albspirit

Media/News/Publishing

Kokëdhima dënon deklaratën e Borrell: Kosova është shtet i pavarur dhe nuk merr leje askund për zbatimin e ligjit në territorin e saj

Kreu i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, e cilësoi aksionin e sotëm antikontrabandë të policisë së Kosovës një detyrë institucionale të qeverisë për kontrollin e territorit dhe zbatimin e ligjit në çdo pëllëmbë të vendit, dhe dënoi deklarimet e Beogradit, që trimërojnë elementët kriminalë në veri të Kosovës. Kokëdhima e cilësoi të papranueshme deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës janë të papranueshme, duke u shprehur se ajo dukej sikur ishte shkruar në Beograd e jo në Bruksel.

Reagimi i Kokëdhimës

Operacioni policor anti-kontrabandë i realizuar sot në Kosovë, fatkeqësisht, la 4 policë të lënduar pas sulmeve të banorëve serbë, të trimëruar nga politika anti-shqiptare e Beogradit, që qëndron pas çdo veprimi antiligjor të elementëve kriminalë në Republikën e Kosovës.

Fakti se mes të arrestuarve për kontrabandë ishin më shumë shqiptarë dhe vetëm një serb e një boshnjak, tregon se ajo që ndodhi sot, nuk ishte sulm kundër serbëve apo etnive të tjera, por një detyrë institucionale e qeverisë për kontrollin e territorit dhe zbatimin e ligjit në çdo pëllëmbë të Kosovës.

Deklarata e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, se “veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës janë të papranueshme”, është e dëmshme, kundër popullit të Kosovës e paqes në Ballkan dhe dukej sikur ishte shkruar në Beograd e jo në Bruksel.

Kosova, edhe pse jo e njohur ende nga Spanja e z.Borrell dhe 4 vende të tjera të BE-së, është shtet i pavarur nga 17 shkurti 2008, dhe nuk merr leje askund për zbatimin e ligjit në territorin e saj. Aq më shumë të negociojë me Serbinë apo BE-në për luftën ndaj krimit të organizuar dhe kontrabandës./shekulli

Please follow and like us: